Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ushqime nga kopshti juaj

Ushqime nga kopshti juaj

Ushqime nga kopshti juaj

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN E AFRIKËS QENDRORE

NË SHUMË vende, çdo ditë njerëzit janë në merak si të ushqejnë familjen. Çmimi i lartë i perimeve shpesh e bën vërtet të vështirë këtë. Megjithatë, disa veta kanë gjetur një zgjidhje deri diku të thjeshtë: të prodhojnë vetë një pjesë të ushqimeve.

Ndoshta keni dëshirë të krijoni vetë një kopsht të vogël. Vërtet, mund të mos keni shumë tokë përreth shtëpisë, por ndoshta ka një copë tokë aty afër që mund ta kultivoni. Mendoni për gjithë ato para që mund të kurseni duke kultivuar ushqime të shijshme dhe të shëndetshme. Kopshtaria mund të jetë edhe një mënyrë për të bërë ca ushtrime fizike të nevojshme. Çdo anëtar i familjes mund të ketë si detyrë të kujdeset për kopshtin dhe fëmijëve tuaj do t’u pëlqente shumë kjo punë. Në të vërtetë, të kultivosh një kopsht me perime është diçka edukative. Për shembull, na mëson të jemi të durueshëm. (Jakovi 5:7) Për më tepër, kur shihni si rriten bimët, kjo mund t’ju afrojë më shumë me Krijuesin e të gjitha gjërave të mira.—Psalmi 104:14.

Tani mos mendoni se po ta prodhoni vetë ushqimin, kjo nuk do të kërkojë përpjekje ose që do të keni rezultate të menjëhershme. Gjithsesi, me vendosmëri, dhe me pak njohuri praktike, mund t’ia dilni mbanë.

Një familje ia del mbanë

Të shohim rastin e Timoteut dhe Lusit—një çift i krishterë me dy fëmijë. Ky çift jeton në Bangui, në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore. Ata kuptuan se të krijonin vetë një kopsht ishte një mënyrë praktike dhe e kënaqshme për të shtuar të ardhurat e pakta.

Kur Lusi ishte 13 vjeçe, kishte kultivuar një kopsht të vogël pranë shtëpisë së saj dhe punonte në të pas shkollës e në fundjavë. Ajo kënaqej kur i shihte bimët të rriteshin. Megjithatë, kaluan shumë vjet para se t’i shkonte në mendje të mbillte një copë tokë për familjen e saj. Lusi bëri përgatitje të përdorte një copë tokë aty afër, e cila kishte shërbyer kryesisht për grumbullimin e plehrave. Ajo kuptoi se ai vend ishte pjellor. Gjatë viteve, kalbja e plehrave, në vend që ta kishte prishur atë ngastër toke, kishte formuar dhé të dobishëm për të prodhuar ushqim. Lusi dhe Timoteu vendosën ta kthenin këtë tokë në një kopsht të lulëzuar.

I futen punës

Sidoqoftë, si fillim, duhej të bënin ca kërkime. Folën me të tjerë që merrnin vesh nga rritja e perimeve, dhe i dëgjuan me kujdes. Meqë copa e tokës duhej ujitur, mësuan madje si të hapnin pusin e tyre. Edhe leximi i librave për kopshtarinë u dha dorë.

Lexuan për bashkëveprimin e bimëve dhe mësuan që disa bimë ndihmojnë njëra-tjetrën për t’u zhvilluar. Por disa bimë pengojnë rritjen e njëra-tjetrës. Disa njerëz thonë se karotat dhe domatet janë partnere ideale në një kopsht me perime. Po kështu të mbjellësh selino dhe lulelakër së bashku u bën mirë të dyjave. Dhe kopra është «shoqe» e bizeleve, kastravecëve, sallatës jeshile dhe qepëve. Gjithsesi, sallata jeshile dhe majdanozi nuk shkojnë mirë bashkë. Qepët dëmtojnë mashurkat dhe bizelet. Kur bimët i bëjnë dëm njëra-tjetrës, ato dobësohen dhe bëhen një pre e lehtë e parazitëve dhe e insekteve që dëmtojnë të mbjellat.

Timoteu dhe Lusi mësuan edhe se nuk ishte mirë të mbillnin vetëm një lloj bime në një parcelë. Në qoftë se do të prekej nga insektet ose ndonjë sëmundje, mund të humbitnin gjithçka. Mbollën bimë të shumëllojshme, të zgjedhura me kujdes, e kjo i ndihmoi të pakësonin rrezikun. Kopshtit të tyre me perime i dhanë ngjyra, jetë e bukuri erëzat dhe lulet. Gjithashtu ato tërhiqnin bletët e insekte të tjera të dobishme, të cilat bëjnë që në kopshte bimët të rriten të mbara.

Ky çift zbuloi edhe disa mënyra si të shmangte spërkatjen e bimëve me ilaçe helmuese. Mësuan se thjesht duke mbjellë hudhra mund mbahen larg disa insekte të dëmshme. *

U desh shumë mund dhe durim, por sot Timoteu dhe Lusi kanë një kopsht të begatë. Nga ky kopsht marrin lakra, majdanoz, domate, karota, kastraveca dhe patëllxhanë—nganjëherë më tepër se ç’mund të përdorë familja.

Bëni një kopsht edhe ju!

Megjithatë, jo vetëm në Afrikë njerëzit kanë parë se është shumë praktike të kenë kopshtin e tyre. Në Gjermani, për shembull, ka më se një milion kopshte në periferi të qyteteve. Ndonjëherë quhen Shrebergarten (sipas emrit të botanistit gjerman Daniel fon Shreberit). Kopshtet në periferi janë grumbuj parcelash të vogla (nga 200 deri 400 metra katrorë) që u janë dhënë me qira banorëve të qytetit. Sipas një kërkuesi, këto kopshte të vockla «luajnë një rol të rëndësishëm për prodhimin e frutave dhe të perimeve të freskëta». Kopshtet janë edhe si «parajsë» për kopshtarët—një vend për të punuar dhe për t’u çlodhur.

Bibla premton se një ditë të afërt tërë toka do të jetë një kopsht mbarëbotëror: një parajsë e vërtetë. (Luka 23:43) Megjithatë, ndoshta ndërkohë mund të gjeni një copë tokë dhe të kënaqeni duke mbledhur ushqime nga kopshti juaj i vogël.

[Shënimi]

^ par. 13 Për sugjerime të mëtejshme si të mbrosh një kopsht nga insektet pa përdorur pesticide shih artikullin «Kopshtaria me metodën organike» në numrin e Zgjohuni! të 22 marsit 2002, anglisht.

[Figura në faqen 24]

Timoteu dhe Lusi po nxjerrin ujë për kopshtin e tyre

[Figura në faqen 24]

Një kopsht në periferi në Munih, Gjermani