Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Disleksia nuk më sprapsi

Disleksia nuk më sprapsi

Disleksia nuk më sprapsi

Treguar nga Mikal Henborgu

Vuaj nga disleksia, një çrregullim në të mësuar. Ky çrregullim, që e kanë edhe babai, mamaja dhe tre vëllezërit më të vegjël, ma ka bërë të vështirë të lexoj në gjuhën amtare, danishten, dhe vitet e shkollës ishin një betejë e vërtetë. Gjithsesi, të tjerët më kanë dhënë shumë ndihmë e inkurajim, sidomos familja.

NË FAMILJEN time jemi Dëshmitarë të Jehovait nga katër breza dhe leximi ka qenë gjithnjë pjesë e rëndësishme e jetës sonë, veçanërisht leximi i Biblës dhe i botimeve biblike. Veç kësaj, bashkë me vëllanë e vogël, Flemingun, e shoqëronim përherë babanë në shërbimin e krishterë. Kjo na nguliti sa rëndësi ka të lexosh e të shkruash mirë.

Në vogëli lexoja çdo numër të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Leximi i një reviste të vetme më hante deri në 15 orë. Gjithashtu nisa të lexoj të gjithë Biblën. U futa edhe në Shkollën e Shërbimit Teokratik që mbahet në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. Në këtë shkollë studentët stërviten të lexojnë e të flasin mirë, si dhe të mbajnë fjalime para një auditori. Të gjitha këto më kanë ndihmuar sa s’thuhet në betejën me disleksinë. Por as që më shkonte ndër mend se më pritnin edhe shumë vështirësi të tjera. Ja si rrodhën gjërat.

Mësoj anglishten

Në vitin 1988, kur isha 24 vjeç, fillova shërbimin e pionierit, siç quhen ata që shumicën e kohës predikojnë lajmin e mirë. Në Danimarkë ka shumë imigrantë, prandaj doja t’u flitja edhe atyre për të vërtetat e Biblës. Mirëpo duhej të mësoja anglishten, dhe kjo më dukej mjaft e vështirë. Sidoqoftë, me këmbëngulje dhe mësime private, dalëngadalë bëra përpara dhe arrita t’ua jepja lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë të huajve anglishtfolës në qytetin tim, Kopenhagë. Domosdo bëja shumë gabime, por kjo nuk më ndali.

Tani që dija ca anglisht mund të shërbeja edhe si vullnetar në projektet e ndërtimit të Dëshmitarëve të Jehovait në vende të tjera. Në fillim më dërguan në Greqi dhe më pas ndihmova për ndërtimin e degës së Madridit, Spanjë.

Meqë doja të merrja pjesë më shumë në veprën e predikimit, bëra kërkesë për t’u regjistruar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim që mbahet nga Dëshmitarët e Jehovait. Në këtë shkollë u jepet stërvitje speciale për tetë javë burrave të krishterë beqarë që janë të gatshëm të shkojnë në vendet ku ka më shumë nevojë të shpallet lajmi i mirë. (Marku 13:10) Më ftuan të ndiqja një klasë që do të bëhej në Suedi, në anglisht.

Shkolla do të fillonte më 1 shtator 1994. Doja të isha i përgatitur, prandaj, për tetë muaj, studiova anglishten për orë të tëra çdo ditë dhe shkova në një kongregacion të gjuhës angleze. Kur filloi shkolla, nuk lejova që problemi im shëndetësor të bëhej pengesë. Për shembull, kur instruktorët bënin pyetje, e ngrija shpesh dorën, edhe pse nganjëherë nuk dija si ta thosha saktë përgjigjen. Pas diplomimit më caktuan të shërbeja si pionier në Kopenhagë. Mësimi i anglishtes ishte punë e vështirë, por përpara më priste një tjetër edhe më e vështirë.

Mësoj gjuhën tamile

Në dhjetor 1995 më caktuan në një kongregacion të gjuhës tamile në qytetin e Herningut, Danimarkë. Gjuha tamile më dukej një nga gjuhët më të vështira në botë. Ajo ka 31 shkronja, si dhe kombinime bashkëtingëlloresh e zanoresh që krijojnë shkronja të përbëra. Gjithsej bëhen rreth 250 germa.

Në fillim fjalimet para kongregacionit i mbaja në danisht dhe përktheheshin në gjuhën tamile. Më në fund, kur bëra fjalim në tamile, dyshova në më mori vesh njeri. Prapëseprapë auditori dëgjoi me respekt, edhe pse shumë vetave sikur u vinte për të qeshur. Ndaj që të mësoja më shpejt, vendosa të shkoja në një vend ku gjuhën tamile e flasin miliona veta, në Sri-Lankë.

Kur shkova në Sri-Lankë në tetor të vitit 1996, atje kishte plasur lufta civile. Njëfarë kohe jetova në qytetin e Vavunijas, në kufirin mes dy palëve luftuese. Dëshmitarët vendës kishin pak nga ana materiale, por dashuria dhe mikpritja e tyre ishin të pakufishme e bënin çmos që unë të mësoja gjuhën tamile. Njerëzve u bënte përshtypje që unë, i vetmi i huaj nga Perëndimi në atë zonë, përpiqesha të bisedoja në gjuhën e tyre. Çmueshmëria dhe përulësia e atyre njerëzve ma bënte më të lehtë t’u flitja për Biblën.

Në janar të 1997-s më duhej të kthehesha në Danimarkë dhe vitin tjetër u martova me Kamilën, një pioniere. Por Sri-Lanka sikur më ftonte të kthehesha, prandaj në dhjetor të vitit 1999 shkova prapë, kësaj radhe natyrisht me time shoqe. S’kaloi shumë dhe po drejtonim studime biblike me mjaft familje e individë, si dhe shoqëronim Dëshmitarët vendës në studimet e tyre. Ishim të zhytur në shërbim e në mësimin e gjuhës.

Në mars të vitit 2000 na u desh të ktheheshim në Danimarkë. Ndarja me Dëshmitarët e tjerë dhe me studentët e Biblës ishte shumë e vështirë, pasi ishim lidhur ngushtë me ta e i donim. Por na prisnin goxha punë, ndër të tjera edhe sfida që të mësonim një gjuhë tjetër.

Nga gjuha tamile në gjuhën letone

Në maj 2002, mua dhe Kamilën, që tani kishim katër vjet martesë, na ftuan të shërbenim si misionarë në Letoni, një vend evropian në lindje të Danimarkës. Kamila e mësoi shpejt gjuhën dhe iu deshën vetëm gjashtë javë që të arrinte të komunikonte. Kurse unë nuk eca aq shpejt. Madje edhe sot e kësaj dite më duket që kam bërë pak përparim, me gjithë ndihmën që kam pasur. Sidoqoftë jam i vendosur të mos heq dorë. *

Kamila vazhdon të jetë një mbështetje e madhe e që të dy po e shijojmë shërbimin si misionarë. Kemi studiuar Biblën me shumë njerëz mirënjohës. Sa herë harroj fjalët a ngatërrohem në gramatikë, Dëshmitarët vendës dhe studentët e Biblës mundohen me durim të më kuptojnë e të më ndihmojnë. Kjo ma shton sigurinë kur jam në shërbim dhe kur mbaj fjalime në mbledhjet tona.

Pse kam pranuar t’i futem punës së vështirë për të mësuar gjuhë të tjera, përderisa kjo është një betejë për mua? Përgjigjja me një fjalë është dashuria—jo për gjuhët, por për njerëzit. Është privilegj i mrekullueshëm ta ndihmosh dikë të njohë Perëndinë e vërtetë, Jehovain, dhe t’i afrohet atij. Siç e kanë parë mjaft misionarë, kjo arrihet shumë më mirë kur u flet njerëzve në gjuhën amtare, në gjuhën e zemrës.

Në rrjedhën e viteve, bashkë me time shoqe kemi ndihmuar mjaft njerëz që të marrin njohuri të saktë për të vërtetën biblike. Megjithatë merita nuk na takon ne, por falënderojmë Jehovain për frytet e mira që kemi parë. Në fund të fundit, ne vetëm sa i mbjellim e i ujitim farërat e së vërtetës biblike; ai që i rrit është Perëndia.—1 Korintasve 3:6.

Pengesë dhe ndihmë

Vërtet disleksia ka qenë pengesë për mua, por më ka sjellë edhe dobi. Në ç’kuptim? Kur bëj fjalime në kongregacion, nuk jam dhe aq i varur nga shënimet, kështu që e shikoj më shpesh auditorin. Gjithashtu përdor shumë ilustrime që mbahen mend kollaj. Pra në disa drejtime, problemi im më ka ndihmuar të zhvilloj artin e mësimdhënies.

Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, që të turpëronte gjërat e forta.» (1 Korintasve 1:27) Sigurisht, çrregullimi që kam më ka bërë një ‘gjë të dobët’ në disa drejtime. Gjithsesi, unë dhe shumë të tjerë, kemi parë se Jehovai mund t’i plotësojë më së miri mangësitë tona. Nga ana jonë mjafton të vëmë synime të arsyeshme, të mos presim tepër nga vetja, të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë dhe të përpiqemi.

[Shënimi]

^ par. 18 Pasi shërbyen në Letoni për gjashtë vjet, kohët e fundit çifti Henborg u caktua në Ganë.

[Kutia në faqen 22]

TË DHËNA PËR DISLEKSINË

Çfarë është disleksia? Fjala disleksi vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin «i folur i mangët». Është një problem që zgjat gjithë jetën. Termi disleksi përdoret për një grup çrregullimesh që lidhen me gjuhën në tërësi, sidomos me të lexuarit. Zakonisht disleksikët e kanë të vështirë të kuptojnë lidhjen mes shkronjave dhe tingujve përkatës. Megjithatë simptomat mund të ndryshojnë nga njëri te tjetri.

Nga se shkaktohet? Nuk është e qartë se cilat janë tamam shkaqet, edhe pse trashëgimia ndikon. Ndonëse studimet flasin për një zhvillim dhe funksionim jonormal të trurit, disleksia nuk ka të bëje me inteligjencën në përgjithësi ose me mungesën e dëshirës për të mësuar. Ç’është e vërteta, ata që vuajnë nga disleksia shpesh janë të zotë në fusha të tjera ku nuk kërkohen shumë aftësi gjuhësore.

Si trajtohet? Është e rëndësishme që çrregullimi të diktohet herët. Për të zhvilluar mirë aftësitë gjuhësore duhen disa shqisa, sidomos dëgjimi, shikimi dhe prekja. Shumë nxënës me këtë problem kanë nevojë për ndihmë individuale që të përparojnë me ritmin e vet. Po ashtu mund t’u duhet ndihmë për të përballuar problemet emocionale që vijnë nga vështirësitë në shkollë. Falë punës individuale me nxënësit disleksikë dhe përpjekjeve të palodhura, ata mund të mësojnë të lexojnë e të shkruajnë mirë. *

[Shënimi]

^ par. 31 Kjo pjesë bazohet në informacionet e Shoqatës Ndërkombëtare të Disleksisë. Shih edhe artikullin «Ndihmë për fëmijët me çrregullime në të mësuar» në numrin e janarit 2009 të kësaj reviste.

[Figura në faqen 23]

Me një Dëshmitar tjetër në Sri-Lankë

[Figura në faqen 23]

Me Kamilën në Letoni