Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të mos bëni një shëtitje?

Pse të mos bëni një shëtitje?

Pse të mos bëni një shëtitje?

MILIONA njerëz mendojnë se po të mos shkojnë në ndonjë palestër e të kalojnë shumë kohë duke bërë ushtrime fizike, s’kanë ç’të bëjnë tjetër për ta mbajtur trupin në formë. Por kjo s’është e vërtetë. Dr. Rasëll Pejti, që punon në Universitetin e Karolinës së Jugut, thotë: «Mendoj që duhet ta pranojmë publikisht mendimin se pas ngrënies është vërtet e dobishme një shëtitje e këndshme dhe e qetë rreth e qark lagjes.»

Por, në të vërtetë, a të bën shëtitja kaq mirë sa ç’thuhet? A të sjell ajo dobi për shëndetin që t’ia vlejnë vërtet?

Ecja është ilaç

Mjeku grek Hipokrati e konsideronte ecjen si «ilaçin më të mirë të njeriut». Madje ka një thënie: «Kam dy doktorë: këmbën e majtë dhe këmbën e djathtë.» A të bën vërtet kaq mirë ecja?

Në disa studime përmendet se njerëzit që ecin vazhdimisht mund të kenë më pak sëmundje se njerëzit që s’para janë në lëvizje. Studimet tregojnë se ecja ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe rrezikun e apopleksisë. Mund të parandalojë diabetin duke përmirësuar aftësinë e trupit për të nxitur veprimin e insulinës. I mban kockat të forta, duke parandaluar kështu osteoporozën. Ecja të jep forcë, elasticitet dhe rezistencë. Të ndihmon të biesh në peshë dhe ta mbash peshën që ke arritur. Veç kësaj, ecja të bën mirë për gjumin, përmirëson veprimtarinë e trurit, e madje mund të ndihmojë për të luftuar depresionin.

Sipas raporteve, disa vjet më parë kërkuesit në Universitetin e Kalifornisë Jugore zbuluan se të ecësh për 15 minuta të çliron nga ankthi e tensioni më shumë se një qetësues i lehtë. Ashtu si aktivitetet e tjera fizike, ecja bën që të çlirohen endorfinat, substanca kimike të trurit që lehtësojnë dhembjen dhe nxitin çlodhjen, duke sjellë një ndjenjë qetësie dhe mirëqenieje.

Sipas The Medical Post të Kanadasë, edhe një shëtitje me nge mund të sjellë dobi për shëndetin. Një studim i botuar në The New England Journal of Medicine zbulon se edhe po të ecësh vetëm 800 metra në ditë, kjo të ndihmon të jetosh më gjatë. Disa studime të kohëve të fundit tregojnë se po të merresh me aktivitet fizik tri herë në ditë nga 10 minuta, të bën po aq mirë sa po të ushtrohesh për 30 minuta pa ndërprerje. Prandaj, ndoshta mund ta parkoni makinën pak më larg nga vendi ku do të shkoni dhe pjesën tjetër të rrugës ta bëni më këmbë. Ose mund të bëni një shëtitje të shkurtër gjatë ditës.

Ecja e shpejtë të sjell dobi edhe më të mëdha. Dr. Karl Kasperseni, nga Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta, Xhorxhia, tha: «Të kalosh nga qëndrimi për një kohë të gjatë ulur në ecjen e shpejtë për gjysmë ore në ditë, disa ditë në javë, mund ta ulë mjaft rrezikun [e sëmundjeve].» Një gjë e mirë e ecjes është se mund ta praktikojnë njerëz me çfarëdolloj moshe dhe me gjendje shëndetësore të ndryshme. Për më tepër, nuk kërkon stërvitje ose aftësi të veçanta atletike, por vetëm një palë këpucë të rehatshme.

Shëtitje të këndshme!

Vishni rroba të rehatshme e të lirshme. Që të jeni ngrohtë, vishni përsipër rroba të tjera që mund t’i hiqni me lehtësi. Përdorni këpucë të lehta dhe elastike, me takë të ulët e të butë nga brenda dhe me hapësirë të madhe për gishtat. Duhet të jenë paksa më të mëdha se këpucët që vishni normalisht. Në qoftë se mendoni të ecni më shumë se gjysmë ore dhe gjatë rrugës nuk keni ku të gjeni ujë, mund të merrni me vete një bidon të vogël me ujë. Bëjeni nxehjen duke ecur me hap të lehtë pesë minutat e para. Qëndroni drejt, me bërrylat dhe gjunjët paksa të përkulur dhe me duart paksa të mbyllura, jo të bëra grusht.

Pasi të keni bërë nxehjen, filloni të ecni pak më shpejt, por natyrshëm, duke vënë në fillim në tokë thembrën, pastaj pjesën tjetër të këmbës, e në fund gishtat. Për këtë nevojiten këpucë elastike. A ju duket sikur duhet të mbani mend gjithë ato gjëra? Mos kini merak, shumica e njerëzve kështu ecin natyrshëm. Ritmi me të cilin ecni duhet të jetë i tillë që t’ju lejojë të bisedoni lirshëm, pa ju marrë fryma. Po ta keni për herë të parë këtë lloj ecjeje, shtojeni dalëngadalë kohën, largësinë dhe shpejtësinë. Qetësohuni në fund duke e ngadalësuar hapin. *

Shtimi i rrahjeve të zemrës dhe shpeshtimi i frymëmarrjes janë shenja normale të ushtrimit të trupit, siç është edhe djersitja e lehtë ose mesatare. Ndoshta ditët e para do të ndieni ca dhembje muskujsh dhe dobësi. Vërini veshin reagimit të trupit. Në qoftë se e ndieni që po bëni më tepër se ç’duhet, ngadalësojeni hapin ose bëni një pushim të shkurtër. Por, në qoftë se keni simptoma të tilla, si shtrëngim ose dhembje kraharori, rrahje të forta zemre, frymëmarrje të rënduar, marrje mendsh ose të përziera, ndalojeni ecjen dhe kërkoni menjëherë ndihmë. *

Meqë ecja nuk e trondit shumë trupin, është patjetër më e sigurt se vrapimi ose gjimnastika aerobike. Si rrjedhim, ka më pak të ngjarë të dëmtoni kyçet dhe muskujt. Me të vërtetë, ecja është ushtrimi më i mirë që rekomandojnë specialistët për mbajtjen e trupit në formë. Prandaj, në qoftë se i doni të mirën vetes, bëni një shëtitje!

[Shënimet]

^ par. 12 Një fjalë për ata që duan të djegin kalori: po ta shtoni ritmin duke e bërë një kilometër jo për 12 minuta, por për 9 minuta, do të digjni 30 për qind më shumë kalori në minutë. Po ta bëni një kilometër jo për 9 minuta, por për 7, do të digjni 50 për qind më shumë kalori në minutë. Shumica e atyre që ecin për të mbajtur trupin në formë, e bëjnë një kilometër për 7 deri në 9 minuta.

^ par. 13 Më e mira mund të jetë të këshilloheni me një mjek para se të filloni ndonjë regjim me ushtrime fizike, sidomos në qoftë se keni ndonjë sëmundje të zemrës, tension të lartë ose ndonjë problem tjetër shëndetësor.

[Kutia në faqen 27]

DISA SUGJERIME QË TË NDIHMOJNË GJATË ECJES

● Ec me trupin drejt, me mjekrën lart (paralel me tokën), duke e fiksuar shikimin rreth 6 metra përpara

● Mbaj një hap mesatar. Mos mendo se duhet të ecësh aq shpejt, sa të mos kesh frymë për të biseduar normalisht

● Mos i hap ose mos i zgjat tepër hapat. Në qoftë se dëshiron të shtosh shpejtësinë, bëj hapa më të shpejtë e më të shkurtër

● Lëvizi krahët nga para-prapa, me bërrylat afër trupit, jo nga njëra anë në tjetrën

● Mos e vër të gjithë shputën e këmbës në tokë. Vendose gradualisht këmbën duke filluar me thembrën dhe shtyje para me gishta

● Nuk është e nevojshme të mbash pesha kur ecën. Këto i pengojnë lëvizjet e natyrshme gjatë ecjes dhe mund t’i tendosin shumë tejzat e dejtë