Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Krimet e dhunshme Artikujt e serisë «Krimet e dhunshme: A ka ndonjë zgjidhje?» (8 korrik 2003) ishin shkruar jashtë mase bukur. Më pëlqeu mënyra se si në artikullin e parë jepeshin fakte, por pa sugjeruar zgjidhjen. Artikulli përfundonte me disa pyetje të goditura që të vinin në mendime, duke i lënë mundësi lexuesit të kuptonte sa i rëndë është ky problem. Pastaj tregoheshin zgjidhjet biblike. Fjala më e përshtatshme që mund të gjej për këta artikuj është: magjepsës!

A. L., Shtetet e Bashkuara

Artikulli i fundit i kësaj serie, me titull «Një zgjidhje realiste: A është e mundur?», më ndihmoi të kuptoj se duhet të ndodhë një ndryshim në mendje e në zemër, që njerëzit të arrijnë të duan drejtësinë. Të gjithë duhet të mësohemi nga Perëndia Jehova, siç thotë Isaia 54:13. Që tani, me ndihmën e Jehovait, mund të hedhim hapat për të qenë ata lloj njerëzish që ai dëshiron të jemi.

V. K., Shtetet e Bashkuara

Turi i Francës Më pëlqeu shumë artikulli «Turi i Francës: 100-vjetori i provës më të madhe të çiklizmit». (8 korrik 2003) E kam pasur zakon të merrja pjesë në garat amatore të çiklizmit. Edhe pse e shoh çdo vit në televizor Turin e Francës, s’dija gjë se si kishte filluar ai ose që viti 2003 shënonte 100-vjetorin e kësaj gare. Artikulli përmendte rastet kur sportistët kishin treguar fisnikëri. Mendoj se pikërisht kjo gjë bën për vete kaq shumë njerëz.

R. S., Japoni

Jam dhjetë vjeç dhe më pëlqeu shumë artikulli për Turin e Francës. Faleminderit që keni shpjeguar kaq shumë gjëra për historinë e çiklizmit. Shpresoj që të botoni edhe artikuj të tjerë për sportet.

Zh. F., Francë

Rëra E lexova me interes artikullin «Mrekullia e rërës». (8 maj 2003) U mahnita kur lexova për formimin e rërës dhe për gjallesat që jetojnë në të. Më mahnit edhe shumëllojshmëria e ngjyrave të rërës. E të mendosh se pa rërë s’do të kishim as qelq, as beton, gjëra që janë shumë të vlefshme! Ju falënderoj për këtë informacion të mrekullueshëm.

N. N., Afrika e Jugut

Diabeti Faleminderit shumë për serinë e artikujve «Të jetosh me diabetin». (8 maj 2003) Tashmë u bënë 12 vjet që kam diabetin e tipit 1 dhe jam mjekuar duke bërë injeksione të shpeshta insuline. Ime shoqe më mbështet shumë. Që të dy vazhdojmë të informohemi për sëmundjen, shkojmë bashkë te mjeku dhe unë po përpiqem të kem një qëndrim edhe më pozitiv. Meqë shërbej si mbikëqyrës udhëtues, kam vënë re se të bashkëkrishterët tani janë bërë më të vetëdijshëm se një i sëmurë ka nevojë që të tjerët të jenë dashamirës dhe të duruar me të, me qëllim që ta ndihmojnë të përballojë sfidat e jetës. Ky qëndrim më ndihmon të vazhdoj shërbimin tim nëpër kongregacione. Kjo seri artikujsh erdhi tamam në kohën e duhur. Edhe një herë, faleminderit shumë.

V. B., Poloni

Kam 28 vjet që vuaj nga diabeti. Në familjen time janë dhjetë veta që vuajnë nga kjo sëmundje. Këta artikuj kishin informacionin më të plotë që kam parë deri tani. Ata pasqyrojnë dashurinë e Krijuesit tonë, diçka që u mungon artikujve të tjerë jofetarë që trajtojnë këtë sëmundje. Meqë nuk doja të isha shumë e varur nga familja, përpiqesha që të tjerët të mos e kuptonin se isha sëmurë. Kënaqesha duke u kujdesur për të tjerët. Por ky artikull më ka ndihmuar të kuptoj se duhet të kujdesem edhe për veten, që të arrij të kujdesem më mirë për të tjerët.

L. P., Francë