Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për fëmijët me çrregullime në të mësuar

Ndihmë për fëmijët me çrregullime në të mësuar

Ndihmë për fëmijët me çrregullime në të mësuar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

Stiveni ka vështirësi në të lexuar. Sa herë që e di se do të lexojë para klasës, i dhemb stomaku.

Marisë mezi i lexohet shkrimi, ndonëse mësuesja e inkurajon ta përmirësojë. I duhen orë të tëra për detyrat.

Noeja i lexon kushedi sa herë mësimet. Prapëseprapë, harron dhe ka nota të dobëta.

STIVENI, Maria dhe Noeja vuajnë nga çrregullimet në të mësuar, ndër të cilat më të zakonshmet janë çrregullimet në të lexuar. Për shembull, ata që vuajnë nga disleksia shpesh i ngatërrojnë shkronjat që ngjajnë. Çrregullime të tjera në të mësuar janë disgrafia (çrregullim që ndikon te shkrimi) dhe diskalkulia (vështirësi me matematikën). Megjithatë, shumica e atyre që kanë këto probleme kanë një inteligjencë mesatare ose mbi mesataren.

Ndër simptomat e çrregullimeve në të mësuar janë: i foluri i vonuar, vështirësi për të bërë rimë, shqiptimi i gabuar, i foluri fëminor, vështirësi për të mësuar shkronjat dhe numrat, ngatërrimi me fjalët që tingëllojnë njësoj dhe vështirësi për të ndjekur udhëzimet. *

Si ta ndihmosh fëmijën?

Ç’të bësh nëse fëmija duket se vuan nga çrregullimi në të mësuar? Së pari bëji një vizitë për veshët dhe sytë që të përjashtosh këto shkaqe. Pastaj merr mendimin e mjekut. * Po qe se fëmija ka çrregullim në të mësuar, ka nevojë për mbështetjen tënde emocionale. Mos harro se çrregullimi në të mësuar nuk e prek inteligjencën e fëmijës.

Shfrytëzo çdo program të veçantë që mund të ketë shkolla, siç është puna individuale me nxënësin jashtë mësimit. Kërko edhe bashkëpunimin e mësueses. Fëmijën mund ta ulin në bankat e para dhe t’i lënë më shumë kohë për detyrat. Mësuesja mund t’i japë udhëzime me shkrim e me gojë dhe ta lërë t’i japë provimet me gojë. Meqë fëmija me vështirësi në të mësuar shpesh harron dhe është i paorganizuar, mund të mbajë edhe një palë libra shtesë në shtëpi. Ai mund të përdorë në klasë ose në shtëpi një kompjuter me program për të kontrolluar drejtshkrimin.

Lexoni nga pak bashkë çdo ditë. Është mirë që fëmija disleksik të lexojë me zë, kështu që ti si prind mund ta këshillosh dhe ta korrigjosh. Në fillim lexo ti me zë dhe fëmija të të ndjekë. Pastaj lexojeni me zë atë pjesë së bashku. Më tej lëre ta lexojë vetë. Jepi një vizore që ta vërë në çdo rresht kur lexon dhe të shënojë me evidentues fjalët e vështira. Ky ushtrim mund të zgjatë vetëm 15 minuta çdo ditë.

Aftësitë në matematikë mund t’i mësohen në praktikë, si për shembull, kur maten masat e recetave të gatimit, kur përdoret një vizore në zdrukthëtari ose kur bëni pazar. Fletat me kutia dhe skicat mund ta ndihmojnë në problemet matematikore. Për vështirësitë në të shkruar, përdorni fleta me viza të gjera dhe lapsa të trashë. Germat magnetike që ngjiten në sipërfaqe metalike mund ta ndihmojnë fëmijën të bëjë germëzimin e fjalëve.

Ka metoda të efektshme edhe për çrregullimin e përqendrimit dhe të hiperaktivitetit. Para se të flasësh me fëmijën që ka probleme me përqendrimin, shihe në sy. Siguroji një vend të qetë për të bërë detyrat dhe lëre të bëjë shpesh pushime të shkurtra. Shfrytëzoje hiperaktivitetin e tij duke i dhënë punë shtëpie që kërkojnë lëvizje, si të nxjerrë shëtitje qenin.

Mund t’ia dalë mbanë

Puno me pikat e forta të fëmijës, duke e nxitur të zhvillojë çdo aftësi dhe dhunti që mund të ketë. Lavdëroje dhe shpërbleje për çdo arritje, sado e vogël qoftë. Punët e mëdha ndaji në më të vogla e më të lehta, kështu do të provojë ç’kënaqësi është kur ia del mbanë. Tregoji me vizatime ose me skicë hapat që duhet të bëjë për të kryer një punë.

Në fund të fundit, për fëmijën është e rëndësishme të arrijë të lexojë, të shkruajë dhe të ketë aftësitë bazë në matematikë. Ji i sigurt se me motivimin dhe ndihmën e duhur, është e mundur që fëmija yt të mësojë—thjesht mund të mësojë ndryshe nga të tjerët dhe t’i duhet më shumë kohë.

[Shënimet]

^ par. 7 Çrregullimet në të mësuar shpesh shoqërohen me një çrregullim që karakterizohet nga hiperaktiviteti, sjellja impulsive dhe paaftësia për t’u përqendruar. Shih Zgjohuni! të 22 shkurtit 1997, faqet 5-10, anglisht.

^ par. 9 Mundësia për t’u diagnostikuar me disleksi dhe hiperaktivitet është tri herë më e madhe te djemtë se te vajzat.

[Kutia në faqen 11]

ÇRREGULLIMI NË TË MËSUAR I SJELL DOBI

«Kur shihja fjalë të shkruara, më dukeshin thjesht një lëmsh rreshtash të shtrembër. Për mua ishin gjuhë e huaj. Fjalët s’kishin pikë kuptimi po të mos m’i lexonte dikush. Mësuesit mendonin se isha dembel e nuk kisha respekt ose që nuk përpiqesha e nuk e dëgjoja mësimin. Kjo s’ishte aspak e vërtetë. Unë dëgjoja dhe bëja të pamundurën, por nuk e kapja dot konceptin e të lexuarit dhe të të shkruarit. Lëndë të tjera, si matematika, nuk më dukeshin të vështira. Kur isha fëmijë, merresha më tepër me sport, punë artizanale, art, pra me çdo gjë që kërkonte të vije në punë duart, mjaft që të mos kishte lidhje me leximin e të shkruarit.

Më vonë vendosa të bëja punë krahu, kështu që u bëra zanatçi. Kjo më dha privilegjin të punoja në pesë projekte ndërkombëtare ndërtimi të Dëshmitarëve të Jehovait. Meqë më duhet më shumë punë për të lexuar, zakonisht mbaj mend një pjesë të mirë të atyre që lexoj. Kjo më ndihmon shumë si student i Biblës, sidomos për shërbimin e krishterë. Pra, nuk e shoh kufizimin tim si dobësi, por si diçka që më sjell dobi.»​—Piteri, disleksik, Dëshmitar i Jehovait që shërben në kohë të plotë.

[Figura në faqen 10]

Fëmijët mund të jenë mjaft të zotë «të marrin shënime» me figura tek dëgjojnë me vëmendje