Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vdekje nga tymi!

Vdekje nga tymi!

Vdekje nga tymi!

STATISTIKAT janë shqetësuese: çdo minutë tre veta vdesin në shtëpitë e tyre. Cili është shkaktari? Tymi që del nga djegia e biomasës.

Çfarë është biomasa? Në disa gjuhë ky term përfshin jashtëqitjet e thata të kafshëve, drurët e thatë, filizat, barishtet ose mbeturinat e të korrave, që grumbullohen në plehra. Siç raporton gazeta The Kathmandu Post e Nepalit, një e treta e popullsisë së botës, mbi dy miliardë njerëz, përdorin biomasën si lëndë djegëse për të gatuar dhe për t’u ngrohur. Shpesh, kjo është e vetmja lëndë djegëse në dispozicion për ata që janë shumë të varfër.

Mjerisht, djegia e biomasës çliron gaze vdekjeprurëse. Çfarë mund të bëhet atëherë? «Zgjidhja për problemin e ajrit të ndotur brenda shtëpive është fare e thjeshtë: ose të mos bëjnë më tym brenda, ose ta nxjerrin jashtë»,​—pohon Intermediate Technology Development Group (ITDG), një organizatë që ndihmon njerëzit e vendeve të ndryshme të përmirësojnë jetesën.

Sugjerimi i parë është që të mos gatuhet brenda në shtëpi. Po sikur të mos jetë e mundur ose e pëlqyeshme? Atëherë ITDG-ja sugjeron që shtëpia të ajroset më shumë. Ka dy mënyra për ta bërë këtë. E para, duke bërë disa të çara atje ku bashkohet muri me çatinë (rrjetat e telit mund t’i pengojnë insektet që të hyjnë brenda) dhe e dyta, duke vendosur dritare (mund të përdoren grilat për të krijuar një ambient të mbyllur). Kjo bën që ajri të qarkullojë më lehtë dhe tymi del jashtë. Meqenëse vrimat nëpër mure nuk janë praktike, kur biomasa përdoret për ngrohje, atëherë mund të hyjë në punë një tjetër metodë e thjeshtë.

ITDG-ja thotë se përdorimi i oxhaqeve është metoda më e pranueshme dhe më efektive për të nxjerrë tymin jashtë. Ato mund të bëhen pa harxhuar shumë, duke përdorur fletë llamarine, madje edhe tulla ose baltë. Këto lloj oxhaqesh mbulojnë një hapësirë të madhe mbi zjarr dhe qyngu që kanë, thith tymin dhe e nxjerr jashtë shtëpisë nëpërmjet çatisë. Specialistët në këtë fushë thonë se, kur shtëpisë i bëhet një ajrim i mirë dhe kur përdoren oxhaqet, niveli i ajrit të ndotur që rrezikon jetën, zvogëlohet pothuajse 80 për qind. Ata që përdorin oxhaqe, thonë se janë më mirë me shëndet, ambienti është më i pastër, kanë fuqi të punojnë më tepër dhe u pëlqen të rrinë më shumë në shtëpi​—gjëra kaq të thjeshta në dukje, por që ta përmirësojnë disi jetën.

[Figura në faqen 14]

Kuzhina e një shtëpie në Kenia, me oxhak, çati me strehë të madhe dhe me dritare

[Burimi]

Dr. Nigel Bruce/www.itgd.org