Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vendosur për t’u pasuruar frymësisht

Të vendosur për t’u pasuruar frymësisht

Të vendosur për t’u pasuruar frymësisht

PËR t’u pasuruar materialisht duhen përpjekje këmbëngulëse dhe sakrifica. E njëjta gjë kërkohet edhe për t’u pasuruar frymësisht. Kjo kuptohet nga fjalët e Jezuit kur tha: «Grumbulloni thesare në qiell.» (Mateu 6:20) Pasuritë frymore nuk mblidhen vetvetiu. Thjesht fakti që ke një fe nuk të bën të pasur nga ana frymore, ashtu sikurse pasja e një llogarie bankare nuk të bën automatikisht të pasur. Për të krijuar një lidhje të ngushtë me Perëndinë, për t’u bërë i fortë frymësisht dhe për t’u bërë i pasur në cilësitë frymore duhet vendosmëri, kohë, përpjekje këmbëngulëse dhe sakrifica.​—Proverbat 2:1-6.

A mund t’i keni të dyja?

A është e mundur që një njeri të jetë i pasur edhe frymësisht, edhe materialisht? Ndoshta, por vetëm njërës mund t’i përkushtohesh. Jezui tha: «Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mateu 6:24b) Pse jo? Sepse përkushtimi pas gjërave frymore bie ndesh me përkushtimin pas gjërave materiale. Njëri pengon tjetrin. Për këtë arsye, para se t’u thoshte dishepujve që të grumbullonin pasuri frymore, Jezui tha: «Mos grumbulloni thesare në tokë.»​—Mateu 6:19.

Çfarë ndodh në qoftë se dikush e shpërfill këshillën e Jezuit dhe përpiqet t’u përkushtohet edhe gjërave frymore, edhe atyre materiale? Jezui tha: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin.» (Mateu 6:24a) Kur dikush rend në të dyja drejtimet, atëherë gjërat frymore, edhe nëse i bën nga ndjenja e detyrës, mund të kthehen në bezdi dhe t’i duket sikur gjithnjë i bëhen pengesë. Madje, në vend që të mbështetet te Perëndia, ky njeri mund ta shohë paranë dhe gjërat që blihen me para si mjetin kryesor për të përballuar ankthet e jetës. Është siç tha Jezui: «Zemra jote do të jetë gjithnjë ku të jetë pasuria jote.»​—Mateu 6:21, Today’s English Version.

Çdo i krishterë bën mirë ta shqyrtojë me kujdes këtë këshillë biblike para se të vendosë se për çfarë do ta shfrytëzojë kryesisht kohën dhe ku do ta përqendrojë vëmendjen dhe zemrën. Vetëm ngaqë Perëndia nuk na vë kufizime konkrete se sa para mund të fitojë një i krishterë, kjo nuk do të thotë se shpërfillja e paralajmërimeve të tij kundër lakmisë nuk ka pasoja. (1 Korintasve 6:9, 10) Siç e pamë, ata që nuk u vënë veshin këshillave biblike dhe ushqejnë vendosmërinë për t’u pasuruar, vuajnë frymësisht, mendërisht dhe emocionalisht. (Galatasve 6:7) Në ndryshim nga këta, Jezui tha se njerëzit që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, do të jenë të lumtur. (Mateu 5:3) Sigurisht, Krijuesi ynë dhe Biri i tij e dinë se ç’është më e mira për lumturinë dhe mirëqenien tonë.​—Isaia 48:17, 18.

Zgjedhje për të cilën nuk do të pendoheni

Ku do të përqendroheni, te Perëndia apo te pasuria? Është e kuptueshme se duhet të kujdesemi edhe për nevojat materiale. Në letrën e parë drejtuar Timoteut, apostulli Pavël tha: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» Gjithashtu, Pavli i nxiti të krishterët që të mos i vënë shpresat te paraja, por te Perëndia dhe «të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera». (1 Timoteut 5:8; 6:17, 18) Ku do të përqendroheni ju? Kujt do t’i përkushtoheni? Ndër veprat e shkëlqyera që tha Pavli, kryesorja është aktiviteti që u ngarkoi Jezui dishepujve të tij, që të predikonin dhe të bënin dishepuj. (Mateu 28:19, 20) Kur të krishterët e thjeshtojnë jetën vullnetarisht, jo për të ulur ca ritmin dhe për të shijuar jetën, por që të marrin pjesë më shumë në këtë vepër të rëndësishme, «vënë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen» në botën e re që ka premtuar Perëndia. E madje që tani ata kuptojnë se pasuritë frymore janë: ‘Oh, sa më mirë se ari!’​—1 Timoteut 6:19; Proverbat 16:16; Filipianëve 1:10.

Shqyrtoni përvojën e Edit, familjarët e të cilit u bënë Dëshmitarë të Jehovait kur ai ishte i vogël. Ndodhi që familja humbi gjithçka që kishin dhe u detyruan të ndërronin shtëpi. Edi shpjegon: «Gjithnjë më kishte munduar pyetja se si do të na vente halli, nëse do të mbeteshim pa asgjë. Ja pra, tani nuk kishim asgjë. Dhe e dini çfarë ndodhi? Asgjë! Prapë hanim, pinim dhe visheshim. Jehovai na siguroi ç’na duhej dhe me kalimin e kohës e morëm veten. Nga kjo përvojë mësova ta marr seriozisht atë që premtoi Jezui te Mateu 6:33—që nëse vëmë në vend të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë, nuk ka pse të jemi kurrë në ankth për nevojat materiale.» Sot Edi shërben bashkë me të shoqen në kohë të plotë si një shërbëtor udhëtues. Ata kanë ç’u nevojitet materialisht. E ç’është më e rëndësishmja, janë të pasur frymësisht.

Dobi të pashtershme

Ndryshe nga pasuritë në tokë, që hajdutët mund t’i vjedhin, pasuritë frymore mund të jenë të përhershme. (Proverbat 23:4, 5; Mateu 6:20) Vërtet, është më e vështirë të matësh përparimin frymor. Të përcaktosh se deri në ç’masë dikush është bërë më i dashur, më i gëzuar dhe me besim më të fortë nuk është aq e lehtë sa ç’mund të përcaktosh pasurinë që ka shtuar. Por shpërblimet e pasurive frymore janë të pashtershme. Duke folur për dishepujt që do të linin edhe shtëpitë e arat, pra mjetet e jetesës, për t’iu përkushtuar gjërave frymore, Jezui tha: «Vërtet po ju them: nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose ara për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, që të mos marrë në këtë kohë njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe ara, bashkë me përndjekje, dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.»​—Marku 10:29, 30.

Çfarë do të vini në radhë të parë në jetën tuaj? Perëndinë apo pasurinë?

[Figurat në faqet 8, 9]

I jeni përkushtuar pasurisë materiale . . .

. . . apo pasurisë frymore?