Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta bërthamore: Cilët përbëjnë kërcënim?

Lufta bërthamore: Cilët përbëjnë kërcënim?

Lufta bërthamore: Cilët përbëjnë kërcënim?

«Mundësia e shfarosjes si pasojë e një katastrofe bërthamore është reale. Ajo ekziston sot, . . . pavarësisht se Lufta e Ftohtë ka mbaruar më shumë se dhjetë vjet më parë.»​—Robert. S. Meknamara, ish-sekretar i mbrojtjes për SHBA-në, dhe Xhejms G. Blajti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Institutin Uotson për Studimet Ndërkombëtare.

NË VITIN 1991 kur mbaroi Lufta e Ftohtë, akrepi i minutave në orën e famshme të fundit të botës u çua prapa, deri në 17 minuta para ‘mesnate’. Ora e fundit të botës paraqitet në kapakun e revistës Buletini i shkencëtarëve bërthamorë (anglisht) dhe simbolizon se sa afër luftës bërthamore (mesnatës) është bota, siç mendojnë ata. Në vitin e përmendur më sipër, akrepi i minutave u vendos më larg mesnatës se ç’kishte qenë ndonjëherë që kur nisi të përdorej kjo orë në vitin 1947. Megjithatë, që nga ajo kohë, akrepi i minutave ka filluar të lëvizë përsëri përpara. Për shembull, në shkurt të vitit 2002 ora u vu shtatë minuta para mesnate, dhe kjo ishte hera e tretë që çohej përpara, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Pse botuesit e kësaj reviste shkencore e shohin të nevojshme ta çojnë përpara orën? Pse mendojnë se lufta bërthamore përbën ende një kërcënim? Veç kësaj, cilët po e kërcënojnë paqen?

Sekreti i «pakësimit»

Buletini i shkencëtarëve bërthamorë shpjegon: «Më se 31.000 armë bërthamore janë ende në gjendje përdorimi. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e këtyre armëve gjenden në Shtetet e Bashkuara e në Rusi, dhe më shumë se 16.000 janë gati për sulm.» Disa mund të vënë re se ka një kontradiktë të dukshme në numrin ekzistues të mbushjeve bërthamore. A nuk shpallën këto dy superfuqi bërthamore se i kishin pakësuar mbushjet bërthamore deri në 6.000 secila?

Këtu gjendet sekreti i «pakësimit». Në një raport nga organizata Carnegie Endowment for International Peace shpjegohet: «Shifra 6.000 mbushje bërthamore llogaritet sipas rregullave specifike për regjistrimin dhe inventarin, të pranuara në traktatin START [Bisedime për Pakësimin e Armëve Strategjike]. Të dyja kombet do të kenë ende me mijëra armë të tjera taktike dhe rezervë.» (Kursivi është yni.) Sipas Buletinit të shkencëtarëve bërthamorë, «shumë mbushje bërthamore amerikane të hequra nga arsenali aktiv nuk do të çmontohen, por do të lihen rezervë (bashkë me rreth 5.000 mbushjet bërthamore që tashmë janë rezervë).»

Kështu, përveç mijëra armëve bërthamore strategjike rezervë që janë gati për sulm, të cilat mund të lëshohen drejtpërdrejt nga njëri kontinent në tjetrin, ka me mijëra mbushje të tjera bërthamore, si edhe armë të tjera taktike bërthamore, të projektuara për të sulmuar objektiva më të afërt. Pa dyshim, dy superfuqitë bërthamore kanë ende mjaft arsenal bërthamor sa ta shfarosin gjithë popullsinë e botës disa herë me radhë. Mbajtja e një numri kaq të madh armësh të rrezikshme e rrit mundësinë e një kërcënimi tjetër, domethënë lëshimit aksidental të raketave bërthamore.

Luftë bërthamore aksidentale

«Armët bërthamore të SHBA-së janë të kontrolluara nga strategjia ‘lëshim me t’u dhënë alarmi’»,​—sipas Robert S. Meknamarës dhe Xhejms G. Blajtit, të cituar më sipër. Çfarë do të thotë kjo? «Mbushjet tona bërthamore janë gati për t’u lëshuar ndërkohë që mbushjet bërthamore ruse janë në ajër»,​—shpjegojnë ata. Pastaj shtojnë: «Në bazë të kësaj strategjie, nuk duhet të kalojnë më shumë se 15 minuta që nga paralajmërimi i parë për një sulm nga rusët e deri te lëshimi i raketave tona.» Sipas një ish-oficeri të lëshimit të raketave bërthamore strategjike amerikane, «pothuajse të gjitha raketat tokësore janë gati për t’u lëshuar brenda dy minutave».

Kjo gjendje gatishmërie e lartë paraqet rrezikun e një lëshimi aksidental të raketave, të shkaktuar nga një alarm i rremë. «Ka pasur disa raste,​—shpjegon një artikull në revistën U.S.News & World Report,​—kur janë dhënë gabimisht urdhra të vërtetë lëshimi gjatë seancave stërvitore bërthamore amerikane.» Alarme të tilla të rreme janë dhënë edhe në Rusi. Kur një raketë kërkimore norvegjeze shkaktoi një alarm të rremë në vitin 1995, presidenti rus filloi procesin e aktivizimit të kodeve të lëshimit të raketave bërthamore.

Kjo strategji e mbajtjes së armëve në gjendje gatishmërie i vë para një presioni të madh ata që janë përgjegjës për të marrë vendimet. Lumturisht, në të kaluarën, oficerët përgjegjës e kanë kuptuar se alarmet ishin të rreme e deri tani lufta bërthamore është shmangur. Lidhur me një incident të ndodhur në vitin 1979, një studiues shpjegoi: «Ajo që ndali [lëshimin e] raketave amerikane ishin satelitët tanë të sinjalizimit të hershëm, të cilët tregonin se nuk kishte raketa sovjetike në ajër.» Mirëpo, me kalimin e kohës, këto sisteme satelitore të sinjalizimit të hershëm amortizohen. Kërkuesit dhe analistët janë të shqetësuar pasi «shumica e satelitëve rusë për sinjalizimin e hershëm ose s’funksionojnë më ose janë larguar nga orbitat e tyre të përcaktuara». Prandaj, siç e tha disa vjet më parë një zëvendësadmiral amerikan në pension, «sot është po aq e madhe, sa edhe në të kaluarën mundësia e një goditjeje para se pala tjetër të sulmojë ose e lëshimit të raketave si pasojë e një keqkuptimi, si pasojë e autoritetit të dhënë personave të gabuar ose si pasojë e ndonjë aksidenti».

Anëtarë të rinj të «klubit bërthamor»

Ndonëse arsenalet kryesore u përkasin dy superfuqive bërthamore, ka edhe fuqi të tjera bërthamore, si Britania e Madhe, Franca dhe Kina. Kohët e fundit, me këto fuqi bërthamore të njohura botërisht, të quajtura «klubi bërthamor», u bashkuan edhe India e Pakistani. Përveç këtyre vendeve, ka edhe disa të tjera, ku përfshihet edhe Izraeli, që shpesh përmenden si vende që përpiqen të kenë (ose ndoshta tashmë kanë) armë bërthamore.

Konfliktet politike ku përfshihet qoftë edhe një anëtar i «klubit bërthamor», madje edhe ndonjë nga anëtarët e rinj, mund të shkaktojnë luftëra ku të përdoren armët bërthamore. «Kriza ndërmjet Indisë dhe Pakistanit . . . përbën rastin kur dy shtete iu afruan më shumë se kurrë luftës bërthamore, që nga Kriza Kubane e Raketave»,​—shpjegon Buletini i shkencëtarëve bërthamorë. Gjatë fillimit të vitit 2002, duke parë situatën e rënduar, frika për një sulm bërthamor u bë shumë reale për një numër të madh njerëzish.

Veç kësaj, zhvillimi i armëve të tjera të shkatërrimit në masë ka sjellë më tepër mundësi për të përdorur bombat bërthamore. Duke analizuar një raport sekret të Pentagonit, The New York Times tha se «përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore për t’u shkatërruar vendeve armike arsenale me armë biologjike, kimike dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë» ndoshta është bërë pjesë e politikës bërthamore amerikane.

Sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001 i kujtuan botës edhe një burim tjetër të kërcënimit bërthamor. Shumë veta tani mendojnë se organizatat terroriste po përpiqen të prodhojnë, ose tashmë kanë në duar, armë bërthamore. Si ka mundësi?

Terroristët dhe bombat me mbetje bërthamore

A është e mundur të ndërtohet një bombë bërthamore duke përdorur material që shitet në tregun e zi? Sipas revistës Time, përgjigjja është po. Kjo revistë fliste për një skuadër që u ngrit për të parandaluar terrorizmin bërthamor. Deri tani, skuadra «ka montuar më shumë se një duzinë» bomba artizanale duke përdorur «pajisje teknologjike që i blen në dyqanet e zakonshme me gjëra elektronike dhe llojin e karburantit bërthamor që shitet në tregun e zi».

Çarmatimi bërthamor dhe zbërthimi i armëve bërthamore e ka shtuar mundësinë për të vjedhur pajisje bërthamore. «Heqja e mijëra armëve bërthamore ruse nga raketat, aeroplanët bombardues dhe nëndetëset e ruajtura mirë, e grumbullimi i tyre në depo më pak të sigurta, do t’i bëjnë shënjestra tunduese për terroristët e vendosur për t’i vjedhur ato»,​—thotë revista Time. Në qoftë se pjesë nga armët bërthamore të zbërthyera i bien në dorë një grupi të vogël njerëzish dhe montohen përsëri së bashku, shumë shpejt ky grup mund të bëhet anëtar i «klubit bërthamor».

Revista Peace thotë madje se nuk ka nevojë as ta montosh një bombë për t’u bërë pjesë e «klubit bërthamor». Gjithçka që nevojitet është të kesh një sasi të mjaftueshme uraniumi ose plutoniumi të llojit të duhur. Revista thotë: «Terroristët që kanë në dorë uranium i cili mund të përdoret për të bërë armë do të arrinin me shumë lehtësi të shkaktonin një shpërthim thjesht duke e hedhur gjysmën e sasisë së atij uraniumi në gjysmën tjetër.» Sa nga ky material bërthamor i pasuruar nevojitet? Sipas asaj reviste, «do të mjaftonin tre kilogramë». Kjo është pothuajse e njëjta sasi materiali bërthamor, i cili mund të përdoret për të bërë armë, me atë që iu konfiskua kontrabandistëve të arrestuar në vitin 1994 në Republikën Çeke.

Një mënyrë tjetër për të krijuar armë bërthamore mund të jenë edhe mbetjet bërthamore. «Ajo që i shqetëson seriozisht specialistët është kombinimi vdekjeprurës i mbetjeve radioaktive dhe i eksplozivëve të zakonshëm»,​—thotë The American Spectator. Armët e këtij lloji, pajisje për shpërndarje radioaktive, njihen në disa vende si ‘bomba të pista’. Sa të rrezikshme janë? Në këto lloj bombash përdoren «eksploziva të fuqishëm tradicionalë për të shpërndarë materiale shumë radioaktive, me qëllimin jo për t’i hedhur në erë ose për t’i djegur objektivat, por për t’i helmuar»,​—shpjegon gazeta IHT Asahi Shimbun. Ajo vazhdon: «Pasojat që kanë këto bomba te njerëzit shkojnë nga sëmundjet si pasojë e rrezatimit, deri në një vdekje agonike e të ngadaltë.» Ndonëse disa thonë se përdorimi i mbetjeve bërthamore që gjenden me lehtësi nuk do të shkaktonte shumë dëme, fakti që në tregun e zi gjenden materiale bërthamore të pasuruara i shqetëson shumë veta. Sipas një ankete mbarëbotërore të bërë kohët e fundit, më se 60 për qind e të anketuarve mendonin se në dhjetë vitet e ardhshme do të ketë terrorizëm bërthamor.

S’ka asnjë dyshim se kërcënimi bërthamor është ende real për botën. Guardian Weekly e Britanisë, me datë 16-22 janar 2003, komentonte: «Mundësia që SHBA-ja t’u drejtohet armëve bërthamore tani është më e madhe se në çdo kohë tjetër që nga ditët e errëta të luftës së ftohtë. . . . SHBA-ja po e afron gjithnjë e më shumë kufirin e luftës bërthamore.» Prandaj, lind natyrshëm pyetja: A mund të shmanget lufta bërthamore? A ka ndonjë shpresë për një botë ku të mos ekzistojë kërcënimi bërthamor? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.

[Kutia në faqen 6]

Një epokë e dytë bërthamore?

Duke shkruar në The New York Times Magazine, gazetari Bill Keller (tani kryeredaktor i The New York Times) shprehu mendimin se kombet kanë hyrë në një epokë të dytë bërthamore. Epoka e parë mbaroi në janar të vitit 1994, kur Ukraina pranoi t’i dorëzonte armët që kishte trashëguar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Përse ai tani flet për një epokë të dytë bërthamore?

Kelleri shkruan: «Epokën e dytë bërthamore e sinjalizoi një gjëmim i mbytur nëntokësor në shkretëtirën e Raxhastanit në vitin 1998, kur qeveria e re e Indisë, një qeveri nacionaliste hinduiste, shpërtheu pesë bomba bërthamore për provë. Dy javë më vonë, Pakistani bëri të njëjtën gjë.» Pse këto prova ndryshonin nga ato të epokës së mëparshme bërthamore? «Këto armë bërthamore ishin projektuar duke pasur në mendje një rajon të veçantë.»

Pra, a mund të ndihet më e sigurt bota tani që ka dy anëtarë të tjerë aktivë në «klubin bërthamor»? Kelleri vazhdon: «Çdo komb të ri që ka armë bërthamore bën të shumëfishohet mundësia që nëse fillon një luftë, njëri nga shtetet të jetë fuqi bërthamore.»​—The New York Times Magazine, 4 maj 2003, faqja 50.

Situatën e ndërlikon më tej edhe lajmi se Koreja e Veriut mund të ketë «sasi të mjaftueshme plutoniumi për të qenë afër krijimit të gjashtë bombave bërthamore. . . . Çdo ditë shtohet më tej rreziku se Koreja e Veriut do t’ia dalë mbanë të prodhojë armë të reja bërthamore e ndoshta edhe t’i vërë në provë për të treguar suksesin e saj».​—The New York Times, 18 korrik 2003.

[Figura në faqen 7]

Një zyrtar tregon modelin e një bombe bërthamore që ngjan si një «valixhe»

[Burimi]

Fotografi e AP-së/Dennis Cook

[Figura në faqen 7]

Satelitët e sinjalizimit të hershëm po amortizohen

[Burimi]

Fotografi e NASA-s

[Burimi i figurës në faqen 5]

Toka: Fotografi e NASA-s