Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paska një gjethe në rrjetë!

Paska një gjethe në rrjetë!

Paska një gjethe në rrjetë!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

A E SHIHNI gjethen e tharë dhe shumë të përdredhur? Vini re që rri e varur në një rrjetë merimange. Në pamje të parë mund të duket sikur e ka flakur era në rrjetë. Por, kjo gjethe ka diçka të veçantë.

Po shikoni shtëpinë e çuditshme të merimangës gjethepërdredhëse, një krijesë vërtet magjepsëse. Është e vetmja merimangë që njihet se e ndërton shtëpinë duke përdredhur një gjethe dhe duke e mbuluar atë me fije​—të njëjtën lëndë që përdor edhe për rrjetën e saj. Por, a përdor merimanga gjethen që thjesht ka rënë në rrjetë rastësisht? Mund të duket ashtu. Mirëpo, një shqyrtim më nga afër tregon qartë se se ajo ndjek një plan të veçantë. Merimanga zgjedh me kujdes një gjethe, ndoshta midis atyre që ndodhen përtokë. Pasi e ka përdredhur gjethen, merimanga e përforcon me fije, në mënyrë që të mos shpërdridhet.

Sidoqoftë, këto merimanga nuk përdorin patjetër vetëm gjethe për të bërë shtëpinë. Në oborret e shtëpive në periferi të qendrave të banuara ato shpesh përdorin copa gazetash, kartona jo shumë të rëndë ose bileta të flakura tej. Çuditërisht mund të zgjedhin edhe një guaskë të zbrazët kërmilli. Në një rast, guaska që merimanga kishte tërhequr në rrjetë, për të jetuar brenda saj, peshonte gjashtë herë më shumë se vetë merimanga!

Përfytyroni sikur jemi duke kontrolluar nëse merimanga jonë në këtë çast është në shtëpi në gjethen e saj. Trokasim lehtë në gjethe. Ja! E shihni? Një merimangë e vogël me ngjyra të bukura po ikën nga gjethja dhe po varet poshtë drejt tokës me fillin e shpëtimit të pëlhurës së saj. Mos u shqetësoni! Jemi krejt të sigurt. Kjo lloj merimange nuk i dëmton njerëzit, ndonëse mund t’ju japë një të pickuar në gisht, në rast se e kapni me ashpërsi.

Gjatë ditës, merimanga gjethepërdredhëse zakonisht e kalon kohën duke pushuar në gjethen ku banon. Por natën, kur ka më shumë kandrra përreth, do ta shihni që rri kruspull në hyrje të gjethes së saj. Nga kjo pikë vrojtimi e favorshme, ajo vëzhgon me kujdes rrjetën duke e mbajtur njërën këmbë mbi një «fill telegrafik»​—një fije e veçantë që shtrihet nga gjethja drejt qendrës së rrjetës. Në qoftë se një kandërr prek rrjetën, merimanga menjëherë do t’i vërsulet asaj, do ta mbërthejë në vend e do ta hajë.

Kjo ndërtuese e vogël mjeshtërore është vetëm një nga krijesat e shumta tërheqëse të rajoneve të shkreta të Australisë.