Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Revistat na ftojnë «Më zgjidh mua, më bli mua!»

Revistat na ftojnë «Më zgjidh mua, më bli mua!»

Revistat na ftojnë «Më zgjidh mua, më bli mua!»

JA TEK janë, tërë ngjyra e shkëlqim, në garë për t’ju bërë për vete. As nuk kishit ndër mend të ndalonit për t’i parë, por tani pamja e tyre shumëngjyrëshe ju ka tërhequr. Revistat me letër me lustër, që gjenden në qoshkun e gazetave duken sikur thonë: «Më zgjidh mua, më bli mua!» Është e vërtetë që në përgjithësi s’duhet parë guna, por puna, gjithsesi duhet pranuar se pamjet në kopertinën e këtyre revistave kanë një ndikim të veçantë te blerësit. Në shumë vende revistat mbushin tregun dhe konkurrenca është e fortë.

Revistat mund të ndahen në dy kategori kryesore: revista profesionale dhe revista të zakonshme. Nga sa duket, revistat e grupit të dytë trajtojnë argumente nga të gjitha fushat, megjithatë botuesit kanë parasysh një auditor të caktuar. Në përgjithësi revistat që botohen rregullisht quhen revista periodike dhe përveç tyre ka edhe revista me përmbajtje më akademike. Revistat ndryshojnë nga gazetat si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja. Ato janë më të vogla, letra e tyre është më cilësore dhe zakonisht ka një lustër që i bën për vete blerësit. Përsa i përket përmbajtjes, në përgjithësi revistat nuk merren shumë me ngjarjet që ndryshojnë me shpejtësi dhe as me lajmet, siç bëjnë gazetat. Në to shkruajnë një numër i madh publicistësh që trajtojnë një larmi të madhe informacionesh dhe opinionesh. Gjithashtu në revista hasen stile të ndryshme të shkruari, duke filluar që nga stili informativ e deri te një stil që përdoret për çështje më private ose që përcjell më shumë ndjenjë.

Ndërkohë që ia keni ngulur sytë botimeve në qoshkun e gazetave, pa dyshim që ka disa gjëra të cilat do të ndikojnë në zgjedhjen tuaj e madje do t’ju ndihmojnë të vendosni të blini ose jo. Sigurisht, ka të bëjë shumë gjinia juaj, gjërat që ju interesojnë personalisht, e ndoshta më shumë se gjithçka tjetër, çmimi i revistës. Po, revistat mund të jenë goxha të shtrenjta, ndoshta kushtojnë sa trefishi ose katërfishi i gazetave. Sidoqoftë, gazetës së sotme shpejt ia zë vendin gazeta e nesërme, kurse revistat mund ta kenë jetën më të gjatë. Revistën që do të zgjidhni mund ta lexoni në kohën e lirë dhe mund ta mbani për javë ose muaj të tërë e mbase t’ua jepni edhe të tjerëve. Ndonjëherë bibliotekat kënaqen kur dikush u dhuron numra të vjetër revistash, dhe disa revista kërkohen nga njerëzit që i koleksionojnë.

A ia vlejnë?

Natyrisht, secili e di vetë nëse ia vlen apo jo të blejë një revistë. Arsyeja kryesore për çmimin e tyre disi të lartë është se kostoja e botimit është goxha e lartë. Një botues duhet ta studiojë mirë tregun para se të nxjerrë një revistë të re në një treg ku tashmë ka një konkurrencë të fortë. Sot ka shoqëri të mëdha që botojnë dhe nxjerrin në qarkullim deri 30 lloje revistash, ose më shumë, dhe që përdorin shtypshkronjat e tyre. Megjithatë dalja e tyre në treg kërkon shpenzime të mëdha, pasi për çdo botim duhet një personel më vete.

Në qoftë se shihni në anën e brendshme të kopertinës së një reviste, do të habiteni se sa shumë redaktorë dhe administratorë nevojiten. Secili prej tyre kujdeset për një rubrikë të veçantë që gjendet në përmbajtje dhe çdokush ka grupin e vet të bashkëpunëtorëve. Revistat me emër zakonisht kanë publicistët dhe fotografët e tyre. Megjithatë, shumë publicistë dhe fotografë janë të pavarur ose punojnë si bashkëpunëtorë të jashtëm nëpërmjet një agjencie. Pra kjo nënkupton se ata punësohen për të punuar me orar të plotë ose me orar të shkurtuar.

Të gjithë materialet që dorëzojnë publicistët i kontrollojnë redaktorët e bocave. Një pjesë e madhe e këtij materiali në përgjithësi përshtatet për botim ose të paktën i bëhet ndonjë rregullim nga redaktorët. Figurat dhe fotografitë janë një element kryesor i revistave të kushtueshme dhe prandaj duhen fotografë dhe profesionistë të fushës grafike. Hartuesit fillojnë të përpilojnë një faqosje të përgjithshme, duke përcaktuar se çfarë do të dalë në secilën faqe. Teksti dhe ilustrimet duhen paraqitur në mënyrë të tillë që ta bëjnë për vete lexuesin dhe çdo pjesë të jetë tërheqëse për syrin. Shumica e shtëpive botuese përdorin një manual të stilistikës, një libër udhëzimesh që përcakton në vija të përgjithshme se çfarë termash dhe stilesh duhen përdorur në botimet e tyre. Fjala e fundit i mbetet kryeredaktorit. Ai duhet të marrë menjëherë vendime që të mos vonohet botimi. Para se të shkojë për shtypje përgatitet një maket i revistës, i cili kontrollohet nga redaktorët përgjegjës.

Te kostoja futet shtypja dhe shpërndarja si edhe rrogat e personelit. Veç kësaj, do të ketë edhe kopje që do të mbeten pa u shitur. Prandaj zakonisht shitësit me pakicë marrin mjaft kopje me të drejtë kthimi. Nuk do të gabonit po të thoshit se të ardhurat nga shitja nuk e mbulojnë koston e botimit. Ç’është e vërteta, revistat nuk do të qëndronin gjatë në treg nëse një pjesë e madhe e përmbajtjes së tyre nuk do t’u kushtohej reklamave. Një revistë ndërkombëtare e kohëve të fundit me 200 faqe kishte më shumë se 80 faqe me reklama. Tregtarët e dinë mirë se letra cilësore me lustër dhe shtypja katërngjyrëshe do të jetë një reklamë me shumë leverdi për prodhimet e tyre.

Në Australi është llogaritur se çdo individ kalon mesatarisht 1,2 minuta në ditë duke lexuar revista. Kjo kohë është e krahasueshme me kohën prej 1,1 minutash në ditë që harxhon duke parë filma në kinema ose me 0,7 minutat që kalon duke dëgjuar muzikë. Pa dyshim kjo është një nga arsyet përse revistat janë një mjet fitimprurës për të bërë reklamë.

Pse janë kaq tërheqëse?

Megjithëse nuk mund të analizojmë çdo revistë që botohet, mund t’u hedhim një vështrim të shkurtër revistave për gra. Kohët e fundit përmbajtja e këtyre revistave po shqyrtohet me kujdes, sepse ndonëse disa i quajnë ato të padëmshme, të tjerë mendojnë se botuesit përfitojnë nga gratë që të nxjerrin fitime për vete. Sigurisht ato transmetojnë gjallëri dhe klas dhe kjo ndihmon në shitjen e tyre. Por vitet e fundit revistat për gratë kanë pësuar një ndryshim. Disa nga revistat që merreshin vetëm me rregullimin e shtëpisë, sot flasin më shumë për njerëzit e famshëm. Botohen edhe mjaft artikuj për shëndetin. Grave u pëlqenin tregimet e shkurtra dhe ishin pikërisht novelat që botoheshin pjesë-pjesë që shpesh i jepnin një shtytje shitjeve. Por sot vetëm pak revista botojnë tregime të shkurtra ose novela me pjesë.

Çfarë ndihmon në shitjen e revistave të kushtueshme sot? Është pikërisht ajo që tregohet në kopertinë dhe që duket sikur thërret: «Më zgjidh mua, më bli mua!» Në rast se në kopertinë tregohet një grua, ajo duhet të jetë e famshme ose e bukur. Gjithashtu fotomodelja e kopertinës duhet të jetë e re, elegante dhe retushimet që i bëhen me kompjuter fotografisë bëjnë që të dalin në pah tiparet më të bukura. Ç’mund të thuhet për tekstin në kopertinë? Natyrisht ky ndryshon në varësi të moshës dhe mënyrës së jetesës së auditorit të cilit i drejtohet revista. Disa kopertina revistash e vënë theksin te moda; të tjera të ftojnë të fitosh ndonjë çmim. Kopertina shpesh tregon se çfarë do të gjesh në faqet e revistës.

A mund të ndikojnë te ne revistat?

Botuesit e revistave pretendojnë se i dinë shijet e grave. Vërtet, ata e studiojnë mirë tregun për të zbuluar se çfarë dëshiron shumica e grave. Por bëjmë mirë të pyesim: ‘A plotësojnë ata një nevojë që ekziston në të vërtetë apo kanë krijuar vetë një nevojë, me qëllim që pastaj ta plotësojnë?’ Le të shqyrtojmë disa mënyra me anë të të cilave shumë revista për gratë modelojnë mendimet e njerëzve. Së pari, flitet shumë për jetën dhe opinionet e njerëzve të famshëm. Ndoshta njerëzit duan të lexojnë nga këto gjëra, por a mund të fshehin ndonjë rrezik këto materiale? Në studimin e tij të titulluar Për fytyrën, Xhonatan Kol, një neuropsikolog që punon në Universitetin e Sauthemptenit, Angli, thotë se po ta njohësh një njeri vetëm si fytyrë, pa e takuar ose pa ia dëgjuar asnjëherë zërin, mund të krijohet iluzioni sikur e njeh nga afër. Po t’i shtojmë kësaj edhe gjithë ato informacione që shkruhen për njerëzit e famshëm, mbase arrijmë ta shpjegojmë dukurinë e kohëve moderne që njerëzit hidhërohen shumë kur vdes dikush që nuk e njihnin, por që e kishin parë shpesh nëpër revista. Sigurisht, edhe televizori ose gazetat mund të ndihmojnë të krijohet ky iluzion sikur ke një lidhje të ngushtë.

Një çështje tjetër që po shqyrtohet sot është fuqia e revistave për të ndikuar në mendimin e grave lidhur me atë që quhet një pamje e pranueshme për trupin. Ndonëse standardi ndryshon nga vendi në vend, mesazhi i përgjithshëm që buron nga revistat bashkëkohore të grave në vendet e zhvilluara është se eleganca e trupit është në modë. Këtë pikëpamje e kanë kritikuar ashpër disa arsimtarë, prindër, e madje edhe fotomodele të cilët thonë se fotografitë që dalin vazhdimisht te revistat për gratë duhet të marrin një pjesë të fajit për shtimin e çrregullimeve në të ngrënë dhe për maninë e vazhdueshme të grave, e sidomos të vajzave të reja, për të mbajtur dietë.

Për të provuar se sa të vërteta janë këto pohime, botimi australian i një reviste ndërkombëtare bëri një anketë me lexuesit e saj dhe ftoi një grup specialistësh që të komentonin rezultatet. Morën pjesë më shumë se 2.000 femra dhe 82 për qind e tyre ishin të moshës 16 deri në 29-vjeçare. Pjesëmarrësit morën për bazë një grafik të peshës, i cili tregonte sa duhet të ishte pesha në varësi të gjatësisë, moshës e kështu me radhë. Rreth 60 për qind e femrave mendonin se ishin mbipeshë, ndonëse vetëm 22,6 për qind ishin më të shëndosha nga ç’duhej. Ndërkohë që 59 për qind e atyre që ishin nën peshë mendonin se ishin brenda peshës normale, 58 për qind e atyre që kishin peshë normale mendonin se ishin mbipeshë. Vetëm 12 për qind ishin të kënaqura me peshën e tyre. Disa e kritikuan grafikun që kishte bërë Departamenti i Shëndetësisë i Federatës Australiane, duke pretenduar se peshat që duhej t’i korrespondonin çdo gjatësie sipas grafikut ishin shumë të mëdha. Gjithashtu, 67 për qind pranuan se vazhdimisht i shihnin me zili trupat e grave të tjera, kurse 1 në 8 femra pranoi se në kohën e anketës ose më parë kishte pasur një çrregullim në të ngrënë me origjinë nervore.

Fiona Peli, dietologia e grupit, tha: «Duket qartë se pesha po bëhet një nga gjërat më të rëndësishme në jetën e grave.» Kurse dr. Xhanisa Rasell, drejtoreshë në një klinikë për çrregullimet në të ngrënë, në Sidnei, tha: «Ajo që është edhe më dëmtuese është se [në këtë anketë] mbizotërojnë ndjenja të tilla, si faji dhe zilia. Nuk është mirë të të brejnë gjithë kohën ndjenja të tilla.»

Megjithatë, zbulimi më i rëndësishëm ishte se ndonëse disa nga të anketuarat e pranuan se imitonin yjet e kinemasë, 72 për qind thanë se tek ato ndikonin më shumë fotomodelet e revistave. Një vajzë, që kishte marrë ndihmë nga një klinikë për dietat, tha se ndihej krenare që peshonte 55 kilogramë, sidoqoftë pranoi: «Ende ndiej një presion që më vjen nga mediat, revistat dhe njerëzit e famshëm për t’u dobësuar edhe më.» Edhe anketa të tjera të organizuara në vende të tjera kanë pasur rezultate të ngjashme.

Dy revista të një natyre tjetër

Një nga revistat me materiale më të shëndetshme dhe më informative është kjo që mbani në duar, Zgjohuni! Nuk e bletë në ndonjë qoshk gazetash, por mund t’ua ketë dhënë ndonjë kalimtar ose dikush jua ka sjellë në shtëpi. Ajo botohet, shtypet dhe shpërndahet anembanë botës nga vullnetarë dhe nuk jepet me para. Shkrimtarët e revistës Zgjohuni! dërgojnë artikuj nga e gjithë bota. Edhe ata janë vullnetarë, ashtu siç janë të gjithë përkthyesit dhe ata që merren me ilustrimet dhe anën grafike. Revista Zgjohuni! doli për herë të parë në vitin 1946 dhe ishte pasardhëse e revistës Ngushëllim dhe e pararendëses së saj, revistës Epoka e artë, e cila filloi të botohej në vitin 1919. Këto revista gjithnjë janë botuar pa u financuar nga ndonjë lloj reklame. Sot revista Zgjohuni! botohet në 87 gjuhë, në shumë prej tyre dy herë në muaj, dhe ka një tirazh botëror prej më shumë se 22 milionë kopjesh.

Për revistën Kulla e Rojës, që shoqëron revistën Zgjohuni!, mund të përmenden fakte edhe më mbresëlënëse. Tani ajo botohet në 148 gjuhë. Kulla e Rojës shtypet në më shumë se 25 milionë kopje çdo numër dhe ka qenë në qarkullim që nga viti 1879. Të dyja këto revista kanë dhënë një ndihmë të çmuar në informimin e njerëzve rreth çështjeve të rëndësishme që lidhen me jetën e tyre. Veç kësaj, ato janë me interes për burrat, gratë dhe të rinjtë në mbarë botën.

Është e nevojshme që të gjithë ne të mendojmë rreth faktit që nuk kemi lindur të ditur. Mençuria dhe njohuria shtohen ndërkohë që rritemi dhe zhvillohemi. Gjithashtu shpesh ajo që lexojmë modelon mendimet dhe jetën tonë. Ja përse është kaq e rëndësishme të zgjedhim materiale ndërtuese dhe që ia vlejnë të lexohen.

[Figura në faqen 25]

Revistat mund të ndikojnë në mendimin që kemi për pamjen e trupit

[Figura në faqen 26]

Megjithëse nuk janë si revistat e kushtueshme me letër me lustër, Kulla e Rojës ka një tirazh më shumë se 25 milionë kopje në 148 gjuhë dhe Zgjohuni! ka një tirazh më shumë se 22 milionë kopje në 87 gjuhë