Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukureshti mozaik epokash

Bukureshti mozaik epokash

Bukureshti mozaik epokash

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUMANI

NË PAMJE TË PARË duket sikur në horizontin e Bukureshtit mbizotëron një ndërtesë e vetme, Pallati i Parlamentit (1), që në kohën e komunizmit njihej si Shtëpia Popullore. Kjo ndërtesë me arkitekturë të thjeshtë, ndër më të mëdhatë në botë, është një nga gjërat që tërheq më shumë turistë.

Në disa aspekte, pallati përfaqëson Bukureshtin modern. Por vendësit kanë opinione të ndryshme për këtë ndërtesë të stërmadhe. Banorët shpresojnë që vizitorët të vlerësojnë edhe pjesën tjetër të qytetit: arkitekturën tërheqëse të së kaluarës.

Kryeqyteti i së djeshmes

Më 1862, Bukureshti u shpall kryeqyteti i Rumanisë. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, qyteti mori zhvillim të shpejtë. Njëra pas tjetrës, përgjatë bulevardeve plot gjelbërim, u ngritën ndërtesa publike të mëdha por të hijshme, të projektuara nga arkitektët francezë. Ngaqë kishte mjaft parqe, kopshte e sheshe, Bukureshti u quajt qyteti-kopsht. Gjithashtu ishte ndër qytetet e para në botë, rrugët e të cilit ndriçoheshin nga llambat me vaj. Në vitin 1935, u ndërtua në bulevardin e bukur «Kiselef» Harku i Triumfit (2), i frymëzuar nga Harku i Triumfit në bulevardin «Shanz-Elize» të Parisit. Pamja piktoreske e qytetit mund ta ketë bërë një francez të ndihej si në shtëpi. Madje Bukureshtin e quajtën edhe Parisi i Vogël i Lindjes.

Pas Luftës II Botërore, Bukureshti përjetoi ndryshime të mëdha nën regjimin komunist. Gati një e treta e qendrës së qytetit, e cila ishte plot monumente me arkitekturë historike, u shemb për të ndërtuar blloqe pallatesh. Vetëm në vitet 1960 dhe 1961 u ndërtuan 23.000 apartamente. Në vitin 1980 filloi plani për ndërtimin e Shtëpisë Popullore. Në përfundim, kjo ndërtesë kishte qindra llambadarë dhe një vendstrehim në rast bombardimi, 90 metra nën tokë. Meqë ka një sipërfaqe prej 360.000 metrash katrorë, 12 kate dhe 1.100 dhoma, ajo është sa trefishi i Pallatit të Versajës në Francë. Sipërfaqe të tëra të qytetit të vjetër u rrafshuan për të ndërtuar pallatin dhe bulevardin madhështor, më i gjerë se «Shanz-Elizeja», që të çon drejt e te pjesa ballore e pallatit. Ata që e dinin si ishte më parë qyteti, tani thuajse nuk e njihnin më.

Shumë banorëve të qytetit, pamja pompoze e pallatit u zgjon kujtime të hidhura nga ndërtuesi, ish-diktatori Nikolae Çaushesku. Nga dëshira për t’i ngritur një monument vetes, ai punësoi 700 arkitektë e dhjetëra mijë punëtorë që u rraskapitën me tri turne. Kur regjimi i tij ra në vitin 1989, ndërtesa ishte ende e papërfunduar, ndonëse tashmë kishte kushtuar më shumë se një miliardë dollarë.

Pamje tjetër e qytetit

Një pamje krejt ndryshe mund të vërehet në pjesën që ka mbetur nga qyteti i vjetër. Atje mund të admironi elegancën e arkitekturës së Bukureshtit të dikurshëm. Ndërsa në Fshatin-Muze (3)—një ndër muzetë e tij të shumtë—mund të krijoni një ide për kulturën e larmishme të fshatrave rumune. Në një park të qetë nga ku soditet liqeni, janë mbledhur pjesë-pjesë nga e gjithë Rumania mbi pesëdhjetë shtëpi fshatareske e struktura të tjera që janë rindërtuar sipas origjinalit, duke krijuar një koleksion tërheqës. Çdo shtëpi është muze më vete që ekspozon vegla, zeje dhe një ambient shtëpiak që na shpalos një Rumani shumë të ndryshme nga Bukureshti i sotëm.

Në Bukuresht mezi dallohet ndarja mes lagjeve historike dhe moderne. Është normale të shikosh ndërtesa që u përkasin epokave të ndryshme tek rrinë përbri njëra-tjetrës (4). Kështu e vjetra me të renë gërshetohen në qytetin ku e djeshmja përqafon të sotmen.

[Figurat në faqen 10]

1 Pallati i Parlamentit

2 Harku i Triumfit

3 Fshatin-Muze

4 Ndërtesa që u përkasin epokave të ndryshme tek rrinë përbri njëra-tjetrës

[Burimi]

© Sari Gustafsson/​hehkuva/​age fotostock