Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i luftojmë dëshirat e gabuara?

Si t’i luftojmë dëshirat e gabuara?

Pikëpamja e Biblës

Si t’i luftojmë dëshirat e gabuara?

«Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe është e pranishme tek unë.»—ROMAKËVE 7:21.

NDOSHTA më tepër se çdo apostull tjetër, Pavli u përpoq shumë për të nxitur të tjerët të zbatonin parimet fisnike të krishtere. (1 Korintasve 15:9, 10) Prapëseprapë, me ndershmëri, ai pranoi atë që u citua më sipër. Brenda tij zhvillohej një luftë e vazhdueshme ndërmjet arsyes dhe dëshirave të gabuara. A jeni ndier ndonjëherë si apostulli Pavël? Vërtet, kush nga ne si krijesa të papërsosura nuk e ka provuar këtë luftë të brendshme?!

Për shumë veta, beteja për të mposhtur dëshirat e gabuara është jashtëzakonisht e ashpër. Disa luftojnë me dëshirat për kënaqësi seksuale imorale. Të tjerë bëhen skllevër të bixhozit, duhanit, drogave të paligjshme ose alkoolit. Si mund t’i luftojmë dëshirat e dëmshme dhe të papastra kur ato na pushtojnë? Çfarë ndihme mund të marrim? A do të marrë fund ndonjëherë beteja me dëshirat e gabuara?

Dashuria​—Çelësi për të luftuar dëshirat e gabuara

Jezui vuri në dukje dy urdhërimet më të mëdha të Ligjit të Moisiut. I pari ishte: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Në qoftë se e duam Perëndinë në atë mënyrë që tha Jezui, a nuk duhet të jetë dëshira jonë më e madhe dëshira që ta kënaqim Atë? Nëse po, kjo dëshirë e drejtë mund të na ndihmojë për të luftuar edhe dëshirën e gabuar më të fortë që mund të kemi. Kjo nuk është vetëm një teori idealiste. Miliona të krishterë arrijnë t’i mundin dëshirat e gabuara ditë pas dite. Si mund të zhvilloni një dashuri kaq të fortë për Perëndinë? Duke medituar me çmueshmëri për mirësinë e tij që shohim në krijim, në Bibël dhe në mënyrën si na trajton ne individualisht.—Psalmi 116:12, 14; 119:7, 9; Romakëve 1:20.

Urdhërimi i dytë më i madh që citoi Jezui ishte: «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten.» (Mateu 22:39) Apostulli Pavël tha se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme» dhe «nuk kërkon interesat e veta». Prandaj kjo dashuri altruiste na ndihmon të shmangim çdo lloj sjelljeje që do të lëndonte të tjerët. (1 Korintasve 13:4-8) Si mund të zhvillohet kjo dashuri? Duke e vënë veten në vendin e të tjerëve dhe duke treguar interes të sinqertë për ndjenjat dhe për mirëqenien e tyre të përhershme.—Filipianëve 2:4.

Çfarë ndihme mund të marrim?

Meqë Perëndia e kupton sa të vështirë e kemi të bëjmë atë që është e drejtë, ka siguruar ndihmë në disa mënyra. Nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar, Biblës, na mëson të urrejmë të keqen dhe të zhvillojmë një respekt të thellë për Të. (Psalmi 86:11; 97:10) Bibla përmban ngjarje nga jeta reale, të cilat tregojnë për fundin shkatërrimtar që vjen si pasojë kur dorëzohemi para dëshirave të gabuara. Për më tepër, Jezui tha se Perëndia do të na japë frymën e Tij të shenjtë, që është forca më e madhe në univers, në rast se e kërkojmë. (Luka 11:13) Ajo mund të na e forcojë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Një ndihmë tjetër është mbështetja dhe inkurajimi i ndërsjellë që marrim nga të krishterët e tjerë, të cilët po luftojnë gjithashtu me dëshirat e gabuara. (Hebrenjve 10:24, 25) Ndërkohë që këto ndikime për mirë zëvendësojnë ndikimet për keq, marrim ndihmë në luftën për të bërë atë që është e drejtë. (Filipianëve 4:8) A sjellin dobi konkrete këto metoda?

Shqyrtoni rastin e Fidelit, që njihej në zonën e tij si pijanec. Ndërsa ishte nën ndikimin e alkoolit, pinte duhan, luante bixhoz dhe përleshej me të tjerët. Studimi i Biblës dhe shoqëria me Dëshmitarët e Jehovait e ndihmuan të mposhtte këto zakone. Tani gëzon një jetë shumë më të mirë, bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët.

Dikush mund të pyesë: «Po sikur të më ndodhë prapë që të bie në të njëjtin gabim?» Apostulli Gjon tha se ekziston mundësia që të ndodhë kështu. Ai shkroi: «Fëmijët e mi të vegjël, po jua shkruaj këto gjëra që të mos kryeni mëkat. Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin. E ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, madje jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.» (1 Gjonit 2:1, 2) Po, flijimi i Jezuit i mbulon mëkatet e një njeriu që pendohet dhe përpiqet sinqerisht të bëjë ndryshime për t’i pëlqyer Perëndisë. Nëse dikush ka parasysh këtë masë, nuk ka asnjë arsye që të dorëzohet në luftën për të bërë atë që është e drejtë.

Dëshirat e gabuara do të mposhten

Po të zhvillojmë dashuri për Perëndinë e për të afërmin dhe po të nxjerrim dobi nga ndihma e Perëndisë, që tani ne mund të kemi sukses në luftën ndaj dëshirave të gabuara. Për më tepër, Fjala e Perëndisë na siguron se kjo betejë nuk do të vazhdojë përgjithnjë. Në të ardhmen e afërt, ata që nxjerrin dobi nga sigurimet frymore të Perëndisë, do të shërohen plotësisht, si fizikisht, ashtu edhe frymësisht. (Zbulesa 21:3-5; 22:1, 2) Do të çlirohen nga barra e mëkatit dhe nga vdekja që sjell ai si pasojë. (Romakëve 6:23) Nga ana tjetër, ata që kanë si synim të kënaqin me çdo kusht dëshirat e dëmshme dhe të papastra nuk do t’i marrin këto bekime.—Zbulesa 22:15.

Sa ngushëlluese është të dimë se nuk do të na duhet të luftojmë pafundësisht me dëshirat e gabuara! Ato do të zhduken krejtësisht dhe përfundimisht. Çfarë lehtësimi që do të jetë ky!