Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Uji që jep jetë

Uji që jep jetë

Uji që jep jetë

Jezui kish udhëtuar nëpër Samari, në veri të Jerusalemit. Ishte i lodhur dhe i etur. Ulur pranë një pusi, i kërkoi një gruaje samaritane të nxirrte ujë për të. Ajo shtangu që po i kërkonte ujë një jude, pasi në shekullin e parë judenjtë dhe samaritanët nuk para e duronin njëri-tjetrin.

E çuditur, gruaja e pyeti Jezuin: «Si vallë ti, edhe pse je jude, më kërkon ujë mua, që jam një samaritane?»

Jezui iu përgjigj: «Po ta kishe njohur dhuratën falas të Perëndisë dhe se kush po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, ti do t’i kishe kërkuar atij, e ai do të të jepte ujë jetëdhënës.»

Më tej Jezui e sqaroi: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë prapë etje, kurse kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës. Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme.»—Gjoni 4:1-15.

Për çfarë e kishte fjalën Jezui?

BIBLA e quan Krijuesin, Perëndinë Jehova, «burimin e ujit jetëdhënës». (Jeremia 2:13) Jeta është dhuratë nga Perëndia dhe mbetemi gjallë vetëm nëse nxjerrim dobi nga uji që siguron ai, si nga ana fizike, edhe nga ana shpirtërore.

Kurrë më parë njerëzit nuk kanë qenë kaq të etur për udhëheqje shpirtërore. Mund të thuhet se planetin tonë e ka pllakosur thatësira shpirtërore. Njerëzit janë të etur për përgjigjet e pyetjeve të tilla, si: ku ndodhen të vdekurit? A ka shpresë të bashkohemi sërish me ta? Pse i lejon Perëndia vuajtjet? A do të shpëtojmë nga luftërat, krimet, zia e bukës dhe sëmundjet? Dëshmitarët e Jehovait besojnë se përgjigjet e kënaqshme për këto pyetje gjenden në ‘ujërat’ freskuese të Fjalës së Perëndisë, në Bibël.

Kur bisedoi me gruan samaritane te pusi, siç u përshkrua më sipër, Jezui foli për ujërat jetëdhënëse të së vërtetës që rrjedhin nga Fjala e Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë të merrni ujërat e pastra të së vërtetës. Kjo ftesë bëhet në librin e fundit të Biblës: «Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.»—Zbulesa 22:17.

Për të mësuar më shumë se si do t’i sjellë dobi njerëzimit Mbretëria e Perëndisë, kontaktoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose shkruani në një nga adresat e faqes 5 të kësaj reviste. Gjithashtu, mund të vizitoni në Internet sitin www.watchtower.org.

[Kutia në faqet 8, 9]

A UA KA SHUAR ETJEN NJERËZVE FEJA?

Ujërat freskuese të së vërtetës nuk i gjen dot thjesht duke shkuar në kishë ose duke pohuar se je besimtar. Në realitet, shumë nga fetë kryesore jo vetëm që nuk i kanë zgjidhur problemet e njerëzimit, por i kanë rënduar. Të marrim vetëm një shembull: në kohë luftërash katolikët kanë vrarë katolikë, protestantët kanë vrarë protestantë, e të dyja palët i luteshin Perëndisë për fitore.

Kësaj i shtohen raportet e panumërta të skandaleve në kisha, të cilat flasin për klerikë që përvetësojnë fondet ose që abuzojnë seksualisht me të miturit. Vërtet, ujërat që shumë fe u japin njerëzve, janë të ndotura. (Zbulesa 17:4-6; 18:1-5) Situata është siç e përshkruan Bibla te Titit 1:16: «Ata shpallin publikisht se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre.» Në përgjithësi, feja nuk ua ka shuar etjen njerëzve në këtë kohë thatësire shpirtërore.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Botimi me 224 faqe Çfarë mëson vërtet Bibla? shtjellon në 19 kapitujt e tij përgjigjet e Biblës për pyetje të tilla thelbësore:

«Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?»

«Ku janë të vdekurit?»

«A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?»

«Pse i lejon Perëndia vuajtjet?»

[Figura në faqen 9]

‘Ujërat e së vërtetës’ mund t’i gjeni në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait