Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Akacia Golden Wattle: I jep mirëseardhjen pranverës në Australi

Akacia Golden Wattle: I jep mirëseardhjen pranverës në Australi

Akacia Golden Wattle: I jep mirëseardhjen pranverës në Australi

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

LULJA që hijeshon këto faqe nuk është lule e zakonshme. Ajo është e famshme dhe shumë e pëlqyer në Australi. Në të vërtetë, që prej vitit 1912 me të është stolisur stema e Australisë dhe në vitin 1988 ajo u shpall zyrtarisht si lulja simbol e Australisë. Gjithashtu është paraqitur mbi monedhat dhe pullat australiane. Përse gëzon kaq popullaritet?

Përgjigjja mund të gjendet pjesërisht në një poemë të shkruar nga Veronika Mejsën dhe botuar më 1929. Pasi përshkruan zymtësinë me ngjyrë «të gjelbërt si ulli, kafe dhe të përhimtë» që mbizotëron në peizazhin e dimrit të vonë, poema lajmëron plot gëzim: «Por tani ka ardhur pranvera / me lulet e akacies.»

Pothuaj të gjithëve duket se u pëlqen lajmi se pranvera është afër. Në Hemisferën Jugore, në Australi, pranvera shpërthen atëherë kur hyn vjeshta në Hemisferën Veriore. Kontinenti jugor ka një sinjal të parakohshëm që tregon se po vjen pranvera​—lulëzimin e papritur të akacies Golden Wattle. Kështu çdo muaj gusht mund të dëgjohen nxënësit e shkollës që recitojnë poemën e Mejsënit. Gjithashtu, në vitin 1992 guvernatori i përgjithshëm i Australisë e shpalli 1 shtatorin Dita Kombëtare e Akacies.

Sigurisht që akacia Golden Wattle bën më shumë se vetëm sa lajmëron pranverën​—ajo e bën këtë me hijeshi dhe bukuri. Poema e Mejsënit flet për «akacien e hijshme, që përkulet plot delikatesë», duke e pasur fjalën për mënyrën se si degët e mbushura me lule përkulen dhe lëkunden nga flladet pranverore. Megjithatë, emri zyrtar i kësaj peme nuk është Golden Wattle. Në të vërtetë ajo i përket një familjeje interesante e cila është shumë e njohur në vendet me klimë të ngrohtë përreth botës.

Një familje rezistente dhe e famshme

Emri botanik i akacies Golden Wattle është Acacia pycnantha. Ajo është një shkurre apo pemë e vogël, e cila arrin një lartësi nga 4 deri në 8 metra. Por në Australi ka afërsisht nga 600 deri në 1.000 varietete akaciesh që atje quhen wattle. Në të vërtetë, nga varietetet e akacies të njohura në botë më shumë se gjysma gjenden në Australi. Në Evropë dhe në Amerikë, akacia shpesh quhet mimozë. Një varietet tjetër akacieje përmendet shpesh në Bibël. Perëndia urdhëroi që arka e besëlidhjes dhe disa pjesë të tabernakullit të bëheshin me dru akacieje.​—Eksodi 25:10; 26:15, 26.

Një pjesëtar i famshëm i familjes së akacies është varieteti në formë ombrelle, i cili gjendet në Afrikë. Gjethet e kësaj akacieje janë ushqim i preferuar i gjirafave. Ato në të vërtetë do ta linin të zhveshur akacien po të mos ekzistonte një bashkëpunim unik mes pemës dhe një lloj milingoneje. Pema i siguron milingonës strehim dhe nektar për t’u ushqyer. Nga ana tjetër milingona e pickon gjirafën llupëse duke e përzënë gjigantin e butë që të shkojë e të kullotë te një pemë tjetër. A nuk japin bashkëpunime të tilla dëshmi të jashtëzakonshme për një projekt të mençur?

Varietetet e akacies së Australisë nuk kanë gjirafa që t’i kërcënojnë. Megjithatë, ato përballojnë armiq të tillë si thatësira dhe për këtë kanë një mbrojtje të efektshme. Cipa e jashtme e farës së akacies është aq e fortë, saqë duhet çarë në një farë mënyre para se të depërtojë uji dhe të fillojë rritja. Këto farëra janë aq të ashpra saqë kopshtarët duhet t’i lënë në ujë të valuar në mënyrë që bishtajat e fryra të mbijnë kur të mbillen. Në natyrë një farë akacieje mund të rrijë në gjendje të fjetur për dhjetëvjeçarë të tërë! Së fundi, një zjarr i papritur do të bëjë të mbijë farëza e ashpër. Pra, edhe gjatë thatësirave më të jashtëzakonshme, e mbrojtur nën tokë dergjet një «bankë farërash» akacieje duke pritur vetëm që të mbijnë.

Prej vitesh disa akacie australiane rezistente janë eksportuar në Afrikë për t’u përdorur si një burim i mundshëm ushqimi në kohë thatësire. Një epërsi e madhe është se këto akacie mund të mbijetojnë në terrene të ashpra, jo pjellore. Disa varietete mund të rriten madje në dunat e rërës! Këto pemë e lidhin terrenin, e furnizojnë atë me azot dhe janë si strehë kundër erës, duke përmirësuar në këtë mënyrë mjedisin edhe për bimët e tjera.

Akacia e shumanshme

Ka shkencëtarë që i shohin disa farëra akacieje si prodhime të mundshme për ushqim, pasi vënë re përmbajtjen e lartë me proteina dhe i krahasojnë ato nga ana e vlerave ushqimore me drithërat e tjera. Farërat e pjekura kanë një shije të këndshme si arrat; disa varietete kur ziejnë kanë shijen e thjerrëzave. Farërat e akacies janë bluar si miell dhe janë përdorur për të bërë bukën ose edhe makaronat. Disa varietete akacieje prodhojnë deri në 10 kilogramë farëra në vit.

Lulja aromatike e akacies përdoret për të bërë parfume. Veç kësaj, akacia përdoret gjerësisht për të siguruar tagji për kafshët dhe për të mbajtur nën kontroll gërryerjen e tokës. Por kemi përmendur vetëm pak nga dobitë e pemës së akacies.

Aborigjenët e lashtë australianë bënin bumerangë me drurin e akacies. Një varietet akacieje, Acacia acuminata, është quajtur reçel mjedrash, sepse trungu i saj kur sapo është prerë lëshon një erë si ajo e mjedrave të shtrydhura. Kolonizatorët e lashtë australianë i përdornin pemët e akacies për të ndërtuar shtëpitë prej balte. Balta shtrohej mbi shkopinjtë e thurur, për të formuar muret e ndërtesës.

A nuk është e jashtëzakonshme se sa shumë përdoren këto pemë? Megjithatë, kur në Australi vjen stina e pranverës, njerëzve nuk u vjen ndër mend shumanshmëria e akacies. Përkundrazi, ndërsa lulet me push, si mantele që valëviten, prarojnë kodrat, zemrat brofin dhe në mendje vijnë poemat. Bukuria dhe dobia e pemës u sjellin ndër mend shumë admiruesve zgjuarsinë dhe shkëlqimin e atij që «ka ndërtuar gjithçka», Perëndisë.​—Hebrenjve 3:4.

[Figurat në faqet 16, 17]

Lule akacieje dhe bishtaja me farëra

[Burimi]

© Komisioni Australian për Turizmin

[Burimet e figurave në faqen 15]

Akacia: © Copyright CSIRO Land and Water; pulla: Koleksioni Kombëtar i Filatelisë, Posta e Australisë; emblema: Përdorur me lejen e Departamentit të Kryeministrit dhe të Kabinetit