Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh materialist?

Ç’do të thotë të jesh materialist?

Pikëpamja e Biblës

Ç’do të thotë të jesh materialist?

NJERËZIT kanë lindur me aftësinë për të qenë të prirur ndaj gjërave frymore, si edhe me nevojën për të adhuruar Perëndinë. Megjithatë, njeriu u krijua me elemente të materies, ka nevojë për gjëra materiale dhe ka aftësinë për t’u kënaqur me gjërat materiale. Disa të krishterë kanë me bollëk gjërat materiale. A tregon kjo gjë në vetvete se janë materialistë dhe se nuk janë frymorë? Nga ana tjetër, a mund të themi se ata që janë të varfër ka më pak të ngjarë të jenë materialistë dhe janë më të prirur ndaj gjërave frymore?

Natyrisht që do të pajtoheshit me mendimin se të jesh materialist nuk do të thotë vetëm të kesh shumë pasuri ose zotërime. Le të shqyrtojmë shembujt biblikë të mëposhtëm, të cilët tregojnë se ç’do të thotë të jesh materialist dhe si mund të shmangim rreziqet që paraqet kjo për gjendjen frymore.

Ata gëzonin pasuri dhe lavdi

Disa nga shërbëtorët besnikë të Perëndisë në kohët biblike gëzonin pasuri dhe lavdi. Për shembull, Abrahami «ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar». (Zanafilla 13:2) Jobi njihej si «më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes», pasi kishte shumë bagëti dhe shumë shërbëtorë. (Jobi 1:3) Mbretërit e Izraelit, siç ishin Davidi dhe Solomoni, ishin shumë të pasur.​—1 Kronikave 29:1-5; 2 Kronikave 1:11, 12; Predikuesi 2:4-9.

Në kongregacionin e shekullit të parë kishte edhe të krishterë të pasur. (1 Timoteut 6:17) Lidia njihet si «një shitëse të purpurtash nga qyteti i Tiatirës dhe adhuruese e Perëndisë». (Veprat 16:14) Boja e purpurt dhe veshjet e ngjyrosura me të purpurt kushtonin shtrenjtë dhe zakonisht liheshin vetëm për njerëzit e rangut të lartë ose për të pasurit. Kështu, ka mundësi që vetë Lidia të ketë pasur njëfarë pasurie.

Nga ana tjetër, disa adhurues besnikë të Jehovait në kohët biblike ishin shumë të varfër. Katastrofat natyrore, aksidentet dhe vdekja papritur i zhyti në varfëri disa familje. (Predikuesi 9:11, 12) Sa sprovuese duhet të ketë qenë për ata në nevojë të shihnin që të tjerët ishin të pasur ose që kishin të mira materiale! Por pavarësisht nga kjo, do të ishte diçka e gabuar t’i gjykonin dhe t’i quanin materialistë ata që ishin të pasur ose të nxirrnin si përfundim se ata që nuk ishin të pasur po i shërbenin më plotësisht Perëndisë. Përse? Shqyrtoni se çfarë qëndron në rrënjë të materializmit.

Dashuria për para

Sipas një fjalori të qenët materialist përkufizohet si «ta mbash mendjen ose ta vësh theksin te gjërat materiale, dhe jo te gjërat që kanë të bëjnë me intelektin ose te gjërat frymore». Pra, materializmi i ka rrënjët te dëshirat, te gjërat që në jetën tonë zënë vendin e parë, te gjërat ku e përqendrojmë vëmendjen tonë. Kjo tregohet qartë në dy shembujt biblikë të mëposhtëm.

Jehovai e këshilloi me vendosmëri Barukun, sekretarin e profetit Jeremia. Ka mundësi që Baruku të ketë qenë i varfër për shkak të gjendjes në Jerusalem dhe për shkak të shoqërisë së ngushtë me profetin Jeremia, të cilin shumë njerëz nuk e shihnin me sy të mirë. Megjithatë, Jehovai i tha: «Ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko.» Ndoshta Baruku kishte filluar të bëhej materialist, duke e mbajtur mendjen gjithnjë e më shumë te pasuria ose te siguria materiale që kishin të tjerët. Jehovai i kujtoi Barukut se Ai do ta shpëtonte nga shkatërrimi që do të vinte mbi Jerusalemin, por nuk do ta ruante pasurinë e tij.​—Jeremia 45:4, 5.

Jezui bëri një ilustrim me një njeri, i cili ashtu si Baruku e kishte mendjen te gjërat materiale. Gjëja më kryesore për këtë njeri ishte të grumbullonte pasuri, në vend që ta përdorte atë që kishte për t’i shërbyer më shumë Perëndisë. I pasuri tha: «Do t’i shemb depot e mia e do të ndërtoj më të mëdha . . . e do t’i them shpirtit tim: ‘Shpirt, ti ke shumë gjëra të mira të mbledhura për shumë vjet; rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.’ » Pastaj Jezui tha: «Por Perëndia i tha: ‘I paarsyeshëm, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Kush, pra, ka për t’i pasur gjërat që grumbullove?’ Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesar për vete, por nuk është i pasur kundrejt Perëndisë.»​—Luka 12:16-21.

Cili është thelbi i këtyre tregimeve? Ato na ndihmojnë të kuptojmë se dikush nuk është materialist për shkak të pasurisë që zotëron, por sepse për të, gjërat materiale zënë vendin e parë. Apostulli Pavël tha: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:9, 10) Vendosmëria për të qenë i pasur dhe dashuria për gjërat materiale janë ato që shkaktojnë probleme.

Duhet të bëjmë një vetëshqyrtim

Të krishterët janë të kujdesshëm që të shmangin grackën e materializmit pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike. Fuqia e pasurisë është mashtruese dhe mund t’ia zërë frymën gjendjes sonë frymore. (Mateu 13:22) Pa e kuptuar, vëmendja jonë mund të largohet paksa nga gjërat frymore e të drejtohet nga gjërat materiale, dhe kjo sjell pasoja të trishtueshme.​—Fjalët e urta 28:20; Predikuesi 5:10.

Prandaj të krishterët bëjnë mirë që të shqyrtojnë se cilat gjëra zënë vendin e parë në jetën e tyre, në cilat gjëra e përqendrojnë vëmendjen. Pavarësisht nëse kanë pak ose shumë nga ana ekonomike, njerëzit me mendje frymore bëjnë shumë përpjekje për të ndjekur këshillën e Pavlit që të mos i varin shpresat e tyre «në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë».​—1 Timoteut 6:17-19.