Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zogjtë përplasen me ndërtesat

Zogjtë përplasen me ndërtesat

Zogjtë përplasen me ndërtesat

NDONËSE ishte ditë, qukapiku fluturoi drejt një grataçele dhe u plandos përtokë. Zogu nuk e pa xhamin. Një kalimtar zemërmirë e gjeti zogun e trullosur dhe u kujdes për të me shpresë që ai ta merrte veten. Dhe ashtu ndodhi. S’kaloi shumë dhe zogu cicëroi, u ngrit, shpupuriti puplat e fluturoi tutje. *

Mjerisht, jo të gjithë zogjtë shpëtojnë paq nga përplasje të tilla. Gati gjysma e atyre që përplasen me shtëpitë, ngordhin. Sipas Shoqatës Audubon, studimet tregojnë se, vetëm në Shtetet e Bashkuara, çdo vit ngordhin më shumë se 100 milionë zogj ngaqë godasin ndërtesa të ndryshme. Disa studiues mendojnë se kjo shifër mund të jetë afro një miliard. Po pse zogjtë përplasen me ndërtesat? A mund të bëhet diçka për ta ulur këtë rrezik?

Vrasësit—Xhamat dhe drita

Xhami nënkupton rrezik për zogjtë. Kur xhamat e dritareve janë të pastra kristal, shpesh zogjtë shohin vetëm atë që është në anën tjetër, që mund të jetë gjelbërim dhe qiell. Si pasojë, zogjtë mosdyshues nganjëherë fluturojnë me sa kanë fuqi drejt xhamit. Gjithashtu mund të shohin lule zbukurimi brenda sallave a shtëpive të mbyllura me xham dhe të mundohen të ulen në to.

Edhe xhamat e veshur pasqyrues mund të jenë problem. Ndonjëherë zogjtë nuk shohin xhamin, por një pasqyrim të ambientit përreth ose qiellit, dhe ja ku e pësojnë sërish. Madje ka ndodhur që zogjtë të ngordhin në xhamat e qendrave të vizitorëve dhe të kullave të vrojtimit që janë në rezervatet e zogjve dhe në rezervate të tjera natyrore. Ornitologu dhe profesori i biologjisë dr. Daniel Klem i Riu mendon se më shumë zogj vriten ngaqë përplasen me dritaret, sesa nga çdo shkak tjetër që lidhet me njerëzit, duke përjashtuar ndoshta vetëm shkatërrimin e habitateve.

Disa zogj rrezikojnë më tepër të bien pre e përplasjeve. Për shembull, shumë zogj shtegtarë këngëtarë fluturojnë natën dhe orientohen nga yjet, të paktën pjesërisht. Si pasojë, mund të ngatërrohen me dritat e forta të ndërtesave të larta. Disa zogj janë çorientuar kaq shumë, sa janë vërtitur kuturu, derisa kanë rënë përdhe të kapitur. Rrezik tjetër janë edhe netët me shi ose plot re. Në këto raste, zogjtë zakonisht fluturojnë më ulët, dhe kjo e shton rrezikun e përplasjes me ndërtesat e larta.

Ndikimi në popullatat e zogjve

Sipas një artikulli, vetëm nga përplasjet me një ndërtesë të lartë në Çikago, Ilinois, SHBA, dihet se kanë ngordhur mesatarisht 1.480 zogj gjatë periudhës së shtegtimit. Kështu, për 14 vjet rresht, nga ajo ndërtesë e vetme ngordhën rreth 20.700 zogj. Sigurisht, numri i përgjithshëm i zogjve të përplasur ishte shumë më i lartë. Për më tepër, këta zogj «nuk janë pëllumba, pulëbardha a pata», por «zogj që u përkasin popullatave të rrezikuara», sipas Majkëll Mesurit, drejtor i Programit për Sensibilizimin ndaj Dritave Fatale, në Toronto, Kanada.

Për shembull, në Australi, në një nga vitet e fundit, nga përplasjet në xham u vranë rreth 30 papagaj të shpejtë, lloj nga i cili kanë mbetur vetëm 2.000 zogj. Në Shtetet e Bashkuara, shumë ekzemplarë muzeumesh të trishtilit të Bahmanit, një lloj ndoshta i zhdukur, u morën nga përplasjet me një far në Florida.

Nga zogjtë që u mbijetojnë përplasjeve me ndërtesat, shumë mbeten të plagosur ose të pafuqishëm. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për zogjtë shtegtarë. Kur plagosen dhe bien në një bllok ndërtesash, mund të ngordhin urie ose të përfundojnë si vakt për kafshët, disa prej të cilave janë bërë mjeshtre për t’i shfrytëzuar këto raste.

Si të pakësohet rreziku?

Që të mos i godasin xhamat, zogjtë duhet t’i shohin e ta kuptojnë që janë objekte të forta. Nisur nga kjo, disa kanë sakrifikuar disi panoramën përtej dritares dhe kanë ngjitur piktura a diçka tjetër që dallohet nga jashtë dritareve të rrezikshme për zogjtë. Sipas dr. Klemit, e rëndësishme nuk është piktura a objekti që vihet, por largësia mes tyre. Studimet e tij tregojnë se ato nuk duhet të jenë më shumë se 5 centimetra larg njëra-tjetrës horizontalisht dhe 10 centimetra vertikalisht.

Ç’mund të bëhet për të ndihmuar shtegtarët e natës? «Përplasjet gjatë natës me ndërtesat . . . mund të parandalohen ndjeshëm, mjafton të shtypet çelësi i dritës»,—thotë studiuesja në fushën ekologjike, Lesli Xh. Evans Ogdeni. Tani në disa qytete, dritave të zbukurimit te grataçelat ua ulin ndriçimin ose i fikin në njëfarë orari të natës, sidomos gjatë stinës së shtegtimit. Në raste të tjera, dritareve të ndërtesave të larta u vihen rrjeta që zogjtë të mos gabohen nga pasqyrimi i qiellit.

Këto masa mund ta ulin jo pak, por 80 për qind numrin e zogjve të ngordhur e të shpëtojnë miliona zogj çdo vit. Gjithsesi, rrënja e problemit mbetet, pasi njerëzve u pëlqejnë dritat dhe xhamat. Prandaj organizata të përkushtuara pas mirëqenies së zogjve, siç është Shoqata Audubon, përpiqen t’i bindin arkitektët dhe ndërtuesit të jenë më të ndërgjegjshëm ndaj nevojave të natyrës.

[Shënimi]

^ par. 2 Mund të jetë e rrezikshme të kujdeseni për zogjtë e plagosur, sepse ata nuk e kuptojnë se po përpiqeni t’i ndihmoni. Veç kësaj, disa zogj mbartin sëmundje që mund t’u ngjiten njerëzve. Pra, nëse dëshironi të ndihmoni një zog të plagosur, vishni doreza dhe pastaj lajini duart. Po të keni merak për rreziqet shëndetësore a se mos ju sulmojë, mos iu afroni zogut. Kur jua lejojnë rrethanat, kërkoni ndihmë profesionale.

[Kutia në faqen 10]

PSE ZHDUKEN ZOGJTË?

Llogaritjet për rastet e zogjve të ngordhur çdo vit nga aktiviteti i njeriut në Shtetet e Bashkuara.

▪ Kullat e telekomunikacionit—40 milionë

▪ Pesticidet—74 milionë

▪ Macet shtëpiake dhe macet endacake—365 milionë

▪ Xhamat e dritareve—100 milionë deri në 1 miliard

▪ Prishja e habitatit—shifra nuk dihet, por ka mundësi të jetë faktori më shkatërrimtar

[Figura në faqen 10]

Çdo vit në Shtetet e Bashkuara ngordhin të paktën 100 milionë zogj ngaqë përplasen me dritaret

[Burimi]

© Reimar Gaertner/​age fotostock