Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e shkruar e ardhmja?

A është e shkruar e ardhmja?

Pikëpamja e Biblës

A është e shkruar e ardhmja?

Shumë njerëz besojnë se një fuqi e mbinatyrshme ka paracaktuar si do t’u shkojë jeta dhe si do ta kenë të ardhmen. Ata mendojnë se, që nga ngjizja e deri në vdekje, të gjithë ne ndjekim një skenar të shkruar në mendjen e Perëndisë. «Në fund të fundit,—thonë ata,—Perëndia është i plotfuqishëm dhe di gjithçka, pra, patjetër duhet të dijë çdo hollësi për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.»

SI MENDONI? A e ka vendosur Perëndia jetën dhe fatin tonë? Me fjalë të tjera, a kemi vërtet vullnet të lirë apo ai është thjesht një iluzion? Çfarë thotë Bibla?

A di gjithçka që më parë Perëndia?

Bibla e bën të qartë se Perëndia mund t’i dijë gjërat që më parë. Tek Isaia 46:10 thuhet se ai e di «përfundimin qysh në fillim». Madje ai ka përdorur disa njerëz si sekretarë për të hedhur me shkrim shumë profeci. (2 Pjetrit 1:21) Për më tepër, këto profeci realizohen gjithnjë, sepse Perëndia ka edhe mençurinë, edhe fuqinë për t’i plotësuar gjer në hollësi. Prandaj, Perëndia jo vetëm që mund t’i dijë gjërat që më parë, por edhe mund të vendosë çfarë do të ndodhë, nëse zgjedh ta bëjë këtë. Por, a e vendos Perëndia fatin e çdo njeriu, madje edhe se sa veta do të shpëtojnë gjithsej? Sipas Biblës, jo.

Bibla mëson se Perëndia tregohet përzgjedhës kur vendos të ardhmen. Për shembull, Perëndia ka parathënë se ‘një shumicë e madhe’ me njerëz të drejtë do të mbijetojnë gjatë shkatërrimit të të ligjve kur të marrë fund sistemi i tanishëm. (Zbulesa 7:9, 14) Sidoqoftë, vini re se Perëndia nuk e ka caktuar numrin e shumicës së madhe. Pse? Ai nuk e paracakton të ardhmen e individëve. Perëndia është si një baba i dashur me një familje të madhe. Ai e di se të paktën disa nga fëmijët do t’i përgjigjen dashurisë së tij, por nuk e cakton që më parë numrin.

Ta krahasojmë mënyrën se si e përdor Perëndia aftësinë për të vendosur si do të rrjedhin ngjarjet me mënyrën si e përdor fuqinë. Meqë është i Plotfuqishmi, Perëndia ka fuqi absolute. (Psalmi 91:1; Isaia 40:26, 28) Por, a e përdor fuqinë pa kontroll? Jo. Për shembull, ai u përmbajt dhe nuk veproi kundër Babilonisë, një armike e Izraelit të lashtë, derisa erdhi koha e duhur. Perëndia tha: «Kam treguar vetëkontroll.» (Isaia 42:14) I njëjti parim vlen edhe për mënyrën si e përdor aftësinë që t’i dijë dhe t’i vendosë gjërat qysh më parë. Jehovai tregon vetëkontroll që të respektojë vullnetin e lirë që na dha.

Kjo nuk e kufizon atë dhe nuk e bën të papërsosur. Përkundrazi, e lartëson madhështinë e tij dhe na e bën më të dashur Perëndinë, pasi tregon si e ushtron sovranitetin. Kur ushtron sovranitetin, ai nuk përdor vetëm fuqinë dhe aftësinë për të ditur gjithçka, por tregon edhe dashuri e respekt për vullnetin e lirë të krijesave të tij inteligjente.

Nga ana tjetër, nëse çdo ngjarje e tmerrshme dhe poshtërsi që ka ndodhur do të ishte shkruar nga Perëndia, a nuk do ta kishte fajin ai për të gjitha vuajtjet dhe mjerimet në botë? Pra, po ta mendojmë mirë, mësimi se fati është i shkruar nuk e nderon Perëndinë, por hedh baltë mbi të. E paraqit Perëndinë si mizor, të padrejtë dhe aspak të dashur—krejt e kundërta e asaj që thotë Bibla për të.—Ligji i përtërirë 32:4.

Zgjedhja të përket ty

Me anë të shërbëtorit të tij Moisi, Perëndia i tha kombit izraelit: «Ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen. . . . Zgjidhni jetën, . . . duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, pasi ai është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh.» (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Sikur Perëndia ta kishte vendosur që më parë të ardhmen e çdo izraeliti—nëse do ta donte Atë dhe do të fitonte jetën apo do ta shpërfillte dhe do të meritonte vdekjen—fjalët e Tij do të kishin qenë të pakuptimta dhe jo të sinqerta. A mendon se Perëndia që «do drejtësinë» dhe që është vetë personifikimi i dashurisë, do të vepronte arbitrarisht?—Psalmi 37:28; 1 Gjonit 4:8.

Ftesa që u bën Perëndia shërbëtorëve të tij për të zgjedhur jetën, vlen edhe më shumë për ne sot, pasi plotësimi i profecive biblike tregon se po i afrohemi me të shpejtë fundit të këtij sistemi. (Mateu 24:3-9; 2 Timoteut 3:1-5) Si e zgjedhim jetën? Në thelb, e zgjedhim duke vepruar njësoj si izraelitët e lashtë.

Si ‘ta zgjedhësh jetën’?

E zgjedhim jetën «duke dashur Jehovain», «duke dëgjuar zërin e tij» dhe «duke qëndruar të lidhur ngushtë me të». Sigurisht, këto mund t’i bëjmë vetëm nëse njohim çfarë personi është Perëndia dhe kuptojmë çfarë kërkon prej nesh. Në një lutje drejtuar Perëndisë, Jezu Krishti tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.

Këtë njohuri të vyer e gjejmë në faqet e Biblës së Shenjtë, që me të drejtë quhet Fjala e Perëndisë. (Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:16) Kjo dhuratë nga Perëndia është një dëshmi e qartë se ai nuk e ka paracaktuar të ardhmen tonë, por dëshiron të marrim vendime në bazë të njohurisë që na ka siguruar.—Isaia 48:17, 18.

Nëpërmjet Biblës, Perëndia sikur po na thotë: «Ja qëllimi im për njerëzit dhe tokën dhe ja çfarë duhet të bëni që të fitoni jetën e përhershme. Tani varet se çfarë do të vendosni ju: do të më dëgjoni apo nuk do të ma vini veshin.» Ç’ekuilibër të përsosur mban Perëndia mes aftësisë së tij për t’i vendosur gjërat që më parë dhe respektit për vullnetin tonë të lirë! A do të zgjedhësh jetën ‘duke dëgjuar zërin e [Perëndisë] e duke qëndruar i lidhur ngushtë me të’?

A DONI TË DINI?

▪ Deri në ç’masë e përdor Perëndia aftësinë për t’i ditur gjërat që më parë?​—Ligji i përtërirë 30:19, 20; Isaia 46:10.

▪ Pse Perëndia nuk ka paracaktuar gjithçka, përfshirë edhe gjërat e këqija që u ndodhin njerëzve?​—Ligji i përtërirë 32:4.

▪ Çfarë do ta vendosë të ardhmen tonë?​—Gjoni 17:3.

[Diçitura në faqen 13]

Bibla mëson se Perëndia tregohet përzgjedhës kur vendos të ardhmen