Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Plagë të mbyllura me zinxhir

Frankfurter Allgemeine Zeitung thotë se plagët mbyllen më mirë me një zinxhir mjekësor sesa me mënyrën tradicionale të qepjes. «Fashoja kirurgjike me zinxhir është ngjitëse, si një leukoplast i zakonshëm. Kjo fasho, me dy anë të dhëmbëzuara, ngjitet në secilën anë të plagës dhe pastaj mbyllet si një zinxhir i zakonshëm rrobash.» Një studim i bërë në Klinikën Universitare të Gëtingenit, në Gjermani, krahasoi dy grupe pacientësh të cilët kishin bërë operacione për të hequr tumore në lëkurë. Te të dyja grupet, indet poshtë lëkurës ishin qepur në mënyrën e zakonshme. Kurse shtresat e sipërme të lëkurës te njëri grup ishin mbyllur me zinxhirë mjekësorë, ndërsa te grupi tjetër ishin qepur si normalisht. Plagët që ishin mbyllur me zinxhirë kishin lënë shenja mjaft më të holla dhe gjithashtu shenjat në formë shkalle ishin më të rralla.

Milingona që prodhojnë herbicid

«Disa milingona që kultivojnë kërpudha për t’u ushqyer prodhojnë edhe një herbicid për të eliminuar parazitët»,​—thotë agjencia e lajmeve Blumberg. Një lloj milingone (Atta colombica) nuk arrin t’i tretë gjethet dhe mbeturinat organike që sjell në fole. Prandaj, këtë bimësi në kalbje e sipër që mbledhin e depozitojnë në disa dhoma dhe e përdorin për të kultivuar kopshte me kërpudha. Mirëpo, kërpudha që kultivojnë milingonat sulmohet nga një parazit mikroskopik që mund ta pakësojë ose edhe ta prishë gjithë ushqimin. Për të mbrojtur kërpudhat, milingonat rritin një bakter mbi trupin e tyre. «Kur shfaqet organizmi [parazit] i padëshiruar, këto milingona i fërkojnë trupat e tyre me trupin e parazitit, duke u lënë herbicidin»,​—thuhet në raport.

Në Kanada bie vazhdimisht numri i të pranishmëve në kishë

«Në Kanada po triumfon indiferenca ndaj fesë»,​—tha shkrimtari franko-kanadez Jan Martel në një intervistë me Publishers Weekly. Për më tepër, një artikull në gazetën The New York Times thotë se në Monreal «numri i të pranishmëve në kishë po bie me ritme kaq të shpejta, saqë në tri vitet e fundit të paktën 18 kisha janë mbyllur e janë braktisur ose janë kthyer në banesa e madje, në një rast, në piceri». Pedagogia e teologjisë Margerita van Dai, e cila punon në Universitetin «Kuins» në Kingston, Ontario, tha se «kjo është një shoqëri ku feja nuk ka më ndikim kulturor».

Vetëtimat e Venezuelës ndihmojnë shtresën e ozonit

Ndonëse 90 për qind e shtresës së ozonit që rrethon tokën formohet nga rrezatimi ultravjollcë i diellit, pjesa tjetër prej 10 për qind formohet nga stuhitë me shkarkesa elektrike. Stuhi të tilla me vetëtima ndodhin shpesh në kënetat e Parkut Kombëtar Katatumbo, në shtetin Sulia, Venezuelë. The Daily Journal e Karakasit thotë se çdo vit në rajonin e deltës së lumit Katatumbo ka «140 deri në 160 ditë stuhi të shoqëruara me vetëtima». Mendohet se metani, një nënprodukt i bimësisë në kalbje e sipër dhe i lëndëve të tjera nga lagunat dhe kënetat përreth, kombinohet me retë e ulëta dhe motin e keq për të shkaktuar këto vetëtima. Një aspekt tjetër interesat i vetëtimave të Katatumbos është se deri tani nuk është dëgjuar ndonjë bubullimë. Kjo është «një dukuri natyrore që s’ndodh në asnjë vend tjetër të botës»,​—thuhet në një sit në Internet me emrin Lost World Adventures.

Qytetet me koston më të lartë të jetesës

Tokioja, Moska dhe Osaka janë qytetet me koston më të lartë të jetesës në botë. Ky është përfundimi i arritur nga një studim i drejtuar nga organizata Mercer Human Resource Consulting. Studimi, i cili përfshiu 144 qytete, mori parasysh koston relative të më shumë se 200 produkteve dhe shërbimeve, ku përfshihen: banimi, veshja, transporti, zbavitja, mobiliet dhe pajisjet për shtëpi. Nga 20 qytetet me koston më të lartë të jetesës, dhjetë ndodhen në Azi; Gjeneva, Londra dhe Zyrihu renditen ndër qytetet me koston më të lartë në Evropë, pas Moskës; Nju-Jorku renditet i dhjeti në listë; ndërsa në Kanada, asnjë qytet nuk përfshihet ndër 100 qytetet e para me koston më të lartë të jetesës. Për sa u përket qyteteve me kosto më të ulët, në krye të listës është Asuncioni në Paraguai.

Gjuhë që po zhduken

«Numri i gjuhëve ‘të gjalla’ që fliten në botë po bie me ritme më të shpejta se flora dhe fauna e planetit»,​—thuhet në një studim që citohet në The Independent të Londrës. Gjuhëtarët llogaritin se në mbarë botën fliten 6.809 gjuhë, 90 për qind e të cilave fliten nga më pak se 100.000 veta. Gjuhët që i flasin më pak se 50 veta janë 357, kurse ato që mendohet se kanë vetëm një njeri që i flet janë 46. Kolonizimi ka shkaktuar zhdukjen e 52 nga 176 gjuhët e fiseve të Amerikës së Veriut dhe të 31 nga 235 gjuhët aborigjene të Australisë. Profesori Bill Sadhërland nga Universiteti i Anglisë Lindore, në Angli, tha se kur u krahasua rreziku i zhdukjes së gjuhëve dhe rreziku i zhdukjes së kafshëve, duke përdorur të njëjtat metoda, numri i gjuhëve që klasifikoheshin «në pikë kritike», «të rrezikuara» ose «që po u kanoset rreziku» ishte shumë më i madh. Ai shton: «Ne i njohim mirë rreziqet që u kanosen shpendëve dhe gjitarëve, por nga sa del si përfundim, gjuhët janë shumë më në rrezik.»

Nga se shkaktohet gripi?

«Po të hynë ethet, e more gripin»,​—është një thënie e zakonshme. Mirëpo, «për më shumë se një shekull, shkencëtarët kanë harxhuar jashtëzakonisht shumë kohë dhe energji për të provuar se kjo thënie është e gabuar»​—thuhet në The New York Times. «Por, pavarësisht nga përpjekjet e tyre, mbetet ende lidhja midis gripit dhe motit, e kjo vazhdon të nxitë kërkime të mëtejshme.» Duke filluar me Lui Pastërin në vitin 1878, janë bërë mijëra eksperimente për të përcaktuar se ç’lidhje ka (nëse ka ndonjë lidhje) i ftohti që ndien trupi me gripin. Nuk habitemi që kërkuesit nuk janë ende të sigurt për përgjigjen. Dr. Xhek Guoltni i Riu, një nga specialistët kryesorë në botë për sa i përket gripit, thotë që më shumë se moti i ftohtë, është lagështia ajo që e favorizon gripin. Sipas Times, në thelb, «gripi është diçka e ndërlikuar, jo një sëmundje e vetme, por një ndërthurje e shumë sëmundjeve që ngjajnë me njëra-tjetrën, e që të gjitha ndodhin në cikle që ndikohen nga moti, por në mënyra që ende nuk kuptohen».

Probleme psikologjike në vendin e punës

«Shkaqet e invaliditetit në punë po ndryshojnë jashtëzakonisht shumë, duke kaluar nga fizike në psikologjike»​—thotë gazeta Globe and Mail e Kanadasë. Më shumë se 180 firma kanadeze morën pjesë në një studim mbi praktikat e kontrollit dhe trajtimit të invaliditetit në këto firma. Sipas rezultateve, «nga të anketuarit, 79 për qind renditën faktorët psikologjikë si shkakun kryesor të invaliditetit të përkohshëm në punë dhe 73 për qind thanë se sëmundjet psikologjike ishin shkaku numër 1 i invaliditetit të përhershëm». Disa arsye që janë dhënë për shtimin e stresit, të ankthit dhe të depresionit në vendin e punës përfshijnë: një forcë punëtore më të moshuar që e ka më të vështirë të mbajë ritmin, ngarkesë më të madhe në punë dhe teknologji moderne që i mban punonjësit të lidhur me punën e që sjell si rezultat «një ditë pune që s’mbaron kurrë». Sipas dr. Riçard Ërlit nga Instituti Kanadez për Stresin, në Toronto, punëdhënësit mund të ndihmojnë «duke i mësuar administratorët të identifikojnë e të trajtojnë sëmundjet psikologjike, si edhe duke siguruar ata vetë programe për të ndihmuar punonjësit, e shërbime të tjera».