Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Toka: A u ‘themelua’ rastësisht?

Toka: A u ‘themelua’ rastësisht?

Toka: A u ‘themelua’ rastësisht?

PËR të shmangur temperaturat ekstreme, toka duhet të rrotullohet në orbitë në largësinë e duhur nga dielli. Në sisteme të tjera diellore janë diktuar planete që lëvizin në orbitë rrotull yjeve ngjashëm diellit dhe është konsideruar që ato ndodhen në ‘zonën e banueshme’, domethënë kanë aftësi të mbajnë ujë në gjendje të lëngët. Por edhe këto të ashtuquajtura planete të banueshme mund të mos jenë prapëseprapë të përshtatshme për jetën njerëzore. Ato duhet, gjithashtu, të rrotullohen me shpejtësinë e duhur dhe të kenë madhësinë e duhur.

Sikur toka të ishte pakëz më e vogël dhe më e lehtë nga ç’është, forca e rëndesës do të ishte më e dobët dhe një pjesë e madhe e atmosferës së çmuar të tokës do të ishte larguar në hapësirë. Kjo mund të shihet në rastin e Hënës dhe të dy planeteve: Mërkurit e Marsit. Duke qenë më të vegjël dhe duke peshuar më pak sesa toka, ata kanë pak ose aspak atmosferë. Por, po sikur toka të ishte pakëz më e madhe dhe më e rëndë nga ç’është?

Atëherë forca e rëndesës e tokës do të ishte më e fuqishme dhe gazeve të lehta, si hidrogjeni dhe heliumi, do t’u duhej më shumë kohë për t’u larguar nga atmosfera. «Ç’është më e rëndësishmja,​—shpjegohet në librin mësimor shkencor Environment of Life,​—ekuilibri delikat ndërmjet gazeve të atmosferës do të prishej.»

Ose mendoni pak vetëm për oksigjenin, i cili shërben si karburant për djegiet. Nëse niveli i tij do të ngrihej me 1 për qind, do të shpërthenin më shpesh zjarre në pyje. Nga ana tjetër, nëse dioksidi i karbonit, i cili shkakton efektin serrë, do të vazhdonte të shtohej, ne do të vuanim pasojat e një toke të mbinxehur.

Orbita e tokës

Një karakteristikë tjetër ideale është forma e orbitës së tokës. Nëse kjo orbitë do të ishte më eliptike, ne do të vuanim nga temperatura ekstreme të padurueshme. Në vend të kësaj, toka ka një orbitë thuajse rrethore. Sigurisht, nëse pranë saj do të kalonte një planet gjigant, si Jupiteri, situata do të ndryshonte. Vitet e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar dëshmi që shumë pranë disa yjeve lëvizin në orbita planete të mëdhenj ngjashëm Jupiterit. Shumë nga këto planete ngjashëm Jupiterit kanë orbita jorrethore. Në sisteme të tilla, çdo planet ngjashëm tokës do të ishte në hall.

Astronomi Xhefri Marsi i krahasoi këto sisteme të jashtme planetare me katër planetet: Mërkurin, Afërditën, Tokën dhe Marsin, të cilët përbëjnë pjesën e brendshme të sistemit tonë diellor. Në një intervistë, Marsi tha: «Vështroni sa i përsosur është ky [organizim]. Është si një xhevahir. Ka orbita rrethore. Ato ndodhen të gjitha në të njëjtin plan. Vërtiten të gjitha në të njëjtin drejtim. . . . Është thuajse e magjishme.» A mund ta shpjegojë vërtet këtë rastësia?

Sistemi ynë diellor ka një karakteristikë tjetër të mrekullueshme. Planetet gjigantë​—Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni​—rrotullohen në orbita rreth diellit në një largësi të sigurt nga ne. Në vend që të jenë një kërcënim, këto planete luajnë një rol jetësor. Astronomët i kanë krahasuar ato me «fshesa me korrent qiellore», sepse forca e tyre e rëndesës thith meteorë të mëdhenj, të cilët në rast të kundërt mund të vinin në rrezik jetën në tokë. Vërtet, toka është ‘themeluar’ shumë mirë. (Jobi 38:4) Si madhësia e saj, ashtu edhe vendi që zë në sistemin diellor janë tamam ato të duhurat. Por kjo s’është e gjitha. Toka ka karakteristika të tjera unike që janë thelbësore për jetën njerëzore.

Oksigjeni dhe fotosinteza

Atomet e oksigjenit përbëjnë 63 për qind të peshës së organizmave të gjalla në tokë. Për më tepër, oksigjeni që ndodhet në shtresat e sipërme të atmosferës i mbron bimët dhe kafshët që jetojnë në tokë nga rrezet ultraviolet të diellit. Por oksigjeni është i shpejtë për të vepruar me elementet e tjera, si në rastin kur vepron me hekurin dhe formon ndryshkun. Si e ruan, pra, atmosfera nivelin 21 për qind të këtij elementi tepër reaktiv?

Përgjigjja është fotosinteza​—një proces i mrekullueshëm, nëpërmjet të cilit bimësia e tokës përdor dritën e diellit për të formuar ushqim. Një produkt dytësor i fotosintezës është oksigjeni, më shumë se një miliard ton nga i cili lirohen në atmosferë çdo ditë. «Pa fotosintezën,​—shpjegohet në The New Encyclopædia Britannica,​—jo vetëm që do të ndërpritej furnizimi me rezervat bazë ushqimore, por së fundi Toka do të mbetej pa oksigjen.»

Librat mësimorë shkencorë përdorin një numër faqesh për të shpjeguar hapat e procesit të quajtur fotosintezë. Disa hapa nuk janë kuptuar ende plotësisht. Evolucionistët nuk mund ta shpjegojnë se si evoluoi çdo hap nga diçka më e thjeshtë. Në të vërtetë, çdo hap duket se ka një kompleksitet që s’mund të thjeshtësohet më tej. «Nuk ekziston asnjë ide e pranuar gjerësisht rreth origjinës së procesit të fotosintezës»,​—pranon The New Encyclopædia Britannica. Një evolucionist e kaloi shkarazi problemin, duke thënë se fotosinteza ishte «shpikur» nga «disa qeliza pioniere».

Ky pohim, ndonëse joshkencor, zbulon diçka tjetër që është, po ashtu, mahnitëse: fotosinteza ka nevojë për muret qelizore, brenda të cilave procesi mund të zhvillohet pa problem, dhe, veç kësaj, që procesi të vazhdojë kërkohet të riprodhohen qelizat. A ndodhi e gjithë kjo thjesht rastësisht në disa «qeliza pioniere»?

Nga qeliza vetëriprodhuese te njeriu

Ç’mundësi ka që disa atome të mblidhen së bashku, për të formuar qelizën më të thjeshtë vetëriprodhuese? Në librin e tij A Guided Tour of the Living Cell, shkencëtari Kristjan dë Duvë, fitues i çmimit Nobel, pranon: «Nëse e barazoni probabilitetin e lindjes së një qelize bakteriale me atë të grumbullimit rastësor të atomeve të saj përbërëse, nuk do të mjaftojë as përjetësia që të formohet një qelizë e tillë.»

Pasi kemi arritur deri në këtë pikë, le të bëjmë një kapërcim gjigant nga një qelizë bakteriale te miliarda qelizat nervore të specializuara që përbëjnë trurin e njeriut. Shkencëtarët e përshkruajnë trurin e njeriut si strukturën më të ndërlikuar fizike në universin e njohur. Ai është vërtet i pashoq. Për shembull, disa zona të mëdha të trurit të njeriut janë quajtur fusha shoqëruese. Këto fusha analizojnë dhe interpretojnë informacionet që vijnë nga pjesa ndijore e trurit. Një nga fushat shoqëruese, që ndodhet mbrapa ballit, na jep mundësi të meditojmë rreth mrekullive të universit. A mund ta shpjegojnë me të vërtetë disa zhvillime të rastësishme ekzistencën e këtyre fushave shoqëruese? «Barasvlerësit e disa pjesëve të rëndësishme të këtyre fushave nuk gjenden tek asnjë kafshë tjetër»,​—pranon evolucionisti dr. Sheruin Nuland në librin e tij The Wisdom of the Body.

Shkencëtarët kanë provuar se truri i njeriut i përpunon informacionet me një shpejtësi shumë më të madhe sesa kompjuteri më i fuqishëm. Të mbajnë ndër mend se teknologjia moderne kompjuterike është rezultat i dekadave të tëra përpjekjesh njerëzore. Po truri i njeriut që qëndron shumë më lart? Dy shkencëtarë, Xhon Barrou dhe Frank Tipler, pranojnë sa më poshtë në librin e tyre The Anthropic Cosmological Principle: «Midis evolucionistëve është zhvilluar një marrëveshje e përgjithshme se evolucioni i jetës inteligjente​—e cila për sa i përket aftësisë për të përpunuar informacionet i përngjet aftësisë që ka Homo sapiens​—është kaq i pamundur, saqë nuk ka të ngjarë të ketë ndodhur në ndonjë planet tjetër në krejt universin e dukshëm.» Këta shkencëtarë përfundojnë duke thënë se ekzistenca jonë është «një rastësi jashtëzakonisht fatlume».

A ndodhi gjithçka rastësisht?

Në ç’përfundim keni arritur? A mund të jetë formuar vërtet rastësisht universi me gjithë mrekullitë e tij? A nuk jeni dakord se çdo pjesë muzikore e shkëlqyer duhet të ketë një kompozitor dhe se instrumentet duhen sinkronizuar me përpikmëri, që të nxjerrin tinguj të këndshëm? Ç’të themi për universin tonë të madhërishëm? «Jetojmë në një univers të sinkronizuar me mjaft përpikmëri»,​—vëren matematikani dhe astronomi Dejvid Blok. Përfundimi i tij? «Universi ynë është një shtëpi. E projektuar, mendoj, nga dora e Perëndisë.»

Nëse ky është përfundimi juaj, atëherë do të jeni patjetër dakord me përshkrimin që jep Bibla për Krijuesin, Jehovain: «Ai është Bërësi i tokës me anë të fuqisë së tij, Ai që ka vendosur patundshmërisht tokën prodhimtare me anë të mençurisë së tij dhe Ai që me anë të kuptueshmërisë së tij shtriu qiejt.»​—Jeremia 51:15, BR.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

NJË PLANET I VEÇANTË

«Kushtet e veçanta mbi tokë që vijnë si rezultat i përmasave të saj ideale, përbërjes së elementeve dhe një orbite gati rrethore në distancë të përsosur nga një yll jetëgjatë, dielli, bënë të mundur mbledhjen e ujit mbi sipërfaqen e tokës. Është e vështirë, madje, të përfytyrosh që jeta të zinte fill pa ujin.»​—Integrated Principles of Zoology, botimi i gjashtë.

[Burimi]

Foto e NASA-s

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

JETA: A LINDI RASTËSISHT?

Në vitin 1988, në revistën Search, botuar nga Shoqata e Australisë dhe e Zelandës së Re për Përparimin e Shkencës, u shqyrtua një libër që orvatet të shpjegojë se si mund të ketë lindur jeta rastësisht. Vetëm në një faqe të librit, shkrimtari shkencor L. A. Benet gjeti «16 deklarata jashtëzakonisht të hamendshme, ku besueshmëria e çdonjërës varej nga deklarata paraardhëse». Në ç’përfundim arriti Beneti pasi lexoi gjithë librin? «Është shumë më e lehtë,​—shkroi ai,​—të pranosh që një Krijues i dashur krijoi menjëherë jetën dhe e drejtoi nëpër udhët e tij të qëllimshme [domethënëse] . . . , sesa të pranosh morinë e ‘rastësive të verbra’ që nevojiten për të mbështetur tezat e autorit.»

[Figurat]

Fotosinteza është jetësore për prodhimin e ushqimit dhe për ciklin e oksigjenit

Si shpjegohen karakteristikat ideale të tokës, që janë të nevojshme për të mbështetur jetën?

Shkencëtarët e përshkruajnë trurin e njeriut si strukturën më të ndërlikuar fizike në univers. Si mund të jetë zhvilluar rastësisht?

[Burimet]

Foto: Zoo de la Casa de Campo, Madrid

Monte Costa, Sea Life Park Havai

[Figurat në faqet 8, 9]

Madhësitë e planeteve të treguara me shkallë zvogëlimi

Dielli

Mërkuri

Afërdita

Toka

Marsi

Jupiteri

Saturni

Urani

Neptuni

Plutoni

[Burimet]

Dielli: National Optical Astronomy Observatories; Mërkuri, Jupiteri dhe Saturni: Me mirësjelljen e NASA/JPL/Caltech/USGS; Afërdita dhe Urani: Me mirësjelljen e NASA/JPL/Caltech; Toka: Foto e NASA-s; Marsi: NASA/JPL; Neptuni: JPL; Plutoni: A. Stern (SwRI), M. Buie (Lowell Obs.), NASA, ESA