Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbuloni «minierën» e verërave në Moldavi

Zbuloni «minierën» e verërave në Moldavi

Zbuloni «minierën» e verërave në Moldavi

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MOLDAVI

I VARROSUR rreth 80 metra nën tokë ndodhet një labirint tunelesh 120 kilometra i gjatë, i gërmuar i tëri nga njeriu. Ky labirint tunelesh gjendet poshtë Krikovës, që është një rrethinë e Kishinevit, kryeqytetit të Moldavisë. Më parë nga këto guva të errëta nxirreshin gurë gëlqerorë.

Gjithsesi, në 50 vjetët e fundit këto tunele të ftohta nëntokësore kanë qenë një vend ideal për të ruajtur disa nga verërat më të mira të Evropës. Radhë të tëra me fuçi e shishe mbushin më shumë se 60 kilometra tunele në minierën e vjetër. Thuhet se ky qilar, me kapacitet depozitimi 350 milionë litra verë, është qilari më i madh i verërave në Evropën Juglindore.

Ndjekin traditën e lashtë

Moldavia është një vend ideal për kultivimin e rrushit. Ndodhet në të njëjtin paralel gjeografik me Burgonjën, provincën e famshme franceze për prodhimin e verës, dhe ka një klimë të butë që ndikon për mirë në tokën pjellore. Në Moldavi është prodhuar verë që nga viti 300 p.e.s., kur fillimisht tregtarët grekë sollën hardhi rrushi në këtë vend. Tradita e prodhimit të verës vazhdoi gjatë shekujve që pasuan, edhe pse vendin e pushtuan gotët, hunët dhe sundimtarë të ndryshëm feudalë.

Nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 18-të, vendi ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane që për arsye fetare nuk e nxiti prodhimin e verës. Por në shekullin e 19-të, vendin e morën në zotërim carët rusë, të cilët me vrull inkurajuan prodhimin e verës. Ata importuan varietete rrushi nga Franca, kështu që vreshtat e shumtë me rrush filluan të lulëzonin. Pas Luftës II Botërore, sovrani i ri i Moldavisë, Bashkimi Sovjetik, e modernizoi hap pas hapi industrinë e verës. Madje e bëri Moldavinë kryeqytetin e prodhimit të verës e të rrushit në gjithë Bashkimin Sovjetik. Fillimisht ishin sovjetikët që e kuptuan se këto tunele ishin një vend ideal për të ruajtur verërat. Le t’i bëjmë një vizitë këtij qilari të veçantë e të mësojmë disa të fshehta të tij.

Shëtitje me makinë në një qytet të nëndheshëm

Ndërsa shkojmë me makinë për në kantinën e verës, në hyrje vëmë re një kullë, e cila është pjesë e një ndërtese të gërmuar në një masiv gëlqeror. Ndërtesa ngjan me një shtëpizë fshati franceze. Por kjo ndërtesë as nuk ta jep idenë e strukturës së madhe që është fshehur poshtë në tokë. Pak më larg portës kryesore na del përpara goja e errët e tunelit. Sa e madhe që është! Nëpër të mund të kalojnë me lehtësi dy kamionë përbri njëri-tjetrit.

Me makinë zbresim nëpër këtë labirint të nëndheshëm dhe pas disa minutash ndalojmë për të marrë udhërrëfyesen tonë. Kthesat e shumta që ka labirinti na bëjnë të kuptojmë sa me lehtësi mund të humbitnim këtu po të mos kishim udhërrëfyesen.

Njëri nga ne pyet: «Ç’bëhej me gurët gëlqerorë që nxirreshin këtu më parë?»

«Përdoreshin për ndërtimet në Kishinev. Gurët gëlqerorë janë material shumë i mirë ndërtimi, pasi kanë veti të mira izoluese dhe pengojnë zhurmat»,​—përgjigjet udhërrëfyesja.

Kur zbresim rreth 70 metra poshtë nën tokë, drita në tunel pakësohet, duke krijuar në gjysmërrësirë një atmosferë paksa të mistershme. Ndalojmë në një kryqëzim ku ka disa rrugë që shkojnë në drejtime të ndryshme. Secila rrugë është e mbushur në të dyja anët me radhë fuçish të mëdha vere. Vëmë re se rrugët kanë emrin e llojeve të ndryshme të verërave. Disa nga emrat që na zgjojnë imagjinatën janë «Pinot», «Feteaska» dhe «Kabernet».

Udhërrëfyesja na thotë se fuçitë me dru lisi përdoren kryesisht për prodhimin e verërave të pagazuara, kurse fuçitë më të vogla prej metali për përgatitjen e verërave të gazuara. Shohim shumë pak punëtorë, dhe kjo na bën të pyesim sa punojnë gjithsej këtu. Ajo përgjigjet: «Kemi rreth 300 punëtorë. Gjatë gjithë vitit ata vishen trashë, sepse temperatura është e ulët këtu. Punëtorët këtu mendojnë se kjo u bën mirë jo vetëm verërave, por edhe njerëzve, sepse i mban të rinj, prandaj s’e kanë shumë problem që bën ftohtë.»

Pika tjetër interesante e udhëtimit tonë është prodhimi i verës së gazuar. Shohim qindra shishe të vendosura përmbys, në një kënd 30 gradë. Na shpjegohet: «Kur shishet vendosen në këtë kënd, llumrat mblidhen sipër tapës. Pasi ndodh kjo, tapës i bëhet një proces ftohjeje të menjëhershme, kështu që hiqet me lehtësi së bashku me llumrat. Pastaj vijon procesi i mbylljes përfundimtare të shishes.»

S’kalon shumë kohë dhe mbërrijmë në zonën ku mbahen shishet me verë të çmuar të prodhuar gjatë viteve të ndryshme. Udhërrëfyesja na e prezanton këtë zonë me fjalët: «Këtu ruhen më shumë se një milion shishe me verë të çmuar. Pothuajse të gjitha vendet evropiane që prodhojnë verë kanë depozituar disa nga prodhimet e tyre më të mira në qilarët tanë të nëndheshëm. Vera më e vjetër është ajo e vitit 1902. Kjo verë ishte prodhuar për t’u përdorur atë vit në Pashkën Judaike dhe është sjellë nga Jerusalemi. Disa vjet më parë, një pronar ankandi ofroi 100.000 dollarë për këtë shishe, por oferta e tij nuk u pranua. Me sa duket, ajo shishe me verë u konsiderua si tepër e çmuar.»

Udhërrëfyesja na thotë se në këtë zonë shishet e verës ruhen zakonisht në errësirë të plotë, përveç atyre pak minutave kur vijnë vizitorë. Pasi u hedhim një sy shpejt e shpejt etiketave të shisheve të mbuluara nga pluhuri, kuptojmë se shumica e verërave janë me moshë më të madhe se ne!

Vizita mbaron në dhomat ku provohen verërat. Më e madhja nga këto dhoma quhet Salla Presidenciale e Banketeve. Aty ka një tavolinë të fortë e të gjatë me dru lisi së bashku me karriget, e cila nxë 65 veta. Në epokën sovjetike, kjo dhomë përdorej për banketet zyrtare të shtetit. Sot, kjo sallë shumë e ndriçuar e me ngjyra të ndezura është ende vend i përshtatshëm për pritjet zyrtare.

«Sala Kasa Mare» (Dhoma e Mysafirëve) nxë 15 veta dhe është mobiluar në stilin tradicional moldav, kurse Salla e Banketeve «Fundi i Detit Sarmatik» nxë 10 veta, të cilët mund të ulen e të hanë në një tryezë të rrumbullakët. Veçori interesante e kësaj dhome është tavani i saj. Në fillim kjo dhomë ishte një guvë e nënujshme dhe në të duken qartë fosile molusqesh dhe mbetje të tjera të florës dhe të faunës ujore. Udhërrëfyesja na tregon se në të kaluarën, e gjithë Moldavia e sotme ishte «në fund të Detit Sarmatik».

Për mobiliet e këtyre dhomave është përdorur dru lisi i rritur po në vend. Mobilie të tilla ka edhe në Sallën e Banketeve «Juri Gagarin». Ky kozmonaut i famshëm e vizitoi Krikovën më 8-9 tetor 1966. Më pas shkroi një letër në shenjë vlerësimi, ku thoshte se këtu ‘edhe njohësi më kritik i verërave do të gjejë një verë që t’i pëlqejë’.

Udhërrëfyesja jonë komenton: «Gjatë 50 vjetëve që kanë funksionuar këta qilarë, kemi pasur vizitorë nga më shumë se njëqind shtete. Në epokën sovjetike, verërat e gazuara që prodhoheshin këtu njiheshin si shampanjë sovjetike. Pak veta e dinin se faktikisht ato vinin nga Moldavia. Sot verërat tona të gazuara i tregtojmë me markën «Krikova». Kemi llojin e bardhë e të kuq.» I vlerësojmë hollësitë e shumta që na dha udhërrëfyesja dhe e falënderojmë për vizitën shumë të bukur.

Kur largohemi nga ky labirint i nëndheshëm, na duket sikur kemi qenë në një botë tjetër. Jashtë është nxehtë dhe dielli shkëlqen. Në qiell s’ka asnjë re. Rrugës duke u kthyer në Kishinev shohim radhë të pafundme me vreshta të mbajtura mirë, të mbushura me vile rrushi gati për t’u vjelur.

[Hartat në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UKRAINË

MOLDAVI

RUMANI

Kishinev

[Figura në faqen 24]

Kantina e verës në Krikovë, me kullën e hyrjes

[Figura në faqen 24]

Një nga tabelat e rrugëve në labirintin e gjatë 120 kilometra të tuneleve të nëndheshme

[Figura në faqen 24]

Tuneli për hyrjen e makinave në qilarët e verës

[Figura në faqen 24]

Këtu ruhen më shumë se një milion shishe vere të çmuar