Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lindur për të mësuar

Të lindur për të mësuar

Të lindur për të mësuar

«Zogjtë fluturojnë, peshqit notojnë; njeriu mendon dhe mëson.»​—XHON HOLT, SHKRIMTAR DHE MËSUES.

NJË dre i sapolindur ka një instinkt të brendshëm që e shtyn të ngrihet mbi këmbët e gjata e që i dridhen dhe të ndjekë pas nënën e tij. Ndërsa një foshnjë ndoshta nuk ecën pa mbushur vitin. Sidoqoftë njerëzit kanë si dhuratë një tru vërtet të mahnitshëm që ia kalon shumë herë trurit të çfarëdo kafshe. Kjo epërsi pasqyrohet në kureshtjen e pashuar të fëmijës dhe në dëshirën e tij të zjarrtë për të zbuluar e për të njohur gjëra të reja.

Për të shuar kureshtjen, foshnjat normale e të shëndetshme e kthejnë botën që i rrethon në një laborator. Po t’u jepni ndonjë send, ato do ta studiojnë duke vënë në punë çdo shqisë, madje do ta futin në gojë për të ditur ç’shije ka. Por eksperimentet nuk mbarojnë me kaq. Kush është prind e di mirë që foshnjat, teksa përpiqen të kuptojnë dhe të eksperimentojnë me objektet që i rrethojnë, i përkulin gjërat që kapin, i përplasin, i tundin dhe i thyejnë. Madje shpesh këtë e bëjnë me buzën që u shkon vesh më vesh.

Etja e fëmijëve për njohuri bëhet edhe më e dukshme kur fillojnë të flasin, por edhe vetë të folurit tregon ç’aftësi të mrekullueshme kanë për të mësuar. Duket sikur fëmijët bëhen papritur mishërimi i pikëpyetjes. Nga buzët e tyre dalin breshëri të pafundme pyetjesh si: ‘Pse kështu?’ e ‘Pse ashtu?’, dhe e gjithë kjo vë në provë durimin e prindërve. «Në ato çaste të shpërthimit të zellit dhe të entuziazmit të tyre, ata mësojnë një pjesë të mirë të gjërave»,​—tha shkrimtari Xhon Holt.

Pastaj, disa vjet më vonë, fëmijët në shumë vende hyjnë në një botë të re të procesit të mësimit. Atje ka mësues, libra, banka e ndoshta edhe qindra fëmijë të tjerë. Por mjerisht, pasi kanë kaluar disa vjet në shkollë, shumë fëmijëve sikur u del nga qejfi mësimi. Madje për disa fëmijë shkolla kthehet në stres ose bëhet si punë angari. Mbase disa lëndë ose mësues nuk i entuziazmojnë ose ndoshta presioni për të marrë nota të mira u shkakton ankth të padurueshëm.

Ky qëndrim negativ që marrin ndaj mësimit mund të vazhdojë edhe kur të rriten e madje edhe në pleqëri. Si pasojë këta njerëz shmangin çdo gjë që kërkon të mendosh thellë, të studiosh ose të bësh kërkime. Të moshuarit duhet të kapërcejnë edhe një pengesë tjetër​—bindjen se mosha e shkuar e dobëson automatikisht aftësinë për të mësuar. Por siç do ta shohim, kjo pikëpamje është pa baza.

Dëshironi ta rritni aftësinë dhe dëshirën tuaj për të mësuar, pavarësisht nga mosha që keni? Nëse je prind, a dëshiron që fëmijët e tu të bëhen nxënës më të mirë dhe të gjejnë kënaqësi duke mësuar qoftë gjatë viteve të shkollës, qoftë edhe në të ardhmen? Nëse është kështu, ju lutemi të lexoni më tej.

[Figura në faqen 2]

Fëmijët janë të etur për të mësuar

[Figura në faqen 3]

Mjerisht, shumë të rinjve shkolla u sjell stres dhe ankth