Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fitoj betejën me depresionin e paslindjes

Fitoj betejën me depresionin e paslindjes

Fitoj betejën me depresionin e paslindjes

Më kujtohet që shikoja tim shoq teksa luante i lumtur me vajzën tonë të sapolindur dhe mendoja se do të ishin më mirë pa mua. Më dukej se isha një barrë për ta. Doja të merrja makinën, të ikja diku e të mos kthehesha më kurrë. As që më shkonte mendja se isha viktimë e depresionit të paslindjes. *

DHJETË vitet e para të martesës sime ishin vite të lumtura. Bashkë me Xhesonin ishim të kënaqur tek rritnim vajzën tonë të parë, Lianën. Prandaj, kur mbeta sërish shtatzënë, të gjithë e pritëm me gëzim këtë lajm.

Por kjo shtatzëni ishte shumë e vështirë. Në fakt, gati sa s’vdiqa nga ndërlikimet pas lindjes. Megjithatë, para kësaj, andej nga fundi i shtatzënisë, mendja dukej se më ishte mjegulluar fare. Gjendja u keqësua më shumë pasi e sollëm foshnjën tonë, Karlën, në shtëpi. Ndihesha vazhdimisht e lodhur dhe e paaftë të merrja qoftë dhe vendime të thjeshta. M’u bë zakon t’i telefonoja Xhesonit në punë shumë herë gjatë ditës vetëm për ta pyetur se ç’punë tjetër duhej të bëja në shtëpi. Ose i kërkoja të më siguronte nëse diçka që sapo kisha thënë ose kisha bërë ishte e drejtë.

Kisha frikë të isha në shoqëri me të tjerët, madje dhe me miqtë e vjetër. Nëse vinte dikush papritur në derë, fshihesha në dhomën e gjumit. E lija shtëpinë rrëmujë dhe shpërqendrohesha e hutohesha shpejt. Më pëlqen shumë të lexoj, por kjo gjë u bë pothuaj e pamundur, meqë nuk mund të përqendrohesha. E kisha të vështirë të lutesha e kjo ndikoi për keq në shëndetin tim frymor. Ndihesha e mpirë emocionalisht. S’arrija të ndieja dashuri për askënd. Kisha frikë se mos fëmijët e mi dëmtoheshin ngaqë nuk po mendoja siç duhej. Humba fare vlerësimin për veten. Më dukej sikur po çmendesha.

Gjatë asaj kohe, Xhesoni vinte në shtëpi nga puna dhe më ndihmonte duke pastruar shtëpinë ose duke përgatitur ushqim për familjen. Unë inatosesha me të për faktin që më ndihmonte! Më dukej sikur veprimet e tij tregonin që isha një nënë e paaftë. Nga ana tjetër, nëse nuk më ndihmonte, e akuzoja që nuk kujdesej. Sikur Xhesoni të mos i kishte trajtuar gjërat me aq maturi dhe dashuri, sikurse bëri, depresioni i paslindjes që pata mund ta kishte shkatërruar martesën tonë. Ndoshta Xhesoni mund ta përshkruajë më mirë se si ndikoi tek ai gjendja ime.

Im shoq tregon se si ndikoi tek ai

«Në fillim, s’arrija ta kuptoja atë që po i ndodhte Xhanelës. Natyra e saj, zakonisht e gëzueshme e miqësore, ndryshoi krejtësisht. Filloi të sillej si të ishte tjetër njeri. Çdo gjë që i thosha nisi ta merrte si kritikë ndaj saj, e madje inatosej kur përpiqesha t’ia lehtësoja peshën e punëve. Në fillim më vinte t’i thosha që ta mblidhte veten, por e kuptoja se një reagim i tillë vetëm sa do t’i keqësonte gjërat.

Marrëdhënia jonë ishte vazhdimisht e tendosur. Xhanelës i dukej sikur e gjithë bota ishte kundër saj. Kisha dëgjuar për gra të tjera që vuanin nga simptoma të ngjashme si pasojë e depresionit të paslindjes. Kështu që, kur fillova të dyshoja se ajo po vuante nga e njëjta gjë, nisa të lexoja çdo informacion që arrija të gjeja rreth kësaj çështjeje. Ajo që lexova i vërtetoi dyshimet e mia. Mësova edhe se sëmundja e Xhanelës nuk ishte për faj të saj, pra, nuk ishte pasojë e ndonjë neglizhimi nga ana e saj.

Xhanela dhe fëmijët kishin nevojë për më shumë kujdes në atë kohë dhe e pranoj se kjo gjë më sfiliti emocionalisht dhe fizikisht. Për dy vjet m’u desh t’i përmbahesha një programi që më lejonte të kujdesesha për punën dhe për përgjegjësitë e mia si plak kongregacioni, si bashkëshort e baba. Lumturisht munda ta rregulloja punën, në mënyrë që të isha më herët në shtëpi, veçanërisht në mbrëmjet që ndiqnim mbledhjet e krishtere. Xhanela kishte nevojë që të isha në shtëpi në kohë për ta ndihmuar që të përgatiste darkën dhe të vishte fëmijët. Në këtë mënyrë të gjithë arrinim t’i ndiqnim mbledhjet.»

Në rrugën drejt shërimit

Pa mbështetjen e dashur të bashkëshortit, pa dyshim që shërimi im do të kishte qenë shumë më i ngadaltë. Xhesoni më dëgjonte me durim tek zbrazesha duke i folur për çdo lloj frike që provoja. E pashë që ishte shumë e rëndësishme të mos i ndrydhja ndjenjat e mia. Ndonjëherë edhe e shprehja inatin, por Xhesoni më siguronte vazhdimisht se më donte dhe se po e përjetonim së bashku këtë përvojë. Ai përpiqej gjithmonë të më ndihmonte që të shihja anën pozitive të gjërave. Më pas i kërkoja falje për fjalët që kisha thënë në zemërim e sipër. Më qetësonte duke më thënë se ishte sëmundja që më bënte të flitja në atë mënyrë. Tani, kur kthej kokën pas, e kuptoj se sa të dobishme ishin për mua fjalët e tij të kujdesshme.

Më në fund, të dy gjetëm një mjek shumë dashamirës, i cili më kushtoi kohë për të më dëgjuar se si ndihesha. Gjendjen time e diagnostikoi si depresion i paslindjes dhe sugjeroi që të trajtohesha edhe me ilaçe që ndihmonin të mbaja nën kontroll krizat e shpeshta të ankthit. Gjithashtu më inkurajoi të kërkoja ndihmën e një specialisti në fushën e shëndetit mendor. Veç kësaj, më këshilloi të bëja ushtrime të rregullta, një terapi kjo që ka ndihmuar shumë veta të luftojnë depresionin.

Një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt shërimit ishte përballimi i ndjenjës së turpit që shkakton depresioni i paslindjes. Për njerëzit shpesh është e vështirë të tregojnë empati për dikë që ka një sëmundje të cilën ata nuk e kuptojnë. Depresioni i paslindjes nuk është, si të thuash, si një këmbë e thyer që të tjerët mund ta shohin e kështu të tregojnë dhembshuri. Megjithatë, familja dhe miqtë e ngushtë me të vërtetë më mbështetën dhe treguan mirëkuptim.

Ndihma e dashur nga familja dhe miqtë

Xhesoni dhe unë ishim shumë mirënjohës për ndihmën që dha mamaja ime gjatë kësaj periudhe të vështirë. Nganjëherë ai kishte nevojë të shkëputej ca nga kjo gjendje e trazuar emocionale në shtëpi. Mamaja ishte gjithmonë inkurajuese dhe nuk përpiqej të merrte përsipër gjithë punën time. Përkundrazi, më mbështeste dhe më jepte zemër të bëja atë që mundja.

Edhe miqtë në kongregacion ishin një mbështetje e mrekullueshme. Shumë prej tyre dërgonin letra të shkurtra ku thoshin se po mendonin për mua. Sa shumë i çmoja këto shprehje të dashura, veçanërisht sepse e kisha të vështirë të flitja me njerëzit, qoftë nëpërmjet telefonit, qoftë sy më sy! Madje e kisha të vështirë të shoqërohesha me të bashkëkrishterët përpara dhe pas mbledhjes. Prandaj, duke na shkruar, miqtë tregonin jo vetëm që ishin të vetëdijshëm për kufizimet që më shkaktonte depresioni, por jepnin edhe një provë të dashurisë e interesimit të tyre për mua dhe për familjen time.

Nuk është një dënim për tërë jetën

Tani jam shumë më mirë, falë këshillave të mjekut tim, mbështetjes së madhe të familjes dhe falë miqve që të kuptojnë. Ende bëj rregullisht ushtrime, edhe kur ndihem e lodhur, pasi kjo më ka ndihmuar ta marr veten. Gjithashtu, përpiqem t’i përgjigjem pozitivisht inkurajimit që më japin të tjerët. Gjatë periudhave të vështira dëgjoj audiokasetat e Biblës dhe Meloditë e Mbretërisë,​—muzikë e përgatitur nga Dëshmitarët e Jehovait që të ngre frymësisht dhe emocionalisht. Këto sigurime të shkëlqyera më ndihmojnë të forcohem frymësisht dhe që të vazhdoj të mendoj në mënyrë pozitive. Kohët e fundit, kam filluar të mbaj përsëri fjalime stërvitjeje të bazuara në Bibël, në mbledhjet e kongregacionit.

Më janë dashur më shumë se dy vjet e gjysmë që të arrij në pikën ku mund ta ndiej e ta shpreh më plotësisht dashurinë për bashkëshortin, fëmijët dhe për të tjerët. Ndonëse kjo ishte një periudhë e vështirë për familjen time, e ndiejmë se tani lidhjet tona janë më të forta se kurrë më parë. I jam veçanërisht mirënjohëse Xhesonit, i cili më tregoi në mënyrë të jashtëzakonshme dashurinë e tij duke duruar çastet më të rënda të depresionit tim dhe duke më qëndruar gjithmonë pranë për të më mbështetur kur kisha nevojë. Por më e rëndësishmja është se tani që të dy kemi një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Jehovain, i cili vërtet na forcoi gjatë sprovave tona.

Edhe tani, ka ditë që jam e dëshpëruar, por me ndihmën e familjes, të mjekut tim, të kongregacionit dhe të frymës së shenjtë të Jehovait, drita në fund të këtij tuneli të errët po bëhet gjithnjë e më e shndritshme. Po, depresioni i paslindjes nuk është një dënim për tërë jetën. Është një armik që mund ta mposhtim.​—Treguar nga Xhanela Marshal.

[Shënimi]

^ par. 2 Depresioni i paslindjes quhet ndryshe edhe depresion postpartum ose postnatal.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

Faktorë që mund të çojnë në depresionin e paslindjes

Përveç ndryshimeve hormonale, janë edhe disa gjëra të tjera që ndonjëherë mund të çojnë në depresionin e paslindjes. Në to përfshihen:

1. Mendimet personale të një gruaje rreth të qenët nënë, të cilat mund të jenë pasojë e një fëmijërie të palumtur dhe e një marrëdhënieje jo të mirë me prindërit.

2. Fakti që shoqëria nuk është realiste në atë që pret nga nënat.

3. Një rast i sëmundjes së depresionit në familje.

4. Pakënaqësia në martesë dhe mungesa e mbështetjes nga ndonjë pjesëtar i familjes ose nga ndonjë i afërm tjetër.

5. Vlerësimi i paktë për veten.

6. Ndjenja se je tepër e ngarkuar ose e mbytur nga kujdesja gjithë kohën për të vegjlit.

Sigurisht që kjo listë nuk është e plotë. Ka edhe faktorë të tjerë që mund t’i kontribuojnë depresionit të paslindjes. Në të vërtetë, shkaqet e tij ende nuk njihen plotësisht.

[Kutia në faqen 21]

Nuk është thjesht një ndryshim humori

Depresioni i paslindjes nuk duhet ngatërruar me ndryshimet e humorit që provojnë zakonisht nënat pas lindjes. Dr. Laura J. Miler thotë: «Rreth 50 për qind e grave që lindin provojnë një gjendje dëshpërimi shoqëruar me të qara, e cila është edhe e paqëndrueshme nga ana emocionale (d.m.th. që ndryshon vazhdimisht). Zakonisht kjo gjendje arrin kulmin ditën e tretë deri të pestë pas lindjes dhe më pas zhduket gradualisht vetvetiu brenda disa javësh.» Studiuesit mendojnë se kjo gjendje shpirtërore e ndryshueshme mund të jetë pasojë e ndryshimeve në nivelet e hormoneve të një gruaje pas lindjes së fëmijës.

Në dallim nga ndryshimi i humorit, depresioni i paslindjes përfshin ndjenja dëshpërimi që vazhdojnë gjatë, të cilat mund të fillojnë me lindjen e një fëmije ose madje edhe javë a muaj më vonë. Një nënë e re që ka këtë sëmundje një çast mund të ndihet tepër e ngazëllyer, kurse një minutë më vonë e dëshpëruar duke menduar madje dhe vetëvrasjen. Veç kësaj, mund të acarohet lehtë, mund të ndihet e fyer dhe të zemërohet. Mund të provojë një ndjenjë të vazhdueshme se nuk është e aftë si nënë si dhe një mungesë dashurie për foshnjën e saj. Dr. Miler pohon: «Disa nëna që janë diagnostikuar me këtë lloj depresioni e kanë të qartë në mendje se i duan foshnjat e tyre, por e kanë të vështirë të provojnë ndjenja të tjera përveç apatisë, acarimit ose neverisë. Të tjerave u shkon në mendje t’i dëmtojnë ose madje t’i vrasin foshnjat e tyre.»

Depresioni i paslindjes është një dukuri që ekziston prej shumë kohësh. Që në shekullin e katërt p.e.s., mjeku grek, Hipokrati, ka vërejtur ndryshimet e jashtëzakonshme fiziologjike që pësonin disa gra pas lindjes. Një studim i botuar në revistën braziliane Medical and Biological Research shpjegonte: «Depresioni i paslindjes është një problem serioz që prek 10 -15 për qind të nënave në shumë vende.» Mirëpo është për të ardhur keq që «shumica e rasteve me këtë lloj depresioni nuk diagnostikohen saktë dhe nuk marrin trajtimin e duhur mjekësor»,​—thoshte revista.

Një çrregullim tjetër pas lindjes që haset më rrallë, por që është më serioz, është psikoza e paslindjes. Gruaja që vuan prej saj mund të ketë halucinacione, të dëgjojë zëra në kokë dhe të humbasë lidhjet me realitetin, ndonëse herë pas here mund t’i kthehet plotësisht arsyeja për periudha që zgjasin disa orë ose disa ditë. Shkaqet e kësaj psikoze janë ende të paqarta, por dr. Miler vëren se «faktori që duket se ndikon më shumë është dobësia gjenetike, që ndoshta del në pah nga ndryshimet hormonale». Një mjek i aftë specialist mund të sigurojë një trajtim të efektshëm për psikozën e paslindjes.

[Kutia dhe figurat në faqen 22]

Si ta ndihmoni veten? *

1. Nëse depresioni vazhdon, kërkoni ndihmën e specialistit. Sa më shpejt ta bëni këtë, aq më shpejt mund të shëroheni. Kërkoni një mjek që ju kupton dhe që e njeh mirë këtë sëmundje. Përpiquni të mos ju vijë turp për shkak të depresionit të paslindjes ose të ndiheni në siklet në rast se ju duhet të merrni ilaçe.

2. Bëni rregullisht ushtrime. Studimet kanë treguar se ushtrimet e rregullta mund të jenë një terapi e efektshme për depresionin.

3. U thoni personave tuaj më të afërt se si ndiheni. Mos u veçoni ose mos i ndrydhni ndjenjat tuaja.

4. Mbani parasysh se nuk ju duhet të keni një shtëpi të përsosur. Përpiquni ta mbani jetën të thjeshtë, duke u përqendruar në gjërat që janë thelbësore.

5. Lutuni që të keni kurajë dhe durim. Në rast se e keni të vështirë të luteni, kërkojini dikujt tjetër të lutet bashkë me ju. Shërimi juaj mund të ngadalësohet po të vazhdoni t’i ushqeni ndjenjat e fajit ose të pavlefshmërisë.

[Shënimi]

^ par. 41 Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë lloj të veçantë trajtimi. Sugjerimet që jepen në këtë artikull si për burrat, ashtu dhe për gratë nuk zbatohen për çdo rrethanë dhe disa pika madje nuk zbatohen fare në disa raste.

[Kutia në faqen 23]

Sugjerime për burrat

1. Kuptoni që depresioni i paslindjes nuk është për faj të gruas suaj. Nëse gjendja e saj vazhdon, bashkëpunoni me të duke kërkuar ndihmën e një mjeku që e kupton problemin dhe që është empatik.

2. Dëgjojeni gruan me durim. Kuptojini ndjenjat e saj. Mos u mërzitni nga pikëpamjet e saj pesimiste. Ndihmojeni me dashuri të shohë anën pozitive të gjërave dhe jepini siguri se do të bëhet më mirë. Mos mendoni se ju duhet të zgjidhni çdo problem që ajo përmend. Gruaja thjesht mund të ketë nevojë për ngushëllim, jo për përgjigje logjike. (1 Selanikasve 5:14) Mos harroni, depresioni i paslindjes ia bën të vështirë asaj që vuan të mendojë qartë e në mënyrë të logjikshme.

3. Pakësoni veprimtaritë jothelbësore që të keni më shumë kohë për të mbështetur gruan tuaj. Duke vepruar në këtë mënyrë mund të ndihmoni që ajo të shërohet më shpejt.

4. Sigurohuni të kini ca kohë për veten. Një shëndet i mirë fizik, mendor dhe frymor do t’ju ndihmojë të jeni një mbështetje më e mirë për gruan tuaj.

5. Gjeni ndonjë për të folur që mund t’ju japë zemër, ndoshta një burrë tjetër, të pjekur frymësisht, gruaja e të cilit ka vuajtur nga depresioni i paslindjes.

[Figura në faqen 23]

Familja Marshal