Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ju mund ta mposhtni pesimizmin

Ju mund ta mposhtni pesimizmin

Ju mund ta mposhtni pesimizmin

SI I shihni zhgënjimet që pësoni? Sot mjaft specialistë mendojnë se përgjigja e kësaj pyetjeje tregon shumë për ju, nëse jeni optimistë apo pesimistë. Të gjithë kalojmë lloj-lloj vështirësish të mëdha në jetë, disa prej nesh më tepër se të tjerët. Megjithatë, përse duket sikur disa njerëz i kapërcejnë rrethanat e mundimshme, i mbledhin prapë forcat dhe janë gati për t’u përpjekur sërish, kurse të tjerë me sa duket dorëzohen kur hasin vështirësi që mund të jenë edhe disi më të vogla?

Për shembull, ta zëmë se po kërkoni punë. Jepni një intervistë pune dhe nuk fitoni. Çfarë mendoni për këtë që ju ndodhi? Mbase ju duket sikur ju kanë inat juve si njeri, e shihni këtë si një problem që do t’ju ndjekë pas gjithnjë dhe thoni me vete: ‘Askush nuk do të merrte në punë një njeri si unë. S’kam për të gjetur kurrë punë.’ Ose më keq, mund të lejoni që ky dështim i vetëm t’jua shtrembërojë pikëpamjen për çdo fushë të jetës suaj, dhe kështu të nxirrni si përfundim: ‘Jam një dështak kokë e këmbë. Nuk vlej për asgjë.’ Në secilin rast, një mënyrë e tillë të menduari është krejt pesimiste.

Beteja kundër pesimizmit

Si mund t’i luftojë secili mendimet pesimiste? Hapi i parë i domosdoshëm është të mësosh t’i dallosh mendimet pesimiste. Hapi tjetër është t’i luftosh ato. Përpiqu të gjesh arsye të tjera të logjikshme përse nuk të morën në punë. Për shembull, a është e vërtetë që nuk e fitove intervistën sepse askush nuk dëshiron të të marrë në punë? Apo ndoshta punëdhënësi thjesht po kërkonte dikë me kualifikime të tjera?

Përqendrohu në fakte konkrete të cilat do të të ndihmojnë të dallosh ato mendime pesimiste që tregojnë për një reagim të tepruar. Vetëm se nuk të morën kësaj here në punë, a do të thotë kjo se vërtet je një dështak kokë e këmbë? Apo mund të mendosh për fusha të tjera të jetës, si për shembull, synimet frymore, lidhjet familjare a miqësitë, ku në njëfarë mënyre ke sukses? Mëso t’i heqësh nga mendja mendimet e zymta për të nesërmen dhe të pranosh që janë thjesht jorealiste, pasi të bëjnë të mendosh vetëm për dështimin. Në fund të fundit, a mund ta dish me siguri se kurrë nuk do të gjesh punë? Po mund të bësh edhe diçka tjetër për të hedhur poshtë mendimet pesimiste.

Mendime pozitive që përqendrohen te synimet

Vitet e fundit, kërkuesit kanë formuluar një përkufizim interesant, ndonëse disi të ngushtë, për shpresën. Sipas tyre, shpresa përfshin besimin se do të arrish t’i realizosh synimet që ke. Siç do të tregohet në artikullin vijues, në të vërtetë shpresa nënkupton shumë më tepër se kaq, por ky përkufizim duket se është i dobishëm në disa drejtime. Po të përqendrohemi në këtë aspekt të shpresës që kemi si individë, kjo mund të na ndihmojë të kemi mendime më pozitive dhe që përqendrohen te synimet.

Që të besojmë se mund t’i arrijmë synimet tona për të ardhmen, kemi nevojë të fitojmë përvojë në vënien e synimeve dhe në arritjen e tyre. Nëse ju duket se kjo përvojë ju mungon, ia vlen të mendoni seriozisht për synimet që i vini vetes. Pikësëpari, a keni ndonjë synim? Është shumë e lehtë të na përpijë rutina dhe ritmi i shpejtë i jetës dhe të mos gjejmë kohë për t’u ulur e për të menduar se çfarë kërkojmë vërtet nga jeta, çfarë ka më shumë rëndësi për ne. Lidhur me këtë parim praktik për të përcaktuar qartë gjërat më të rëndësishme, përsëri zbulojmë se Bibla e tha mirë këtë gjë shumë kohë më parë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.»​—Filipianëve 1:10.

Pasi i kemi përcaktuar se cilat janë gjërat më të rëndësishme për ne, e kemi më të lehtë të zgjedhim disa synime kyçe në fusha të ndryshme, si për shembull në aspektin frymor, në jetën familjare ose në punë e në shkollë. Sidoqoftë është thelbësore që të mos vëmë tepër synime që në fillim e veç kësaj të vëmë si synime gjëra që e dimë se mund t’i arrijmë lehtë. Në qoftë se një synim është tepër i vështirë, mund të frikësohemi dhe të dorëzohemi. Prandaj, shpesh është më mirë që synimet e mëdha dhe afatgjata t’i ndajmë në synime më të vogla e afatshkurtra.

«Aty ku ka vullnet, ka edhe rrugëzgjidhje.» Kështu thotë një proverb i vjetër, dhe me sa duket ka diçka të vërtetë në të. Pasi i kemi vënë vetes synime kyçe, për t’u përpjekur që t’i arrijmë ato na duhet forca e vullnetit, pra dëshira dhe vendosmëria. Vendosmëria mund të forcohet po të meditojmë për vlerën e synimeve tona dhe për dobitë që do të kemi duke i arritur ato. Sigurisht që do të dalin edhe pengesa, por është e nevojshme t’i shohim ato si vështirësi që mund t’i kapërcejmë e jo si gjendje pa rrugëdalje.

Gjithsesi kemi nevojë edhe të mendojmë për mënyra praktike si t’i realizojmë synimet. Shkrimtari C. R. Snajdër, i cili ka bërë një studim të hollësishëm për vlerën që ka shpresa, këshillon që kur dikush ka ndonjë synim të mendojë shumë mënyra për ta arritur. Kështu, po të mos ia dalë me një mënyrë, mund të provojë një të dytë, një të tretë, e kështu me radhë.

Gjithashtu, Snajdëri këshillon që të kuptojmë kur është koha për të zëvendësuar një synim me një tjetër. Në rast se vërtet jemi të bllokuar dhe e kemi të pamundur të arrijmë një synim, po të vazhdojmë ta bluajmë në mendje, vetëm sa do të shkurajohemi. Nga ana tjetër, po ta zëvendësojmë atë me një synim më realist, kjo do të na japë diçka tjetër për të shpresuar.

Në Bibël ka një shembull të dobishëm në lidhje me këtë. Mbreti David e kishte shumë për zemër që të ndërtonte një tempull për Perëndinë e tij, Jehovain. Por Perëndia i tha Davidit se këtë privilegj nuk do ta kishte ai, por djali i tij, Solomoni. Kështu, megjithëse gjërat nuk shkuan siç e priste ai, Davidi nuk mbajti inat e as nuk nguli këmbë në të tijën, por ndryshoi synimet që kishte. I derdhi energjitë në mbledhjen e fondeve dhe materialeve që do t’i duheshin djalit të tij për të përfunduar këtë projekt.​—1 Mbretërve 8:17-19; 1 Kronikave 29:3-7.

Edhe nëse ne vetë arrijmë të kemi njëfarë shprese duke luftuar pesimizmin dhe duke ushqyer mendime pozitive që përqendrohen te synimet, prapëseprapë mund të ndiejmë se shpresa ende na mungon shumë. Pse ndodh kështu? Po ja, mungesa e shpresës që vërejmë në këtë botë vjen në një masë të madhe nga faktorë që janë krejtësisht jashtë kontrollit tonë. Si mund të mbajmë një pikëpamje optimiste kur mendojmë për problemet mbytëse që i sjellin vuajtje njerëzimit, siç janë varfëria, luftërat, padrejtësitë ose kërcënimi i vazhdueshëm nga sëmundjet dhe nga vdekja?

[Figura në faqen 7]

Po të mos e fitoni një vend pune që dëshironi, a mendoni se kurrë nuk do të gjeni punë?

[Figura në faqen 8]

Mbreti David u tregua elastik në lidhje me synimet