Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kurat bimore: A mund t’ju ndihmojnë?

Kurat bimore: A mund t’ju ndihmojnë?

Kurat bimore: A mund t’ju ndihmojnë?

QË NGA kohët më të hershme njerëzit kanë përdorur kura bimore për sëmundjet. Papirusi i Ebërsit, i bërë në Egjipt rreth shekullit të 16-të p.e.s., përmban qindra mjekime popullore për sëmundje të ndryshme. Megjithatë, zakonisht recetat për përgatitjen e kurave bimore kalonin gojë pas goje nga njëri brez në tjetrin.

Me sa duket, në botën perëndimore përdorimi i bimëve për mjekim ka filluar me punën e mjekut grek të shekullit të parë Dioskoridit. Ai shkroi veprën De Materia Medica, e cila u bë teksti kryesor farmaceutik për 1.600 vitet në vijim. Kurat bimore tradicionale vazhdojnë të jenë të përhapura në shumë pjesë të botës. Madje në Gjermani, sipas programeve qeveritare për shëndetësinë, kurat bimore mund të blihen me ulje çmimi.

Ndonëse nganjëherë thuhet se bimët që janë përdorur tradicionalisht në mjekësinë popullore janë më të sigurta se ilaçet farmaceutike të kohës, edhe ato kanë rreziqet e veta. Pra, lindin disa pyetje: Cilat rreziqe dhe këshilla duhet të mbajë parasysh dikush kur mendon të fillojë një kurë bimore? Përveç kësaj, a ka ndonjë rrethanë në të cilën një terapi mund të jetë më e mirë se një tjetër? *

Si mund të ndihmojnë bimët mjekësore?

Është thënë se bimët kanë shumë veti kuruese. Mendohet se disa e ndihmojnë trupin që të luftojë infeksionet. Për disa të tjera thuhet se ndihmojnë tretjen, qetësojnë nervat, shërbejnë si barna laksative ose ndihmojnë në funksionimin e rregullt të gjëndrave.

Bimët kanë edhe vlera ushqyese, edhe kuruese. Për shembull, disa bimë që shërbejnë si diuretikë, si për shembull majdanozi, përmbajnë edhe sasi të konsiderueshme kaliumi. * Kaliumi i këtyre bimëve kompenson sasinë e këtij elementi jetik që humbet nëpërmjet urinimit. Po kështu, bima e valerianës (Valeriana officinalis), e cila prej shumë kohësh përdoret si qetësues, ka shumë kalcium. Kalciumi mund të shtojë efektin qetësues që ka kjo bimë në sistemin nervor.

Si mund të përdoren bimët?

Bimët mund të përdoren në shumë mënyra, si për shembull, në formë çaji, dekokti, tinkture dhe llapaje. Çajrat përgatiten duke i hedhur bimës ujë të zier. Specialistët thonë se bimët që përdoren si çajra, në përgjithësi, nuk duhen zier bashkë me ujin. Dekoktet, të cilat përgatiten me rrënjët ose lëvoret e bimëve, bëhen duke i zier ato bashkë me ujin që të lëshojnë lëndët me veti kuruese.

Por, ç’mund të themi për tinkturat? Një libër thotë se këto «janë ekstrakte bimësh që përftohen me ndihmën e pijeve alkoolike të holluara ose jo, ose duke përdorur pije si brendi a vodka». Pastaj vijnë llapatë që mund të përgatiten në shumë mënyra. Zakonisht ato vihen mbi pjesët e trupit që janë të sëmura ose që dhembin.

Ndryshe nga shumë vitamina dhe ilaçe, shumica e bimëve futen në kategorinë e ushqimeve dhe shpesh merren të pashoqëruara me gjë tjetër, kur je esëll. Ato mund të merren edhe në formën e tabletave, të cilat mund të kenë shije më të mirë dhe merren më lehtë. Nëse vendosni të filloni ndonjë kurë bimore, është e mençur ta bëni këtë duke ndjekur këshillat e një specialisti.

Tradicionalisht, bimët mjekësore janë këshilluar të përdoren për probleme të tilla, si: rrufa, problemet e tretjes, kapsllëku, pagjumësia dhe të përzierat. Por, ndonjëherë bimët janë përdorur edhe për sëmundje më të rënda, jo vetëm si kurë, por edhe për parandalimin e sëmundjes. Për shembull, në Gjermani dhe në Austri, një lloj palme (Serenoa repens) përdoret si kurë fillestare për hiperplazinë beninje të prostatës (ënjtje e gjëndrës së prostatës). Në disa vende ky çrregullim herët a vonë prek 50 deri në 60 për qind të burrave. Megjithatë është e rëndësishme që shkaku i ënjtjes të diagnostikohet nga mjeku për t’u siguruar që nuk nevojitet një ndërhyrje më e fortë, si në rastin e kancerit.

Disa këshilla

Ndonëse një bimë mjekësore në përgjithësi mund të njihet si e parrezikshme, këshillohet të keni kujdes. Kurrë mos e ulni vigjilencën vetëm sepse një produkti i kanë vënë etiketën «natyror». Një enciklopedi që flet për bimët mjekësore thotë: «E keqja është se disa bimë janë shumë të rrezikshme. [Mjerisht] disa njerëz nuk u kushtojnë vëmendje pasojave që mund të kenë kurat mjekësore, pra nëse janë të rrezikshme a të padëmshme.» Përbërjet kimike që gjenden te bimët mund të ndryshojnë shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës, tensionin e gjakut dhe nivelin e glukozës. Prandaj, sidomos njerëzit që vuajnë nga zemra, nga tensioni i lartë ose nga çrregullime të sasisë së sheqerit në gjak, si për shembull diabeti, duhet të jenë të kujdesshëm.

Megjithatë, zakonisht efektet anësore të bimëve mjekësore kufizohen në formën e reaksioneve alergjike. Këto mund të jenë dhembje koke, marrje mendsh, të përziera ose acarim i lëkurës. Gjithashtu thuhet se bimët mjekësore shkaktojnë një «krizë shërimi» që ka simptomat e gripit ose të tjera. Para se të shërohet, ai që po bën një kurë bimore mund të duket sikur keqësohet. Zakonisht thuhet se ky reaksion shkaktohet nga mbeturinat helmuese që trupi i eliminon gjatë fazave të para të terapisë me bimë mjekësore.

Vdekjet që herë pas here lidhen me disa produkte bimore theksojnë nevojën për kujdes dhe për udhëzimet e dikujt që ka njohuri e përvojë. Për shembull, rrushi i detit, që zakonisht merret për të rënë në peshë, mund të rritë tensionin. Në Shtetet e Bashkuara janë raportuar mbi 100 raste vdekjesh që mendohet se lidheshin me produktet me bazë rrushin e detit. Megjithatë, patologu Stiven Karç nga San-Françisko thotë: «Me aq sa di, rastet e vetme kur njerëzit [që merrnin rrushin e detit] vdiqën, ishin ata që vuanin nga sëmundje të rënda të arterieve të zemrës ose që kishin marrë mbidozë.»

Dr. Logan Çambërlejni, autor i një libri për produktet bimore, thotë: «Gati çdo raport i viteve të fundit rreth pasojave të dëmshme të bimëve mjekësore flet për njerëz që nuk ndoqën udhëzimet. . . . Është diçka e mençur, madje një mbrojtje po të merrni këshilla për dozat e produkteve të sigurta. Mos bëni me kokën tuaj, pa u këshilluar mirë me një profesionist në fushën e bimëve mjekësore.»

Linda Pejxh, specialiste për bimët mjekësore, jep këtë këshillë: «Edhe për gjendje të rënda shëndetësore, rruga më e mirë janë dozat në sasinë e duhur, jo dozat e mëdha. Mund të arrihen rezultate shumë më të mira po t’i lini vetes më shumë kohë dhe po të përdorni një kurë më të lehtë. Duhet kohë për ta marrë veten.»

Një libër për bimët mjekësore thotë se disa bimë kanë një veti që, po të merren në doza të tepruara, e bëjnë organizmin të reagojë për t’u mbrojtur. Për shembull, një bimë që përdoret për të çlodhur trupin shkakton të vjella po të merret më shumë se ç’duhet. Sidoqoftë, kjo veti, që gjithsesi nuk e kanë të gjitha bimët, nuk e shmang nevojën për të marrë dozën e duhur.

Sidoqoftë, shumë mendojnë se që një bimë mjekësore të bëjë efekt, duhet marrë në sasi të mjaftueshme dhe në mënyrën e duhur. Ndonjëherë, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të marrësh një ekstrakt. Një rast konkret është bima e ginkut dyvrigujsh, e përdorur prej shumë kohësh për të forcuar kujtesën dhe për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Meqë për një dozë të vetme të efektshme nevojitet një sasi e madhe gjethesh, kësaj bime i merret vetëm ekstrakti.

Përzierje që mund të jetë me rrezik

Bimët mund të bashkëveprojnë në mënyra të ndryshme me ilaçet. Për shembull, ato mund ta shtojnë ose ta zvogëlojnë efektin e ilaçeve, mund të bëjnë që trupi ta eliminojë ilaçin më shpejt se zakonisht ose të shtojnë rrezikun e efekteve anësore. Lulebalsami, që shpesh në Gjermani jepet për të kuruar depresionin e formës së lehtë ose mesatare, bën që shumë ilaçe të eliminohen dy herë më shpejt se normalisht, dhe kështu ua ul efektshmërinë. Pra nëse merrni një ilaç me recetë, përfshirë edhe kontraceptivët, këshillohuni me mjekun para se të merrni ndonjë bimë mjekësore.

Një libër për vetitë kuruese të bimëve thotë: «Kur përzihen me disa bimë mjekësore, alkooli, marihuana, kokaina, substanca të tjera që të ndryshojnë gjendjen emocionale dhe duhani mund të shkaktojnë bashkëveprime që janë kërcënuese për jetën. . . . Logjika e shëndoshë kërkon që t’i shmangësh [lëndë të tilla], sidomos kur je i sëmurë.» Edhe gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në gji duhet t’i vënë veshin kësaj këshille. Sigurisht, kur bëhet fjalë për duhanin ose drogat që të bëjnë të varur, të krishterët e mbrojnë veten duke ndjekur urdhrin e Biblës ‘për t’u pastruar nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës’.—2 Korintasve 7:1.

Për sa i përket bimëve mjekësore, një libër jep këtë këshillë: «Nëse mbetesh shtatzënë ndërkohë që po bën një kurë bimore, fol me mjekun dhe ndërprite kurën derisa të flasësh me të. Përpiqu të kujtosh dozën e saktë dhe për sa kohë e ke vazhduar.»

«Vetëmjekimi [me bimë mjekësore] ka disa rreziqe»,—thotë një enciklopedi për bimët mjekësore. Në kutinë shoqëruese «Rreziqet e vetëmjekimit», do të gjeni një listë me rreziqet e mundshme të përdorimit të bimëve mjekësore.

Ashtu si të gjitha produktet e tjera shëndetësore, edhe kur kurohemi me bimë mjekësore duhet të bëjmë kujdes, të njohim mirë efektet e dëmshme e të dobishme dhe, sigurisht, t’i përdorim me masë. Gjithashtu duhet të mbajmë parasysh se për disa sëmundje sot për sot nuk ka ndonjë kurë. Të krishterët e vërtetë mezi e presin kohën kur vetë shkaku i sëmundjeve dhe i vdekjes, pra papërsosmëria që kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë, do të zhduket plotësisht nën sundimin mirëdashës të Mbretërisë së Perëndisë.—Romakëve 5:12; Zbulesa 21:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 4 Zgjohuni! nuk është revistë mjekësore dhe prandaj nuk këshillon ndonjë kurë a dietë të veçantë, bimore ose jo. Informacioni që jep ky artikull është thjesht për një njohuri të përgjithshme. Lexuesit duhet të vendosin vetë për çështjet e shëndetit e të mjekimit.

^ par. 7 Diuretikët janë barna që shtojnë urinimin.

[Kutia në faqen 14]

Rreziqet e vetëmjekimit

Më poshtë janë renditur disa rreziqe të përdorimit të bimëve mjekësore pa udhëzimet e një profesionisti të kualifikuar.

Mund të mos e dini shkakun e vërtetë të problemit tuaj shëndetësor.

Edhe nëse e keni gjetur se ç’sëmundje keni, kura që po bëni mund të mos jetë ajo që ju duhet.

Ngaqë po vetëmjekoheni, kjo mund të vonojë marrjen e një kure që e lufton në mënyrë më rrënjësore sëmundjen, por që është e nevojshme dhe e përshtatshme.

Vetëmjekimi mund të kundërveprojë ndaj ilaçeve që ju ka dhënë mjeku, siç janë ato për alergjinë ose për tensionin.

Vetëmjekimi mund të kurojë sëmundje të lehta, por mund të keqësojë ndonjë problem tjetër shëndetësor, si për shembull tensionin e lartë.

[Burimi]

Burimi: Rodale’s Illustrated Encyclopedia of Herbs