Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngadhënjimi i «mollës së dashurisë»

Ngadhënjimi i «mollës së dashurisë»

Ngadhënjimi i «mollës së dashurisë»

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë

SHEKUJ më parë «molla e dashurisë» ishte një bimë që rritej rastësisht në viset e Andeve të Amerikës Jugore. Kokrrat e saj ishin mjaft të shijshme, por me sa duket indianët vendës nuk e kultivonin. Në njëfarë mënyre këtë bimë të jashtëzakonshme e sollën edhe në Meksikë. Në këtë vend actekët e quajtën bimën sitomatl. Domethënia e termit tomatl tregonte që bima kishte disa fruta të ngjashme me njëra-tjetrën, kryesisht të lëngshme. Shumë shpejt, salca me domate, me qepë e me speca djegës, u bë një përbërës i përhershëm i kuzhinës acteke dhe domatja u fut në rrugën e gjatë drejt njohjes ndërkombëtare.

Edhe pushtuesve spanjollë u dukej mjaft e shijshme salca e domates. Më 1590 një prift jezuit, i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Meksikë, tha se domatet ishin shumë të shëndetshme. Ai tha edhe se domatet ishin të mira për t’u ngrënë dhe tërë lëng, i cili i jep salcës një shije të këndshme. Nga Meksika spanjollët i dërguan farërat e domates në Spanjë e në kolonitë e tyre në Karaibe dhe në Filipine. Por, me gjithë këtë fillim premtues, kaluan më shumë se tre shekuj, deri sa domatja të zinte vendin që i takonte në kuzhinën botërore.

Shuhet nami i keq

Paragjykimi për ushqimet, si çdo lloj tjetër paragjykimi, mund të jetë e vështirë të kapërcehet. Pavarësisht nga nami i mirë që kishte në Meksikë, në Evropë domatja mori shumë shpejt një emër të keq. Problemi filloi kur botanistët evropianë e klasifikuan domaten si anëtare të familjes Solanaceae, familja e helmarinës vdekjeprurëse. Përveç kësaj, gjethet e saj lëshonin një erë të rëndë dhe u vërtetua se ishin helmuese. Si për t’i ngatërruar punët më tepër, disa mjekë popullorë pohuan se domatja kishte aftësi të nxiste dëshirat seksuale. Disa besojnë se kjo ishte arsyeja që francezët e quajtën pomme d’amour ose «molla e dashurisë».

Edhe në Amerikën e Veriut u përhap fama e keqe e domates. Madje edhe në vitet 20 të shekullit të 19-të, një kopshtar amerikan nga Masaçusetsi pohoi: «[Domatet] më dukeshin kaq të pështira, saqë mendoja se do t’i provoja vetëm nëse do të isha shumë i uritur.» Ai nuk ishte i vetmi mosbesues ndaj domates. Një burrë nga Pensilvania i quajti ato «plehra të tharta» dhe një hortikulturist britanik, bashkëkohës me të, e përshkroi bimën e domates si «molla e artë erëkeqe».

Lumturisht, italianët, të cilët në shekullin e 16-të i kishin vënë domates emrin pomodoro (mollë e artë), u treguan më praktikë. * Në fillim të shekullit të 17-të, domatet ishin bërë një ushqim i pëlqyer në Itali, ku klima me diell ndihmonte në kultivimin e tyre. Prapëseprapë, për afro dy shekuj, kopshtarët në veri të Evropës nuk ishin bindur ende dhe i kultivonin domatet vetëm si bimë zbukuruese ose mjekësore.

Nga paragjykimet te fama

Megjithatë, pasi njerëzit filluan t’i provonin domatet, dyshimet e mëparshme u zhdukën dhe kultivimi i domates mori hov. Aty nga vitet 70 të shekullit të 19-të, domatet e freskëta të Kalifornisë ishin në shitje në Nju-Jork, falë hekurudhës së re që kalonte mespërmes kontinentit. Disa dhjetëvjeçarë para kësaj, në Napoli të Italisë u hap piceria e parë dhe bashkë me të domatet filluan të kërkoheshin edhe më shumë. Gjatë shekullit të 20-të, kërkesat në rritje për supën, lëngun, salcën me domate dhe catsupin, për të mos përmendur picën e famshme, e kthyen domaten, e përfolur aq shumë, në frutën më të famshme në tokë. (Shih kutinë shoqëruese). Domatja nuk ka pasur sukses vetëm tek ata që e rritin për tregti. Ajo është bërë edhe një ndër bimët e preferuara të kopshtarëve, që nga shkretëtirat e Lindjes së Mesme deri në Detin e Veriut, të pushtuar nga erërat.

Nga Sinai në një sondë nafte

Një sondë nafte e vendosur në mes të Detit të Veriut mund të mos duket si vendi ideal për të rritur fruta dhe perime, por domatja nuk është një bimë me kërkesa të mëdha. Farërat e saj mund të mbijnë madje edhe pa qenë në tokë, mjaft që të vendosen në një qese plastike të posaçme, e cila përmban të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme, dhe të ujiten siç duhet. Për këtë arsye domatja ka sukses edhe mes punëtorëve të naftës, të cilët kanë dëshirë të shohin ca bimë të gjelbra ndërmjet gypave të pajetë dhe makinerive të sondës së naftës. Gjithashtu, duan të kenë ndonjë frutë të rritur vetë, në mënyrë që të pasurojnë ushqimin e tyre.

Me pak më shumë përkujdesje domatet mund të prodhohen edhe në shkretëtirë. Disa beduinë të shpërndarë nëpër malet e Sinait, në Egjipt, kanë hapur brezare në kopshte që ujiten nga burimet, nga uji i puseve dhe nga reshjet e rralla të shiut. Kopshtet e tyre të ujitura me kujdes japin të vjela të mbara me domate të mëdha, të cilat i thajnë në diell për t’i pasur gjatë gjithë dimrit.

Sidoqoftë, fama pothuajse e përbotshme e domates nuk varet vetëm nga aftësia e saj për t’u përshtatur në toka e klima të ndryshme. Shumica e bimëve të domates janë vetëpjalmuese, kështu që mund të krijohen me lehtësi varietete të ndryshme për të kënaqur shije të ndryshme. Tani ka rreth 4.000 varietete nga të cilat kopshtarët mund të zgjedhin. Domatja qershingjashme e vogël dhe e lëngshme, i jep sallatës më shumë ngjyrë dhe shije, kurse domatja-kumbullore e ëmbël shpesh konservohet. Dhe domatja e madhe zemërkau, një ushqim kryesor i kuzhinës spanjolle, është e shkëlqyer si për sallata, ashtu edhe për t’u gatuar.

Gjithsesi, pa dyshim ishte shija që më në fund e bëri domaten të ngadhënjente, një shije që bën të të lëshojë goja lëng. Ajo mund ta bëjë më të këndshme një picë, të zbukurojë sallatën, të lezetojë salcën ose të pasurojë një lëng. Edhe pse nuk doli se ishte «molla e dashurisë», tani e gjithë bota e dashuron domaten.

[Shënimi]

^ par. 8 Mendohet se domates iu dha ky emër sepse varietetet e para që kultivuan italianët ishin të verdha.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Gespaçoja​—Shija freskuese e domates

A do t’ju pëlqente të provonit një supë të ftohtë freskuese që është ideale për ditët e nxehta të verës? Në viset e Andaluzisë së Spanjës, gespaçoja shërbehet pothuajse çdo ditë krahas vaktit kryesor. Është e lehtë ta përgatitësh, kërkon përbërës të thjeshtë dhe me anë të saj familja juaj e nis vaktin me diçka të shëndetshme dhe që të hap oreksin. Ja një recetë karakteristike spanjolle për pesë veta.

Përbërësit

600 gramë domate të pjekura mirë

350 gramë kastraveca

250 gramë speca të kuq

dy feta bukë të thatë (60 gramë)

30 mililitra uthull

30 mililitra vaj ulliri

kripë

një thelb hudhër

pakëz qimnon

Përgatitja: Pastroni specat nga farat, qëroni kastravecat dhe domatet. Pastaj prijini të gjitha në copa të vogla. Vendosini në një tas me një litër ujë (aq sa t’i mbulojë perimet), së bashku me bukën, hudhrën, erëzat, uthullën dhe vajin. Lëreni një natë dhe ditën tjetër shtypeni mirë përzierjen me një përzierës dore dhe kullojeni. Nëse është e nevojshme, shtoni më shumë erëza sipas dëshirës. Mbajeni gespaçon në frigorifer deri sa të jetë gati për t’u shërbyer. Gespaçoja mund të shërbehet i shoqëruar me domate, kastravecë dhe speca të kuq të prerë imët në formë kubike.

[Kutia në faqen 27]

Shifra dhe fakte për domaten

Domatja është bërë fruta më e përhapur në botë. Afro 100 milionë tonë vilen çdo vit, shumë më tepër se vjeljet e frutave të tjera kryesore të botës (të mollëve, të bananeve, të rrushit dhe të portokalleve).

Edhe pse domatja ndonjëherë është quajtur perime, sipas botanikës është frutë, sepse pjesa e ngrënshme e bimës përmban farërat (në përgjithësi perimet janë kërcejtë, gjethet ose rrënjët e ngrënshme të një bime).

Sipas Librit të Rekordeve Gines, domatja më e madhe që njihet peshonte 3,5 kilogramë dhe ishte rritur në Oklahoma të SHBA-së.

Mund të jetë e dëmshme për bimën të pish duhan afër saj ose para se t’i prekësh ato. Duhani përmban një virus ndaj të cilit bima e domates është e ndjeshme.

Përveç vitaminave A dhe C, domatet janë të pasura me likopen, një lëndë antioksiduese. Disa kërkime tregojnë se një dietë e pasur me domate mund të pakësojë rrezikun e kancerit.