Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Bebet e ndiejnë muzikën

«Që para se të mësojnë të flasin, foshnjat japin shenja se kanë një aftësi të veçantë për të reaguar ndaj muzikës»,​—thotë gazeta Scientific American. Sipas artikullit, foshnjat dallojnë ndryshimet në tonet muzikore si edhe ndryshimet në tempin dhe ritmin e muzikës. Gjithashtu, mund të dallojnë një melodi edhe kur ajo luhet në shkallë të ndryshme. Madje bebet dy muajshe pëlqejnë më shumë tingujt e harmonishëm dhe jo të çakorduar. «Piter Heperi i Universitetit të Mbretëreshës në Belfast,​—thotë artikulli,​—zbuloi se gati dy javë para se të lindin, fetuset bëjnë dallimin midis muzikës së një shfaqjeje televizive [të njohur], që nënat e tyre e dëgjonin çdo ditë për javë të tëra, dhe një kënge të padëgjuar.»

Atmosfera paqësore në makinë sjell siguri

«Pasagjerët në makinë duhet të shmangin grindjet me çdo kusht,​—paralajmëron shoqëria e mbikëqyrjes teknike TÜV, në gazetën Berliner Morgenpost.​—Krejt pa vetëdije shoferi i jep më shpejt dhe më shkujdesur makinës, duke rritur rrezikun e një aksidenti.» Artikulli vëren se një zënkë në makinë mund të marrë flakë shpejt, sidomos ngaqë ngushtica nuk të jep mundësi për t’u larguar. Prandaj, rekomandohet që pasagjerët të shmangin temat delikate, të cilat mund të shkaktojnë debate. Të gjithë në makinë, bëjnë mirë ta konsiderojnë veten si pjesëtarë të një skuadre me të njëjtin qëllim. Artikulli këshillon: «Para nisjes, duhet të vendoset se çfarë mund të bëjë pasagjeri që ulet para, për të treguar rrugën, për të zgjedhur stacionin e radios ose për të kapërcyer ndonjë situatë të vështirë.»

Deti i Zi po e merr veten

Gazeta ukrainase Demokratychna Ukraina, thotë se tani Deti i Zi ka më shumë delfinë, gaforre dhe karkaleca​—krijesa që zakonisht nuk jetojnë në ujëra të pista​—sesa më parë. Madje edhe limani i Odesës, që zakonisht konsiderohet si pjesa më e ndotur e Detit të Zi, ka përsëri një popullatë të madhe me kuaj deti. «Edhe pse ngadalë, ekosistemet në Detin e Zi dhe në detin Azov, po e marrin veten pas një sëmundjeje të gjatë»,​—tha Boris Aleksandrovi, drejtor i degës së Institutit të Biologjisë të Deteve të Jugut në Odesë. Si është e mundur kjo? «Me rënien e komunizmit,​—vëren Science News, ​—problemet ekonomike në Rusi, Ukrainë, Moldavi, Rumani dhe Bullgari, i zvogëluan ndjeshëm shpenzimet për plehrat bujqësore. Prandaj, në vitet 90, sasia e ujit të shiut që ishte e ndotur me nitrat dhe që derdhej në Detin e Zi, pati një rënie të menjëhershme.» Siç thotë Science News, ndërkohë që përdorimi më i paktë i plehrave i solli përfitim Detit të Zi, «rrënimi ekonomik ose rënia e prodhimit bujqësor nuk është strategjia e duhur për të penguar shtrirjen e zonave të vdekura [të detit]». Lorens Mi, profesor i politikës së administrimit të zonave detare dhe bregdetare në Universitetin e Plimuthit, Angli, sugjeron një tjetër zgjidhje. Ai thotë: «Duhet të tregohemi pak më të mençur në lidhje me metodat që përdorim në bujqësi, në mënyrë që të kufizojmë rrjedhjen e këtyre lëndëve ushqyese.»

Vaditen me ujëra të zeza

«Një e dhjeta e bimëve me vlera ekonomike anembanë botës, vaditen me ujëra të zeza»,​—thotë gazeta austriake Der Standard. Të mbjellat si domatja dhe arra e kokosit, edhe pse kaq të ndryshme nga njëra-tjetra, rriten në këtë mënyrë. «Ujërat e zeza janë kryesisht të papërpunuara dhe, nga qytetet e mëdha rrjedhin direkt në sistemet e vaditjes»,​—thotë gazeta. Kris Skoti, i Institutit Ndërkombëtar të Administrimit të Ujit në Sri-Lankë, shpjegon: «Për shumë zona afër qyteteve të mëdha që zgjerohen nga dita në ditë, kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin e mungesës së ujit.» Artikulli thotë se janë rreth 20 milionë hektarë tokë bujqësore përreth globit, dhe prandaj fermerët kanë pak alternativa. Ujërat e zeza jo vetëm sigurojnë pleh pa para fare, por shpesh janë i vetmi burim që kanë për vaditje ose që mund ta përballojnë ekonomikisht.

Trafikimi i njerëzve

«Trafikimi i njerëzve është bërë burimi i tretë më i madh i të ardhurave për grupet ndërkombëtare kriminale. Ai renditet pas trafikut të drogës dhe të armëve, duke siguruar mesatarisht 6 deri në 9 miliardë dollarë në vit»,​—thotë botimi ndërkombëtar i gazetës The Miami Herald. Në një konferencë për shtyp, mbajtur kohët e fundit në qytetin e Meksikos, Xhon Mileri, drejtor i Zyrës së Departamentit të Shteteve të Bashkuara për Monitorimin dhe Luftën kundër Trafikut të Njerëzve, u tha reporterëve se vetëm në Shtetet e Bashkuara, brenda një viti u trafikuan rreth 17.500 njerëz. Një e treta e tyre ishin nga Meksika ose trafikoheshin nëpërmjet kufirit me Meksikën. «Nuk po flas për emigrimin ilegal, por për burra, gra dhe fëmijë që i kanë detyruar të jetojnë në kushte skllavërie»,​—tha Mileri. Ai e quajti trafikimin e njerëzve për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar «një nga çështjet kryesore të shekullit të 21-të për të drejtat e njeriut».

Dielli dhe gratë shtatzëna

«Nga një studim i bërë për të parë sasinë e vitaminës D te gratë shtatzëna, doli se një numër alarmues grash kishin mungesë të kësaj vitamine, gjë që rrezikon bebet e palindura»,​—thotë gazeta Sun-Herald e Australisë. Bebet që kanë mungesa të vitaminës D, mund të kenë këmbë të shtrembra, të vuajnë nga spazmat dhe mund t’u zhvillohet sëmundja e kockave e njohur si rakitizmi. U bë edhe një studim tjetër me 1.000 gra shtatzëna në Spitalin «San. Xhorxh» në Sidnei, dhe u pa se «një në 10 gra me lëkurë të bardhë, dhe një në pesë gra me lëkurë të errët, kishin mungesa të vitaminës D». Zgjidhja e këtij problemi duket e thjeshtë. Njerëzit prodhojnë rreth 90 për qind të vitaminës D që u kërkon trupi, duke ndenjur në diell jo shumë të fortë. «Shumica e grave [kanë nevojë] të rrinë në diell vetëm 10 minuta në ditë ose rreth një orë në javë, që të marrin sasinë e duhur të vitaminës D»,​—thotë gazeta.

Sindromi i femrave sportiste

Gazeta braziliane Folha tha se femrat që bëjnë rregullisht ushtrime fizike tepër sforcuese, rrezikojnë të vuajnë nga osteoporoza, nga çrregullimet në të ngrënë dhe nga amenorrea, ndërprerja e ciklit menstrual. Turibio Leti de Baros Netu, koordinatori i Qendrës së Terapisë dhe Mjekësisë Sportive të Universitetit të San-Paolos, tha: «E mira është që një grua të ketë në trup 10 për qind më shumë dhjamëra sesa një burrë. Pra, me fjalë të tjera, ajo nuk duhet të ketë më pak se 15 për qind dhjamë në trup.» Gazeta Folha tha se, nëse një grua ka më pak dhjamë sesa kjo sasi, atëherë trupi i saj mund ta ketë të vështirë të prodhojë hormonet e nevojshme që i rregullojnë ciklin mujor të menstruacioneve. Gjithashtu, mund të bjerë sasia e kalciumit që grumbullohet në kocka, faktor ky që shkakton osteoporozën.