Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësova të besoj te Perëndia

Mësova të besoj te Perëndia

Mësova të besoj te Perëndia

TREGUAR NGA ELA TOMI

FAMILJA jonë jetonte afër qytezës së Otepës, në Estoninë Jugore, rreth 60 kilometra larg kufirit rus. Në tetor 1944, pak muaj pasi kisha marrë dëftesën e pjekurisë, Lufta II Botërore ishte në përfundim. Ndërkohë që ushtria ruse po i përzinte gjermanët përmes Estonisë, ne dhe fqinjët tanë​—bëheshim gati 20 veta—​u fshehëm në pyll bashkë me gjënë e gjallë.

Dy muaj mbetëm të bllokuar në mes të luftimeve, dhe bombat na binin përqark. Uleshim të gjithë bashkë, dhe unë lexoja pjesë nga Bibla, sidomos nga libri i Vajtimeve. Ishte hera e parë që lexoja Biblën. Një ditë, u ngjita në një kodër të lartë, u ula në gjunjë dhe iu luta Perëndisë: «Të jap fjalën se do të shkoj çdo të diel në kishë kur të mbarojë lufta.»

Shpejt, fronti i luftimeve u spostua nga perëndimi. Më në fund, me kapitullimin e Gjermanisë në maj të vitit 1945, Lufta II Botërore në Evropë përfundoi. Ndërkohë e mbajta fjalën, dhe çdo javë shkoja në kishë. Por vetëm disa të moshuara venin atje dhe ndihesha në siklet. Kur na vizitonte ndonjë njeri papritur, e fshihja Biblën poshtë tavolinës.

S’kaloi shumë dhe fillova punë si mësuese në shkollën e qytezës. Në atë kohë në pushtet ishte regjimi komunist dhe mbizotëronte ateizmi. Megjithatë, nuk pranova të hyja në partinë komuniste. Isha e zënë ngaqë merresha me plot aktivitete shoqërore, si për shembull organizoja për fëmijët koncerte me valle popullore.

Takoj Dëshmitarët

Fëmijëve u duheshin kostume për në skenë, prandaj në prill të 1945-s shkova tek Emili Sanamisi, një rrobaqepëse e zonja. Nuk e dija se ishte Dëshmitare e Jehovait. Ajo më pyeti: «Çfarë mendon për situatën botërore?» Ngaqë në San-Francisko, SHBA, po mbahej një konferencë paqeje, i thashë: «Shpejt kjo qeveri do të marrë fund, dhe jam e sigurt se kjo konferencë paqeje për këtë arsye po mbahet, që të sigurohet se kjo do të ndodhë.»

Emilia tha se konferenca për paqe nuk do të sillte ndonjë dobi të përhershme, dhe ishte e gatshme të më tregonte arsyen nga Bibla. Në atë moment nuk isha gati ta dëgjoja këtë mesogrua të butë e të sjellshme, prandaj kur po ikja më pyeti: «A e di se ku kishte ndër mend Perëndia të jetonin Adami me Evën?» Meqë nuk dija t’i përgjigjesha, më tha: «Pyet babanë.»

Kur u ktheva në shtëpi pyeta babanë. As ai nuk e dinte përgjigjen, por më tha se s’kishim pse të studionim Biblën; e rëndësishme ishte të besonim. Kur u ktheva tek Emilia për të marrë kostumet, i thashë se babai nuk e dinte përgjigjen. Ajo bashkë me të motrën nxorën Biblat dhe më lexuan udhëzimet që u dha Perëndia Adamit dhe Evës—të kujdeseshin për kopshtin ku ishin vendosur dhe të jetonin të lumtur përgjithmonë. Më treguan nga Bibla se ishte qëllimi i Perëndisë që Adami dhe Eva të kishin fëmijë dhe të zgjeronin kufijtë e Parajsës në mbarë tokën. U mrekullova nga ato dëshmi biblike.—Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15; Psalmi 37:29; Isaia 45:18; Zbulesa 21:3, 4.

Mbledhja ime e parë

Atë verë, në Tartu, duhet të ndiqja një kurs tremujor për mësuesit. Emilia më dha adresën e një Dëshmitareje në atë qytet. Më dha edhe librin Krijimi, që më bëri shumë përshtypje me prezantimet e qarta të të vërtetave themelore të Biblës. Kështu, më 4 gusht 1945, gjeta shtëpinë sipas adresës që më kishte dhënë Emilia.

Ngaqë nuk po përgjigjej njeri, trokita prapë aq fort saqë një komshi hapi derën dhe më dha një adresë tjetër—Rruga Salme 56. Atje pyeta një grua që po qëronte patate në një punishte: «A mbahet ndonjë mbledhje fetare këtu?» Disi e acaruar më urdhëroi të largohesha, duke thënë se nuk isha e mirëpritur. Por ngaqë këmbëngula, më ftoi lart të bashkohesha me një grup që studionte Biblën. Shpejt studimi u ndërpre për të ngrënë drekën. U bëra gati të ikja, por ata më ftuan të rrija.

Teksa sillesha vërdallë në pushimin e drekës, pashë dy djem të rinj, jashtë mase të zbehtë e të dobët, që ishin ulur afër dritares. Më pas mora vesh se gjatë luftës kishin qëndruar të fshehur më shumë se një vit në vende të ndryshme që t’i shpëtonin arrestimit. * Në një fjalim pasdite, Fridrih Altperi përdori fjalën «Harmagedon». Meqë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, e pyeta më pas, dhe ai ma tregoi në Bibël. (Zbulesa 16:16) Kur pa se u habita, edhe ai u çudit që nuk e kisha dëgjuar më parë atë fjalë.

Fillova të kuptoja se ajo mbledhje ishte organizuar vetëm për Dëshmitarët që njiheshin dhe ishin të besuar. Më vonë mësova se ajo ishte mbledhja e parë pas luftës. Që nga ajo kohë, e kisha shumë të qartë sa e nevojshme është të besojmë te Perëndia. (Proverbat 3:5, 6) Një vit më vonë, në gusht 1946, në moshën 20-vjeçare, u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Përballoj kundërshtimin nga familja

Qeveria këmbëngulte që në shkollë të mësohej ateizmi, dhe kjo vuri në provë ndërgjegjen time të stërvitur nga Bibla. Doja të ndryshoja profesion. Kur ia zura në gojë mamasë, m’u kthye egërsisht dhe më shkuli flokët. Vendosa të ikja nga shtëpia. Mirëpo babai më dha zemër të duroja dhe tha se do të më ndihmonte.

Im vëlla, Antsi, i doli krah mamasë dhe m’u vu kundër. Por një ditë më kërkoi literaturë biblike, e lexoi dhe i pëlqeu shumë. Mamaja u tërbua fare. Madje Antsi filloi të fliste për Perëndinë në shkollë, por pasi u përball me persekutimin, nuk u shoqërua më me Dëshmitarët. Një ditë, ndërsa zhytej në det u dëmtua në kokë. Ishte i shtrirë në një barelë, i paralizuar, por mendjen e kishte në vend. «A do të më falë Jehovai?»—më pyeti. «Po»,—i thashë. Antsi vdiq disa ditë më pas. Ishte vetëm 17 vjeç.

Në shtator 1947, e lashë punën si mësuese. Mamaja mbante një qëndrim armiqësor ndaj meje, njësoj si më parë. Kur m’i flaku të gjitha rrobat jashtë shtëpisë, ika dhe u strehova te motrat Sanamis. Merrja zemër sa herë që më kujtonin se Jehovai nuk i braktis kurrë shërbëtorët e tij.

Sprovat në Estoninë e pasluftës

Motrat Sanamis më morën të punoja me to si rrobaqepëse për familjet fermere. Shpesh kishim mundësi t’u flitnim për të vërtetat e Biblës atyre familjeve. Ato kohë ishin të bukura, jo vetëm ngaqë mësova të qepja, por edhe se fitova më tepër përvojë në shërbimin e krishterë. Përveçse qepja, jepja dhe mësime private në matematikë. Por, në vitin 1948 autoritetet filluan të arrestonin Dëshmitarët.

Vitin pasues, në tetor, ndërsa po punoja në një fermë mora vesh se autoritetet kishin shkuar në shtëpinë e motrave Sanamis për të më arrestuar. Kur kërkova të gjeja strehë në fermën e vëlla Hygo Susit, mora vesh se sapo ishte arrestuar. Një grua që i kisha qepur disa gjëra, më ftoi të rrija në shtëpinë e saj. Më vonë, kalova nga njëra fermë te tjetra, e ndërkohë qepja dhe vazhdoja predikimin.

Sapo hyri dimri, Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik (KGB) arriti të më kapte në Tartu, në shtëpinë e Linda Metigut, një Dëshmitare e re e zellshme, disa vjet më e madhe se unë. Më arrestuan dhe më çuan në rajonin e policisë për të më marrë në pyetje. Më detyruan të zhvishesha komplet dhe të rrija para oficerëve të rinj që nuk m’i shqitnin sytë; u ndjeva e poshtëruar. Megjithatë, iu luta Jehovait dhe një paqe e qetësi më kaploi zemrën.

Pastaj më futën në një qeli aq të ngushtë, saqë nuk kishte vend as të shtrihesha. Më nxirrnin nga qelia vetëm kur më merrnin në pyetje. Oficerët më thoshin: «Nuk po të kërkojmë të mohosh ekzistencën e Perëndisë. Vetëm boll me ato predikime koti! Mund të kesh një të ardhme premtuese.» Pastaj më kërcënonin: «Do të jetosh? Apo do të vdesësh bashkë me Perëndinë tënd në fushat e Siberisë?!»

Tri ditë nuk më lanë të mbyllja sy dhe më merrnin në pyetje herë pas here. Meditimi për parimet biblike më dha forcë të duroja. Më në fund, një nga ata që më merrte në pyetje më ftoi të firmosja një dokument ku shkruhej se nuk do të predikoja më. «Jam menduar gjatë për këtë,—i thashë,—dhe preferoj të rri në burg e të kem një marrëdhënie të pacenuar me Perëndinë, sesa të jetoj e lirë dhe të humb miratimin e tij.» Me të dëgjuar këtë, më ulëriti: «Budallaqe! Të gjithëve do t’ju arrestojmë dhe do t’ju degdisim në Siberi.»

Lirohem papritur

Për habinë time, pak para mesnatës, ata që më merrnin në pyetje më thanë të mblidhja gjërat e mia e të shkoja. Ma priste mendja se do të më ndiqnin, prandaj nuk shkova te shtëpitë e të bashkëkrishterëve, sepse kështu do t’i jepja në dorë të policisë. Ndërsa ecja rrugës, tre burra më ndiqnin. Iu luta Jehovait për drejtim, u futa në një rrugë të errët dhe vrapova shpejt drejt një kopshti. U shtriva përdhe dhe u mbulova me gjethe. Dëgjoja zhurmën e hapave të tyre dhe arrija të shihja rrezet e dritës që vinin nga elektrikët e dorës.

Kaluan disa orë dhe trupin nuk e ndieja më nga të ftohtët. Më në fund, u ngrita dhe eca përgjatë rrugëve me kalldrëm me këpucët në dorë që të mos bëja zhurmë. Duke lënë pas qytetin, eca përmes kanalit përgjatë rrugës kryesore. Kur afrohej ndonjë makinë, shtrihesha përtokë. Në pesë të mëngjesit, arrita në shtëpinë e Juri dhe Meta Tomelit, jo shumë larg nga Tartuja.

Meta menjëherë nxehu saunën që të ngrohesha. Të nesërmen shkoi në Tartu dhe takoi Linda Metigun. Linda më nxiti: «Le të predikojmë tani dhe ta mbushim gjithë Estoninë me lajmin e mirë!» Pasi ndryshova pamjen me një stil të ri flokësh, pak makijazh dhe një palë syze, nisëm predikimin. Gjatë muajve vijues, shkuam me biçikletë deri në zona shumë të largëta. Përgjatë rrugës inkurajonim bashkëbesimtarët që jetonin në ferma.

Dëshmitarët organizuan një kongres për në datën 24 korrik 1950, në një hambar sane të madh që e kishte një student biblik afër Otepas. Kur mësuam se plani ynë ishte zbuluar nga KGB-ja, arritëm të lajmëronim shumicën e Dëshmitarëve që ishin në rrugë e sipër. U rregullua një vend tjetër për të nesërmen dhe u mblodhën rreth 115 veta. Çdonjëri u kthye në shtëpi plot gëzim dhe më i vendosur se kurrë për të qëndruar besnik përballë sprovave. *

Pas kësaj, bashkë me Lindën vazhduam të predikonim e të inkurajonim vëllezërit dhe motrat e krishtere. Më vonë, po atë vit, morëm pjesë në shkuljen e patateve dhe u folëm punëtorëve për mesazhin e Mbretërisë. Madje, pronari i një ferme ndërpreu punën dhe na dëgjoi një orë, duke thënë: «Nuk dëgjon çdo ditë lajme si këto!»

Bashkë me Lindën u kthyem në Tartu, ku mësuam se ishin arrestuar Dëshmitarë të tjerë, përfshirë edhe nënën e Lindës. Shumica e shokëve tanë tashmë ishin arrestuar, edhe motrat Sanamis. Ngaqë e dinim se KGB-ja po na kërkonte, gjetëm dy biçikleta dhe vazhduam të predikonim jashtë Tartusë. Një natë KGB-ja më gjeti në shtëpinë e Alma Vardjas, një Dëshmitare që ishte pagëzuar nga pak kohë. Ndërsa më kontrollonte pasaportën, njëri prej tyre thirri: «Oh, më në fund! Ku s’të kemi kërkuar!» Ishte 27 dhjetor 1950.

E burgosur dhe më pas në Siberi

Pasi paketuam qetë-qetë pak gjëra, u ulëm të hanim diçka. Agjentët e KGB-së u habitën dhe na thanë: «Nuk ju vjen as për të qarë!? Jeni ulur aty dhe hani!» Ne ia kthyem: «Po shkojmë në caktimin tonë të ri dhe s’e dimë se kur do të na vijë radha për të ngrënë.» Mora me vete një batanije, nga e cila më vonë bëra çorape dhe dorashka të ngrohta. Pasi qëndrova disa muaj në burg, në gusht 1951 më internuan bashkë me Dëshmitarë të tjerë nga Estonia. *

Nga Estonia na dërguan me tren në Leningrad (sot Shën-Pjetërburgu), Rusi, dhe nga atje në kampet famëkeqe të punës skllavëruese në Vorkuta, Komi, mbi Rrethin Polar të Veriut. Në grupin tonë ishin tri Dëshmitare. Në shkollë kisha studiuar rusisht dhe e kisha praktikuar që nga koha kur më arrestuan. Prandaj e flitja rrjedhshëm rusishten kur mbërritëm në kampe.

Në Vorkuta takuam një grua të re ukrainase që ishte bërë Dëshmitare në një kamp përqendrimi nazist në Poloni. Në vitin 1945 atë dhe 14 Dëshmitarë të tjerë i kishin hipur në një anije që gjermanët kishin si qëllim ta fundosnin në Detin Baltik. Megjithatë anija kishte mbërritur në Danimarkë pa pësuar gjë. Më vonë, pasi ishte kthyer në Rusi, e kishin arrestuar se predikonte dhe e kishin dërguar në Vorkuta, ku u bë një burim inkurajimi për ne.

Po ashtu takuam dhe dy gra, që pyetnin në gjuhën ukrainase: «A ka Dëshmitare të Jehovait këtu?» E kuptuam menjëherë që ishin motrat tona të krishtere. Na dhanë zemër dhe u kujdesën për nevojat tona. Të burgosurit e tjerë thanë se ishte njësoj sikur kishim familjen që po na priste.

Transferohem në kampet e Mordvinit

Në dhjetor të 1951-shit, bëra një vizitë mjekësore dhe doli se vuaja nga tiroidet. Prandaj më transferuan gati 1.500 kilometra në jugperëndim, në kompleksin gjigant të burgjeve në Mordvin, rreth 400 kilometra në juglindje të Moskës. Gjatë viteve pasuese në ato kampe për gratë, takova Dëshmitare gjermane, hungareze, polake dhe ukrainase. Gjithashtu takova edhe Maimin, një e burgosur politike nga Estonia.

Ndërkohë që ishte në burg në Estoni, Maimi kishte lindur. Një rojë ishte treguar e mirë dhe ia kishte dhënë fëmijën mamasë së Maimit. Në burgun e Mordvinit studiuam Biblën me Maimin, dhe i pranoi ato që po mësonte. Mundi t’i shkruante së ëmës, që po ashtu e pranoi të vërtetën biblike dhe ia mësoi edhe vajzës së vogël të Maimit, Karinës. Gjashtë vjet më pas Maimin e liruan dhe u bashkua përsëri me vajzën. Kur Karina u rrit, u martua me një Dëshmitar. Bashkë me burrin kanë 11 vjet që shërbejnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait, në Talin, Estoni.

Një nga kampet brenda kompleksit gjigant të Mordvinit kishte një kafaz, siç e quanin atëherë. Ishin baraka të vogla, të mbikëqyrura mirë, që ishin brenda mureve të kampit. Bashkë me gjashtë Dëshmitare të tjera më çuan atje, për shkak të aktivitetit tonë të krishterë. Por edhe atje bënim kopje të vockla të shkruara me dorë të artikujve të Kullës së Rojës dhe ua jepnim fshehurazi të tjerëve në kampet rrotull. Një nga metodat ishte duke hapur një zgavër te një kallëp sapuni, futnim artikullin brenda dhe e mbyllnim prapë.

Gjatë viteve në kampet e Mordvinit, munda të ndihmoja mbi dhjetë veta që të bëheshin adhuruese të Perëndisë. Më në fund, më 4 maj 1956, më thanë: «Je e lirë të shkosh dhe të besosh te Perëndia yt, Jehovai.» Brenda po atij muaji, u ktheva në Estoni.

Kthehem në shtëpi

Nuk kisha as punë, as para dhe as shtëpi. Por pak ditë pasi mbërrita, takova një grua që tregoi interes për mësimet e Biblës. Bashkë me të shoqin më ftuan të jetoja ca kohë në apartamentin e tyre që kishte vetëm një dhomë. Me para borxh bleva ca lesh dhe bëra pulovra, që pastaj i shita në treg. Më vonë më ofruan një punë në spitalin e sëmundjeve kancerogjene në Tartu, ku për shtatë vjet bëra punë të ndryshme. Gjatë asaj kohe, edhe Lembit Tomi u kthye nga internimi në Siberi dhe, në nëntor 1957, u martuam.

KGB-ja na mbante nën mbikëqyrje, dhe vazhdimisht na binte në qafë, ngaqë vepra jonë e predikimit ende ishte e ndaluar. Gjithsesi, bënim ç’të mundnim për t’u folur të tjerëve për besimin tonë. Lembiti e përshkroi këtë pjesë të jetës sonë në revistën Zgjohuni! të 22 shkurtit 1999 (anglisht). Nga fundi i viteve 50 dhe në vitet 60-70, Dëshmitarët e internuar vazhduan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nga fundi i viteve 80, ishim mbi 700 Dëshmitarë në Estoni. Në vitin 1991 vepra jonë e krishterë u ligjërua dhe që atëherë jemi rritur në më shumë se 4.100 Dëshmitarë.

Tanimë kanë kaluar mbi 60 vjet që kur ndoqa mbledhjen e parë sekrete të Dëshmitarëve në Estoni, pas Luftës II Botërore. Qysh atëherë, kam qenë e vendosur t’i vija veshin këshillës së Biblës: «Ki besim te Jehovai dhe bëj të mira.» Kam mësuar se duke bërë kështu, marrim ‘çfarë na do zemra’.—Psalmi 37:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 14 Një nga djemtë ishte Lembit Tomi, historia e të cilit është botuar te Zgjohuni! e 22 shkurtit 1999 (anglisht).

^ par. 30 Shih Zgjohuni! të 22 shkurtit 1999, faqet 12-13 (anglisht), për një përshkrim më të hollësishëm të atij kongresi.

^ par. 34 Megjithatë, shumë Dëshmitarë estonezë ishin internuar në fillim të prillit 1951. Shih Zgjohuni! të 22 prillit 2001, faqet 6-8 (anglisht), dhe videokasetën Besnikë nën sprovaDëshmitarët e Jehovait në Bashkimin Sovjetik (anglisht).

[Diçitura në faqen 23]

«Le të predikojmë tani dhe ta mbushim gjithë Estoninë me lajmin e mirë!»​—Linda Metigu

[Figura në faqen 24]

Bashkë me nëntë Dëshmitare të tjera në burgun e Mordvinit

[Figura në faqen 24]

Sot me tim shoq, Lembitin