Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa i rëndësishëm është mësimi i fëmijës që në vogëli?

Sa i rëndësishëm është mësimi i fëmijës që në vogëli?

Sa i rëndësishëm është mësimi i fëmijës që në vogëli?

FLORENCA ishte 40 vjeçe dhe dëshironte me gjithë shpirt një fëmijë. Por gjatë shtatzënisë, një mjek i tha se kishte mundësi që foshnja të lindte me çrregullim të aftësisë për të mësuar. Ajo nuk e lëshoi veten dhe nuk i humbi shpresat. Si përfundim, lindi një djalë të shëndetshëm.

Pak pas lindjes së të birit, Stivenit, Florenca nisi t’i lexonte dhe t’i fliste sa më shumë të ishte e mundur. Ndërkohë që Stiveni rritej, ata luanin së bashku, bënin ekskursione në vende interesante, bënin ushtrime me numrat dhe këndonin. «Edhe kur i bëja banjë, sajonim ndonjë lojë»,​—sjell ndër mend ajo. Dhe mundi i saj nuk shkoi kot.

Kur ishte vetëm 14 vjeç, Stiveni mori fletë nderi nga Universiteti i Majamit. Dy vjet më vonë, kur ishte 16 vjeç, mbaroi Fakultetin e Drejtësisë dhe biografia e tij tregon se më vonë u bë avokati më i ri në Shtetet e Bashkuara. Mamaja e tij, dr. Florenca Bekës, e cila para se të dilte në pension punonte si mësuese dhe këshilltare për studentët, është marrë shumë kohë me studime për të zbuluar rëndësinë që ka mësimi i fëmijës që në vogëli. Ajo është e bindur se kujdesi dhe nxitja që i dha të birit kur ishte foshnjë, ndryshoi të ardhmen e tij.

Natyra apo edukimi?

Kohët e fundit ndërmjet psikologëve të fëmijëve ka lindur një debat i rëndësishëm sesa ndikon te zhvillimi i fëmijës «natyra», pra ajo që ka trashëguar fëmija, dhe «edukimi», pra mënyra se si e kanë rritur dhe mësimi që ka marrë gjatë viteve. Shumica e studiuesve janë të bindur se në zhvillimin e fëmijës ndikon kombinimi i këtyre dy faktorëve.

Specialisti në fushën e zhvillimit të fëmijëve, dr. J. Frejzër Mastërdi, shpjegon: «Nga vëzhgimet e deritanishme kemi parë se përvojat që kalon fëmija në vitet e para të jetës ndikojnë në zhvillimin e trurit.» Profesoresha Suzana Grinfildi thotë diçka të ngjashme: «Dimë se te violinistët, për shembull, ajo pjesë e trurit që merret me lëvizjen e gishtërinjve të dorës së majtë është më e zhvilluar se te të tjerët.»

Çfarë duhet të mësojnë?

Duke marrë shkas nga këto zbulime, shumë prindër, jo vetëm që bëjnë çmos për t’i çuar fëmijët në çerdhet dhe kopshtet më të mira, por edhe harxhojnë shumë para për mësime muzike, vizatimi e të tjera si këto. Disa mendojnë se në qoftë se një fëmijë praktikohet në çdo gjë, kur të rritet do të jetë i zoti të bëjë gjithçka. Programet speciale dhe institucionet parashkollore private po përhapen me shumicë. Disa prindër janë të gatshëm të bëjnë ç’është e mundur që fëmijët e tyre të jenë më të përgatitur se të tjerët.

A dalin gjithnjë në të mirë të fëmijës këto përpjekje të devotshme nga ana e prindërve? Ndonëse në pamje të parë mund të duket sikur fëmijëve u vihen përpara mundësi të pafund për të mësuar, në shumë raste, këta fëmijë humbasin përvojën që fitohet nëpërmjet lojërave të shkujdesura fëminore, përvojë që luan një rol kyç në procesin e të mësuarit. Disa edukatorë thonë se lojërat që fëmijët bëjnë natyrshëm nxitin fantazinë dhe e zhvillojnë fëmijën nga ana mendore, emocionale dhe shoqërore.

Disa specialistë në fushën e zhvillimit të fëmijëve mendojnë se lojërat që i organizon prindi po krijojnë një lloj të ri fëmijësh problematikë​—fëmijë të organizuar deri në imtësi, që janë të stresuar dhe të paqëndrueshëm emocionalisht, që nuk i zë gjumi, që ankohen se kanë dhembje dhe janë të trishtuar. Një psikolog thotë se shumë prej këtyre fëmijëve, kur arrijnë adoleshencën, nuk kanë zhvilluar aftësitë për t’u bërë ballë problemeve dhe rrethanave të vështira, janë «të sfilitur, të pashoqërueshëm dhe rebelë».

Prandaj shumë prindër janë në dilemë. Ata duan t’i ndihmojnë fëmijët që t’i përdorin dhe t’i zhvillojnë plotësisht aftësitë e tyre të lindura. Gjithsesi, ata mund ta kuptojnë se është marrëzi t’i ngarkosh tepër fëmijët e vegjël ndërkohë që është tepër shpejt. A ka ndonjë rrugë të mesme, të arsyeshme? Çfarë aftësish të lindura kanë fëmijët për të ecur përpara dhe si mund të ndihmohen ata që këto aftësi të zhvillohen më tej? Ç’mund të bëjnë prindërit për t’u siguruar që fëmijët e tyre do të bëhen të zotë për jetën? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikujt vijues.

[Figura në faqen 3]

Përvojat që kalon fëmija në vitet e para të jetës ndikojnë në zhvillimin e trurit

[Figura në faqen 4]

Lojërat nxitin fantazinë dhe zhvillojnë aftësitë e fëmijës