Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kuptojmë mostolerimin e laktozës

Të kuptojmë mostolerimin e laktozës

Të kuptojmë mostolerimin e laktozës

KA KALUAR gati një orë që kur u kënaqët së shijuari akulloren ose djathin tuaj të preferuar. Stomakun e ndieni të fryrë e të acaruar dhe keni gazra. Edhe kësaj here kërkoni lehtësim te një ilaç që keni filluar ta mbani diku afër. Pyetni veten: ‘Pse është kaq i ndjeshëm stomaku im?’

Nëse ju përzihet, keni ngërçe, fryrje, gazra ose diarre pasi pini qumësht ose hani bulmetra, ka mundësi që vuani nga mostolerimi i laktozës. Mostolerimi i laktozës është një lloj reagimi ndaj bulmetrave që haset dendur. Instituti Kombëtar për Diabetin dhe Çrregullimet e Tretjes dhe të Veshkave thotë se «nga mostolerimi i laktozës vuajnë 30 deri në 50 milionë amerikanë». Sipas librit Aparat tretës i ndjeshëm (anglisht), i botuar nga fakulteti i mjekësisë i Harvardit, «rreth 70 për qind e popullsisë së botës ka ndonjë problem me laktozën». Pra, çfarë është mostolerimi i laktozës?

Laktoza është sheqeri që gjendet në qumësht. Zorra e hollë prodhon një enzimë që quhet laktazë. Detyra e saj është ta shpërbëjë laktozën në dy sheqerna më të thjeshtë që quhen glukozë dhe galaktozë. Kjo bën të mundur që glukoza të thithet nga gjaku. Nëse sasia e laktazës nuk është e mjaftueshme, laktoza e pashpërbërë kalon në zorrën e trashë dhe fillon të fermentohet, duke prodhuar acide dhe gazra.

Ky çrregullim quhet mostolerim i laktozës dhe jep të gjitha simptomat që përmendëm më sipër ose disa prej tyre. Laktaza prodhohet me shumicë gjatë dy viteve të para të jetës. Pas kësaj periudhe vërehet një rënie e vazhdueshme e prodhimit të saj. Prandaj, ka të ngjarë që te shumë njerëz të zhvillohet dalëngadalë ky çrregullim dhe ata të mos e kuptojnë.

A është alergji?

Disa nxjerrin si përfundim që janë alergjik ndaj qumështit për shkak të problemeve që kanë pasi konsumojnë ndonjë produkt bulmeti. Pra, çfarë kemi në këtë rast, alergji * apo mostolerim? Sipas disa specialistëve për alergjitë, alergjitë e vërteta nga ushqimet janë të rralla dhe vetëm 1 deri në 2 për qind e të gjithë popullsisë vuajnë nga ato. Te fëmijët, kjo shifër është më e lartë, por gjithsesi më pak se 8 për qind. Ndonëse simptomat e alergjisë dhe të mostolerimit të laktozës mund të jenë të ngjashme, ato kanë edhe ndryshime.

Simptomat e alergjisë ushqimore i shkakton sistemi imunitar i cili prodhon histaminën për të mbrojtur trupin nga ndonjë gjë që keni ngrënë ose keni pirë. Disa simptoma të mëtejshme janë ënjtja e buzëve ose e gjuhës, urtikarja (pufka a njolla të kuqe në lëkurë), si dhe astma. Mostolerimi i laktozës nuk shkakton këto simptoma, sepse nuk përfshihet sistemi imunitar. Mostolerimi i laktozës është paaftësia e trupit për të tretur një lloj ushqimi siç duhet, dhe kjo sjell si pasojë një reagim të caktuar.

Ç’mund t’ju ndihmojë të dalloni ndryshimin? Libri Aparat tretës i ndjeshëm përgjigjet: «Reaksionet e vërteta alergjike . . . ndodhin brenda disa minutash pasi keni konsumuar ndonjë ushqim që ju bën dëm. Simptomat që shfaqen pasi ka kaluar më shumë se një orë ka shumë të ngjarë të jenë nga mostolerimi.»

Ndikimi te foshnjat

Kur një foshnje ose një fëmije të vogël i bën reaksion qumështi, kjo është shqetësuese si për fëmijën, edhe për prindërit. Nëse një fëmijë ka diarre, si pasojë mund të vuajë nga çhidratimi. Ndoshta është më mirë që prindërit të këshillohen me një pediatër. Kur diagnoza tregon se vuan nga mostolerimi, disa mjekë kanë këshilluar që të kalohet nga qumështi te ndonjë ushqim që e zëvendëson atë. Kjo metodë u ka sjellë shumë fëmijëve lehtësim nga simptomat munduese.

Në rast alergjie gjendja është më shqetësuese. Disa mjekë japin antihistaminë. Megjithatë nëse i sëmuri ka marrje fryme, për t’ia lehtësuar gjendjen, është e nevojshme që mjeku të mos mjaftohet me kaq. Në raste të rralla, mund të ndodhë anafilaksia, një gjendje që mund të jetë vdekjeprurëse.

Nëse foshnja ka të vjella, një shqetësim tjetër është se mos vuan nga një sëmundje e rrallë që quhet galaktozemi. Siç u tha edhe më sipër, galaktoza ndahet nga laktoza nëpërmjet laktazës, por edhe vetë galaktoza duhet të kthehet në glukozë. Nëse krijohet një grumbullim i galaktozës, si pasojë mund të ketë dëmtim të rëndë të mëlçisë, shformim të veshkave, prapambetje mendore, hipoglicemi e madje edhe perde në sy. Prandaj, sa më shpejt, është jetësore që foshnjës të mos i jepen më fare bulmetra.

A është i rëndë mostolerimi i laktozës?

Një grua kishte vazhdimisht gazra dhe ngërçe në stomak. Gjendja e saj u rëndua shumë dhe ajo shkoi te mjeku. Pasi bëri një sërë analizash, asaj i thanë se vuante nga një sëmundje inflamatore e zorrës (SIZ). * Për këtë sëmundje mjekët i dhanë ilaçe. Megjithatë, ajo vazhdoi të hante çdo ditë bulmetra dhe për pasojë shqetësimet mbetën po ato. Pasi bëri vetë disa kërkime, kuptoi se shkaku i problemit mund të ishte ushqimi, prandaj filloi që me radhë e vazhdimisht të hiqte disa ushqime. Në fund eliminoi bulmetrat dhe simptomat filluan t’i zhdukeshin. S’kishte kaluar as një vit dhe, pasi bëri edhe analiza të tjera, mjeku i tha se nuk kishte SIZ. Ajo vuante nga mostolerimi i laktozës. Përfytyroni se sa e lehtësuar u ndie!

Sot për sot, nuk ka kurë që mund të shtojë prodhimin e laktazës në trupin e njeriut. Megjithatë është vërejtur se mostolerimi i laktozës nuk është kërcënues për jetën. Pra, ç’mund të bëni për të luftuar simptomat e mostolerimit të laktozës?

Me anë të provave të njëpasnjëshme, disa kanë gjetur se ç’sasi bulmetrash u lejon trupi. Duke parë me kujdes sasinë e bulmetrave që konsumoni dhe reagimin e trupit, mund të përcaktoni se sa mund të tretni dhe sa jo.

Disa kanë vendosur të mos futin në gojë bulmetra. Duke kërkuar edhe vetë informacione ose duke u këshilluar me dietologun, disa kanë gjetur mënyra të tjera për të plotësuar nevojat e tyre për kalcium. Një sërë perimesh të gjelbra, disa lloje peshku, arrat, bajamet dhe lajthitë kanë shumë kalcium.

Për ata që duan të vazhdojnë të shijojnë bulmetrat, në treg ka tableta ose lëngje që përmbajnë laktazë. Këto i ndihmojnë zorrët për të shndërruar laktozën e për pasojë mund të ndihmojnë që të shmangen simptomat e mostolerimit të laktozës.

Në botën e sotme, nuk është e lehtë të mbash një shëndet të mirë. Por falë kërkimeve mjekësore dhe aftësisë ripërtëritëse të trupit, jemi në gjendje t’i përballojmë këto probleme derisa të vijë koha kur asnjë «nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’»​—Isaia 33:24; Psalmi 139:14.

[Shënimet]

^ par. 7 Quhet edhe mbindjeshmëri.

^ par. 15 Ka dy lloje SIZ-i: sëmundja e Kronit dhe koliti ulceroz. Këto janë sëmundje shumë të rënda që mund të çojnë në heqjen e një pjese të zorrës. Ndërlikimet e SIZ-it mund të jenë vdekjeprurëse.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

LAKTOZË MUND TË PËRMBAJNË EDHE:

▪ Buka dhe ushqimet me bazë brumi

▪ Ëmbëlsirat me brumë dhe biskotat

▪ Sheqerkat, karamelet, bonbonet, çokollatat

▪ Pureja e gatshme e patateve që shitet në formë pluhuri

▪ Margarina

▪ Shumë ilaçe që jepen me recetë

▪ Ilaçe që blihen pa recetë

▪ Përzierjet e gatshme në formë pluhuri, me të cilat bëhen petulla, kuleçë dhe biskota

▪ Prodhimet ushqimore me bazë drithërat e përpunuara, që zakonisht përdoren për mëngjes

▪ Salcat që përdoren për sallatë

▪ Proshutat dhe sallamet

▪ Supat