Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Çdo vit​—në Shtetet e Bashkuara​—një në katër veta vuan të paktën nga një lloj çrregullimi mendor. Gjithashtu, gati një në dy veta preken nga ndonjë çrregullim mendor një herë në jetë.»​—SCIENCE NEWS, SHBA.

Në shtator 2004, në gjirin e Meksikës, uragani Ivën ngriti më e pakta 24 dallgë mbi 15 metra. Më e larta ishte 27,7 metra.​—REVISTA SCIENCE, SHBA.

Përdorimi i celularëve kur nget makinën katërfishon mundësinë për t’u përplasur e për të shkuar në spital, madje edhe atëherë kur shoferët përdorin kufje.​—BMJ, BRITANI.

▪ Botimi i ri i një katalogu, i përgatitur për të ndihmuar përkthyesit e Biblës, rendit 6.912 gjuhë që përdoren ende.​—THE NEW YORK TIMES, SHBA.

▪ Pavarësisht nga paralajmërimi se dëmtojnë fëmijët e tyre, 30 për qind e grave në Poloni pinë duhan gjatë shtatzënisë ose gjatë viteve të para që foshnja ushqehet me gji.​—REVISTA ZDROWIE, POLONI.

Qëndrimi ndaj pasurisë

Sipas raportit të ABC News Online, një qendër kërkimore, Australia Institute, që studion qëndrimin e njerëzve ndaj pasurisë, gjeti se vetëm 1 në 20 milionerë australianë e konsideron veten të kamur. Sipas Kliv Hamiltonit, drejtorit ekzekutiv të këtij instituti, «sa më të pasur bëhemi, aq më pak të kënaqur jemi». Në fakt, vetëm 13 për qind e atyre që përfshihen në grupin e njerëzve me të ardhurat më të larta, janë plotësisht të kënaqur nga jeta. Hamiltoni thotë: «Me të vërtetë është për t’u parë se përse në shoqërinë ku jetojmë kërkojmë sukses financiar më shumë se çdo gjë tjetër, kur të gjitha faktet tregojnë se ka aspekte të tjera në jetë që i kontribuojnë vërtet shëndetit dhe lumturisë.»

Mbeturina në hapësirë

«Imagjinoni rrëmujën e madhe që do të krijohej sikur shoferët t’i braktisnin makinat nëpër rrugët e qytetit kur t’u mbaronte karburanti,​—thotë revista New Scientist.​—Në fakt kjo është ngjashëm me atë që po ndodh me satelitët artificialë të dalë jashtë përdorimit, të cilët po rritin rrezikun që anijet më të fundit kozmike të përplasen me këto mbeturina që kanë ngelur në hapësirë». Është llogaritur se rreth 1.120 objekte me diametër mbi 60 centimetra, lëvizin në orbita me largësi konstante nga toka, dhe me shpejtësi sa e ajo e rrotullimit të tokës,​—një pozicion ky, i preferuar për pajisjet komunikuese. Por nga këto, pothuajse vetëm 300 janë satelitë që funksionojnë ende. Mes materialeve të rrezikshme të braktisura në hapësirë në lartësi të ndryshme, janë 32 reaktorë bërthamorë.

Armët dhe lufta

Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, ra edhe biznesi i armëve. Megjithatë, para pak vitesh ky biznes lulëzoi. Në vitin 2004, sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm, (SIPRI), shpenzimet globale ushtarake arritën një trilionë dollarë. Kjo shifër korrespondon me 162 dollarë për çdo burrë, grua dhe fëmijë në planet. Sipas SIPRI-t, 19 konflikte shkaktuan mbi 1.000 të vdekur dhe të gjitha ndodhën në vitin 2004. Nga këto konflikte, 16 vazhdonin tashmë nga më shumë se dhjetë vjet.

Makina me dy lloj karburanti

Një e treta e makinave të reja që shiten tani në Brazil punojnë me dy lloj karburanti, sipas revistës Veja. Këto mjete punojnë me benzinë, me alkool të nxjerrë nga kallamsheqeri, ose me përzierje të të dyjave bashkë në çfarëdolloj sasie. Nga viti 2003 deri në 2004-n, shitja e karburantit me alkool u rrit 34 për qind. Kjo prirje nuk ka të bëjë fare me shqetësimin që të mos ndotet ambienti. Thjesht i bie më lirë. Siç shpjegon Rafael Shidermani, drejtori i Qendrës Braziliane të Infrastrukturës, makinat me dy lloj karburanti e mbrojnë «konsumatorin nga krizat e karburantit dhe nga luhatja e çmimeve». «Nëse rritet çmimi i alkoolit, përdorni benzinën dhe anasjelltas.»