Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Planeti i jetës

Planeti i jetës

Planeti i jetës

PLANETI Tokë strehon një numër marramendës dhe një larmi të pafund gjallesash, mbase miliona e miliona lloje. Pjesa më e madhe e tyre, që gëlojnë në dhé, në ajër e në ujë, janë aq të vogla sa nuk shihen dot me sy të lirë. Për shembull, është zbuluar se vetëm në 1 gram dhé ka 4.000 deri në 10.000 lloje bakteresh, pa përmendur numrin e përgjithshëm të mikrogjallesave. Madje disa lloje janë gjetur tre kilometra nën tokë.

Edhe atmosfera vlon nga jeta, dhe këtu nuk përfshihen vetëm shpendët e insektet. Në varësi të stinës, ajri mbushet me pjalm, spore të tjera, fara dhe, në disa zona, me mijëra lloje mikrogjallesash. «Kjo bën që shumëllojshmëria e mikroorganizmave në ajër të barazohet me atë në dhé»,—thotë revista Scientific American.

Ndërkohë oqeanet në përgjithësi mbeten mister, sepse për të studiuar thellësitë e ujërave shpesh shkencëtarëve u duhet të përdorin teknologji të kushtueshme. Madje edhe shkëmbinjtë koralorë, që pak a shumë janë të arritshëm dhe janë studiuar mirë, mund të strehojnë me miliona lloje ende të panjohura.

Sidoqoftë, ajo që dimë, është se planeti Tokë mban kaq shumë gjallesa, saqë ato ndryshojnë veçoritë kimike të planetit, sidomos biosferën e tij—ajo pjesë e tokës ku ka jetë. Për shembull, sipas një raporti nga Administrata Oqeanike dhe Atmosferike Kombëtare e SHBA-së, në oqeane karbonati i kalciumit në guaska e korale ndihmon të ekuilibrohet përbërja kimike e ujit «gati njëlloj siç vepron në stomak një kundëracid». Bimët dhe fitoplanktoni—alga njëqelizore që gjenden afër sipërfaqes së liqeneve e oqeaneve—shërbejnë si rregullatorë të sasisë së dyoksidit të karbonit dhe të oksigjenit në ujë e ajër. Në dhé, bakteret e kërpudhat shërbejnë si dekompozuese dhe sigurojnë lëndë ushqyese inorganike për bimët. Po, me të drejtë Toka është quajtur planeti i jetës.

Gjithsesi, jeta në tokë nuk do të ekzistonte po të mos ishin një sërë elementesh tepër të sinkronizuara, disa prej të cilave janë kuptuar plotësisht vetëm në shekullin e 20-të. Ndër to janë:

1. Vendndodhja e Tokës në galaktikën Udha e Qumështit dhe në sistemin diellor, si edhe orbita e planetit, pjerrësia e boshtit, shpejtësia e rrotullimit dhe Hëna.

2. Fusha magnetike dhe atmosfera që shërbejnë si mburojë e dyfishtë.

3. Bollëku i ujit.

4. Ciklet natyrore që furnizojnë dhe pastrojnë biosferën.

Teksa shqyrtoni këto çështje në artikujt vijues, pyetni veten: «A janë veçoritë e Tokës fryt i rastësisë së verbër apo i një projekti inteligjent? Nëse qëndron e dyta, për ç’qëllim e bëri Krijuesi Tokën?» Artikulli mbyllës i kësaj serie do t’i japë përgjigje pyetjes së fundit.

[Kutia në faqen 3]

«NUK MUND TË LEJOJMË . . . NË DERË NJË KËMBË HYJNORE»

Pavarësisht nga provat që tregojnë se bota rreth nesh duket e projektuar kaq mirë sa s’mund të jetë fryt i një rastësie pa inteligjencë, shumë shkencëtarë nuk duan ta pranojnë ekzistencën e Krijuesit. Evolucionisti Riçard Ç. Leuontin thotë se kjo nuk ndodh ngaqë ateistët i detyron shkenca «të pranojnë një shpjegim materialist» të botës. Por, sipas tij, ata ‘kanë një detyrim kryesor: t’i qëndrojnë besnikë materializmit’ dhe janë të vendosur të krijojnë «një grup konceptesh që japin shpjegime materialiste». Duke folur për shkencëtarët në përgjithësi, ai shton: «Materializmi është [shpjegimi] absolut, sepse nuk mund të lejojmë që të na shkelë në derë një këmbë hyjnore.»

A është i mençur ky dogmatizëm, sidomos kur ka një mal me dëshmi që flasin hapur se ekziston një Krijues? Çfarë mendoni?—Romakëve 1:20.