Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta bërthamore: A mund të shmanget?

Lufta bërthamore: A mund të shmanget?

Lufta bërthamore: A mund të shmanget?

«Do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë.»​—Sofonia 3:13.

TË GJITHË dëshirojnë një botë ku nuk ekziston kërcënimi bërthamor. Por duke parë realitetin e kësaj bote, shumë janë pesimistë. «Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar nuk po i kushtojnë më edhe aq rëndësi idesë për të mbajtur nën kontroll, për të pakësuar e së fundi për t’i eliminuar armët bërthamore»,​—thotë The Guardian Weekly.

Megjithatë disa veta theksojnë përpjekjet që kanë bërë kombet në këtë aspekt. Për shembull, është llogaritur se vetëm Shtetet e Bashkuara harxhuan 2,2 miliardë dollarë brenda një viti për të parandaluar luftën bërthamore. Sigurisht që kjo është një shumë mjaft e madhe parash. Gjithsesi, dijenia se po ky komb harxhon rreth 27 miliardë dollarë në vit në përgatitjet për luftë bërthamore i zemëron shumë veta.

Po traktatet e paqes? A mund të japin shpresë këto përpjekje?

Traktate për kontrollimin e armëve bërthamore

Që kur është përdorur për herë të parë bomba bërthamore, janë përfunduar shumë traktate për mbajtjen nën kontroll ose kufizimin e armëve bërthamore. Ndër to janë: Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), Bisedimet për Kufizimin e Armëve Strategjike, Bisedimet për Pakësimin e Armëve Strategjike dhe Traktati për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore. A nuk kanë arritur ta zhdukin këto traktate kërcënimin bërthamor?

Çdo traktat varet nga premtimi reciprok që bëjnë palët e përfshira në të. Për shembull, NPT-ja, nënshkruar në vitin 1970 dhe me 187 vende pjesëmarrëse deri në dhjetor të vitit 2000, do të ketë sukses nëse vendet me ose pa potencial bërthamor që nënshkruan traktatin do të jenë të gatshme t’i përmbahen atij. Në njërën anë traktati i ndalon vendet pa potencial bërthamor që të krijojnë ose të blejnë arsenal bërthamor, dhe në anën tjetër u kërkon fuqive bërthamore të përpiqen t’i eliminojnë armët bërthamore që kanë. A ka pasur sukses ky traktat? «Ndonëse sistemi i kontrollimit i NPT-së patjetër që nuk është i përsosur, ka arritur të parandalojë keqpërdorimin e teknologjisë bërthamore civile dhe të instalimeve që janë nën ruajtje»,​—shpjegon Keri Sableti në dokumentin «Pyetje që bëhen shpesh për armët bërthamore» (anglisht).

Ndonëse traktati ka pasur njëfarë suksesi, «nuk i ka . . . bindur disa kombe që të mos kërkojnë të kenë armë bërthamore, madje këto kombe në disa raste ia kanë dalë mbanë»,​—thotë Sableti. Megjithatë, ai thotë se këtë kanë arritur ta bëjnë vetëm me anë të programeve të fshehta jashtë instalimeve të ruajtura nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Suksesi i një traktati varet nga besueshmëria e palëve të përfshira. A mund t’i pranojmë verbërisht premtimet që bëjnë njerëzit? Përgjigjja është e qartë, pasi na mjafton të shohim faktet e historisë njerëzore.

Atëherë, ku mund të kemi shpresë?

Të mendojmë në një mënyrë të re

Në dhjetor të vitit 2001, 110 fitues të çmimit Nobel miratuan dhe nënshkruan një deklaratë, ku thuhet: «E vetmja shpresë për të ardhmen gjendet në bashkëpunimin ndërkombëtar, të mbështetur nga demokracia. . . . Për të mbijetuar në këtë botë që e kemi shndërruar ne vetë, duhet të mësojmë të mendojmë në një mënyrë të re.» Por, cila ‘mënyrë e re’ e të menduarit nevojitet? A është realiste të besojmë se ata që po kërcënojnë paqen botërore me armët e tyre bërthamore do të mësojnë të mendojnë në një mënyrë të re?

Bibla na këshillon: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.» (Psalmi 146:3) Përse? Përgjigjja e Biblës është: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Po, arsyeja kryesore është që njerëzit nuk janë të pajisur me aftësinë për ta qeverisur tokën në paqe. Siç e thotë Bibla, «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar».​—Predikuesi 8:9.

Në qoftë se njerëzit nuk janë të aftë të qeverisin tokën, kush është atëherë? Bibla premton se do të ketë paqe nën një qeveri të besueshme dhe të aftë. Në Bibël kjo qeveri quhet Mbretëria e Perëndisë dhe, ndoshta pa e kuptuar, miliona njerëz janë lutur për këtë qeveri kur kanë thënë lutjen ‘Ati ynë’ që thotë: «Ati ynë që je në qiej, . . . ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:9, 10) Kjo Mbretëri ka si Mbret Jezu Krishtin, Princin e Paqes. Duke përshkruar sundimin e tij, Bibla thotë: «Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja.»​—Isaia 9:5, 6.

Edhe nëse «princat» ose politikanët dhe qeveritë njerëzore nuk do të arrijnë ta mësojnë këtë mënyrë të re të menduari, ju mund ta mësoni. Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar miliona veta që të pranojnë mesazhin e shpresës që gjendet në Bibël, me anë të një kursi për studimin e Biblës pa pagesë. Nëse dëshironi më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni botuesit e kësaj reviste ose ndoshta vizitoni Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tuaj.

[Figura në faqet 8, 9]

Nën qeverinë e Mbretërisë së Perëndisë, bota do të jetë e lirë nga kërcënimi bërthamor