Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të ushqejmë dashurinë për mësimin

Si të ushqejmë dashurinë për mësimin

Si të ushqejmë dashurinë për mësimin

«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»​—FJALËT E URTA 22:6.

A KENI provuar ndonjëherë të vini në gjumë fëmijët ndërkohë që po ndodhte diçka interesante? Ndonëse mund të jenë të lodhur, me sy të përlotur, madje duke u grindur për gjumë, ata bëjnë çmos të rrinë zgjuar e të përfshihen në atë që po ndodh. «Nevoja e tyre për të kuptuar botën dhe për t’u bërë të zotë është po kaq e natyrshme dhe e madhe, sa ç’është edhe nevoja për ushqim, pushim ose për gjumë. Ndonjëherë kjo nevojë mund të jetë edhe më e madhe»,​—thotë shkrimtari Xhon Holt.

Vështirësia është që fëmijët ta mbajnë gjatë gjithë jetës këtë dëshirë për të mësuar e sigurisht edhe gjatë viteve të shkollës. Megjithëse nuk ka ndonjë formulë që të garantojë suksesin, përvoja ka treguar se ka disa metoda që mund t’i përdorin prindërit, mësuesit dhe fëmijët. Gjithsesi, më e rëndësishme se çdo metodë është dashuria.

Dashuria juaj i nxit të mësojnë

Fëmijët kanë shumë nevojë për dashurinë e prindërve. Ajo u jep fëmijëve ndjenjën e sigurisë, dhe kështu i bën ata më të gatshëm që të komunikojnë, të bëjnë pyetje dhe të studiojnë. Dashuria i nxit prindërit që të bisedojnë rregullisht me fëmijët dhe të interesohen për arsimimin e tyre. Siç thekson libri I etur për të mësuar: Të ndihmojmë fëmijët të nxiten të mësojnë dhe ta duan dijen (anglisht), studimet tregojnë se «me sa duket, prindërit ndikojnë më shumë se kushdo në nxitjen e fëmijës për të mësuar». Ky ndikim jep më shumë rezultat kur prindërit bashkëpunojnë me mësuesit. «Asnjë ndikim nuk është kaq i fuqishëm në ripërtëritjen e motivimit të fëmijës për të mësuar, sesa bashkëpunimi midis prindit dhe mësuesit»,​—thuhet në libër.

Prindërit ndikojnë edhe në aftësinë e fëmijëve për të mësuar. Në librin Në brendësi të trurit (anglisht) tregohet se gjatë një studimi afatgjatë me 43 familje, studiuesit «zbuluan se fëmijët, me të cilët prindërit kishin biseduar më shumë [gjatë tri viteve të para të jetës] kishin një koeficient inteligjence shumë më të lartë sesa fëmijët me të cilët prindërit nuk kishin biseduar dhe aq». Libri shton se «prindërit që flasin më shumë me fëmijët kanë prirjen t’i lavdërojnë ata për arritjet, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre, t’u japin këshilla në vend që thjesht t’u japin urdhra. Gjithashtu përdorin shumë fjalë të larmishme me një shumëllojshmëri kombinimesh». Nëse jeni prindër, a komunikoni rregullisht dhe a bëni biseda ndërtuese me fëmijët tuaj?

Dashuria është e përzemërt dhe e arsyeshme

Fëmijët ndryshojnë përsa u përket aftësive dhe talenteve. Sigurisht prindërit nuk duan që këto ndryshime të ndikojnë në dashurinë që shfaqin për fëmijët. Megjithatë, siç tregohet edhe në librin Aftësia për të menduar dhe për të mësuar (anglisht), shpesh në botën e sotme njerëzit vlerësohen sipas aftësive, dhe kjo gjë mund të bëjë që disa fëmijë «të mendojnë se vlera e tyre si njerëz varet nga arritjet në krahasim me të tjerët». Ky mendim, përveçse bën që këtyre fëmijëve «dështimi t’u duket tepër i tmerrshëm», mund t’u shkaktojë ankth dhe stres të tepruar. Revista India Today thotë se ankthi që vjen nga presioni për të arritur rezultate të larta në shkollë dhe nga mungesa e mbështetjes së familjes konsiderohet një faktor kyç në trefishimin e përqindjes së vetëvrasjeve midis adoleshentëve në Indi gjatë 25 viteve të kaluara.

Gjithashtu, fëmijët mund të dëmtohen emocionalisht edhe kur u vihet etiketa «i trashë» ose «budalla». Këto fjalë të ashpra, në vend që t’i nxitin të mësojnë, i shkurajojnë më shumë. Në të kundërt, dashuria duhet t’i nxitë prindërit të jenë gjithnjë të përzemërt, dhe kështu t’ia shtojnë fëmijës dëshirën e natyrshme për të mësuar sipas mundësive të tij, pa pasur frikë se do ta bëjnë të ndihet i pavlerë. (1 Korintasve 13:4) Nëse fëmija ka ndonjë vështirësi në të mësuar, prindërit e dashur përpiqen ta ndihmojnë, duke mos e bërë kurrë të ndihet i trashë ose të mendojë se është një hiç. Vërtet, kjo mund të kërkojë durim dhe takt, por sigurisht që ia vlen barra qiranë. Si kultivohet një dashuri e tillë? Një nga hapat e parë të rëndësishëm është pasja e një pikëpamjeje të bazuar në Fjalën e Perëndisë.

Pikëpamja e bazuar në Fjalën e Perëndisë të jep ekuilibër

Një pikëpamje e bazuar në Bibël vlen shumë për disa arsye. Së pari, ajo na ndihmon që t’i japim vendin e duhur arsimimit, duke e parë atë si diçka të rëndësishme, por jo si gjënë më të rëndësishme. Për shembull, matematika mund të përdoret shumë në praktikë, por nuk është në gjendje ta bëjë njeriun të moralshëm dhe parimor.

Gjithashtu Bibla na ndihmon të jemi të ekuilibruar për sa i përket kohës që u kushtojmë studimeve, duke thënë: «Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë dhe studimi i tepërt e lodh trupin.» (Predikuesi 12:12) Është e vërtetë që fëmijët kanë nevojë për një arsimim të mirë bazë, por ai nuk duhet t’u zërë të gjithë kohën. Ata kanë nevojë edhe për veprimtari të tjera të shëndetshme, sidomos për ato që lidhen me besimin te Perëndia, të cilat modelojnë mendimet dhe ndjenjat më të thella të njeriut.

Një veçori tjetër e pikëpamjes së bazuar në Bibël është modestia. (Mikea 6:8) Njerëzit modestë i pranojnë kufizimet e tyre dhe nuk bëhen rob të ambicies së fortë dhe konkurrencës së egër që duket qartë në shumë institucione të arsimit. Në revistën India Today thuhet se këto tipare jo të shëndetshme «krijojnë një kombinim që çon në depresion». Të rinj a të moshuar qofshim, gjërat do të na shkojnë shumë më mirë nëse i vëmë veshim këshillës së frymëzuar të Biblës: «Le të mos kemi frymën e unit, duke ngjallur konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur smirë njëri-tjetrin.» «Por secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.»​—Galatasve 5:26; 6:4.

Si mund ta zbatojnë prindërit këtë këshillë përsa i përket arsimimit të fëmijëve të tyre? Një mënyrë është duke nxitur çdo fëmijë që të vërë synime individuale dhe ta bëjë krahasimin me veten. Për shembull, nëse djali juaj kohët e fundit ka bërë ndonjë provim në matematikë ose diktim, thuajini ta krahasojë rezultatin e tanishëm me rezultatin që arriti në një provim të mëparshëm. Pastaj ose lavdërojeni, ose jepini një inkurajim të përshtatshëm. Në këtë mënyrë, e ndihmoni të vërë synime të arritshme, të vërejë përparimin e tij dhe të punojë për të përmirësuar ndonjë dobësi pa e krahasuar veten me të tjerët.

Por në ditët tona disa fëmijë ose të rinj të aftë nuk duan të jenë nxënës të mirë nga frika se mos i tallin të tjerët. Disa të rinj kanë përvetësuar këtë pikëpamje: «Nuk është ‘e modës’ të jesh nxënës i mirë.» A mund të na ndihmojë në këtë rast pikëpamja e bazuar në Fjalën e Perëndisë? Sigurisht që po. Shqyrtoni Kolosianëve 3:23, ku thuhet: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» A mund të gjeni ndonjë arsye më fisnike sesa të punosh shumë për t’i pëlqyer Perëndisë? Një pikëpamje e tillë e virtytshme të jep forcë për t’i bërë ballë ndikimit të dëmshëm të bashkëmoshatarëve.

Mësojuni fëmijëve të duan leximin

Leximi dhe shkrimi janë të domosdoshëm për një arsimim të mirë, qoftë për arsimimin e zakonshëm, qoftë për atë të bazuar në Fjalën e Perëndisë. Prindërit mund t’u ushqejnë fëmijëve dashurinë për librat duke u lexuar që kur janë foshnjë. Dafne, e cila punon si redaktore, është e kënaqur që prindërit i lexonin rregullisht kur ishte fëmijë. «Ata më rritën me dashurinë për librat,​—thotë ajo.​—Prandaj dija të lexoja para se të hyja në shkollë. Gjithashtu, prindërit më mësuan të bëja kërkime e t’i gjeja vetë përgjigjet e pyetjeve që kisha. Mësimi i prindërve më vlen jashtë mase edhe sot e kësaj dite.»

Nga ana tjetër, Holti, që cituam më sipër, thotë se leximi që prindërit u bëjnë fëmijëve «nuk është ndonjë ilaç magjik». Ai shton: «Nëse leximi nuk i sjell kënaqësi si prindit, ashtu edhe fëmijës, më shumë prish punë sesa ndihmon. . . . Edhe fëmijëve që zakonisht u pëlqen t’u lexojnë me zë . . . nuk kënaqen me leximin kur vetë prindërit nuk e bëjnë me qejf këtë.» Nisur nga kjo, Holti sugjeron që prindërit të zgjedhin libra të cilët i pëlqejnë edhe vetë, duke mos harruar se ka mundësi që fëmijët të kërkojnë t’ia lexosh shumë herë të njëjtin libër. Dy libra që miliona prindërve në mbarë botën u pëlqen t’ua lexojnë të vegjëlve janë Të mësojmë nga Mësuesi i Madh dhe Libri im i tregimeve biblike. Të dy këta libra janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Këto botime që janë bërë posaçërisht për fëmijët kanë shumë ilustrime, nxitin të menduarit dhe u mësojnë fëmijëve parimet e Perëndisë.

Timoteu, një i krishterë i shekullit të parë, kishte një favor, pasi nëna dhe gjyshja interesoheshin shumë për arsimin e tij, sidomos për atë që bazohej në Shkrime. (2 Timoteut 1:5; 3:15) Ato e edukuan Timoteun që të bëhej mjaft i përgjegjshëm dhe i besueshëm, cilësi që nuk mund të arrihen vetëm falë arsimimit në kurse ose shkolla. (Filipianëve 2:19, 20; 1 Timoteut 4:12-15) Sot, falë përpjekjeve që bëjnë prindërit e dashur, të cilët i shohin gjërat sipas pikëpamjes së Perëndisë, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës ka shumë vajza dhe djem të shkëlqyer si Timoteu.

Mësojini me entuziazëm

Sipas librit I etur për të mësuar, për mësuesin që dëshiron të rrënjosë te të tjerët dashurinë për mësimin, «gjithçka që kërkohet përmblidhet me një fjalë të vetme​—entuziazëm». Në libër thuhet: «Thjesht me praninë e tyre, mësuesit entuziastë u tregojnë studentëve se ata i kanë për zemër gjërat që po u mësojnë, dhe mësimdhënia e tyre e rrezaton këtë entuziazëm.»

Gjithsesi, në realitet, jo çdo prind ose mësues rrezaton entuziazëm. Prandaj nxënësit e mençur përpiqen të kenë një motiv të brendshëm që i nxit ta shohin mësimin si një përgjegjësi që u takon vetë atyre. Në fund të fundit, thuhet në librin e sipërpërmendur, «askush nuk do të ulet afër fëmijëve tanë gjithë jetën e tyre që t’i ndihmojë të studiojnë, të punojnë me cilësi, të mendojnë dhe të përpiqen edhe më shumë për të fituar zotësi të shkëlqyera».

Siç shihet, përsëri nuk vihet theksi edhe aq te shkolla, por te puna që bëhet në familje dhe te parimet që u mësohen fëmijëve atje. Prindër, a e keni qejf studimin? A krijohet në familjen tuaj një ambient i shëndetshëm për të mësuar, një ambient ku theksi vihet te vlerat shpirtërore? (Efesianëve 6:4) Mbani parasysh se shembulli juaj dhe gjërat që u mësoni fëmijëve do të ndikojnë tek ata edhe për shumë kohë pasi të kenë mbaruar shkollën dhe të kenë ikur nga shtëpia.​—Shih në faqen 7 kutinë «Familje që e bëjnë të kënaqshëm mësimin».

Kuptoni se njerëzit kanë aftësi të ndryshme për të mësuar

Nuk gjen dy mendje që janë krejt njëlloj; çdokush ka mënyrën e vet të të mësuarit. Një metodë që jep rezultat te njëri, mund të mos jetë po kaq e efektshme te tjetri. Prandaj, dr. Mel Levini, në librin e tij Mendje unike, thotë: «T’i trajtosh të gjithë fëmijët në të njëjtën mënyrë do të thotë të mos i trajtosh me barazi. Fëmijët kanë nevoja të ndryshme që të mësojnë; ata kanë të drejtë që t’u plotësohen këto nevoja.»

Për shembull, disa njerëz i kapin dhe i kujtojnë më mirë idetë kur ato ilustrohen me figura ose skica. Të tjerë parapëlqejnë që materialin ta kenë të shkruar ose ta dëgjojnë, madje më e mira do të ishte që edhe ta lexonin, edhe ta dëgjonin. «Mënyra më e mirë për të mbajtur mend diçka është ta ndryshosh atë, ta transformosh informacionin në ndonjë formë tjetër,​—thotë Levini.​—Nëse e sheh, përpiqu ta formulosh me fjalë, nëse e ke të formuluar me fjalë, bëj një skicë ose vizatim.» Kjo metodë e bën studimin jo vetëm më dobiprurës, por edhe më të kënaqshëm.

Sigurisht, ndoshta do t’ju duhet të provoni disa metoda për të kuptuar se cila është më e mira për ju. Hansi, një i krishterë që shërben në kohë të plotë, drejtonte një studim biblik me Xhorxhin, një të moshuar që kishte bërë vetëm tetëvjeçaren. Xhorxhi e kishte të vështirë t’i kuptonte gjërat dhe t’i mbante mend. Prandaj Hansi u përpoq që idetë kryesore t’ia ilustronte duke bërë disa vizatime të thjeshta në bllok. «Kjo ishte një pikë kthese për Xhorxhin,​—tha Hansi.​—Ai filloi t’i kuptonte dhe t’i mbante mend kaq mirë ato që mësonte, saqë habitej edhe vetë. Kur zbulova se çfarë ishte më e lehtë për trurin e tij, kuptova se ishte shumë më inteligjent nga sa m’u duk në fillim. Shpejt atij iu rrit siguria në vetvete dhe filloi ta priste më me qejf studimin.»

Sa të rrosh, do të mësosh

«Aftësia e trurit varet nga fakti nëse ai vihet në punë apo jo,​—thuhet në librin Në brendësi të trurit.​—Ai është si një makinë që duhet përdorur​—ndryshe del jashtë përdorimit​—dhe është i etur për të mësuar gjëra të reja.» Libri shton: «Studiuesit po provojnë se ashtu si fizkultura që i mban njerëzit të fortë fizikisht edhe kur janë në të shtatëdhjetat ose në të tetëdhjetat, po kështu edhe ushtrimet e trurit mund të bëjnë të njëjtin efekt te mendja e të moshuarve. Për një kohë të gjatë është menduar se në pleqëri truri merr të tatëpjetën e pakthyeshme drejt shushatjes. Por studimet e fundit tregojnë se [kjo] ndodh kryesisht sepse njerëzit ia mbushin mendjen vetes se do të ndodhë kështu, prandaj s’e vënë më në punë trurin. Për më tepër ndërkohë që plaken, njerëzve nuk u vdesin çdo ditë një numër i madh qelizash të trurit, siç mendohej dikur.» Dobësimi i madh i funksioneve të trurit zakonisht është shenjë sëmundjeje, përfshirë edhe sëmundjet kardiovaskulare.

Është e vërtetë që aftësitë mendore mund të bien paksa në moshën e shkuar, por nuk është e thënë që kjo rënie të jetë shumë e ndjeshme. Studiuesit thonë se truri që vihet në punë i reziston degjenerimit, madje i reziston edhe më shumë nëse njeriu e ka si zakon të bëjë edhe fizkulturë rregullisht. «Sa më shumë të mësosh, aq më shumë rritet aftësia për të mësuar. Ata që mësojnë vazhdimisht e kanë më të lehtë të mësojnë»,​—thuhet në librin Mësimi në pleqëri: Një fushë e re në një shoqëri të plakur (anglisht).

Këtë fakt e tregoi edhe një studim 20-vjeçar që u bë në Australi me individë të moshave 60 deri në 98 vjeç. Nga testet e inteligjencës u pa se për shumë pjesëmarrës, nga viti në vit rezultati zbriste vetëm rreth 1 për qind. Megjithatë raporti thoshte se «te disa individë, përfshirë edhe nëntëdhjetëvjeçarë, nuk u vu re asnjë rënie». «Në përgjithësi këta ishin njerëz që kishin marrë pjesë në një proces sistematik të mësuari, siç është mësimi i një gjuhe të huaj dhe/ose mësimi i një instrumenti muzikor.»

Xhorxhi, që u përmend më sipër, ishte në të 70-at kur filloi të studionte Fjalën e Perëndisë. Po kështu, Virxhinia, e cila tani është në të 80-at dhe burri i saj i ndjerë, Roberti, filluan ta studionin Biblën kur ishin në moshë të shkuar. Virxhinia thotë: «Ndonëse ishte pothuajse i verbër, Roberti bënte në Sallën e Mbretërisë fjalime të shkurtra të bazuara në Bibël, duke përdorur skema që i kishte mësuar përmendësh. Kurse mua, që nuk më kishte pëlqyer kurrë të lexoja, tani më pëlqen shumë. Madje, sot herët në mëngjes lexova nga fillimi në fund një revistë Zgjohuni!»

Xhorxhi, Roberti dhe Virxhinia janë vetëm tri prej shumë njerëzve të moshuar që tregojnë se sa i gabuar është koncepti për moshën e shkuar dhe që e vënë në punë plotësisht trurin. Kërkimet tregojnë se për trurin, 70 ose 80 vjet mësim janë sa një pikë ujë në një kovë, pra diçka fare e papërfillshme. Përse truri ka një kapacitet kaq të madh?

[Kutia dhe figura në faqet 4, 5]

Interneti dhe televizori​—Të dobishëm apo të dëmshëm?

«Përdorimi i Internetit është si thikë me dy presa»,​—thuhet në librin Mendje unike. Libri shpjegon se të mësosh të gjesh informacione mund të jetë diçka shumë e dobishme, por disa nxënës vetëm sa «i kalojnë të dhënat nga një kompjuter në një tjetër pa e kuptuar vërtet informacionin ose pa e asimiluar atë. Prandaj ka mundësi që ky proces të kthehet në një formë të re të mësuari pasiv, e madje t’i mësojë të vjedhin punën e dikujt tjetër».

Studiuesit thonë se po të kalosh tepër kohë para televizorit, mund të të dëmtohet aftësia për të zgjidhur problemet e për të dëgjuar me vëmendje, mund të të frenohet imagjinata dhe nuk të ndihmon aspak të bëhesh njeri me karakter. «Siç bëjnë edhe markat e cigareve, stacionet televizive duhet të vënë një paralajmërim për rreziqet që mbartin për mirëqenien e njerëzve»,​—thotë libri I etur për të mësuar.

Një burim tjetër thotë se ajo çfarë u nevojitet më shumë fëmijëve është «të lexojnë dhe të bisedojnë, t’u tregohet dashuri dhe të marrin shumë përqafime të ngrohta».

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Familje që e bëjnë të kënaqshëm mësimin

Zakonet dhe karakteristikat e mëposhtme mund ta ndihmojnë familjen tuaj të nxjerrë dobi nga mësimi:

▪ Prindërit bisedojnë shpesh me fëmijët dhe u thonë me dashuri se presin prej tyre rezultate dhe norma të larta, por edhe të arsyeshme

▪ Në familje ngulitet pikëpamja se puna e palodhur është thelbësore për të pasur sukses

▪ Familja ka një mënyrë jetese aktive, jo të plogësht

▪ Çdo javë fëmijët kalojnë shumë orë duke mësuar në shtëpi. Ata përfshihen në veprimtari ku bëjnë pjesë mësimet, leximi për kënaqësi, gjërat që kanë pasion, aktivitetet që ka planifikuar familja, detyrat që i janë caktuar në shtëpi dhe stërvitja për të bërë punë të ndryshme

▪ Familja shihet si një burim inkurajimi reciprok dhe ndihme për zgjidhjen e problemeve

▪ Familja ka rregulla që u janë bërë të qarta fëmijëve, dhe prindërit kujdesen që ato të respektohen

▪ Prindërit flasin shpesh me mësuesit

▪ Theksi i vihet kultivimit të vlerave shpirtërore

[Figura]

Prindër, a po i mësoni fëmijët që ta duan leximin?

[Burimi]

Bazuar në librin I etur për të mësuar: Të ndihmojmë fëmijët të mësojnë dhe të duan dijen.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Si ta përmirësojmë dhe ta bëjmë më të kënaqshëm mësimin

Tregoni interes Nëse diçka ju intereson e mësoni më me qejf. Libri Mendje të motivuara: T’i rritim fëmijët me dashurinë për mësimin (anglisht) bën vërejtjen e mëposhtme: «Studiuesit kanë treguar qartë se kur fëmijët studiojnë ngaqë u pëlqen, mësimi nuk është sipërfaqësor, përfitojnë më shumë dhe u mbeten më gjatë në mendje gjërat që mësojnë. Gjithashtu janë më këmbëngulës, kanë më shumë krijimtari dhe janë më të gatshëm të bëjnë punë që kërkojnë shumë përpjekje.»

Lidheni teorinë me praktikën Shkrimtari dhe mësuesi Riçard L. Uivëri II shkruan: «Kur ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis mësimit në klasë dhe asaj që nxënësit tashmë dinë nga praktika është sikur një shkëndijë elektrike të ndezë dritën e kuptueshmërisë.»

Përpiquni të kuptoni Kur njerëzit përpiqen të kuptojnë diçka, nxitin si aftësinë për të menduar, ashtu edhe kujtesën. Mësimi përmendësh ndonjëherë ka rolin e vet, por ai nuk e zëvendëson mësimin me logjikë. «Me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri. Vlerësoje shumë dhe ajo do të të lartësojë»,​—thotë Fjalët e urta 4:7, 8 (BR).

Përqendrohuni «Përqendrimi është thelbësor gjatë mësimit»,​—shpjegon libri Si ta mësosh fëmijën të përqendrohet (anglisht). «[Kjo] është kaq e rëndësishme saqë është quajtur një kërkesë e domosdoshme për inteligjencën e madje është barazuar me vetë inteligjencën.» Përqendrimi mund të mësohet. Një çelës është të fillohet me intervale të shkurtra studimi dhe pastaj këto të zgjaten pak nga pak.

Shpjegojeni me fjalët tuaja «Nxënësit më të zotë janë ata që janë më të aftë ta shpjegojnë materialin me fjalët e tyre»​—thotë dr. Mel Levini në librin tij Mendje unike. Shpjegimi me fjalët e tua e ndan informacionin në pjesë më të vogla e më të thjeshta, që mbahen mend më lehtë. Ata që janë të zotë në marrjen e shënimeve e shfrytëzojnë këtë parim duke mos marrë shënime fjalë për fjalë.

Lidhini gjërat Në botimin Libri i trurit (anglisht), Piter Raselli i krahason gjërat e reja që duam të mbajmë mend me grremça që kapen në gjërat e mbajtura mend më parë. Me pak fjalë, kujtesa përmirësohet kur i lidhni qartë gjërat e reja me ato që tashmë dini. Sa më shumë t’i lidhni, aq më mirë do t’i mbani mend.

Përfytyroni Përfytyrimet e gjalla mbeten për një kohë të gjatë në kujtesë. Prandaj, sa herë që është e mundur përfytyrojeni atë që po mësoni. Specialistët që studiojnë mënyrat për të përmirësuar kujtesën përdorin këtë teknikë dhe shpesh krijojnë përfytyrime komike ose të ekzagjeruara që të ndihmojnë kujtesën.

Përsëritini Brenda 24 orëve ne mund të harrojmë deri në 80 për qind të gjërave që kemi studiuar. Po të bëjmë një përsëritje të shkurtër pasi kemi studiuar diçka, pastaj një tjetër të nesërmen, pastaj pas një jave, pas një muaji e madje pas gjashtë muajsh e përmirësojmë jashtë mase kujtesën, madje i kujtojmë thuajse 100 për qind gjërat që mësuam.

[Figurat në faqen 8]

Prindërit dhe mësuesit duhet të bashkëpunojnë që t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë

[Figurat në faqen 10]

Mosha nuk ka pse ta pengojë njeriun që të mësojë