Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ju mund të gjeni lumturi të vërtetë!

Ju mund të gjeni lumturi të vërtetë!

Ju mund të gjeni lumturi të vërtetë!

SHUMË veta nëpër botë, me sa duket, besojnë se çelësat drejt lumturisë janë një makinë e tipit të fundit, një llogari e majme bankare, një karrierë e suksesshme, një shtëpi e madhe, pajisjet më të fundit elektronike si dhe një trup i bukur ose muskuloz. Por, a varet vërtet lumturia nga gjëra të tilla materiale dhe fizike?

Në një artikull të posaçëm të revistës Time thuhet se ka pasur «një vërshim studimesh për lumturinë, optimizmin, ndjenjat pozitive dhe për ato veçori të karakterit që ndikojnë për mirë te shëndeti». Rezultatet e këtyre studimeve kanë qenë befasuese për shumë veta. Me një përputhje të habitshme, dëshmitë tregojnë se njerëzit që ecin me mendimin se paraja, fama ose bukuria do t’i bëjnë të lumtur, po mashtrojnë veten. Ç’është e vërteta, ata po e ndërtojnë jetën mbi një themel që mund të jetë rrënues për shëndetin e tyre mendor, madje mund t’i çojë edhe në depresion.

Në Shtetet e Bashkuara shumë njerëz janë më të pasur se kurrë më parë. «Por në thelb, kjo nuk na ka bërë aspak më të lumtur»,—thotë Time. Sigurisht, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për njerëzit në vende të tjera. Edhe në Kinë, ku ekonomia ka marrë hov të madh, është vënë re një shtim alarmues i njerëzve të palumtur. Sipas revistës Access Asia, në këtë vend, vetëvrasja është bërë «shkaku kryesor i vdekjeve te njerëzit nga 15 deri në 34 vjeç». Nga sa duket, një ndër shkaqet e kësaj prirjeje është presioni që kanë të rinjtë për të pasur sukses në një botë të egër e stresuese, e cila përqendrohet te karriera dhe pasuria.

Është e qartë se mirëqenia ekonomike nuk e pakëson ankthin dhe stresin; përkundrazi i shton. «Sot, vetë mënyra jonë e jetesës është bërë shkaku kryesor i problemeve emocionale dhe mendore»,—nxori si përfundim një studim universitar. Sipas një analisti të prirjeve shoqërore, Van Uishardi, «shëndeti mendor dhe emocional po zë një pjesë gjithnjë e më të madhe në sigurimet shëndetësore që paguajnë shumë shoqëri».

Ndryshimet e shpejta që po pëson bota sot ndikojnë edhe te fëmijët. Uishardi thotë se tani, për fëmijët tetëvjeçarë ka libra që u japin këshilla «si t’i dallojnë shenjat e stresit dhe si t’i përballojnë». Gjithashtu, sipas një informacioni për depresionin, në disa vende perëndimore, fëmijët e diagnostikuar me depresion po shtohen me një shifër tronditëse prej 23 për qind në vit. Po ashtu, «parashkollorët përbëjnë tregun, që po rritet më shpejt, për ilaçet kundër depresionit».

Edhe frika po shtohet, dhe jo vetëm për shkak të pasigurisë ekonomike. Me shtimin e ekstremizmit politik dhe fetar, shumë veta dridhen kur mendojnë për tmerret që mund të sjellë e nesërmja. A mund të gjendet ndihmë?

Rreth dy mijë vjet më parë, Jezu Krishti foli për një mënyrë jetese të ndryshme, që të pakëson stresin e të përtërin. Në thelb të mësimeve të tij qëndronte një e vërtetë e thjeshtë, por edhe e fuqishme. Ai tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Po, Jezui i nxiti dëgjuesit e tij të përqendroheshin në nevojën më të rëndësishme të njeriut, pra në nevojën për të njohur të vërtetën për Krijuesin dhe qëllimin që ka Ai për ne.

Siç do të shohim në artikujt vijues, kjo njohuri e saktë na ndihmon të dallojmë se cilat gjëra janë vërtet të rëndësishme, duke na çuar kështu drejt një jete më të lumtur dhe më kuptimplotë. Veç kësaj, kjo njohuri për Perëndinë na jep edhe një shpresë të mrekullueshme.

[Diçitura në faqen 3]

A varet lumturia nga gjërat materiale?