Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të hiqet dorë nga vjedhja në dyqane

Si të hiqet dorë nga vjedhja në dyqane

Si të hiqet dorë nga vjedhja në dyqane

«T’i vësh fre vjedhjes në dyqane, nuk është vetëm problemi yt, është problem për gjithë shoqërinë; çdokush përfiton kur nuk ka më vjedhje.»​—«UDHËZIME PËR ÇDO SHITËS PËR TË PARANDALUAR HUMBJET» (anglisht).

VJEDHJA në dyqane, ashtu si zakonet e tjera të këqija, ndikon në mendimet e njeriut dhe e bën atë të justifikojë veten. Prandaj, ashtu si kopshtari që i shkul me rrënjë barërat e këqija, edhe ata që duan të heqin dorë nga vjedhja në dyqane, duhet të çrrënjosin mendimet e këqija. Te Romakëve 12:2, Bibla këshillon: ‘Përtërini mendjen tuaj.’ Gjithashtu, te 1 Pjetrit 1:14, ajo paralajmëron: «Mjaft u formuat sipas dëshirave që kishit më parë.» Pesë pikat e renditura më poshtë mund të ndihmojnë një vjedhës dyqanesh që të ndryshojë mendimin për vjedhjen. *

Ndihmë për të ndrequr mendimet

▪ Së pari, vjedhja në dyqane është shkelje e ligjit. Ndoshta vjedhja është e përhapur në vendin ku banon vjedhësi, dhe ai mund të dalë pa u lagur; por gjithsesi, ky njeri po shkel ligjin.​—Romakëve 13:1.

Ç’ndodh kur shumë veta shkelin ligjin? Sipas Biblës, «ligji nuk ka forcë». (Habakuku 1:3, 4) Me fjalë të tjera, dobësohet forca e dobishme kufizuese e ligjit, dhe kjo çon në prishjen e rendit publik. Sa herë që dikush vjedh në ndonjë dyqan, ai dobëson themelet e një shoqërie që i bindet ligjit. E kur ndodh kjo, çdo njeri vuan.

▪ Së dyti, vjedhja në dyqane shkatërron besimin. Ky veprim i pandershëm gërryen marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, dhe ua bën të vështirë të kuptojnë e të sillen me ndershmëri me njëri-tjetrin.​—Fjalët e urta 16:28.

«E meta ime më e madhe është se u besoj tepër njerëzve.» Kështu tha pronarja e një dyqani rrobash, pasi falimentoi për shkak të vjedhjes në dyqanin e saj. Dikur ajo kishte besim se blerësit dhe ata që kishte punësuar, nuk e vidhnin. Tani mendon se ata njerëz e kishin shpërdoruar besimin e saj.

Kur një njeri gënjen dikë tjetër, ai prish reputacionin e vet. Kurse vjedhësit e dyqaneve hedhin hijen e dyshimit mbi këdo që hyn pas tyre në dyqan. Ata bëjnë që njerëz të ndershëm, të shihen si hajdutë të mundshëm. A ka të drejtë njeri të veprojë kështu?

▪ Së treti, vjedhja në dyqan mund të çojë në krime më të rënda. Me kalimin e kohës, vjedhësit e dyqaneve mund ta gjejnë veten në rrethana më të rrezikshme.​—2 Timoteut 3:13.

Kur vjedhja në dyqane të marrë fund

▪ Së katërti dhe më e rëndësishmja është se ai që vjedh, është në armiqësi me Perëndinë e Plotfuqishëm. Fjala e tij thotë që vjedhësi «të mos vjedhë më» dhe paralajmëron se ata që nuk i binden Perëndisë, do të dënohen. (Efesianëve 4:28; Psalmi 37:9, 17, 20) Megjithatë Jehovai i fal vjedhësit që kthejnë rrugë. Ata mund të bëjnë paqe me Perëndinë.​—Fjalët e urta 1:33.

▪ Së pesti, vjedhja në dyqane, si të gjitha krimet e tjera, së shpejti nuk do të ekzistojë më. Kur Mbretëria e Perëndisë të marrë nën kontroll të plotë çështjet e tokës, siç premtohet në Bibël, njerëzit do ta trajtojnë njëri-tjetrin me ndershmëri. Kjo do të thotë se do të çlirohemi nga pasojat e këqija të vjedhjes në dyqane.​—Fjalët e urta 2:21, 22; Mikea 4:4.

[Shënimi]

^ par. 3 Ndonëse për vjedhësin është përdorur gjinia mashkullore, parimet që tregohen, zbatohen njëlloj si për meshkujt, edhe për femrat.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

METODA FALAS PËR TË PARANDALUAR VJEDHJEN

Disa dyqane të vogla mund të mos kenë fuqi ekonomike për të blerë sisteme sigurie të shtrenjta. Por kjo nuk do të thotë se ata janë të pafuqishëm përballë vjedhësve. Shpesh, dyqanet mund t’i sigurojnë mallrat duke marrë disa masa të thjeshta.

Në një botim, bashkautorët dhe hetuesit Majkëll Brou e Derik Braun theksojnë nevojën për t’i vëzhguar me kujdes blerësit. «Vëzhgoni çdo njeri. . . . Ju dhe shitësit tuaj jeni mbrojtja kryesore.» Ata sugjerojnë që t’i drejtoheni në këtë mënyrë dikujt që dyshoni se do të vjedhë: «E gjetët atë që donit? Ju lutem, lëreni pranë makinës llogaritëse të arkës dhe do t’ju bëj gati llogarinë.» «Mund t’jua paketoj?» «A ka masën tuaj ajo pulovër?» «T’ju sjell një kosh?» Hetuesit thonë: «Kjo bën të mundur që blerësit, por edhe vjedhësit, të dinë se ju i keni vërejtur dhe interesoheni për ta.»

Lidhur me rregullsinë në dyqan, ata thonë: «Mbushini plot raftet dhe mbajini në rregull. Kur jeni vazhdimisht të vëmendshëm ndaj rafteve, dini se ç’ndodh me mallin dhe sa më në rregull të jetë rafti, aq më e lehtë do të jetë të dalloni që diçka e kanë trazuar ose e kanë marrë.»​—Udhëzime për çdo shitës për të parandaluar humbjet.

Hetuesi Rasell Bintlif thotë: «Korridoret e lira dhe raftet e mbushura plot i ndihmojnë shitësit të shohin se ç’po bëjnë blerësit. Duke ecur nëpër një korridor ku është parë një njeri i dyshimtë, shitësi mund të kuptojë se çfarë mungon. Pastaj, teksa bën sikur kontrollon gjendjen e mallrave për shitje, mund të shohë se ç’ka në karrocën ose në koshin e klientit. . . . Vjedhësit e kuptojnë se ç’po ndodh; blerësit e ndershëm as do ta vënë re që një shitës po i vëzhgon.» Për sa u përket korridoreve të dyqanit, ai thotë: «Pozicioni duhet të jetë i tillë që blerësit të shihen qartë nga punonjësit dhe [pronari i dyqanit].»​—Mbrojeni biznesin tuaj nga krimi: 301 mënyra që kushtojnë pak ose që nuk kushtojnë fare për të mbrojtur zyrën, dyqanin ose biznesin tuaj (anglisht).

[Figura në faqen 9]

Ndershmëria nxit marrëdhënie miqësore dhe mirëbesim