Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lëngu i jetës

Lëngu i jetës

Lëngu i jetës

UJI është një mister. Ai është edhe i thjeshtë, edhe i ndërlikuar. Çdo molekulë përmban vetëm tri atome: dy hidrogjeni dhe një oksigjeni. Prapëseprapë, shkencëtarët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht si funksionojnë molekulat e ujit. Gjithsesi, të gjithë e dimë se uji është i domosdoshëm për jetën dhe zë rreth 80 për qind të masës së të gjitha gjallesave. Shqyrtoni vetëm pesë veçori të kësaj lënde të jashtëzakonshme.

1. Uji mund të ruajë shumë nxehtësi, pa qenë nevoja që temperatura të rritet ndjeshëm. Kështu ndihmon në zbutjen e klimës.

2. Uji bymehet kur ngrin, dhe kjo bën që akulli të pluskojë në sipërfaqe e të krijojë një shtresë izoluese. Nëse uji do të ishte si lëndët e tjera, pra do ta rriste dendësinë gjatë ngrirjes, atëherë liqenet, lumenjtë dhe detet do të ngurtësoheshin nga poshtë lart, duke varrosur çdo gjë në akull.

3. Uji është mjaft i tejdukshëm dhe u jep mundësi organizmave që varen nga drita të mbijetojnë edhe në thellësi të mëdha.

4. Molekulat e ujit krijojnë tension sipërfaqësor dhe formojnë një «lëkurë» elastike. Ky tension u jep mundësi insekteve të lëvizin lirshëm mbi pellgje, bën që uji të krijojë pikla dhe ndihmon në efektin e kapilaritetit, falë të cilit uji ngjitet deri te pemët më të larta.

5. Uji është tretësi më i mirë gjer më sot. Ai mund të transportojë në formë tretësire oksigjenin, dyoksidin e karbonit, kripërat, lëndët minerale dhe shumë substanca të tjera jetësore.

Thelbësor për «kondicionerin» e Tokës

Oqeanet mbulojnë rreth 70 për qind të tokës dhe luajnë rol vendimtar te klima. Oqeanet dhe atmosfera punojnë si një i vetëm, duke shkëmbyer pareshtur nxehtësi, ujë, gaze dhe energji në formën e erës e të dallgëve. Gjithashtu bashkëpunojnë duke e larguar nxehtësinë diellore nga tropikët drejt poleve. Kjo zbut temperaturat globale. Që shumica e organizmave të mbijetojnë, temperaturat duhet të jenë brenda kufijve ku uji ruan gjendjen e lëngët. «Me sa duket, Toka i ka bërë gjërat për së mbari»,—thuhet në librin Toka e rrallë—Pse jeta e ndërlikuar është e pazakontë në univers?

Sigurisht, Toka është pasoja dhe jo shkaku. Por, cili ishte ky shkak: rastësia apo një Krijues i mençur dhe i dashur? Bibla pohon të dytën. (Veprat 14:15-17) Në artikullin vijues do të shohim se si e mbështetin pikëpamjen e Biblës dëshmitë e tjera: ciklet mahnitëse që e mbajnë planetin tonë të pastër e të shëndetshëm.

[Kutia në faqen 7]

BIBLA ËSHTË E SAKTË SHKENCËRISHT

Toka rri pezull në hapësirë. «Ai e shpalos veriun në zbrazëti, tokën e mban varur në asgjë.»​—Jobi 26:7, thënë para vitit 1600 p.e.s.

Toka është e rrumbullakët. «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës.»​—Isaia 40:22, shkruar rreth vitit 732 p.e.s.

Uji qarkullon sipas një cikli. «Gjithë përrenjtë shkojnë në det. . . . Përrenjtë kthehen përsëri në vendin nga i cili dalin.»​—Eklisiastiu 1:7, shkruar para vitit 1000 p.e.s.

Universi drejtohet nga ligjet. «Unë [Jehovai] kam caktuar . . . ligjet e qiellit dhe të tokës.»​—Jeremia 33:25, shkruar para vitit 580 p.e.s.

[Burimet e figurave në faqen 7]

Magnetosfera: NASA/​Steele Hill; agimi polar: koleksion i dr. Herbert Kroehl, NGDC; shkëmbi koralor: Stockbyte/​Getty Images