Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse vjedhin në dyqane?

Përse vjedhin në dyqane?

Përse vjedhin në dyqane?

«Unë nuk do ta quaja vjedhjen në dyqane tamam vjedhje. Për mua është një rishpërndarje e burimeve ekonomike, e diktuar nga një nevojë e jashtëzakonshme.»​—NJË PRIFT I KISHËS ANGLIKANE.

NËSE legjendat kanë diçka të vërtetë, Robin Hudi mendonte se vjedhja justifikohej. Sipas folklorit anglez, ai grabiste të pasurit dhe ua jepte të varfërve gjërat që vidhte. Edhe prifti që u citua më sipër, mendon se varfëria është një arsye e vlefshme për të vjedhur. Ai thotë për vjedhësit e dyqaneve: «Më dhimbsen jashtë mase dhe, të them të drejtën, mendoj se janë plotësisht të justifikuar.» Ai thotë se një ditë në vit, dyqanet e mëdha duhet t’i hapin dyert për të varfrit dhe t’i lejojnë ata që të marrin pa para çdo gjë që gjendet në rafte.

Megjithatë, shumë vjedhës dyqanesh shtyhen nga arsye që nuk kanë të bëjnë aspak me varfërinë. Në Japoni, policia arrestoi dy policë, se kishin vjedhur në dyqane. Në Shtetet e Bashkuara, një nga anëtarët e grupit drejtues të një shoqërie ushqimesh u kap duke vjedhur në dyqanin e po kësaj shoqërie. Ndodh shpesh që adoleshentë me para në xhep vjedhin gjëra që nuk u duhen. Çfarë i shtyn këta njerëz të vjedhin në dyqane?

«Kënaqesh»

Drithërimë. Frikë. Fuqi. Ashtu si vajzat në artikullin e mëparshëm, disa njerëz që vjedhin në dyqane, provojnë plot ndjenja të tilla dhe dëshira për ta shijuar pak këtë dallgë emocionesh drithëruese, i nxit të vjedhin vazhdimisht. Kur vodhi për herë të parë, një grua tha: «Ndihesha euforike. Ia hodha pa u lagur dhe kjo më drithëronte!» Ajo tregon si ndihej pasi kishte njëfarë kohe që vidhte: «Më vinte turp nga vetja, e prapëseprapë isha e ngazëlluar. Ndihesha plot jetë. Fakti që vidhja dhe nuk më kapte njeri, më bënte të ndihesha tmerrësisht e fuqishme.»

Një i ri me emrin Hektor thotë se, ndonëse kishin kaluar muaj që kishte hequr dorë nga vjedhja në dyqane, ende ndiente një dëshirë të fortë për të vjedhur përsëri. * «Ajo [dëshira e fortë] më brente tamam si dëshira për drogë. Kur isha në ndonjë supermarket dhe shihja ndonjë radio në raft, mendoja: ‘Atë e merr kollaj fare. Unë mund ta bëj dhe s’më kapin dot kurrë.’»

Disa që vjedhin në dyqane vetëm se duan të ndihen euforikë, nuk kanë nevojë për gjërat që vjedhin. Një gazetë në Indi shkruan: «Psikologët thonë se këta njerëz i shtyn emocioni drithërues që provon kur bën diçka të ndaluar. . . . Madje disa i kthejnë prapë gjërat e vjedhura.»

Arsye të tjera

Depresioni prek dhjetëra milionë njerëz. Nganjëherë, ata që vuajnë nga depresioni, i shprehin ndjenjat që i mundojnë me sjellje të këqija, si për shembull duke vjedhur në ndonjë dyqan.

Një vajzë 14-vjeçare vinte nga një familje e mirë dhe e kamur. Edhe pse kishte gjithë të mirat, adoleshenten e mbuloi «një re» trishtimi. «Nuk çlirohesha dot»,​—tha ajo. Filloi të pinte drogë dhe alkool. Një ditë e kapën teksa vidhte në një dyqan. Pas kësaj, tentoi dy herë të vriste veten.

Nëse një i ri i edukuar, papritur fillon të vjedhë në dyqane, prindërit mund të shqyrtojnë edhe mundësinë e një çrregullimi emocional. Dr. Riçard Mekenzi, specialist për shëndetin e adoleshentëve, tha: «Mendoj se çdo sjellje që nuk është e zakonshme për fëmijën tuaj, duhet të merret si një depresion i mundshëm, derisa të provohet e kundërta.»

Disa të rinj vjedhin në dyqane nga presioni i bashkëmoshatarëve, dhe pikërisht vjedhja mund të jetë çmimi që u duhet të paguajnë për t’u pranuar në një grup shokësh. Të tjerë mund të vjedhin për të hequr mërzinë. Ata që janë bërë profesionistë për vjedhje dyqanesh, jetojnë duke vjedhur. Cilado qoftë arsyeja, vlera e mallrave që vjedhësit marrin çdo ditë nëpër dyqane, arrin në miliona dollarë. Epo, dikush e paguan haraçin!

[Shënimi]

^ par. 7 Në këtë seri artikujsh disa emra janë ndryshuar.

[Kutia në faqen 5]

KLEPTOMANIA

«Që kur isha adoleshente,​—thotë Maria,​—e kisha problem vjedhjen në dyqane. Dëshira bëhej gjithnjë e më e madhe, derisa arrita të vidhja çdo ditë 500 dollarë mall.

Unë nuk dua të vjedh, por ja që kjo nxitje e brendshme bëhet shumë e fuqishme. Sinqerisht që dua të ndryshoj.» Meqë e ka kaq të vështirë për ta frenuar impulsin e brendshëm që e shtyn të vjedhë, Maria dyshon se vuan nga kleptomania.

Fjala «kleptomani» do të thotë «një nxitje e brendshme dhe e vazhdueshme me origjinë nervore për të vjedhur [sidomos] pa arsye ekonomike». Kleptomania nuk është thjesht një fiksim, por me sa duket buron nga çrregullime të thella emocionale.

Gabimisht, disa i quajnë kleptomanë njerëzit që e kanë zakon vjedhjen, por mjekët mendojnë se janë të paktë ata që vuajnë vërtet nga kleptomania. Sipas Shoqatës së Psikiatërve Amerikanë, nga ky çrregullim vuajnë më pak se 5 për qind e atyre që vjedhin në dyqane. Pra, duhet menduar mirë para se t’i vihet faji kleptomanisë kur dikush e ka zakon të vjedhë në dyqane. Mund të ketë arsye të tjera përse dikush vjedh.

[Figura në faqen 5]

Prindërit e kujdesshëm përpiqen të kuptojnë përse një fëmijë vjedh