Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Rrëmbimi Po ju shkruaj për t’ju falënderuar në mënyrë të veçantë për serinë e artikujve «Rrëmbimi: Pse një kërcënim global?». (22 dhjetor 1999, anglisht) Muajin e shkuar ndodhi një grabitje në supermarketin ku punoj. Dy burra të maskuar hynë brenda dhe njëri prej tyre më drejtoi armën. Duke qenë se në artikuj tregohej që viktimat e rrëmbimit duhet të bëjnë ashtu siç u thuhet, nuk kundërshtova ndërsa më lidhën duart, këmbët e sytë dhe më ulën përdhe. Vodhën 9.500.000 jenë (afro 90.000 dollarë). Por qëndrova e qetë dhe kështu nuk pësova asgjë. Artikulli erdhi në kohën e duhur!

S. H., Japoni

Kënaqet me Zgjohuni! Fakti që jam anëtar i kishës Asambleja e Perëndisë nuk më pengon të lexoj revistën Zgjohuni! Nuk kam lexuar ndonjë revistë tjetër me cilësi kaq të lartë dhe me një larmi të tillë temash. Në shtëpi nuk kam televizor, por shpesh jam në gjendje të diskutoj me miqtë e mi rreth çështjeve të ditës, sepse kam lexuar për to në revistën tuaj.

A.B.A., Brazil

Në teh të briskut Artikulli «Në teh të briskut» (22 janar 2000, anglisht) erdhi tamam në kohën e duhur për mua. Tani im shoq ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe nuk mund të rruhet më vetë. Katër sugjerimet në lidhje me të rruarin qenë një ndihmë e madhe. Tani ai do që unë t’ia rruaj mjekrën çdo ditë.

L. D., Gjermani

Gënjeshtra Artikulli «Pikëpamja e Biblës: A është ndonjëherë e justifikuar të gënjesh?» (shkurt 2000) të fuste në mendime. Por, sipas asaj që pranohet në përgjithësi, a nuk e dënon Bibla çfarëdolloj mashtrimi?

D. S., Shtetet e Bashkuara

Në Bibël, të gënjesh zakonisht përfshin t’i thuash diçka të rreme një personi që është i autorizuar të dijë të vërtetën dhe ta bësh këtë me qëllimin që të mashtrosh ose të dëmtosh atë a ndokënd tjetër. Individë me frikë Perëndie, si Abrahami, Isaku, Rahaba dhe Davidi, u përfshinë në disa forma mashtrimi, por nuk u dënuan si gënjeshtarë. Sigurisht, ata vepruan kështu në rrethana të jashtëzakonshme. Prandaj veprimet e tyre nuk e përligjin mashtrimin e kotë. Për shembull, nëse një i krishterë është betuar të thotë të vërtetën përpara një gjykate, ai duhet që ose të thotë të vërtetën, ose të heshtë.​—BOT.

Familje pa baba Numri i shkurtit 2000 trajtonte prirjen e shtimit të fëmijëve pa baba. («Familje pa baba: Si të ndalet kjo prirje?») Nuk mund ta shpreh me fjalë sa e zhgënjyer dhe e zemëruar isha pasi e lexova. Ju miratonit sjelljen e baballarëve që largohen, duke trajtuar problemet e tyre të ndryshme, si të drejtën për të vizituar fëmijët dhe gjendjen e tyre të vështirë ekonomike. Ku është qortimi? Ku është nxitja që burrat të ndreqin gabimet e tyre?

S. L., Shtetet e Bashkuara

Mund ta kuptojmë mirë se sa e dhembshme duhet të jetë për disa të shqyrtojnë një material të tillë, veçanërisht nëse kanë përjetuar braktisje. Por artikulli nuk kishte për qëllim të shërbente si një qortim për burrat. Përkundrazi, u përpoqëm të ndihmonim që të dyja palët të kuptonin më mirë çështjet e ndërlikuara që përfshihen. Gjithashtu, dhamë këshilla praktike për viktimat e braktisjes. Në mënyrë interesante, në artikullin përmbyllës «Familje pa baba: Si të ndalet kjo prirje?» thuhej: «Prirjet e sotme në familje mund të ndalen vetëm nëse njerëzit janë të gatshëm të bëjnë ndryshime thelbësore në mënyrën e tyre të të menduarit, në qëndrime, në sjellje dhe në normat e tyre morale.»​—BOT.

Kur pashë kopertinën me fotografinë e një vajze me babanë e saj, m’u mbushën sytë me lot. Gjithnjë kam dashur të kem një marrëdhënie të tillë me babanë tim. Artikulli më dha mundësi që të përpiqesha të kuptoja përse gjërat në familjen time ndodhën ashtu siç ndodhën. Ishte si një rreze dielli që depërtonte në të kaluarën time dhe ndriçonte pyetjet e errëta që kanë qenë atje për kaq e kaq vjet.

M. M., Shtetet e Bashkuara