Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj taksave?

Gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj taksave?

Gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj taksave?

«Sado që të robtohem, m’i zhvatin fitimet.»​—Proverb babilonas, rreth vitit 2300 p.e.s.

«E vetmja gjë e sigurt në këtë botë është vdekja dhe taksat.»​—Benxhamin Franklin, burrë shteti amerikan, 1789.

RUBENI merret me tregti. Çdo vit, gati një të tretën e të ardhurave që mezi i fiton ia përlajnë taksat e tatimet. «Nuk e kuptoj ku shkojnë gjithë këto para,—ankohet ai.—Tani që qeveria po bën ngado shkurtime në shpenzimet publike, kemi më pak shërbime se kurrë më parë.»

Duam apo s’duam, taksat e tatimet janë pjesë e jetës. Shkrimtari Çarlz Adams thotë: «Që në fillimet e qytetërimit, qeveritë kanë përdorur shumë mënyra për të vënë taksa e tatime mbi të ardhurat.» Shpesh taksat e tatimet kanë shkaktuar pakënaqësi dhe kanë ndezur kryengritje. Anglezët e lashtë luftonin kundër romakëve duke thënë: «Më mirë të të vrasin, sesa të kalosh gjithë jetën duke paguar taksa.» Në Francë urrejtja për një taksë të vënë mbi kripën, të quajtur gabelle, ishte një faktor që shkaktoi Revolucionin Francez, gjatë të cilit taksambledhësit i dënuan me vdekje në gijotinë. Kryengritjet kundër taksave luajtën një rol edhe në luftën për pavarësi që bënë Shtetet e Bashkuara kundër Anglisë.

Nuk habitemi që edhe sot e kësaj dite vazhdon pakënaqësia ndaj taksave e tatimeve. Specialistët thonë se në vendet në zhvillim, sistemet e taksave dhe të tatimeve shpesh janë «jo të efektshme» dhe «të padrejta». Sipas një studiuesi, në një vend afrikan të varfëruar kishte «më shumë se 300 taksa lokale, vjelja e të cilave ishte e pamundur, edhe sikur punonjësit të përpiqeshin në maksimum. Në atë vend ose nuk ekzistojnë, ose nuk zbatohen mekanizmat e duhur për vjeljen e taksave dhe kontrollimin se ku shkojnë këto para . . . e kjo krijon mundësi për të abuzuar.» Sipas BBC-së, në një vend aziatik «nëpunësit e pushtetit lokal kishin vendosur me dhjetëra . . . taksa ilegale, që nga taksa për kultivimin e bananeve, deri te taksa për therjen e derrave. Kjo bëhej ose për të shtuar buxhetin lokal, ose për të mbushur xhepat e tyre».

Edhe hendeku që ekziston ndërmjet të pasurve dhe të varfërve e shton pakënaqësinë. Africa Recovery, një botim i Kombeve të Bashkuara, thotë: «Një nga dallimet e shumta ekonomike ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim është se vendet e zhvilluara i ndihmojnë me para fermerët, kurse vendet në zhvillim u vënë taksa fermerëve të tyre. . . . Disa studime të Bankës Botërore tregojnë se ndihmat që Shtetet e Bashkuara u japin fermerëve të tyre pengojnë eksportin e pambukut nga Afrika Perëndimore. Si pasojë e kësaj, ky vend merr 250 [milionë] dollarë më pak në vit të ardhura vjetore nga tatimet për eksportin.» Prandaj, fermerët në vendet në zhvillim mund të ndihen të pakënaqur kur qeveria u kërkon tatime nga fitimet tashmë të vogla që kanë. Një fermer në një vend aziatik thotë: «Sa herë që vinin këtu [nëpunësit e qeverisë], e dinim me siguri se do të na kërkonin para.»

Edhe në Afrikën e Jugut kohët e fundit ka pasur pakënaqësi të ngjashme, kur qeveria u vuri fermerëve tatim mbi tokën. Atëherë fermerët kërcënuan se do të hapnin proces gjyqësor. Ky tatim «do të bëjë që fermerët të falimentojnë dhe do të rritë më tej papunësinë mes atyre që punojnë nëpër ferma»,—pohoi një zëdhënës i fermerëve. Pakënaqësia ndaj taksave e tatimeve ende sjell nganjëherë si pasojë akte dhune. Po sipas BBC-së njoftohet: «Vitin e kaluar u vranë dy fermerë [aziatikë], kur policia mësyu në një fshat ku banorët po protestonin ndaj tatimeve të tepruara.»

Por nuk janë vetëm të varfërit që janë të pakënaqur me tatimet. Një studim i bërë në Afrikën e Jugut zbuloi se shumë tatimpagues të pasur «nuk janë të gatshëm të paguajnë tatime të tjera, edhe sikur kjo të nënkuptojë që qeveria të mos jetë në gjendje të përmirësojë shërbime që për këta njerëz janë të rëndësishme». Nëpër gazeta e revista ka pasur artikuj të bujshëm për njerëz të famshëm në fushën e muzikës, kinematografisë, sporteve dhe politikës, sepse këta u janë shmangur pagimit të tatimeve. Libri The Decline (and Fall?) of the Income Tax thotë: «Mjerisht, edhe qeveritarët tanë më të lartë, domethënë presidentët, s’kanë qenë fare shembuj të mirë që të frymëzojnë qytetarët e thjeshtë t’u binden ligjeve për taksat e tatimet.»

Ndoshta edhe ju mendoni se taksat e tatimet janë të tepërta, të padrejta dhe shumë të rënda. Atëherë, si duhet ta konsideroni pagimin e tyre? A shërbejnë ato vërtet për ndonjë gjë? Pse sistemet e taksave e të tatimeve shpesh janë shumë të ndërlikuara dhe në dukje të padrejta? Artikujt vijues do të trajtojnë këto pyetje.

[Figura në faqen 4]

Në vendet në zhvillim, të varfërve mund t’u bjerë një barrë e padrejtë taksash e tatimesh

[Burimi]

Godo-Foto