Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Madridi​—Kryeqytet i ndërtuar për një mbret

Madridi​—Kryeqytet i ndërtuar për një mbret

Madridi​—Kryeqytet i ndërtuar për një mbret

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

DISA kryeqytete të botës janë ngritur afër gjireve detare dhe kanë shërbyer për shumë kohë si porte plot veprimtari. Të tjerë gjenden në vendkalime lumenjsh, të volitshme e shumë të rrahura, kështu që ishte pothuajse e pashmangshme që do të fitonin famë. Shumë kryeqytete evropiane kanë qenë qytete të rëndësishme që në kohët romake. Por Madridi, kryeqyteti i Spanjës, përbën një përjashtim. Qyteti kishte më pak se 10.000 banorë në vitin 1561, kur papritur u bë i famshëm.

Arsyeja ishte e thjeshtë. Filipi II, mbret i Spanjës dhe i një perandorie të madhe përtej detit, ishte mërzitur duke e transferuar oborrin e tij nga njëri qytet i Kastiljes në tjetrin. Meqë ishte i dhënë pas gjuetisë, ai donte që oborri i tij i përhershëm të ishte në një largësi të favorshme nga vendi ku i pëlqente më shumë të gjuante. Madridi ishte më se i përshtatshëm për këtë dhe në qytet kishte gjithashtu burime të mira uji, vend të mjaftueshëm për zgjerim dhe toka pjellore në afërsi të tij.

Pasi u mor vendimi, Filipi filloi një program ndërtimi për ta bërë Madridin të përshtatshëm si kryeqytet. Më vonë, edhe mbretër të tjerë spanjollë e zbukuruan qytetin, duke krijuar një lidhje të pashoqe midis Madridit dhe monarkisë. Në shekullin e 17-të, Madridi ishte bërë qyteti më i madh i Spanjës. Sot ai është një metropol i begatë modern me më shumë se tre milionë banorë.

Duke qenë se Madridi lidhej ngushtësisht me monarkët e Spanjës, shumë nga ndërtesat e tij historike kanë lidhje me dy dinastitë kryesore. Pjesa më e vjetër e qytetit quhet Madridi i Austriakëve, sepse e ka origjinën nga koha e dinastisë austriake ose e Habsburgut, së shekujve të 16-të dhe të 17-të. Shtesat e mëvonshme u bënë të njohura si Madridi i Burbonëve, dinastia e tanishme që ka filluar që nga viti 1700.

Gjatë shekujve, mbretërit spanjollë nxitën ose financuan ndërtimin e shumë prej ndërtesave madhështore të kryeqytetit. Koleksioni i tyre i çmuar i pikturave tani përbën bërthamën e galerisë kombëtare të arteve të Madridit. Po ashtu, pronat e mëdha mbretërore në zonën e Madridit më vonë u bënë parqet kryesore dhe vendet për të kaluar kohën e lirë.

Një qytet i gjelbër

Duke qenë se mbretërit ishin të interesuar për gjuetinë dhe për kopshtet, një brez mjaft i gjerë e i gjelbër ishte ruajtur tashmë kur Madridi filloi zgjerimin e tij modern. Pavarësisht nga rritja e shpejtë urbane në dhjetëvjeçarët e fundit, një pjesë e madhe toke me parqe, në formë trekëndëshi, shtrihet në drejtim të jugut, që nga vargmalet e thuajse deri te portat e qendrës së qytetit.

Një nga parqet e Madridit, më parë një zonë gjuetie mbretërore e quajtur Kaza-de-Kampo, gjendet afër pallatit mbretëror dhe tani ka një kopsht zoologjik modern. Në veri të Madridit gjendet një zonë e madhe me pyje natyrore lisi, e njohur si kodra El Pardo, e cila është larg qendrës së qytetit vetëm 10 kilometra.

Filipi II i përcaktoi kufijtë e këtij parku gjuetie jo shumë kohë pasi e bëri Madridin kryeqytetin e tij. Një vilë mbretërore gjuetie, e ngritur fillimisht nga babai i tij, ende hijeshon parkun. Tani kjo zonë e pyllëzuar është bërë një park rajonal që u ofron mbrojtje dy prej llojeve më të rrezikuara në Evropë: shqiponjës mbretërore spanjolle dhe hutës së zezë evropiane.

Parku Retiro ishte më parë një kopsht shumë i gjerë mbretëror në qendër të Madridit, ku familja mbretërore shihte shfaqje me ndeshje demash e madje edhe ndeshje anijesh. Publikut iu lejua hyrja në park në shekullin e 18-të, me kusht që të kishin veshje formale. Sigurisht që tani nuk kërkohet më kjo lloj veshjeje dhe madrilenjosit (banorët e Madridit) dynden çdo fundjavë në këtë vend çlodhës shumë të frekuentuar. Një pallat kristali, i ndërtuar me hekur të farkëtuar dhe qelq, si edhe një kolonadë gjysmërrethore që sheh nga liqeni ku bëhen shëtitje me barka përbëjnë dy nga aspektet e shumta tërheqëse të tij.

Karli III, mbret i shekullit të 18-të, i cili u interesua shumë për artin dhe shkencën, ngriti Kopshtet Botanike Mbretërore përgjatë Parkut Retiro. Tashmë ka dy shekuj e gjysmë që kopshtet janë specializuar për florën e Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Bulevardi i Arteve

Falë bujarisë së familjes mbretërore spanjolle, në Madrid gjendet edhe një nga galeritë e artit më të rëndësishme në botë. Muzeu Prado u ngrit me urdhër të Karlit III, i njohur në histori si një kryetar i famshëm i qytetit të Madridit. Koleksioni i artit është në përgjithësi ai i monarkëve spanjollë, të cilët filluan të mbledhin vepra arti më shumë se katër shekuj më parë.

Në shekullin e 17-të, Velaskezi, piktori i oborrit, jo vetëm që pikturoi vetë disa kryevepra, por edhe udhëtoi nëpër Evropë për të blerë piktura të bukura për përkrahësin e tij mbretëror, Filipin IV. Shekullin vijues, Fransisko de Goja u bë piktori zyrtar i oborrit. S’është për t’u habitur që Prado ka shumë kryevepra të pikturuara nga këta dy piktorë të famshëm.

Dy koleksione të tjera shumë të çmuara artesh​—Muzeu Thyssen-Bornemisza dhe Muzeu Kombëtar Centro de Arte Reina Sofía​—gjenden në po këtë bulevard me pemë të radhitura anash ku ndodhet edhe Prado. Kjo rrugë elegante, e quajtur edhe Bulevardi i Arteve, është zbukuruar edhe me shumë nga statujat e famshme të Madridit.

Si shumë qytete, Madridi ka pasur të përpjetat e të tatëpjetat e veta. Kryeqyteti ishte i rrethuar për pjesën më të madhe të Luftës Civile në Spanjë (1936-1939) dhe disa shenja plumbash të asaj lufte shihen ende në harkun përkujtimor të njohur si Puerta-de-Alkalá. Gjithsesi, që nga fillimi, themeluesit e qytetit të Madridit donin që ai të ishte një qytet i kulturuar ku njerëzit të shkonin mirë me njëri-tjetrin.

Karta e Madridit, e cila mban datën 1202, ndër të tjera specifikonte se qytetarët nuk mund të bënin duele, nuk mund të mbanin armë ose të thoshin fjalë të ndyra a sharje. Prej tyre pritej edhe ta mbanin të pastër qytetin, të mos i mashtronin qytetarët e tjerë dhe t’i mbanin të arsyeshme shpenzimet e dasmave. Në përputhje me këto kërkesa, sot Madridi është një qytet i pastër, ndonëse dasmat janë bërë disi të kushtueshme. Vizitorët që dëshirojnë të hanë diçka jo të kushtueshme mund të provojnë ca tapas tipikë, i cili është një ushqim i shijshëm që në shumë lokale shërbehet në llokma të vogla bashkë me pije të ftohta.

Vitet e fundit Madridi është zgjeruar shumë. Tani ka një sistem të efektshëm transporti dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme për t’u kujdesur për miliona turistë që vijnë për vizitë çdo vit. Mijëra Dëshmitarë të Jehovait nga Spanja dhe nga vende të tjera do ta vizitojnë këtë qytet në korrik e në gusht. Dëshmitarët planifikojnë të mbajnë një kongres ndërkombëtar në një nga stadiumet e mëdha të futbollit në Madrid. Shumë nga të pranishmit do të kenë kështu edhe një mundësi të shohin me sytë e tyre kryeqytetin që u ndërtua për një mbret.

[Kutia dhe figurat në faqet 24, 25]

PALLATE TË DENJA PËR NJË MBRET

Pallati Mbretëror. Duke qenë ndoshta ndërtesa më madhështore e Madridit, ky pallat gjendet aty ku ishte më parë një kështjellë arabo-berbere, rreth së cilës u ndërtua fillimisht Madridi. Ky pallat shërben për ceremoni të rëndësishme shtetërore, ndonëse që nga viti 1931 nuk është përdorur më si rezidencë mbretërore. Kopshte me forma të rregullta shtrihen nga pallati e deri te lumi që gjendet poshtë tij.

Pallati Aranjuez. Aranjuezi gjendet rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit, përgjatë lumit Tago. Rrethinat e tij pjellore dhe klima e butë e bënë vendin e preferuar të Filipit II, i cili nisi ndërtimin e pallatit. Pallati dhe kopshtet e tij tërheqëse u përfunduan në shekullin e 18-të nga Karli III.

El Eskorial. Filipi II e nisi ndërtimin e këtij manastiri, biblioteke, mauzoleu dhe kompleksi pallatesh shumë të madh jo shumë kohë pasi e bëri Madridin kryeqytetin e tij. Për ta ndërtuar atë u deshën më shumë se 20 vjet. Ky pallat u bë qendra e perandorisë së Filipit, një vend me stil të thjeshtë ku ai mund të punonte pa e shqetësuar kush. Aty ruhet një nga koleksionet më të rëndësishme me dorëshkrime të Spanjës, ku përfshihen disa versione mesjetare spanjolle të Biblës.

Pallati El Pardo. Kjo vilë mbretërore gjuetie gjendet brenda parkut rajonal që është ngjitur me Madridin. I ati i Filipit II ndërtoi strukturën origjinale të tij dhe oborri i brendshëm i tij daton nga ajo periudhë.

La Granja-de-San-Ildefonso, 80 kilometra në veri, gjendet një pallat edhe më madhështor. U ndërtua nga Filipi V, në imitim të Pallatit të Versajës, ku ai kishte kaluar fëmijërinë. Kopshtet dhe shatërvanët e ndërlikuar bëjnë kontrast me pyjet e mëdha me pisha që mbulojnë malet përreth.

[Burimi]

Foto: Cortesía del Patrimonio Nacional, Madrid, España

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

MONUMENTE TË FAMSHME TË MADRIDIT

Plaza Major (1). Për më shumë se tre shekuj, ky shesh ka shërbyer si shesh pazari dhe vend kryesor për ngjarje publike të tilla, si: ndeshjet e demave, kurorëzimet e mbretërve dhe ekzekutimet e të ashtuquajturve heretikë. Një pikturë në Muzeun Prado (2) paraqet një panoramë të gjallë të Plaza Major ndërkohë që mbahet një proces i madh auto-da-fe ose gjyq publik i heretikëve, që u zhvillua në Madrid në vitin 1680.

Bashkia e qytetit gjendet në Plaza-de-la-Vila, një shesh i lashtë i këndshëm, ku u mbajtën mbledhjet e para zyrtare të qytetit. Sheshi rrethohet nga ndërtesa të lashta dhe ende ruan atmosferën e Madridit të shekullit të 16-të. Jo shumë larg, vizitorët mund të shohin Puerta-del-Sol, sheshin më të zhurmshëm të qytetit dhe pikën nga ku nisen të gjitha rrugët që shkojnë nga Madridi për në provinca. Objekte dhe vende të tilla historike i përkasin pjesës më të vjetër të qytetit.

Ndërsa Madridi zgjerohej, mbretërit e dinastisë së Burbonëve, e sidomos Karli III, ndërtuan ose nxitën ndërtimin e monumenteve të tjera, shpesh duke ndjekur stilet arkitekturore të vendlindjes së Burbonëve, Francës. Disa shembuj janë Pallati Mbretëror, Biblioteka Kombëtare (3), Muzeu i Bashkisë (4), Shatërvani i Cibelës (5), Shatërvani i Neptunit dhe Puerta-de-Alkalá (6).

[Burimet]

Figura 2: MUSEO NACIONAL DEL PRADO; figurat 5 dhe 6: Godo-Foto