Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse lejon Perëndia që të vuajmë?

Pse lejon Perëndia që të vuajmë?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse lejon Perëndia që të vuajmë?

«Perëndia është lart në qiell ku çdo gjë është e këndshme, kurse ne këtu poshtë vuajmë.»​—Meri. *

TË RINJTË e sotëm kanë lindur në një botë të egër. Tërmetet dhe katastrofat natyrore tragjike që marrin mijëra jetë me sa duket janë bërë të zakonshme. Luftërat dhe sulmet terroriste zënë vendin kryesor në lajme. Sëmundjet, krimet dhe aksidentet na rrëmbejnë njerëz të dashur. Merin që tha fjalët e mësipërme e keqja e goditi në familje. Këto fjalë plot hidhërim i tha pas vdekjes së babait.

Kur tragjeditë na prekin personalisht, është normale që të ndiejmë zhgënjim, boshllëk e madje zemërim. Ndoshta pyet veten: ‘Pse duhej të ndodhte kjo?’ ‘Pse mua?’ ose ‘Pse tani?’ Pyetje të tilla meritojnë përgjigje bindëse. Por që të marrim përgjigjet e duhura duhet t’i drejtohemi burimit të duhur. Është e vërtetë ajo që tha një i ri me emrin Tarel, se ndonjëherë njerëzit «janë kaq të vrarë shpirtërisht, saqë nuk arrijnë të mendojnë me gjakftohtësi për këto gjëra». Pra ndoshta ke nevojë të gjesh një mënyrë për të qetësuar pak ndjenjat e tua që të mundesh të mendosh në mënyrë logjike e të arsyeshme.

Kur përballesh me gjëra të padëshirueshme

Mbase nuk na pëlqen ta mendojmë, por gjithsesi vdekja dhe vuajtjet janë pjesë e jetës. Jobi e kishte mirë kur tha: «Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.»​—Jobi 14:1.

Bibla premton një botë të re në të cilën «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Gjithsesi, para se të vijnë këto kushte të shkëlqyera, njerëzimit i duhet të kalojë një kohë me një ligësi të paparë. «Dije këtë,​—thotë Bibla,​—se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.»​—2 Timoteut 3:1.

Sa do të zgjatin këto kohëra të vështira? Dishepujt e Jezuit bënë pak a shumë të njëjtën pyetje. Megjithatë Jezui nuk u tregoi ndonjë ditë ose orë të caktuar se kur do të mbaronte ky sistem gjithë vuajtje. Por tha: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:3, 13) Fjalët e Jezuit na nxitin të jemi largpamës. Duhet të jemi të përgatitur për të duruar shumë rrethana të vështira para se të vijë fundi.

A duhet fajësuar Perëndia?

Pra, a ka kuptim që të zemërohesh me Perëndinë meqë ai e lejon ligësinë? Jo, po të mendosh se Perëndia ka premtuar që do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve. As nuk është e arsyeshme të mendojmë se gjërat e këqija i shkakton Perëndia. Shumë ngjarje tragjike vijnë thjesht si pasojë e rastësisë. Për shembull, përfytyro sikur një pemë të rrëzohet nga era dhe të plagosë dikë. Shumë njerëz mund të thonë se kjo erdhi nga Zoti. Por nuk ishte Perëndia ai që e rrëzoi pemën. Bibla na ndihmon të kuptojmë se gjëra të tilla janë thjesht një pasojë e hidhur e «kohës dhe rastësisë».​—Predikuesi 9:11.

Vuajtjet mund të vijnë edhe nga gjykimi i dobët. Mendoni një grup të rinjsh që pasi kanë pirë pije alkoolike, dalin me makinë për të bërë një xhiro. Më pas bëjnë një aksident të rëndë. Kush e ka fajin? Mos vallë Perëndia? Jo, ata kanë korrur pasojat e gjykimit të tyre të dobët.​—Galatasve 6:7.

‘Por, a nuk është Perëndia kaq i fuqishëm, sa t’u japë fund vuajtjeve që tani?’​—mund të pyesësh. Disa njerëz besnikë në kohët biblike bënë po këtë pyetje. Profeti Habakuk e pyeti Perëndinë: «Pse rri dhe shikon ata që veprojnë me hile dhe hesht kur i ligu gllabëron atë që është më i drejtë se ai?» Megjithatë Habakuku nuk doli në përfundime të nxituara. Ai tha: «Do t’i hap sytë për të parë atë që do të më thotë.» Më vonë, Perëndia e siguroi se në një «kohë të caktuar» do t’u jepte fund vuajtjeve. (Habakuku 1:13; 2:1-3) Prandaj, duhet të jemi të durueshëm, duke pritur që Perëndia t’u japë fund vuajtjeve në kohën e caktuar nga ai.

Mos u ngut të nxjerrësh si përfundim se në njëfarë mënyre Perëndia do që ne të vuajmë ose që ai vetë po na sprovon. Është e vërtetë se vuajtja mund të nxjerrë në pah cilësitë tona më të mira dhe se sipas Biblës, sprovat që lejon Perëndia mund të na e rafinojnë besimin. (Hebrenjve 5:8; 1 Pjetrit 1:7) Gjithashtu është e vërtetë që shumë njerëz kur kalojnë sprova ose përvoja të dhimbshme bëhen më të durueshëm ose më të dhembshur. Por nuk duhet të arrijmë në përfundimin se ishte Perëndia ai që ua shkaktoi vuajtjet. Po të mendojmë kështu nuk po mbajmë parasysh dashurinë dhe mençurinë e Perëndisë. Bibla thotë qartë: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po sprovohem nga Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Përkundrazi, nga Perëndia vjen «çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur».​—Jakovi 1:13, 17.

Pse e lejon Perëndia ligësinë?

Atëherë nga vjen e keqja? Mos harro se Perëndia ka kundërshtarë, kryesori ndër ta është «ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Perëndia i vuri prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën në një botë pa telashe. Por Satanai e bindi Evën se ajo do të ishte më mirë pa sundimin e Perëndisë. (Zanafilla 3:1-5) Mjerisht Eva u besoi gënjeshtrave të Satanait dhe shkeli ligjin e Perëndisë. Edhe Adami u rebelua bashkë me të. Cila ishte pasoja? «Vdekja u përhap në të gjithë njerëzit»,​—thotë Bibla.​—Romakëve 5:12.

Në vend që ta shtypte menjëherë këtë rebelim, duke e shkatërruar Satanain dhe ata që shkuan pas tij, Perëndia e pa të përshtatshme të linte që të kalonte kohë. Çfarë do të arrihej me këtë? Së pari, kjo do të krijonte mundësi që Satanai të demaskohej si gënjeshtar. Gjithashtu do të mblidheshin prova që do të tregonin se pavarësia nga Perëndia sjell veçse rrënim. A nuk ka ndodhur tamam kështu? «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Për më tepër, «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Predikuesi 8:9) Fetë kanë krijuar një lëmsh mësimesh që bien ndesh me njëra-tjetrën. Normat morale kanë rënë kaq shumë sa s’ka ku të shkojë më. Qeveritë njerëzore kanë provuar çdo lloj sundimi të mundshëm. Ato nënshkruajnë traktate dhe nxjerrin ligje e megjithatë nevojat e njerëzve të thjeshtë ende nuk janë plotësuar. Luftërat shtojnë mjerime mbi mjerime.

Është e qartë se kemi nevojë që Perëndia të ndërhyjë dhe t’i japë fund ligësisë. Por kjo do të ndodhë vetëm në kohën e duhur sipas Perëndisë. Derisa të vijë ajo kohë, kemi privilegjin të mbështetim sundimin e Perëndisë, duke iu bindur ligjeve dhe parimeve të tij që gjenden në Bibël. Kur ndodhin gjëra të këqija, mund të na ngushëllojë shpresa e sigurt për jetën në një botë pa vuajtje.

Nuk je vetëm

Pavarësisht nga sa thamë më sipër, kur ne vetë vuajmë, mbase pyesim veten: ‘Pse mua?’ Sidoqoftë, apostulli Pavël na kujton se nuk jemi vetëm ne që vuajmë nga ligësitë. Pavli thotë se «e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Romakëve 8:22) Kur e di këtë, e ke më të lehtë ta përballosh vuajtjen. Për shembull, Nikola u trondit shumë nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington, D.C. Ajo pohon: «Isha e tmerruar dhe e frikësuar.» Por kur lexoi përvoja se si e përballuan atë tragjedi të bashkëkrishterë të tjerë, mendimi i saj ndryshoi. * «Kuptova se nuk jam aspak e vetmja. Dalëngadalë kam filluar të marr veten nga dhembja dhe nga dëshpërimi.»

Në disa raste është e mençur të kërkosh dikë me të cilin mund të flasësh, si për shembull: prindërit, ndonjë mik të pjekur ose një plak të krishterë. Po t’i hapesh dikujt tek i cili ke besim, mund të marrësh ‘një fjalë të mirë’ inkurajimi. (Fjalët e urta 12:25) Një i ri i krishterë brazilian sjell ndër mend: «Para nëntë vjetësh humba babanë dhe e di që Jehovai do ta ringjallë një ditë. Por një gjë që më ndihmoi ishte t’i shkruaja ato që ndieja. Gjithashtu, u tregoja se çfarë ndieja miqve të mi të krishterë.» A ke ‘shokë të vërtetë’ të cilëve u beson? (Fjalët e urta [Proverbat] 17:17, BR) Atëherë përfito nga ndihma e tyre e dashur. Mos ki turp të qash ose t’u thuash se si ndihesh. Edhe Jezui një herë «nuk i mbajti lotët» kur i vdiq një mik.​—Gjoni 11:35.

Bibla na siguron se një ditë ‘do të lirohemi nga skllavëria e prishjes’ dhe do të gëzojmë «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Deri atëherë, shumë njerëz të mirë mund të vuajnë. Ngushëllohu duke mbajtur parasysh përse ndodhin vuajtje të tilla dhe se kjo nuk do të vazhdojë gjatë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 20 Shih serinë e artikujve «Guxim përballë katastrofës» në revistën Zgjohuni! të janarit 2002.

[Figura në faqen 14]

Do të ndihesh më mirë po të mos e mbash përbrenda dhembjen