Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qymyrguri​—Shkëmbinj të zinj nga thellësitë e errëta

Qymyrguri​—Shkëmbinj të zinj nga thellësitë e errëta

Qymyrguri​—Shkëmbinj të zinj nga thellësitë e errëta

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Australi

«E ZEZË​—nuk e kupton se ç’do të thotë kjo fjalë, nëse nuk je futur në ndonjë pus miniere»,​—çirret shoku im Berni, që mezi dëgjohet nga zhurma e makinerisë. Ia kam ngulur sytë një grope të thellë e të frikshme që gjendet para meje. S’di ç’të bëj, të hyj e të shoh se ku e ka fjalën Berni, apo më mirë jo. Vendi ku duam të shkojmë, është një shtresë qymyrguri, gjysmë kilometri nën këmbët e mia.

Kalojmë afër një radhe të gjatë minatorësh që çapiten drejt dusheve. Ata kanë shpatulla të gjera dhe një theks të fortë australian. Kur qeshin, sytë dhe dhëmbët u duken të ndritshëm në fytyrat e tyre të nxira nga pluhuri i qymyrit.

Pas pak hipim në një tren të vogël që na çon poshtë te një ballë qymyrguri, shtresa e ekspozuar e qymyrgurit. Zbritja është kaq e pjerrët, saqë ndenjësja e shoferit lëkundet si një shilarës. Për të përballuar pjerrësi të tilla, ndenjësja e tij është e varur në tavanin e trenit dhe lëkundet sipas nevojës. Në ijë kam lidhur një bateri që nuk nxjerr shkëndija, e cila furnizon llambën e kaskës sime, si edhe një pajisje për të marrë ajër në raste urgjente. Ndërsa treni zbret ngadalë në të tatëpjetë, qielli duket gjithnjë e më i vogël, derisa ngjan si një pikë blu në një sfond të zi.

Më shumë qymyr, më pak punëtorë

Miniera e qymyrit që po vizitoj, është një nga të shumtat në Australinë Juglindore. Udhërrëfyesi im, Berni, është një prej 25.000 minatorëve që çdo vit nxjerrin nga minierat e Australisë një sasi qymyrguri e cila arrin vlerën 8 miliardë dollarë [australianë]. Në mbarë botën ka dhjetë milionë minatorë që punojnë nën tokë, në puset e errëta të qymyrgurit ose në minierat e hapura të mëdha. Por numri i tyre po zvogëlohet. Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i anëtarëve të sindikatave të minatorëve të qymyrgurit, nga 1,2 milionë që ishte në vitin 1978, në fillim të shekullit të 21-të zbriti në rreth 13.000. Në Shtetet e Bashkuara ky numër zbriti nga 705.000 minatorë që ishte në vitin 1924, në më pak se 82.000. Edhe në Kinë, kohët e fundit, brenda një periudhe pesëvjeçare, numri i minatorëve u zvogëlua me 870.000 veta.

Megjithatë zvogëlimi i numrit të minatorëve nuk do të thotë se ka rënë edhe kërkesa për qymyrguri. Ç’është e vërteta, parashikohet se brenda vitit 2020, në vendet e industrializuara kërkesa për qymyrguri do të rritet me 11 për qind. Gjithashtu, brenda së njëjtës periudhë, pritet që në Kinë dhe në Indi të ndërtohen më shumë se 750 termocentrale që punojnë me qymyrguri. Një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të minatorëve është teknologjia e re, e cila bën të mundur që firmat të prodhojnë më shumë qymyrguri me më pak punëtorë. Makineria e madhe që Berni do të më tregojë tani, është një shembull i kësaj teknologjie të përparuar.

Në pusin e errët

«Ky është fundi i pusit,​—thotë Berni, ndërkohë që mezi dalim nga treni.​—Të gjitha galeritë e minierës nisin që këtej.» Drita fluoreshente vijnë njëra pas tjetrës në tavanin e ulët. Radhë trarësh të vegjël, të përforcuar me pyka ndërmjet dyshemesë dhe tavanit, mbajnë traversat e ngushta. Mijëra bulona janë mbërthyer në tavan. Këta bulona të mëdhenj janë ngulur 2 metra thellë në tavan dhe mbajnë shkëmbin sipër kokave tona, që të mos ndodhë ndonjë shembje.

Habitem kur shoh që muret janë të bardha, e jo të zeza. «Muret janë veshur me gurë gëlqerorë të bërë pluhur,​—shpjegon Berni.​—Guri gëlqeror zvogëlon rrezikun e një shpërthimi të shkaktuar nga gazi metan dhe nga pluhuri i qymyrgurit. Një shkëndijë e papritur mund të ndezë metanin. Pastaj metani, si një shkrepëse, mund të shkaktojë një shpërthim të madh në ajrin e mbushur me pluhur qymyri. Në këtë minierë nxirren çdo minutë rreth 2.000 litra metan, që përdoret për të prodhuar energji elektrike për minierën.» Për të shmangur çdo shkëndijë, e cila mund të ndezë gazin që del nga ndonjë e çarë, para se të hyja në pus, m’u desh të lija kamerën, magnetofonin e madje edhe orën me bateri.

Poshtë, në njërën nga hyrjet e shumta të galerive që degëzohen pasi zënë fill nga fundi i pusit, shohim një transportues me motor-dizel, i cili edhe pse duket i vogël, është i fuqishëm. Të shoqëruar nga uturima e motorit të tij, hymë si vetëtimë në njërën prej galerive. Prapa nesh dritat zbehen me shpejtësi, dhe shoh se llamba e kaskës sime reflekton në tavanin që kalon vetëtimthi pak centimetra sipër nesh. Ndërsa kalojmë me shpejtësi nëpër galeritë e shumta anësore, syri më zë kalimthi edhe llamba të tjera kaskash, që regëtijnë si xixëllonjat në errësirë. Në një galeri paralel me tonën, një konvejer me shirit 5 kilometra të gjatë transporton ngarkesën nga shtresa me qymyrguri.

Makineria e gërmimit ballor

Tani që arritëm te balli i galerisë, përpiqem të shquaj përmes një mjegulle me avuj uji dhe pluhur qymyri e shoh tre veta të veshur me rroba të posaçme, me kapuça dhe maska. Këta burra punojnë së bashku për të kontrolluar një makineri 250 metra të gjerë, që quhet makineria e gërmimit ballor. Dy disqe rrotulluese, secili me diametër 2 metra, lëvizin ngadalë në shtresën e qymyrgurit përgjatë gjithë gjerësisë së makinerisë. Këto disqe janë të pajisura me dhëmbë metalikë që ngulen gjysmë metri në shtresën e qymyrgurit ndërsa kalojnë përmes tij. Makineria është e pajisur me një rrip konvejeri që e çon me shpejtësi qymyrgurin poshtë në një galeri anësore, ku copat e qymyrgurit copëtohen me përmasa të njëjta dhe derdhen në konvejerin kryesor.

Që tavani shkëmbor të mos shembet, vihet një varg mbështetësish hidraulikë, të cilët mbajnë pllaka të mëdha çeliku mbi kokat e minatorëve. Pasi disqet me dhëmbë metalikë kalojnë nëpër të gjithë gjerësinë e makinerisë, e tërë kjo pajisje e çuditshme​—disqet, mbështetësit hidraulikë dhe tavani me pllaka çeliku​—rrëshqet vetë gjysmë metri përpara. Kur makineria rrëshqet përpara, lë pas një tavan shkëmbor që nuk ka asnjë mbështetës. Për pak tavani rri pezull, por pastaj, buum! Shembet me një zhurmë tronditëse. «Me këtë metodë nxjerrim një mijë tonë qymyrguri në orë,​—bërtet Berni.​—Pasi hiqet një sektor me qymyrguri, makineria çmontohet dhe çohet në sektorin tjetër.»

Më në fund drita e diellit!

Unë dhe Berni shkojmë sërish te transportuesi ynë me motor-dizel dhe, në kthim, bëjmë 5 kilometra nëpër galeritë gunga-gunga para se të ndalojmë në një zgafellë të madhe. Një pus me diametër 10 metra e lidh këtë zgafellë me sipërfaqen. «Këtu konvejeri kryesor shkarkon ngarkesën e tij»,​—çirret Berni në zhurmën shurdhuese të qymyrgurit që zbrazet në një kovë të madhe metalike. Pastaj Berni shpjegon: «Kova mban 18 tonë qymyrguri.» Ndërsa Berni flet, kova e porsambushur ngrihet vrik drejt qiellit, e tërhequr nga një kabllo. Disa sekonda më vonë një kovë tjetër bie nga vrima e madhe e tavanit dhe fillon të ngarkohet.

Tani që e kemi mbaruar vizitën, hipim në tren, i cili ngadalë na kthen në hyrjen e minierës dhe në rrezet e ngrohta të diellit​—të paktën kështu shpresoja unë. Por, kishim ndenjur kaq gjatë atje poshtë në galeri, saqë dielli kishte perënduar dhe qielli pa hënë nxinte. Edhe pse është një natë shumë e errët, tani i kuptoj fjalët e Bernit: «Nuk e kupton se ç’do të thotë fjala ‘e zezë’, nëse nuk je futur në ndonjë pus miniere.»

[Kutia në faqen 13]

E ardhmja e qymyrgurit: Një debat i nxehtë

Qymyrguri dhe ndotja: «Tymi dhe grimcat që vijnë nga djegia e qymyrgurit, shkaktojnë më shumë se 50.000 vdekje të parakohshme dhe 400.000 raste të bronkitit kronik çdo vit në 11 nga qytetet më të mëdha të [Kinës]»,​—thotë një raport i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. Në mbarë botën, Instituti Worldwatch ia vë fajin ndotjes nga qymyrguri për vdekjen e mbi një milion e gjysmë njerëzve çdo vit. Ekziston një teknologji për të pastruar gjithë këtë ndotje, por mendohet se ajo është mjaft e shtrenjtë dhe nuk blihet dot nga shumë shtete që kanë tepër nevojë për energji elektrike.

Qymyrguri dhe ndryshimi i klimës: Tashmë djegia e qymyrgurit shkakton më shumë se dy miliardë tonë dyoksid karboni çdo vit. Parashikohet që qymyrguri të mbetet i dyti ndër burimet kryesore për çlirimin e karbonit, duke arritur afërsisht 34 për qind të totalit në vitin 2020. Shumë veta alarmohen nga këto statistika.

«Nëse duam që procesi i ndryshimit të klimës të ngadalësohet në shekullin në vazhdim, është e domosdoshme që të ngadalësohet pakësimi i djegies së qymyrgurit»,​—thotë Set Dani, studiues në Institutin Worldwatch.

[Kutia në faqen 14]

Të varur nga qymyrguri

▪ Më shumë se 70 për qind e çelikut të prodhuar në mbarë botën përpunohet në furrnalta që punojnë me qymyrguri. Veç kësaj, prodhuesit e tullave, pllakave, çimentos, materialeve plastike, bojërave dhe eksplozivave përdorin lëndë kimike që vijnë nga qymyrguri.

▪ Sidoqoftë, deri tani konsumuesi më i madh i qymyrgurit është industria energjitike. Australia prodhon 84 për qind të energjisë elektrike nga termocentralet që punojnë me qymyrguri. Në Kinë, në Afrikën e Jugut dhe në Danimarkë, gati tre të katërtat e energjisë elektrike prodhohet nga qymyrguri. Më shumë se gjysma e sasisë së energjisë në Shtetet e Bashkuara prodhohet nga shfrytëzimi i qymyrgurit. Në mbarë botën, nga qymyrguri prodhohet më shumë se një e treta e energjisë elektrike.

▪ Me fjalë të tjera, nëse keni një sobë me korrent, për të harxhoni rreth gjysmë ton qymyrguri në vit. Po për një vit, bolieri harxhon dy tonë qymyrguri, kurse frigoriferi përlan gjysmë ton.

▪ Shkencëtarët thonë se në «qilarin» e tokës kanë mbetur edhe një mijë miliardë tonë qymyrguri. Po të ecet me ritmin e tanishëm të shfrytëzimit, kjo sasi do të mjaftojë edhe për qindra vjet.

[Diagrami dhe figurat në faqet 12, 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Minierë qymyrguri nën tokë

Makineria e gërmimit ballor

Pusi për t’u futur në minierë

[Figura]

Rezerva qymyrguri

[Figura]

Transportues

Tubacione për nxjerrjen e gazeve

Kova e qymyrgurit

Fundi i pusit

[Figura]

Pjesë e një rripi konvejeri pesë kilometra të gjatë

[Figura në faqen 13]

Trarët dhe traversat sigurojnë galeritë