Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mburojat dinamike të Tokës

Mburojat dinamike të Tokës

Mburojat dinamike të Tokës

HAPËSIRA është një vend i rrezikshëm plot me rrezatim vdekjeprurës dhe meteoritë. Megjithatë, planeti ynë i kaltër duket se del thuajse i paprekur teksa fluturon përmes këtij «poligoni qitjeje» në galaktikë. Pse? Sepse Toka mbrohet nga një armaturë mahnitëse: fusha magnetike e fuqishme dhe atmosfera e bërë enkas për të.

Fusha magnetike e Tokës buron nga thellësia e planetit dhe shtrihet tutje në hapësirë, ku krijon një mburojë të padukshme të quajtur magnetosferë (djathtas). Kjo mburojë na mbron që rrezatimi kozmik të mos arrijë te ne me gjithë fuqinë e tij, si edhe nga rreziqet diellore. Ndër këto rreziqe janë: era diellore, që është një vërshim i vazhdueshëm grimcash me ngarkesë elektrike; shpërthimet diellore, që lëshojnë në minutë aq energji sa miliarda bomba hidrogjeni; dhe flakja e lëndës nga kurora diellore, gjatë së cilës në kozmos hidhen miliarda tonë lëndë nga kurora e diellit. Shpërthimet diellore dhe flakja e lëndës nga kurora shkaktojnë agimet polare (poshtë djathtas), një spektakël dritash shumëngjyrëshe që shihet lart në atmosferë afër poleve magnetike të Tokës.

Atmosfera e Tokës krijon një mbrojtje tjetër. Një nga shtresat e jashtme të atmosferës, stratosfera, përmban një formë oksigjeni, ozonin, që thith deri në 99 për qind të rrezatimit ultravjollcë (UV). Kështu, shtresa e ozonit mbron nga rrezet e rrezikshme mjaft gjallesa, përfshirë njerëzit dhe planktonin. Është interesante që sasia e ozonit në stratosferë ndryshon, pasi varet direkt nga sa i fortë është rrezatimi UV. Ja pse shtresa e ozonit është mburojë dinamike e efektshme.

Atmosfera na mbron edhe nga breshëria e përditshme e miliona meteoritëve, që mund të jenë nga grimca të vogla deri në madhësinë e një pople guri. Fatmirësisht, shumica dërrmuese e tyre digjen në atmosferë dhe bëhen shirita drite plot shkëlqim që quhen meteorë.

Mburojat e Tokës nuk e bllokojnë rrezatimin e domosdoshëm për jetën, siç është nxehtësia dhe drita. Madje atmosfera ndihmon të shpërndahet nxehtësia rreth e rrotull globit dhe natën shërben si batanije që nxehtësia të largohet më ngadalë.

Atmosfera dhe fusha magnetike e Tokës janë dy kryevepra të projektuara që ende nuk janë kuptuar plotësisht. Po kaq e mrekullueshme është edhe një veçori tjetër e Tokës: bollëku i ujit.