Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fortesa e fundit e llojeve në rrezik

Fortesa e fundit e llojeve në rrezik

Fortesa e fundit e llojeve në rrezik

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

SA VIJNË e shtohen rreziqet që kërcënojnë bimët dhe kafshët anembanë botës. Sipas disa shkencëtarëve, mijëra lloje zhduken çdo vit. Fatmirësisht, vargmalet sigurojnë një strehë jetike për bimët dhe kafshët që dikur ishin më të përhapura. Por edhe në këto fortesa, ndotja dhe shkatërrimi i habitatit nga njeriu përbëjnë një rrezik. Mbase ky problem duket më qartë se kudo në Evropë, një nga rajonet më të populluara të planetit.

Në Pirenej, një vargmal që ndan Francën nga Spanja, disa parqe kombëtare sigurojnë strehë për florën dhe faunën vendëse. Në këto vende të mbrojtura, vizitorët kanë rastin të shohin fortesën e fundit të shumë llojeve në rrezik. Le t’u hedhim një vështrim të shpejtë këtyre parqeve.

Lloje në luftë për mbijetesë

Lulet. Disa nga lulet e egra më të bukura rriten në lartësinë mbi 1.500 metra. Sanëza e borës dhe sanëza trumbetë (1) me petalet e tyre blu të ndezur, mbulojnë si qilim shpatet e larta ku nuk rriten as pemët. Më poshtë shpateve, strukur mes aheve, lulëzon ende një lloj orkideje e rrezikuar, bari i Afërditës (2). Qindra të apasionuar pas natyrës vizitojnë këtë zabel çdo vit. Prandaj, rojtarët e pyllit vigjilojnë 14 orë në ditë për t’u siguruar që këto lule të çmuara të mos dëmtohen a të shkulen me rrënjë.

Fluturat. Livadhet e paprekura alpine, plot me lule të egra, janë strehë për fluturat shumëngjyrëshe. Flutura e madhe e Apolonit (3) me njolla të kuqe të ndezur, flatron mes gjembaçëve. Lulet më të vogla kanë vazhdimisht vizita nga fluturat blu dhe nga fluturat ngjyrë bakri (4) të familjes Lycaenidae. Fluturat zonja e pikturuar dhe ato me lara të kuqe e portokalli të familjes Nymphalidae, patrullojnë nxitimthi shpateve të larta.

Kafshët. Shumë nga gjitarët e mëdhenj të Evropës dikur endeshin në territore të mëdha në kontinent. Por gjuetia ka bërë kërdinë, sa disa po shkojnë drejt shfarosjes. Ujqërit, arinjtë, rrëqebujt (5), bizonët, dhitë e egra dhe dhitë e maleve (6) sot gjenden vetëm në disa vargmale ose në veriun e largët. Kafshët madhështore në këto rezervate të Pirenejve, të sjellin të gjallë në kujtesë si ishte panorama e këtyre maleve kur dikur gëlonin nga bimët e kafshët. Disa vizitorë të vëmendshëm shqetësohen për të ardhmen e atyre pak gjallesave që kanë mbetur.

Kemi arsye të forta për të qenë të sigurt se Krijuesi, Jehovai, ai që i ka ‘të tijat majat e maleve’, kujdeset për gjallesat e maleve. (Psalmi 95:4) Në një nga psalmet Perëndia thotë: «Mua më përket çdo kafshë pylli, kafshët e një mijë maleve. Unë e njoh mirë çdo zog mali.» (Psalmi 50:10, 11) Meraku i Jehovait për tokën dhe krijesat e saj s’lë vend për dyshime se ai nuk do të lejojë kurrë që kafshët e maleve të zhduken.

[Figurat në faqen 16, 17]

1 Sanëza trumbetë

2 Orkideja bari i Afërditës

3 Flutura e madhe e Apolonit

4 Flutura ngjyrë bakri

5 Rrëqebujt

6 Dhia e maleve

[Burimi]

La Cuniacha