Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka të takohesh fshehurazi?

Ç’të keqe ka të takohesh fshehurazi?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’të keqe ka të takohesh fshehurazi?

Xhesika * nuk dinte ç’të bënte. Gjithçka filloi kur Toni, një shok i klasës, nisi të tregonte interes për të. «Ishte shumë simpatik,​—thotë ajo,—​dhe shoqet më thoshin se djalë për së mbari si ai, nuk gjeja dot. Disa vajza ishin përpjekur të lidheshin me të, por atij nuk i interesonin. I kishte sytë vetëm tek unë.»

S’kaloi shumë dhe Toni e ftoi Xhesikën të shoqëroheshin bashkë. Xhesika thotë: «I shpjegova se meqë isha një Dëshmitare e Jehovait, nuk do të më lejonin të dilja me dikë që nuk ka besimin tim. Kështu Tonit i lindi një ide. Më pyeti: ‘Pse të mos takohemi pa e marrë vesh prindërit?’»

Ç’DO të bëje nëse dikush që ti simpatizon do të të propozonte diçka të tillë? Mbase të duket çudi, por në fillim Xhesika ra dakord me mendimin e Tonit. «Isha e bindur se po të shoqërohesha me të, do ta bëja ta donte Jehovain»,​—thotë ajo. Si rrodhën gjërat? Do ta zbulojmë më vonë. Në fillim le të shqyrtojmë se si një i ri ose e re e krishterë, me një sjellje shembullore si Xhesika, mund të bjerë si pa e kuptuar në grackën e një lidhjeje romantike të fshehtë.

Pse takohen fshehurazi?

Disa të rinj lidhen me dikë të seksit tjetër në moshë shumë të re. «Kam parë fëmijë të moshës 10 a 11-vjeçare që kanë një të dashur»,​—thotë Suzana nga Britania. Pse e kanë me kaq ngut? Shpesh ajo që i nxit është tërheqja e natyrshme ndaj seksit tjetër dhe ndikimi i fuqishëm i shoqërisë. «Nga njëra anë hormonet të vërshojnë në trup dhe nga ana tjetër të gjithë në shkollë e kanë një të dashur»,​—thotë Loisa nga Australia.

Po përse disa takohen fshehurazi? «Mbase ngaqë kanë frikë se ç’do të thonë prindërit»,​—pohon Xhefri nga Britania. Kështu mendon edhe Davidi nga Afrika e Jugut. «Ata e dinë që prindërit nuk do të jenë dakord,​—thotë ai,—​kështu që nuk u tregojnë.» Një vajzë australiane me emrin Xhejni tregon një arsye tjetër. «Takimet fshehurazi janë shenjë rebelimi,​—thotë ajo.—​Kur të duket se nuk po të trajtojnë si një të rritur, ndërkohë që ti mendon se je rritur, vendos të bësh ç’të të dojë qejfi dhe të mos u tregosh prindërve. Është kollaj ta mbash sekret këtë.»

Sigurisht Bibla të urdhëron që t’u bindesh prindërve. (Efesianëve 6:1) E, në rast se prindërit nuk janë dakord që ti të nisësh këtë lidhje, me siguri duhet të kenë arsye të forta. Për shembull, nëse janë Dëshmitarë të Jehovait, prindërit do të dëshironin që ti të dilje vetëm me një bashkëbesimtar dhe vetëm atëherë kur që të dy të jeni gati për t’u martuar. * Megjithatë, mos u çudit nëse të lindin mendime si këto:

Më duket se po i privoj vetes diçka, ngaqë të gjithë përveç meje, e kanë një të dashur.

Simpatizoj dikë që nuk është i besimit tim.

Do të doja të njihesha me një të besimit tim, ndonëse jam tepër i ri/e re për t’u martuar.

Ndoshta e ke të qartë se çfarë do të thoshin prindërit për këto gjëra. Dhe brenda vetes e di që kanë të drejtë. Prapëseprapë, mbase ndihesh si Manami në Japoni që thotë: «Presioni përreth për të pasur një të dashur është kaq i fortë, saqë ndonjëherë lëkundem. Sot për të rinjtë është absurde të mos kenë një të dashur.» Disa që janë gjendur në këtë situatë kanë filluar të takohen me dikë të seksit tjetër dhe ua kanë fshehur prindërve. Si?

«Na thanë ta mbanim sekret»

Vetë shprehja «takohem fshehurazi» tregon se përfshihet njëfarë mashtrimi. Disa e mbajnë sekret këtë lidhje duke komunikuar kryesisht nëpërmjet telefonit ose Internetit. Në publik janë vetëm shokë, kurse mesazhet në Internet, në celular dhe telefonatat flasin krejt ndryshe.

Kalebi nga Nigeria, tregon një taktikë tjetër dinake. «Disa të rinj që kanë një lidhje të fshehtë përdorin ndonjë kod fjalësh dhe pseudonime kur janë para të tjerëve që të mos i kuptojnë për çfarë po flasin»,​—thotë ai. Një metodë tjetër është të organizojnë ndonjë aktivitet në grup vetëm e vetëm që më vonë të shoqërohen bashkë. Xhejmsi nga Britania tregon: «Një herë disa prej nesh ishim ftuar diku. Atje zbuluam se e gjithë kjo ishte sajuar që dy nga grupi të rrinin bashkë. Na thanë ta mbanim sekret.»

Në shumë raste, siç tregon Xhejmsi, takimet e fshehta bëhen me ndihmën e shoqërisë. «Të paktën një nga shokët e di si është puna, por nuk tregon që ‘të mos spiunojë’»,​—thotë Karola nga Skocia.

Ata që mbajnë një lidhje të fshehtë, shpesh tregohen krejt të pandershëm. «Shumë veta e mbajnë sekret lidhjen duke i gënjyer prindërit kur shkojnë në ndonjë vend»,​—thotë Beti nga Kanadaja. Misaki nga Japonia pranon se bëri të njëjtën gjë. «Duhet t’i sajoja me kujdes gënjeshtrat,​—thotë ajo.—​Bëja kujdes të mos thosha as edhe një gënjeshtër, përveç atyre që kishin të bënin me takimet e mia, që të mos humbja besimin e prindërve.»

Grackat e takimeve të fshehta

Nëse po mendon të takohesh fshehurazi me dikë ose nëse tashmë ke filluar, duhet të mendosh për sa vijon.

Ku do të më çojë kjo rrugë me gënjeshtra? A ke ndër mend të martohesh në një kohë pak a shumë të afërt, me personin që po njihesh? «Të dalësh me dikë pa pasur synim martesën është si të reklamosh diçka që nuk do ta shesësh»,​—thotë Evani nga Shtetet e Bashkuara. Te Proverbat 13:12 thuhet: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» A dëshiron vërtet ta dërrmosh shpirtërisht dikë që e ke për zemër?

Si ndihet Perëndia Jehova për atë që po bëj unë? Bibla thotë se «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari». (Hebrenjve 4:13) Pra, nëse po e fsheh lidhjen që ke nisur ose lidhjen e një shoku a të një shoqeje, Jehovai e di. E nëse për ta mbuluar këtë duhet gënjyer, ke një arsye të fortë për t’u shqetësuar. Jehovai e dënon prerazi gënjeshtrën. Po, «gjuha gënjeshtare» spikat ndër gjërat që janë të pështira për Jehovain.​—Proverbat 6:16-19.

Po të takohesh fshehurazi, po i heq vetes atë mbrojtje që mund ta kesh kur i bën gjërat hapur. S’është çudi që disa që kanë një lidhje të fshehtë, kryejnë imoralitet. Xhejni nga Australia tregon për një shoqe që takohej fshehurazi me një shok shkolle dhe në sy të të tjerëve hiqej sikur ishte në rregull. «Kur i ati zbuloi që ajo kishte një të dashur, ajo ishte shtatzënë»,​—thotë Xhejni.

Sigurisht, është mirë të flasësh me prindërit ose me një të krishterë të rritur e të pjekur nëse ke ndonjë lidhje romantike të fshehtë. E në rast se ndonjë shok a shoqe ka një lidhje të tillë, mos ec edhe ti në atë rrugë duke e ndihmuar që ta mbajë sekret. (1 Timoteut 5:22) Mendo si do të ndiheshe nëse kjo lidhje do të përfundonte me pasoja? A nuk do të ishe të paktën deri diku përgjegjës? Ta zëmë se një shoku yt është me diabet dhe ha fshehurazi ëmbëlsira. Po sikur ti ta zbuloje dhe shoku yt të të përgjërohej të mos i tregoje askujt? Për çfarë do të merakoseshe më shumë: të mos tregoje për hatër të shokut apo të merrje masa që mund t’i shpëtonin jetën?

E njëjta gjë vlen edhe kur dikush ka një lidhje të fshehtë. Mos ki merak se mos prishësh miqësinë. Me kalimin e kohës, një mik i vërtetë do ta kuptojë se veprove për të mirën e tij.​—Proverbat 27:6.

«E dija ç’duhet të bëja»

Xhesika, e përmendur në hyrje të artikullit, ndërroi mendje kur dëgjoi përvojën e një të krishtereje që ishte në të njëjtën situatë. «Pasi dëgjova se si i dha fund lidhjes,​—tha Xhesika,—​e dija ç’duhet të bëja.» A ishte e lehtë të ndahej? Aspak! Xhesika thotë: «Ishte i vetmi djalë që më kishte pëlqyer. Qaja çdo ditë për javë të tëra.»

Megjithatë, Xhesika dinte edhe diçka tjetër: ajo e donte Jehovain, e ndonëse kishte devijuar nga udha e duhur, dëshironte vërtet të bënte atë që ishte e drejtë. Me kalimin e kohës, dhembja iu fashit. Xhesika thotë: «Tani, marrëdhënia ime me Jehovain është më e fortë se kurrë. Jam kaq mirënjohëse që ai na jep drejtimin që na duhet në kohën e duhur.»

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 9 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Kur mund të nis një lidhje romantike?» në revistën Zgjohuni! të janarit 2007.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Lexoji edhe një herë tri situatat me shkronja të zeza në faqen 27. A ndihesh edhe ti ndonjëherë kështu? Nëse po, cili nga tri rastet përshkruan gjendjen tënde?

▪ Si mund ta zgjidhësh këtë çështje pa u takuar fshehurazi me dikë?

[Kutia në faqen 28]

Sekret apo jetë private?

Jo gjithnjë mbajtja sekret e një lidhjeje nënkupton mashtrimin. Ta zëmë se një djalë dhe një vajzë në moshë për martesë, do të donin të njiheshin më mirë, por për njëfarë kohe duan që të mos e hapin te të tjerët. Ndoshta arsyeja është ajo që tha një i ri me emrin Tomas, se «nuk duan që t’i ngacmojnë me pyetje të tilla si: ‘Hë pra, kur do të martoheni?’»

Presioni i papërshtatshëm i të tjerëve mund të jetë vërtet i dëmshëm. (Kënga e Solomonit 2:7) Prandaj, në fillim të një lidhjeje, disa çifte me të drejtë vendosin që të mos ua thonë shumë njerëzve, ndonëse tregohen të kujdesshëm që të mos veçohen. (Proverbat 10:19) «Kjo u jep dy njerëzve kohë për të vendosur nëse duan t’i hyjnë një lidhjeje serioze,​—thotë Ana 20-vjeçare.—​Nëse po, atëherë mund t’ua thonë të tjerëve.»

Nga ana tjetër, do të ishte gabim t’ua fshihje këtë gjë atyre që kanë të drejtën ta dinë, siç janë prindërit e tu ose prindërit e personit me të cilin po njihesh. Nëse nuk mund ta tregosh hapur që po shoqëroheni, pyet veten përse. A ndodhesh në një situatë si Xhesika që u përmend në hyrje të artikullit? Brenda vetes, a e di që prindërit e tu do të kishin arsye të forta për të mos qenë dakord?

[Kutia në faqen 29]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Pasi të lexosh këtë artikull, mund të pyesësh veten: ‘A do të niste djali ose vajza ime një lidhje prapa krahëve të mi? Vër re çfarë thanë disa të rinj për Zgjohuni!, se përse disa mund të tundohen që të takohen fshehurazi. Pastaj mendo për pyetjet shoqëruese.

«Disa fëmijë nuk gjejnë ngrohtësi në shtëpi, prandaj vendosin të kenë si mbështetje një të dashur.»​—Uendi.

Si prind, si mund të sigurohesh që fëmijëve të tu t’u plotësohen siç duhet nevojat emocionale? A mund të bësh disa përmirësime në këtë drejtim? Nëse po, çfarë konkretisht?

«Kur isha 14 vjeçe, një nxënës më tha të bëhesha e dashura e tij. Pranova. Mendoja se do të ishte bukur që një djalë të më përqafonte.»​—Diana.

Nëse Diana do të ishte vajza jote, ç’do të bëje?

«Celularët ta lehtësojnë punën për ta mbajtur sekret një lidhje. Prindërit nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh.»​—Aneta.

Çfarë masash merr për përdorimin e celularit nga fëmijët e tu?

«Është shumë më e lehtë të takohesh fshehurazi kur prindërit nuk i mbajnë sytë hapur se çfarë bëjnë fëmijët e tyre dhe me kë.»​—Tomasi.

A ka mënyra që të përfshihesh më shumë në jetën e fëmijës tënd adoleshent ndërkohë që e lë të lirë aq sa duhet?

«Kur fëmijët janë në shtëpi, shpesh prindërit nuk janë aty. Ose kanë tepër besim kur i lënë fëmijët të shkojnë diku me njerëz të tjerë.»​—Nikolasi.

Mendo për shokët e ngushtë të fëmijëve të tu. A e di me të vërtetë se çfarë bëjnë ata kur janë bashkë?

«Takimet fshehurazi mund të fillojnë kur prindërit janë tepër të rreptë.»​—Poli.

Pa cenuar ligjet dhe parimet e Biblës, në ç’mënyrë mund të bësh që ‘të njihet arsyetueshmëria jote’?​—Filipianëve 4:5.

«Në fillim të adoleshencës, kisha pak vlerësim për veten dhe isha e dëshiruar për pak vëmendje. Lidha korrespondencë në Internet me një djalë nga një kongregacion fqinj dhe rashë në dashuri. Ai më bënte të ndihesha e veçantë.»​—Linda.

A të vijnë ndër mend mënyra më të mira që nevojat e Lindës të plotësoheshin në familje?

Pse të mos e përdorësh këtë artikull dhe këtë faqe si bazë për të hapur bisedën me djalin ose me vajzën? Ilaçi më i mirë kundër mbajtjes sekret është komunikimi i çiltër nga zemra. Duhet kohë dhe durim për të kuptuar nevojat e të rinjve, por ia vlen.​—Proverbat 20:5.