Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Zgjohuni! lavdërohet Po bëni një punë shumë të mirë duke botuar revistën Zgjohuni! U jepni njerëzve shpresë. Dy kopjet e para të revistës Zgjohuni! m’i dha një fqinjë, kur më vdiq burri. Ndihesha e dëshpëruar dhe s’doja të shihja njeri. Por, pasi lexova revistat tuaja, u qetësova dhe e kuptova se s’ishte fundi i jetës për mua. Më vonë, ime bijë më solli edhe dy numra të tjerë, të cilat ia kishte dhënë një infermiere kur ishte në spital. Pastaj disa Dëshmitarë më dhanë kopje të tjera në rrugë. Kam vetëm ca kopje të revistës Zgjohuni!, por i lexoj dhe i rilexoj sa herë që ndihem e mërzitur. Këto revista të mësojnë çfarë është e mirë dhe të ndihmojnë të kuptosh arsyet përse sillemi në njëfarë mënyre.

I.Y.A., Rusi

Dobësitë Ju falënderoj që shkruat artikullin: «Pikëpamja e Biblës: A do t’i anashkalojë Perëndia dobësitë tona?» (8 nëntor 2002, anglisht) S’ka dyshim se është ndihma më e mirë që kam marrë. Ishte një ndihmë e madhe të kuptoja se si i sheh Perëndia dobësitë tona.

E. K., Shtetet e Bashkuara

Po i lutesha vazhdimisht Jehovait për një problem që kisha dhe shpresoja për një përgjigje. Pastaj ju botuat këtë artikull. Kur e lexova të gjithin, bëra një lutje falënderimi.

M. S., Japoni

Tastierat Duhet t’ju shkruaja se s’bën disa fjalë mirënjohjeje për artikullin rreth tastierave të pianove, me titull: «Cili është ndryshimi?» (8 nëntor 2002, anglisht) Gjithnjë kam qenë e apasionuar pas muzikës, e sidomos pas pianos. Do të më pëlqente edhe të mësoja të luaja disa nga këngët që këndojmë në Sallën e Mbretërisë. Prandaj, do të bëj një përpjekje që të mësoj t’i bie pianos dhe të filloj të praktikohem në sintetizatorin që e kisha lënë në një cep për vite me radhë.

V. T., Shtetet e Bashkuara

Meqë i bie klarinetës dhe jam i apasionuar pas muzikës, doja të njihja botën e veglave muzikore me tastierë. Gjashtë vjet më parë fillova të studioja për piano, gjë që nuk do të kishte qenë e mundur nga ana financiare po të mos përdorja një piano dixhitale. Ajo imiton edhe tingullin e pianos, edhe të klavicembalit.

S. T., Skoci

Në shkollë kam studiuar edhe muzikë. Kisha mësuar disa gjëra për veglat muzikore me tastierë, por nuk e kuptoja si ishin bërë ose cilat ishin karakteristikat e tyre. Ky artikull, me shpjegime të lehta për t’u kuptuar dhe me figura interesante, më ndihmoi të thelloja kuptueshmërinë për këtë temë. Faleminderit shumë.

A. M., Japoni

Kali i çmendur Faleminderit shumë për artikullin «Kali i çmendur: një mal transformohet në monument». (8 nëntor 2002, anglisht) Erdhi tamam në kohën që po përgatitja një detyrë shtëpie për fiset Siuks dhe Çejen, dhe për mënyrën e tyre të jetesës. Mësuesja më lavdëroi për detyrën. Faleminderit.

F. V., Shtetet e Bashkuara

Ribashkim Sapo mbarova së lexuari artikullin «Një takim i pashoq pas 30 vjetësh». (Nëntor 2002) Më kanë pushtuar një sërë ndjenjash, duke përfshirë çmueshmëri, gëzim dhe trishtim. Jam e lumtur për Mark Ruxhin dhe Denis Shitsin, të cilët e gjetën rrugën për te Jehovai. Por jam e trishtuar sepse disa nga pesë fëmijët e mi, nuk kanë vepruar kështu, edhe pse u rritën si të krishterë. Sa shumë dhembje do të mund të shmangin sikur ta gjejnë rrugën për te Perëndia! Lutem vazhdimisht që me kalimin e kohës ta bëjnë këtë. Ju falënderoj për artikullin. Ishte vërtet i nevojshëm.

M. O., Shtetet e Bashkuara