Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ekzistojmë?

Pse ekzistojmë?

Pse ekzistojmë?

Ç’kuptim ka jeta?

PYETJEVE të mësipërme të cilat bëhen shpesh, shumë veta do t’u shtonin edhe një tjetër. A mund të shpresojmë për diçka më tepër sesa kjo jetë e shkurtër prej 70 a 80 vjetësh që merr fund me vdekjen?—Psalmi 90:9, 10.

Mbase etja për përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk është kurrë aq e madhe, sesa kur kuptojmë sa e shkurtër është jeta. Sigurisht, s’ka pse ta kemi jetën në rrezik që të pyesim pse ekzistojmë. Edhe zhgënjimet mund të na shtyjnë drejt kësaj pyetjeje. Ka njerëz që e ngrenë këtë pyetje kur mendojnë për jetën që bëjnë.

Dejvi kishte rrogë të majme, një apartament të këndshëm dhe kënaqej kur e kalonte kohën me miqtë e tij të shumtë. Ai tregon: «Natën vonë, po kthehesha në shtëpi nga një festë kur befas më lindi pyetja: ‘Po pse kaq është jeta?—Të jetoj vetëm pak kohë e pastaj të vdes apo ka diçka më shumë?’ Më shqetësonte mendimi se në atë kohë jeta ime ishte krejt boshe.»

Në librin e tij Njeriu në kërkim të kuptimit të jetës (anglisht), Viktor Frankli thoshte se disave prej atyre që mbijetuan bashkë me të nga Holokausti, u lindi kjo pyetje pasi u liruan nga kampet e përqendrimit. Kur u kthyen në shtëpi, disa prej tyre panë se të afërmit ishin zhdukur. Frankli shkroi: «Mjerë ai që, kur më në fund i realizohen ëndrrat, sheh se realiteti është krejt ndryshe nga sa kishte dëshiruar me aq zjarr!»

Ata që ngrenë këtë pyetje

Pyetjen pse ekzistojmë e kanë bërë të gjithë brezat. Bibla flet për njerëz që donin të dinin qëllimin e jetës. Pasi humbi pasurinë dhe fëmijët e ndërsa vuante nga një sëmundje torturuese, Jobi pyeti: «Pse nuk vdiqa që në bark të nënës?! Pse nuk dhashë frymë, sa dola nga barku?!»—Jobi 3:11.

Po njësoj u ndie edhe profeti Elija. Ngaqë ndihej i vetmuar si adhurues i Perëndisë, ai tha i dëshpëruar: «O Jehova, s’mundem më, merrma shpirtin.» (1 Mbretërve 19:4) Shumë njerëz ndihen kështu. Bibla thotë se Elija ishte «njeri me ndjenja si tonat».—Jakovi 5:17.

Udhëtimi i suksesshëm i jetës

Shpesh jeta krahasohet me një udhëtim. Ashtu si mund të fillosh një udhëtim pa pasur ndër mend ku do të shkosh, po kështu mund ta jetosh jetën pa e ditur qëllimin e vërtetë të saj. Nëse ndodh kjo, sipas Stiven Kovit, një shkrimtari me emër, rrezikojmë të futemi në vorbullën e një jete të tejmbushur. Ai shkroi për njerëz të cilët «arrijnë fitore boshe, suksese që i paguajnë me gjëra që e kuptojnë papritmas se ishin shumë më të çmuara për ta».

A nuk jeni dakord se s’ka kuptim të shtosh shpejtësinë gjatë udhëtimit nëse nuk po shkon në drejtimin e duhur? Po kështu, po ta kërkosh qëllimin e jetës thjesht duke e tejmbushur me aktivitete, do të ndiesh veç zbrazëti dhe nuk do të gjesh kuptim e kënaqësi të vërtetë.

Dëshira për të kuptuar pse ekzistojmë i kapërcen kufijtë e kulturës e të moshës. Ajo buron nga një nevojë e thellë që kemi të gjithë, nga një dëshirë e brendshme që mbetet e paplotësuar, edhe nëse plotësohen nevojat fizike. Shqyrtoni si janë përpjekur disa ta plotësojnë këtë nevojë shpirtërore teksa kërkojnë qëllimin e jetës.

[Diçitura në faqen 4]

Po ta kërkosh qëllimin e jetës thjesht duke e tejmbushur me aktivitete, do të ndiesh veç zbrazëti dhe nuk do të gjesh kuptim e kënaqësi të vërtetë

[Figura në faqen 3]

Jobi pyeti pse kishte ardhur në jetë

[Figura në faqen 4]

Elija kishte «ndjenja si tonat»