Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku mund të gjeni shpresë të vërtetë?

Ku mund të gjeni shpresë të vërtetë?

Ku mund të gjeni shpresë të vërtetë?

ORA juaj ka mbetur dhe me sa duket është prishur. Kur vjen puna që ta rregulloni, gjendeni para shumë mundësive. Ka plot reklama për riparime orësh dhe që të gjitha garantojnë një punë me cilësi, madje disa nga gjërat që thonë bien ndesh me njëra-tjetrën. Po sikur të merrni vesh se një fqinj i juaji është pikërisht mjeshtri që e ka projektuar atë orë vite më parë? Për më tepër, mësoni se ai është gati t’ju ndihmojë falas. Është e qartë se ç’do të vendosni të bëni, apo jo?

Tani zëreni sikur në vend të orës të ishte ndjenja e shpresës. Nëse shikoni që po i humbni shpresat, siç po u ndodh shumë vetave në këto kohë të trazuara, ku do të kërkonit ndihmë? Shumë njerëz pretendojnë se janë të aftë ta zgjidhin këtë problem, por sugjerimet e panumërta mund të jenë pështjelluese dhe kontradiktore. Atëherë, pse të mos i drejtoheni në radhë të parë Atij që e projektoi njerëzimin me ndjenjën e shpresës? Bibla thotë se «ai nuk është larg nga secili prej nesh» dhe se është shumë i gatshëm për të na ndihmuar.​—Veprat 17:27; 1 Pjetrit 5:7.

Një përkufizim më i thellë për shpresën

Koncepti biblik për shpresën është më i gjerë dhe më i thellë se ai që përdorin sot në përgjithësi mjekët, shkencëtarët dhe psikologët. Fjalët origjinale të përkthyera «shpresë» në Bibël, do të thonë të presësh me padurim dhe të presësh gjëra të mira. Në thelb shpresa përbëhet nga dy elemente. Ajo përfshin dëshirën për diçka të mirë, si edhe bazën për të besuar se kjo gjë e mirë do të realizohet. Shpresa që jep Bibla nuk është vetëm një iluzion. Ajo ka një bazë të fortë që përbëhet nga fakte dhe prova.

Në këtë drejtim, shpresa ngjason me besimin, i cili duhet bazuar në dëshmi dhe jo të jetë thjesht një besim i verbër. (Hebrenjve 11:1) Megjithatë, Bibla bën dallim midis besimit dhe shpresës.​—1 Korintasve 13:13.

Le ta ilustrojmë: Kur i kërkoni një miku të ngushtë t’ju bëjë një nder, shpresoni se ai do t’ju ndihmojë. Nuk është një shpresë pa baza, sepse ju keni besim te miku juaj, e njihni mirë dhe në të kaluarën e keni parë se është treguar mirëdashës dhe bujar. Besimi dhe shpresa që keni janë të lidhur ngushtë, madje varen nga njëri-tjetri, por gjithsesi janë dy gjëra të ndryshme. Si mund të keni një shpresë të tillë te Perëndia?

Baza për të shpresuar

Perëndia është burimi i shpresës së vërtetë. Në kohët biblike, Jehovai quhej ‘shpresa e Izraelit’. (Jeremia 14:8) Çdo shpresë e besueshme që kishte populli i Perëndisë vinte prej tij; prandaj, ai ishte shpresa e tyre. Shpresa e besueshme nuk nënkuptonte vetëm dëshirën për diçka. Perëndia u dha një bazë të fortë për të pasur shpresë. Gjatë shekujve që pati një lidhje të veçantë me ta, ai dha një sërë provash se i mbante premtimet që bënte. Josiu, udhëheqësi i Izraelit, u tha: «Pranoni . . . që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju.»​—Jozueu 23:14.

Mijëra vjet më vonë, këto prova qëndrojnë ende. Bibla është plot me premtime të mrekullueshme të Perëndisë, si edhe me prova të sakta historike për përmbushjen e tyre. Premtimet e tij profetike janë kaq të besueshme, saqë ndonjëherë janë shkruar sikur tashmë të ishin plotësuar në kohën kur u profetizuan.

Ja përse mund të themi se Bibla është libri i shpresës. Ndërkohë që studioni këto prova se si ka vepruar Perëndia me njerëzit, do të keni arsye më të forta për t’i varur shpresat tek ai. Apostulli Pavël shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë.»​—Romakëve 15:4.

Çfarë shprese na jep Perëndia?

Kur e ndiejmë më shumë nevojën për shpresë? A nuk e ndiejmë kur jemi përballë vdekjes? Por pikërisht në një çast të tillë, për shembull kur vdekja u rrëmben një njeri të dashur, shumë vetave u duket shumë e vështirë që të gjejnë shpresë. Në fund të fundit, cila situatë mund të jetë më e pashpresë sesa vdekja? Vdekja ndjek pa mëshirë secilin prej nesh. Mund t’i shpëtojmë vetëm për njëfarë kohe, por s’kemi fuqi mbi të. Bibla, me vend, e quan vdekjen «armiku i fundit».​—1 Korintasve 15:26.

Atëherë, si mund të gjejmë shpresë përballë vdekjes? Në Bibël, në vargun ku vdekja quhet armiku i fundit thuhet gjithashtu se ky armik «ka për t’u asgjësuar». Perëndia Jehova është më i fortë se vdekja. Ka plot raste kur ai ka dhënë prova për këtë. Si? Duke ringjallur të vdekurit. Bibla përshkruan nëntë raste kur Perëndia përdori fuqinë e tij për të kthyer në jetë njerëz të vdekur.

Në një rast të jashtëzakonshëm, Jehovai i dha fuqi Birit të tij, Jezuit, të ringjallte mikun e tij të dashur me emrin Lazar, i cili kishte katër ditë që kishte vdekur. Jezui nuk e bëri këtë gjë fshehtas, por haptazi, para një turme që po shikonte.​—Gjoni 11:38-48, 53; 12:9, 10.

Ju mbase do të pyesni: ‘Pse u ringjallën këta njerëz? A nuk u plakën ata dhe në fund vdiqën prapë?’ Po, kjo është e vërtetë. Megjithatë, nga tregime të besueshme për ringjallje të ndryshme, siç është ky i mësipërmi, arrijmë të kemi jo thjesht dëshirën që njerëzit tanë të dashur të jetojnë sërish, por të kemi arsye për të besuar se ata do të jetojnë përsëri. Me fjalë të tjera, kemi shpresë të vërtetë.

Jezui tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» (Gjoni 11:25) Pikërisht atij Jehovai do t’i japë fuqinë të kryejë ringjallje në shkallë botërore. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e [Krishtit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Po, të gjithë ata që flenë në varre kanë mundësinë për t’u ringjallur në jetë në një parajsë tokësore.

Profeti Isaia e përshkroi kështu skenën prekëse të ringjalljes: «Të vdekurit e tu jetojnë, trupat e tyre do të ngjallen përsëri. Ata që flenë në tokë do të zgjohen dhe do të bërtasin nga gëzimi; sepse vesa jote është si vesa e dritës vezulluese dhe toka do të sjellë në jetë ata që për një kohë të gjatë ishin të vdekur.»​—Isaia 26:19, The New English Bible.

A s’është ngushëlluese kjo? Të vdekurit janë në gjendjen më të sigurt që mund të mendohet, ashtu si një foshnjë është e mbrojtur në barkun e nënës. Po, ngjashëm kësaj foshnjeje, ata që pushojnë në varre janë plotësisht të mbrojtur brenda kujtesës së pakufishme të Perëndisë së Plotfuqishëm. (Luka 20:37, 38) Së shpejti ata do të kthehen sërish në jetë dhe do të vijnë në një botë të lumtur e mikpritëse, njësoj si një i sapolindur mirëpritet nga një familje e dashur. Pra, edhe përballë vdekjes mund të gjejmë shpresë.

Si mund t’ju ndihmojë shpresa?

Pavli na mëson shumë për vlerën që ka shpresa. Ai tha se shpresa është një pjesë jetësore e armaturës frymore, është përkrenarja. (1 Selanikasve 5:8) Ç’donte të thoshte me këtë? Në kohët biblike, një ushtar kur shkonte në betejë vinte një përkrenare metalike, shpesh mbi një qeleshe ose kësulë lëkure. Falë përkrenares, shumica e goditjeve që kishin si shënjestër kokën devijoheshin dhe nuk ishin vdekjeprurëse. Pra, çfarë donte të nxirrte në pah Pavli? Ashtu si një përkrenare mbron kokën, ashtu edhe shpresa mbron mendjen, aftësitë për të menduar. Në rast se keni një shpresë të fortë në përputhje me qëllimet e Perëndisë, paqja juaj mendore nuk do të prishet nga frika ose dëshpërimi kur të jeni përballë vështirësive. Cili nga ne nuk ka nevojë për një përkrenare të tillë?

Pavli përdori një tjetër ilustrim të gjallë për shpresën që lidhet me vullnetin e Perëndisë. Ai shkroi: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë për shpirtin, të sigurt dhe të patundur.» (Hebrenjve 6:19) Meqë kishte shpëtuar më shumë se një herë kur i ishte mbytur anija, Pavli e njihte mirë vlerën e spirancës. Kur i zinte stuhia, marinarët lëshonin në det spirancën. Nëse ajo ngecte në fund të detit dhe ngulej fort, anija kishte mundësi ta përballonte stuhinë pak a shumë pa probleme në vend që të shtyhej drejt bregut e të përplasej me shkëmbinjtë.

Po kështu, në qoftë se premtimet e Perëndisë janë për ne një shpresë ‘e sigurt dhe e patundur’, kjo shpresë mund të na ndihmojë të përballojmë trazirën e këtyre kohëve të stuhishme. Jehovai premton se së shpejti do të vijë koha kur njerëzimin nuk do ta mundojnë më luftërat, krimet, hidhërimi ose edhe vdekja. (Shih kutinë në faqen 10.) Po të kapemi pas kësaj shprese, mund ta kemi më të lehtë të ruhemi nga katastrofat. Ajo na jep nxitjen e nevojshme për të jetuar në përputhje me normat e Perëndisë në vend që t’i dorëzohemi qëndrimit pështjellues dhe imoral që është kaq i përhapur në botën e sotme.

Shpresa që ofron Jehovai ju përfshin edhe ju personalisht. Ai dëshiron që ta jetoni jetën ashtu siç kishte si qëllim ta jetonit. Dëshira e tij është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». Si ta arrijmë këtë? Së pari çdokush duhet ‘të arrijë në njohurinë e saktë të së vërtetës’. (1 Timoteut 2:4) Botuesit e kësaj reviste ju nxitin të merrni këtë njohuri jetëdhënëse për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Po të bëni kështu, Perëndia do t’ju japë një shpresë e cila qëndron shumë më lart se çdo shpresë që mund të gjeni në këtë botë.

Me një shpresë të tillë, kurrë nuk do të ndiheni të pazotë, sepse Perëndia mund t’ju japë forcën që ju duhet për të arritur çdo synim që keni në përputhje me vullnetin e tij. (2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13) A nuk është kjo shpresa që ju duhet? Pra nëse keni nevojë për shpresë, nëse po e kërkoni, merrni zemër! Shpresa ekziston vërtet. Ju mund ta gjeni.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Arsye për të pasur shpresë

Këto mendime nga Shkrimet mund t’ju ndihmojnë të keni më shumë shpresë:

▪ Perëndia premton një të ardhme të lumtur.

Fjala e tij thotë se toka do të bëhet një parajsë globale dhe në të do të banojë një familje njerëzore e bashkuar dhe e lumtur.​—Psalmi 37:11, 29; Isaia 25:8; Zbulesa 21:3, 4.

Perëndia nuk mund të gënjejë.

Ai i urren të gjitha llojet e gënjeshtrave. Jehovai është jashtëzakonisht i shenjtë ose i pastër, prandaj është e pamundur që të gënjejë.​—Fjalët e urta 6:16-19; Isaia 6:2, 3; Titit 1:2; Hebrenjve 6:18.

Perëndia ka fuqi të pakufishme.

Vetëm Jehovai është i plotfuqishëm. Asgjë në univers nuk mund ta pengojë që t’i mbajë premtimet.​—Eksodi 15:11; Isaia 40:25, 26.

Perëndia dëshiron që ju të jetoni përgjithmonë.

​—Gjoni 3:16; 1 Timoteut 2:3, 4.

Perëndia ka shpresë për ne.

Ai vendos të përqendrohet jo te të metat dhe gabimet tona, por te cilësitë e mira dhe te përpjekjet që bëjmë. (Psalmi 103:12-14; 130:3; Hebrenjve 6:10) Ai shpreson se ne do të bëjmë atë që është e drejtë dhe kënaqet kur veprojmë kështu.​—Fjalët e urta 27:11.

Perëndia premton se do t’ju ndihmojë të arrini synimet që janë në përputhje me qëllimin e tij.

Shërbëtorët e tij kurrë nuk kanë pse të ndihen të pashpresë. Për të na ndihmuar, Perëndia na jep me bujari frymën e tij të shenjtë, forcën më të fuqishme që ekziston.​—Filipianëve 4:13.

Shpresa te Perëndia nuk çon kurrë në zhgënjim.

Meqë është plotësisht i besueshëm dhe besnik, ai nuk do t’ju zhgënjejë asnjëherë.​—Psalmi 25:3.

[Figura në faqen 12]

Ashtu si një përkrenare mbron kokën, ashtu edhe shpresa mbron mendjen

[Figura në faqen 12]

Si një spirancë, shpresa që mbështetet në themele të forta mund t’ju japë qëndrueshmëri

[Burimi]

Me mirësjelljen e René Seindal/Me lejen e Muzeumit Arkeologjik Krahinor «A. Salinas» të Palermos