Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bekuar se vumë Perëndinë të parin

Të bekuar se vumë Perëndinë të parin

Të bekuar se vumë Perëndinë të parin

Treguar nga Pjer Voruja

«Bonjour!» Këtë përshëndetje në frëngjisht e kam përdorur gjithë jetën time. Por në nëntor të vitit 1975 më arrestuan për këtë. Po ju tregoj si shkuan gjërat deri aty dhe ç’ka ndodhur që atëherë.

LINDA më 1 janar 1944 në lagjen periferike Malete, të qytetit të Savesë, në Beninin Qendror. * Prindërit më quajtën Abiola, një emër karakteristik në gjuhën jorube. Por në fëmijëri e ndryshova emrin në Pjer, pasi më dukej më modern e më i përhapur.

Banorët e qytetit u vinin fëmijëve nofka. Mua më quajtën Pastori, se, kur linda, ngjaja me klerikun vendës. Mirëpo mua më shumë ma kishte qejfi të luaja futboll, sesa të ndiqja mësime katekizmi.

Më 1959 shkova të jetoja në Sakete, një qytet në jug, për të vazhduar shkollën. Jetoja me kushëririn, Simonin, që ishte mësues dhe kishte pak kohë që studionte Biblën me dy Dëshmitarë të Jehovait. Edhe pse në fillim s’kisha ndonjë interes të rrija me ta gjatë studimit, më vonë i kërkova një kushëriri tjetër, Mishelit, të studionim të dy. Ai pranoi dhe, kur nisëm studimin, dëgjova për herë të parë emrin e Perëndisë Jehova.

Një të diel, Simoni, Misheli dhe unë, vendosëm të mos shkonim në kishë, por të ndiqnim mbledhjen e Dëshmitarëve. Mbetëm të zhgënjyer kur pamë se ishim vetëm pesë veta: dy Dëshmitarët dhe ne tre kushërinjtë. Prapëseprapë e kuptuam se ajo që dëgjuam ishte e vërteta nga Bibla, dhe e vazhduam studimin. I pari që u pagëzua në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë, ishte Misheli. Sot ai shërben si pionier, siç quhen ata Dëshmitarë të Jehovait që kalojnë shumë kohë në predikim.

Simoni u transferua në veri, në qytetin e Kokorosë, dhe unë shkova me të. Në Huansugo do të mbahej një asamble e Dëshmitarëve. Simoni mori taksi, kurse unë bëra 220 kilometra me biçikletë deri atje. Që të dy u pagëzuam në atë asamble më 15 shtator 1961.

Vështirësi në shërbimin si pionier

Për të siguruar jetesën, pikturoja e shisja pikturat, si edhe kultivoja një arë që jepte prodhime të mbara. Kur mbikëqyrësi udhëtues Filip Zanu erdhi në kongregacionin tonë, më pyeti nëse kisha menduar ndonjëherë të shërbeja si pionier, pra të kaloja më shumë kohë në predikim. E bisedova këtë me shokun tim, Emanuel Fatunbin, dhe vendosëm të fillonim bashkë në shkurt të vitit 1966. Më vonë, shërbeva si mbikëqyrës udhëtues duke vizituar kongregacionet ku flitej gjuha fon, gun, jorube dhe frënge.

Pastaj takova Zhyljenën, një bashkëbesimtare shumë të këndshme që, ashtu si unë, donte të bënte një jetë të thjeshtë. Ajo u bë gruaja ime më 12 gusht 1971 dhe kongregacionet vazhdova t’i vizitoja bashkë me të. Djali ynë, Bola, lindi më 18 gusht 1972. Kur udhëtonim nga një kongregacion në tjetrin, unë i jepja biçikletës dhe Zhyljena ulej prapa me Bolën në shpinë. Zakonisht plaçkat na i transportonte ndonjë Dëshmitar vendës me biçikletën e vet. Udhëtuam kështu për katër vjet nga një kongregacion në tjetrin.

Njëherë Zhyljena u sëmur dhe hoqi vuajtje të tmerrshme tërë natën. Në mëngjes dola në rrugë të kërkoja ndihmë. Befas u duk një taksi, diçka e rrallë në atë zonë. Ç’ishte më e çuditshmja, ishte bosh. I shpjegova shoferit si qëndronte puna dhe e pyeta nëse mund të na çonte në Porto-Novo, në kryeqytet, rreth 25 kilometra larg. Pranoi. Kur mbërritëm, buzëqeshi dhe tha: «Këtë e keni nga unë. S’keni për të paguar asgjë.»

Zhyljenës iu desh të rrinte dy javë në shtrat në shtëpinë e një Dëshmitari. Mjeku ishte i gjindshëm dhe vinte përditë. Madje sillte edhe mjekimin e nevojshëm. Kur i bëri vizitën e fundit Zhyljenës, i kërkova gjithë merak faturën. Mbeta i çuditur kur ma ktheu: «S’ka asnjë faturë.»

Ndryshime të mëdha

Më 1975-n, në Dahomei u vendos një qeveri marksiste. Vendi tani u quajt Republika Popullore e Beninit. Ndryshoi edhe jeta e përditshme. Njerëzit ishin të detyruar të përshëndetnin: «Pour la révolution?» (A je gati për revolucion?) Tjetri duhej t’i përgjigjej: «Prêt!» (Gati!) Por, ndërgjegjja jonë e stërvitur nga Bibla nuk na e lejonte të përsëritnim slogane të tilla politike. Kjo ngjalli shumë armiqësi.

Një të diel, nga fundi i vitit 1975, kur po predikoja shtëpi më shtëpi pranë zonës së Sen-Mishelit, më arrestuan. Siç e thashë më lart, i kisha kthyer përshëndetjen «Bonjour!» (Mirëdita!) një burri që më përshëndeti «Pour la revolution?» Më çuan në rajonin e policisë, ku më rrahën. Më vonë, po atë ditë, falë tre Dëshmitarëve vendës u lirova.

Isha i pari Dëshmitar i Jehovait që u arrestua. Shpejt pasuan mjaft arrestime të tjera anembanë vendit. Qeveria sekuestroi Sallat e Mbretërisë dhe misionarët u dëbuan. Zyra e degës u mbyll dhe shumë Dëshmitarëve iu desh të largoheshin nga vendi e të shkonin në perëndim, në Togo, ose në lindje, në Nigeri.

Familja jonë shtohet në Nigeri

Djali i dytë, Kola, na lindi më 25 prill 1976. Pas dy ditësh, dekreti qeveritar nr. 111 ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. U larguam për në Nigeri ku shkuam në një Sallë Mbretërie që ishte dëng me refugjatë. Të nesërmen ne refugjatëve na caktuan në kongregacionet fqinje. Sapo salla zbrazej nga një grup refugjatësh, mbërrinte një grup tjetër. Të sapoardhurit i çonin me kamionë në kongregacione më të largëta.

Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri më kërkoi të takoja të gjithë Dëshmitarët nga Benini. Më vonë më caktuan si mbikëqyrës udhëtues për një grup kongregacionesh të gjuhës jorube në Nigeri e pastaj për kongregacionet e gjuhës gun. Udhëtonim me motoçikletë. Bola ulej para meje, kurse Kola rrinte mes meje dhe Zhyljenës.

Në vitin 1979 kuptuam se prisnim një fëmijë tjetër, vajzën tonë, Xhemimën. Na duhej ta ndërpritnim veprën udhëtuese. Nga Benini erdhi të jetonte me ne motra më e vogël e Zhyljenës, që e thërritnim Pepe. Familja sa vinte e rritej. Na lindën dy djem të tjerë: Kalebi më 1983 dhe Silasi më 1987. Kështu u bëmë tetë veta në familje. Donim të ishim prindër të mirë, por, nëse ishte e mundur, donim të vazhdonim edhe shërbimin si pionierë. Si t’ia bënim? Morëm me qira një arë ku rritnim maniokë, misër dhe taro. Më pas ndërtuam një shtëpi të vogël në fshatin Ilogbo-Erem.

Mëngjeseve, me të përcjellë fëmijët në shkollë, Zhyljena dhe unë dilnim të predikonim. Ktheheshim gjithmonë në kohë në shtëpi që ta hanim drekën tok si familje. Pasi merrnim një sy gjumë, punonim arën. Zhyljena dhe Pepeja i shitnin prodhimet në treg. Të gjithë punonim pa u kursyer. Shyqyr që në ato vite u sëmurëm rrallë.

Shumë bekime, ndonëse pa arsim të lartë

Kurrë nuk i nxitëm fëmijët të ndiqnin arsimin e lartë. E dinim se themeli i një jete të lumtur ishte të vinim në vend të parë veprën e predikimit për Mbretërinë, të zhvillonim cilësitë e krishtere dhe të punonim pa u lodhur. U përpoqëm t’ua rrënjosnim në zemër fëmijëve këto parime. Studiova me ta dhe na u bë zemra mal kur pamë që e rritën dashurinë për Jehovain, ia kushtuan jetën atij për t’i shërbyer dhe u pagëzuan në simbol të këtij kushtimi.

Pepeja ishte më e madhe se fëmijët tanë dhe u largua e para nga shtëpia. Kur erdhi të jetonte me ne, e mësova të lexonte. Ndonëse s’kishte shumë shkollë, ajo u zhyt në studimin e Biblës dhe në aktivitetet e tjera të adhurimit të Perëndisë. Pasi shërbeu njëfarë kohe si pioniere, u martua me një mbikëqyrës udhëtues, Mondei Akinrën, dhe e shoqëronte kur shkonte nëpër kongregacione. Tani kanë një djalë, Timoteun. Pepeja e Mondei vazhdojnë si pionierë dhe ai ka shumë përgjegjësi nëpër asamble.

Bola mori zanatin e kuzhinierit në një punishte të madhe. Njërit prej përgjegjësve i ra në sy shpejt se ai kishte shprehi të mira pune, ishte i besueshëm dhe kishte cilësi të tjera të shkëlqyera. Me kalimin e kohës i caktuan punë me përgjegjësi në punishte. Ç’është më e rëndësishmja, është bashkëshort i mirë për gruan e tij të këndshme, Xhejnin, baba i mirë për tre fëmijët e tij dhe plak i përgjegjshëm në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Lagos, Nigeri.

Kola punoi si ndihmës i një rrobaqepësi dhe mori zanatin, veç kësaj, nisi shërbimin si pionier. Meqë në Nigeri kishte mësuar anglishten, në vitin 1995 e ftuan të shërbente në repartin e përkthimit, në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Benin. Ka 13 vjet që shërben atje.

Shërbejmë sërish në Benin

Sa u kënaqëm kur morëm vesh se në Benin një dekret qeveritar i 23 janarit 1990 e kishte anuluar dekretin e mëparshëm që ndalonte veprën tonë! Shumë refugjatë u kthyen. Gjithashtu në Benin shkuan misionarë të rinj dhe u hap prapë zyra e degës. Familja jonë u kthye në Benin në vitin 1994, kurse Pepeja, Bola me familjet e tyre qëndruan në Nigeri.

Gjeta punë me orar të shkurtuar. Me qiranë e vogël që merrnim nga shtëpia në Nigeri dhe me ndihmën bujare të Bolës, ndërtuam një shtëpi për ne të pestë, pranë zyrës së degës. Xhemima shërbeu mbi gjashtë vjet si pioniere, ndërkohë që i siguronte të ardhurat duke punuar si rrobaqepëse. Pastaj u martua me Koku Ahumenunë dhe tani punojnë në zyrën e degës që e kemi pranë. Kalebi dhe Silasi po mbarojnë shkollën. Me ndihmën e Perëndisë dhe bashkëpunimin e familjes, Zhyljena dhe unë vazhdojmë si pionierë nga më shumë se 40 vjet.

Perëndia e ka bekuar me bujari veprën e predikimit në Benin. Në vitin 1961, kur u pagëzova, në këtë vend kishte 871 Dëshmitarë të Jehovait që predikonin mesazhin për Mbretërinë. Vitin kur më arrestuan numri kishte shkuar në 2.381. Kur u kthyem në Benin, më 1994, numri ishte rritur në 3.858, megjithëse vepra ishte ndaluar për 14 vjet. Sot janë më shumë se dyfishi, pra mbi 9.000 Dëshmitarë të Jehovait dhe në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, në vitin 2008, ishin 35.752 të pranishëm.

Hera-herës shkoj në vendin ku më arrestuan më shumë se 30 vjet më parë dhe mendoj për gjithë sa më ka ndodhur. E falënderoj në mënyrë të veçantë Perëndinë që e ka bekuar familjen time. Nuk na ka munguar asgjë. Sot ende i përshëndes njerëzit me fjalën «Bonjour!»

[Shënimi]

^ par. 4 Asokohe, Benini quhej Dahomei dhe bënte pjesë në Afrikën Perëndimore Franceze.

[Diçitura në faqen 13]

Buzëqeshi dhe tha: «Këtë e keni nga unë. S’keni për të paguar asgjë.»

[Diçitura në faqen 14]

Kurrë nuk i nxitëm fëmijët të ndiqnin arsimin e lartë

[Figura në faqen 15]

Kur shërbeja si mbikëqyrës udhëtues në vitin 1970

[Figura në faqen 15]

Me djemtë e mëdhenj, Bolën dhe Kolën, më 1976

[Figura në faqen 15]

Sot me familjen time: gruaja, pesë fëmijët, tre nipërit dhe familja e Pepesë