Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vjedhja në dyqane: Kush paguan?

Vjedhja në dyqane: Kush paguan?

Vjedhja në dyqane: Kush paguan?

NË Japoni, pronari i një dyqani kapi një djalë duke vjedhur dhe lajmëroi policinë. Kur arritën policët, djali ia mbathi. Policët e ndoqën nga pas. Kur po kalonte hekurudhën, djalin e shtypi treni dhe vdiq.

Për shkak të bujës që bëri kjo ngjarje, disa ia vunë fajin pronarit që thirri policët. Ai e mbylli dyqanin derisa u qetësuan gjakrat. Kur e filloi sërish tregtinë, në dyqanin e tij shkelën shumë vjedhës të tjerë. Por, ngaqë i kujtohej përvoja e hidhur që kishte pasur, kishte frikë të merrej me hajdutët. Dyqani i tij u bë shënjestër për vjedhësit. S’kaloi shumë dhe atij iu desh ta mbyllte përfundimisht dyqanin.

Kuptohet, shumica e vjedhjeve në dyqane nuk përfundojnë në mënyrë kaq tragjike, por ky incident shërben për të treguar një të vërtetë të rëndësishme. Vjedhja në dyqane kushton shtrenjtë​—në shumë drejtime, dhe për të paguajnë shumë njerëz. Le të shqyrtojmë më mirë se sa i lartë është çmimi i këtij krimi.

Çmimi që paguajnë dyqanet

Vjedhjet nëpër dyqane në mbarë botën u kushtojnë miliarda dollarë në vit tregtarëve. Disa llogaritin se vetëm në Shtetet e Bashkuara humbjet në mall i kalojnë 40 miliardë dollarët. Sa tregtarë mund ta përballojnë një humbje të tillë? Shumë dyqane nuk ia dalin dot. Kur vjedhësit shkelin në ndonjë dyqan, pronarëve mund t’u shkojë dëm mundi i një jete të tërë.

«Përveç konkurrencës, vjedhja në dyqane sjell një shqetësim tjetër. Nuk e di se sa do të rezistoj në tregti»,​—thotë Luka, pronari i një dyqani në Nju-Jork. Ai nuk ka mundësi të blejë një sistem sigurie elektronik. Luka thotë për vjedhësit: «Mund të vjedhë çdokush, edhe klientët e mi më të mirë.»

Disa mendojnë se problemi i Lukës s’është ndonjë gjë e madhe. «Këto dyqane fitojnë një thes me para,​—thonë ata,​—pra, s’u prish punë ajo që marr unë.» Por a fitojnë kaq shumë dyqanet?

Në disa vende dyqanet i shesin artikujt me një çmim 30, 40 ose 50 për qind më të lartë sesa çmimi që i kanë blerë, por kjo diferencë nuk shkon e gjitha në fitim të tyre. Tregtari i përdor të ardhurat për të paguar shpenzime të tilla si: qiranë, taksat, rrogat dhe siguracionet e personelit, shpenzimet për mirëmbajtjen e ndërtesës, riparimet e ndryshme, siguracionet e veta, energjinë elektrike, ujin, lëndët djegëse, telefonin dhe sistemet e sigurisë. Pasi i ka hequr të gjitha këto shpenzime, fitimi mund të jetë 2 ose 3 për qind. Pra, kur dikush vjedh në ndonjë dyqan, pronari humbet të ardhurat me të cilat siguron jetesën.

Po kur vidhen gjëra të vogla?

Nëna ka shkuar në dyqan me djalin e saj të vogël. Papritur ai shkëputet nga e ëma dhe shkon tek ëmbëlsirat. Hap një pako dhe fut vjedhurazi një bonbone në xhep. A humbet gjë pronari i dyqanit kur vidhen gjëra kaq të vogla?

Në broshurën e saj Krime që pakësojnë të ardhurat: Nga burime të brendshme dhe të jashtme (anglisht), Administrata e Biznesit të Vogël në Shtetet e Bashkuara thotë: «Vjedhja e gjërave të vogla mbase nuk i duket krim i rëndë atij që vjedh si t’i vijë, një stilolaps këtu, një makinë llogaritëse atje. Por, për bizneset e vogla që luftojnë për të mbijetuar, kjo është vrasje.» Meqenëse fitimi është kaq i vogël, nëse humbja vjetore nga vjedhjet do të arrinte 1.000 dollarë, atëherë për ta kompensuar, shitësi duhet të shesë çdo ditë 900 bonbone ose 380 konserva supe më shumë. Pra, dëmi që i shkaktohet një dyqani, bëhet i madh po të jenë shumë djem të vegjël që vjedhin bonbone. Pikërisht këtu është e keqja.

Dhjetëra milionë njerëz, të rinj a të moshuar, të pasur a të varfër, nga të gjitha racat dhe kulturat vjedhin në tregje e dyqane. Cila është pasoja? Këshilli për Parandalimin e Krimit në Shkallë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara raporton se pothuajse një e treta e të gjitha dyqaneve në këtë vend detyrohen të mbyllen për shkak të vjedhjeve. S’ka dyshim se edhe në vendet e tjera dyqanet i kërcënon i njëjti rrezik.

Paguajnë blerësit

Kur njerëzit vjedhin në dyqane, çmimet rriten. Si pasojë, në disa vende blerësit harxhojnë 300 dollarë më shumë në vit. Kjo do të thotë që, nëse ju fitoni 60 dollarë në ditë, një javë në vit punoni për të paguar atë që vjedhin të tjerët. A jeni në gjendje ta përballoni këtë? Për një pensionist që mbahet vetëm me pensionin ose për një nënë pa bashkëshort që lufton për të mbajtur familjen, mund të jetë rrënuese t’i humbë kështu të ardhurat e një jave. Por haraçi që duhet paguar, nuk mbaron me kaq.

Kur mbyllet një dyqan në lagje mund të vuajë e gjithë lagjja. Pikërisht nga vjedhjet që bënin blerësit, kohët e fundit u mbyll farmacia e një lagjeje në një qytet amerikan. Për të blerë ilaçet, shumë të moshuar dhe të sëmurë duhej të bënin dy kilometra e gjysmë që të shkonin te një farmaci tjetër. «Provo ta bësh këtë kur je në një karrocë invalidësh»,​—tha një polic.

Çmimi i lartë që paguajnë prindërit

Brusi është njeri me vlera të larta morale dhe i mëson fëmijët të jenë të ndershëm. Një ditë vajzën e tij e kapën duke vjedhur. «Kjo më dërrmoi fare,​—tha ai.​—Imagjinoni të të marrin në telefon dhe të të thonë se vajzën tënde e kanë kapur duke vjedhur në një dyqan. Ne kaluam vite të tëra duke e edukuar vajzën që të bëhej njeri i ndershëm, kurse tani ja ç’na ndodhi. Kurrë nuk na shkonte mendja se do të rebelohej kështu.»

Brusin e hëngri meraku për të bijën dhe për të ardhmen e saj. Për më tepër, ai hoqi dorë nga përgjegjësia që kishte si mësues fetar vullnetar. «Si ta shihja kongregacionin nga podiumi?! Si mund t’u mësoja me ndërgjegje të qetë se si t’i edukonin fëmijët? Nuk ndihesha i denjë.» Me sa duket, vajza e tij nuk e mendoi gjatë si mund të ndikonte tek i ati krimi që kreu ajo.

Si paguajnë vjedhësit?

Në të kaluarën, kur i zoti i dyqanit kapte ndonjë njeri duke vjedhur në dyqanin e tij, shpesh e paralajmëronte prerazi dhe e linte të shkonte. Sot pronarët, edhe po kapën dikë që po vjedh për herë të parë, thërrasin policinë që ta arrestojnë. Atëherë vjedhësit kuptojnë që krimi i tyre ka pasoja të rënda. Një e re me emrin Natalia e provoi në kurriz këtë gjë.

Natalia thotë: «Sa më shumë vidhja, aq më e sigurt bëhesha. Me vete thosha se edhe po të më kapnin, avokati dhe paratë për gjyqin do të më kushtonin më pak sesa po t’i kisha blerë gjithë ato rroba ‘klasi’.» Por Natalia e kishte gabim.

Atë e kapën duke vjedhur një fustan dhe policët e morën pasi i vunë prangat. Në rajonin e policisë i morën shenjat e gishtërinjve dhe e mbyllën në një qeli ku kishte edhe kriminelë të tjerë. Kaloi disa orë duke pritur që prindërit të paguanin garancinë dhe ta nxirrnin që andej.

Kujtdo që mendon të vjedhë, Natalia i thotë: «Dëgjomëni mua, më mirë blijini ato fustane a xhinse qofshin. Nëse vidhni do ta vuani për shumë kohë.»

Një dëshmi penaliteti e njollosur të bën të pendohesh. Sa të zhgënjyer mbeten vjedhësit e dënuar kur shohin se kjo keqbërje nuk mbetet në harresë, por sikur i ndjek dhe u duket kudo që shkojnë si njolla në fustan ose në këmishë. Vjedhësit mund t’i duhet ta tregojë krimin kur kërkon të regjistrohet në universitet. Ndoshta do ta ketë të vështirë të ushtrojë një profesion të tillë si mjek, dentist ose arkitekt. Firmat do të mendohen mirë para se ta marrin në punë. Dhe këto probleme mund të dalin edhe nëse ai e ka paguar gjobën e caktuar nga gjykata dhe nuk vjedh më kurrë.

Vjedhja mund të kushtojë shtrenjtë edhe nëse shkelësi nuk dënohet. Hektori i përmendur më sipër në këtë seri, e provoi vetë këtë. «Gjithnjë ia hidhja pa u lagur, kurrë nuk më kapën»,​—thotë ai. Megjithatë atij iu desh të paguante diçka. Hektori thotë i menduar: «Mendoj se të rinjtë duhet të kuptojnë një gjë: atë që mbjell, atë do të korrësh. Edhe sikur policia mos të të kapë kurrë, gjithsesi do ta paguash.»

Vjedhja në dyqane nuk është një krim pa viktima dhe gjërat që vidhen, e kanë një çmim. Çdokush që vjedh në dyqane bën mirë të heqë dorë plotësisht. Por si mund ta gjejë forcën dikush për ta lënë një herë e mirë këtë rrugë? A do të zhduket ndonjëherë ky krim?

[Figura në faqen 7]

Vjedhja në dyqane i rrënon dyqanet

[Figura në faqen 7]

Çdokush paguan për vjedhjet në dyqane

[Figurat në faqen 8]

Vjedhja në dyqane ndikon në të ardhmen tënde

[Burimi]

Shenjat e gishtërinjve: © Morocco Flowers/ Index Stock Imagery